PASHTRIKU: DHIMITËR BERATI, FIRMËTAR I AKTIT TË PAVARËSISË

Pashtriku.org, 26. 03. 2013 – Dhimitër Berati është një nga patriotët e rilindjes sonë kombëtare, i cili së bashku me Dh.Zografin, Dh.Emanuilin, P.Calen, S.Ilon, Th.Floqin e V. Korçën, firmosen Aktin Historik të Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë më 28 Nëntor 1912.
Dhimitër Berati lindi në Korçë më 15 tetor 1886, ku mori mësimet e para, ndërsa studimet e larta i kreu në Fakultetin e Shkencave Politike Administrative të Universitetit të Bukureshtit. Pas përfundimit të këtij fakulteti përfundon aty edhe Fakultetin e Drejtësisë. Ndërkohë, ai përfshihet në lëvizjen patriotike për mëvetësinë e atdheut të shqiptarëve të emigruar në Bukuresht dhe në vitin 1904, zgjidhet këshilltar i kryesisë së tyre. Më 1907 kthehet në vendlindje dhe punon si mësues i Shkollës Shqipe të Korçës, së bashku me patriotët Thanas Floqi, Thoma Avrami etj. Më 1909, merr pjesë në Kongresin Arsimor të Elbasanit dhe më 1910 në Kongresin e Dytë të Manastirit, duke spikatur si një ndër veprimtarët me të shquar të lëvizjes patriotike në qytetin e lindjes.

Dhimitër Berati (1886 – 1970)

Në nëntor të vitit 1912, Berati është një ndër organizatorët kryesorë të Konferencës së Shqiptarëve të Bukureshtit, të mbledhur me nismën e Ismail Qemalit në hotel “Kontinental”, ku u vendos që një delegacion me në krye Plakun e Vlorës, të shkojë në Shqipëri dhe të shpallë “Mëvetësinë” nga autoriteti i Turqisë. Në përbërje të këtij delegacioni, si delegat i Kolonisë shqiptare të Bukureshtit ishte edhe Dhimitër Berati, i cili së bashku me Dh.Zografin, Dh.Emanuilin, P.Calen, S.Ilon, Th.Floqin e V.Korçën firmosën Aktin Historik të Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë më 28 Nëntor 1912.
Duke vlerësuar aftësitë dhe kontributin e tij për çështjen kombëtare, Qeveria e I.Qemalit e dalë nga Kuvendi i Vlorës, e emëroi Dh.Beratin kryeredaktor të gazetës “Përlindja e Shqipërisë”, e cila ishte zëdhënëse e kësaj qeverie. Më 1919, Dh. Berati shkon në Paris me delegacionin e kolonisë shqiptare të Rumanisë, për të mbrojtur të drejtat e Shqipërisë kundër pretendimeve të shteteve shoviniste fqinje. Në vitet 1922-’24, merr pjesë aktive në qeverisjen e vendit, si Drejtor i Zyrës Politike në Ministrinë e Jashtme dhe më pas Sekretar i Përgjithshëm i kësaj ministrie. Gjithashtu, përfshihet si anëtar i Komisionit të Përcaktimit të Kufirit në Jug të vendit me Greqinë. Në vitin 1929, emërohet sërish Drejtor i Zyrës Politike në Ministrinë e Jashtme, kurse në vitin 1934 deri 1936, punoi si ministër i Ekonomisë Kombëtare e 1936 – 1939 ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Romë.
Në vitin 1941, Dh.Berati është ministër i Kulturës Popullore dhe zëvendësministër i Arsimit. Pas Luftës së Dytë Botërore, emigroi në Itali, ku shkroi librin historik me titull “Shqipëria” në dy vëllime. Vdiq në Romë më 8 shtator 1970. (S. Demolli)

…………………………………..

Dhimitër Berati – ishte kryeredaktor i gazetës “Perlindj’ e Shqipnies”.

…………………………

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura