ZHVILLIMET NË LËVIZJE, PAS ATENTATIT TË 17 JANARIT 1982 NË UNTERGRUPENBACH TË GJERMANISË (III)

ZHVILLIMET NË LËVIZJE, PAS ATENTATIT TË 17 JANARIT 1982 NË UNTERGRUPENBACH TË GJERMANISË (III)

Nga Sheradin Berisha, Pashtriku Prill 2024

Sheradin Berisha

BASHKIMI I FKP-së ME OMLK-në KA NDODHUR PARA TAKIMIT TË TETORIT 1981 (LNÇKVSHJ – OMLK) NË TURQI! MË 17 JANAR 1982 FKP NUK KA EKZISTUAR!

Fatmir Z Arifi, në tezën që shtron për debat shkruan: “…Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës është themeluar pikërishtë në vitin 1982 ku sipas të dhënave më datë 17 janar 1982 është themeluar nga përfaqësues: OMLK, (Kadri Zeka), LNÇKVSHJ (Jusuf Gërvalla) Fronti i Kuq Popullor (Ibrahim Kelendi);”

E para: deri më sot nuk ka të dhëna shkrimore arkivore (përveç dëshmisë verbale të Ibrahim Kelmendit) që dëshmojnë themelimin e Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK) më 17 janar 1982, nga përfaqësuesit e lartpërmendur të tri organizatave;

Ndaj dëshmive verbale të Ibrahim Kelmendit kam bërë një reagim substancial, i cila ka mbetur pa përgjigjie:

NJË DËSHMI E MUNGUAR PËR „BASHKIMIN“ E 17 JANARIT 1982!

E dyta: më 17 janar 1982, Fronti i Kuq Popullor (FKP-Ibrahim Kelmendi), nuk ka ekzistuar!

Pse?

Sipas publikimeve të Ibrahim Miran Kelmendit (në libra, shkrime të ndryshme e kumtesa “shkencore”), FKP (Fronti i Kuq Popullor) është shuar, gjegjësisht e ka pushuar veprimtarinë, qysh në janar të vitit 1981, me botimin e numrit 4 të “Bashkimit”. Rrjedhimisht bazuar në letrat Jusuf Gërvallës dhe jo vetëm, Jusufi nga janari 1981 e ka ndërpre çdo bashkëpunim me Ibrahim Miran Kelmendin, për disa arsye, njëra prej tyre ishte burgosja e Hysen Gegës në Kosovë në ndërrimin e motmoteve 1980/81, të spiunuar nga Sadik Blakaj (mik i Ibrahimit). Për më tepër gjatë organizimit të demonstratave (prill – korrik 1981) Jusufi ka ndërvepruar me Ibrahimin dhe të tjerët vetëm, siç thotë Jusufi -përmes shokut të Lirisë (Kadri Zeka)! Këtë fakt Jusufi e ka theksuar në një nga letrat e tij dërguar Sabri Novosellës.

Gjatë diskutimeve me Ibrahim Miran Kelmendin (këtu në Fb) i kam thënë se ai qysh në pranverën e vitit 1981 (gjatë demonstratave të organizuara në perëndim) kur është njohur me Kadri Zekën është bashkuar në OMLK, e jo në mesin e tetorit 1981 (pas dështimit të bisedimeve në Turqi, për bashkim ndërmjet, LNÇKVSHJ (Sabri Novosella) dhe OMLK) Kadri Zeka).

Se ka ndodhur bashkimi i FKP (në fakt vetëm i Ibrahim Kelmendit, sepse s’ka pas të tjerë) me OMLK-në para tetorit të vitit 1981, dëshmohet edhe në librin “VEPRA” të Kadri Zekës.

Në vitin 1986, vetëm katër vjet pas vrasjes së Kadri Zekës (bashkë me Jusuf e Bardhosh Gërvallën) Biblioteka “Liria” me seli në Biel – Bienne, (aty ku kishte vepruar sa ishte gjallë Kadri Zeka) ka botuar librin “VEPRA” me dokumente e fjalime të Kadri Zekës që ka mbajtur në demonstratat e organizuara në Zvicër – Gjermani (në prill – korrik 1981) si dhe shumë dëshmi të shokëve për veprimtarinë e tij gjatë viteve 1978 – janar 1982, në Zvicër.

Në faqen 17 – 18 të këtij libri ku shtrohet nevoja e bashkimit të të gjitha organizatave e lëvizjeve patriotike e komuniste të Kosovës në bazë të “Tezave të Frontit Popullor për Republikën e Kosovës”, vihet në pah edhe dështimi i bisedimeve për bashkim në mes OMLK dhe LNÇKVSHJ në tetor 1981 në Turqi.

“Në tetor të vitit 1981 Kadri Zeka me Bardhosh Gërvallën udhëtojnë në Turqi për bisedime që mundësisht të arrihej bashkimi në bazë të “Tezave…”, në mes OMLK-së dhe LNÇKVSHJ, pasi më parë ky bashkim ishte arritur me FKP”. Kështu thuhet në faqen 18 të librit “VEPRA” të Kadri Zekës.

Në vijim lexoni të plotë këtë dëshmi:

“Kadriun, si dhe shokët tjerë, e brengoste shkapërderdhja organizative e lëvizjes patriotike e komuniste të Kosovës. Bashkimi i punëve të gjitha organizatave e grupeve, bashkimi në luftë e sipër, kishte shtruar edhe terrenin për një bashkim e centralizim të saj organizativ.

OMLK në korrik 1981, pasi diskutoi në bazë, (në Kosovë) organizatave e grupeve tjera u propozoi “Tezat rreth Frontit Popullor për Republikën e Kosovës” për shqyrtim. Ky dokument ishte një bazë e mirë për t’u zhvilluar bisedime për themelimin e një, fronti popullor, bashkim e centralizim të lëvizjes patriotike e komuniste të Kosovës. Për këto qëllime, në tetor të vitit 1981 Kadri Zeka me Bardhosh Gërvallën udhëtojnë në Turqi për bisedime që mundësisht të arrihej bashkimi në bazë të “Tezave…”, në mes OMLK-së dhe LNÇKVSHJ, pasi më parë ky bashkim ishte arritur me FKP (Fronti i Kuq Popullor). Biseda e parë nuk çoi deri te qëllimi. Si zakonisht derisa sa zgjasin diskutime për ndonjë bashkim puna vazhdon e veçuar. Dhe Kadriu detyrohet që me forcat e OMLK-së jashtë të përgatisë teknikisht numrin 6-të të “Lirisë”. [Ky numër botohet në dhjetor 1981]

———

(Burimi: Kadri Zeka, Vepra, Biblioteka ”Liria”, Biel – Bienne – Zvicër, Korrik 1986, faqe 17-18)

***

DOKUMENTI I 16 JANARIT 1982 NUK VENDOS PËRFUNDIMISHT BASHKIMIN E DY ORGANIZATAVE: LNÇKVSHJ + PKMLSHJ

Fatmir Z. Arifi

Sheradin Berisha, mik i respektuar, më ke kërkuar të i publikoj dy dokumente të 16 janarit të vitit 1982, përveç radiogramit sekret të asaj kohe. Mbase dhe mund të i publikoj, por rendi dhe vendi e lyp që këto dy dokumente të nënshkruar nga dy përfaqësues të dy organizatave të fshehta… Abdullah Prapashtica dhe Sabri Maxhuni – Novosella të i publikojnë. Do ishte më korrekte, sipas mendimit tim.

***

Sheradin Berisha

Fatmir Z. Arifi kanë kaluar 42 vjet nga koha kur këto dy dokumente janë arkivuar, dhe tashmë është detyrë e historianëve që t’i publikojnë ato, jo e përfaqësuesve të organizatave, të cilët për arsye të ndryshme subjektive edhe mund të hezitojnë që ta bëjnë një gjë të tillë!

Unë radiogramin e 16 janarit 1982 dhe të gjitha radiogramet tjera (që janë publikuar) i kam analizuar me kujdes të veçantë! Dhe në rastin konkret edhe radiogramin e datës 16 janar 1982, të dërguar nga diplomati Bujar Hoxha (në ambasadën shqiptare në Ankara) për Ministrinë e Jashtme në Tiranë (që e keni theksuar për debat), e kam analizuar duke e prezentuar qartësisht në një nga postimet e mia të mësipërme!

Këto dy dokumente, veçanërisht dokumenti i nënshkruar nga Sefedini (Abdullah Prapashtica) dhe Xhelali (Sabri Novosella) që përmendet në radiogram konstaton se, “nuk vendos perfundimisht bashkimin e tyre”.

Sidoqoftë ti si studiues i kësaj fushe tashmë mund t’i publikosh këto dy dokumente plotësisht ose pjesërisht (substancën e tyre).

***

Kur bëjmë fjalë për radiogramet, është një fakt interesant që kam spikatur në deshifrimin e radiogrameve të datës 18.01.1982, të dërguar nga diplomati Engjëll Koloneci nga ambasada shqiptare në Vjenë, për ministrinë e jashtme në Tiranë, lidhur me njoftimin për atentatin e kryer ndaj Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës më 17 janar, dhe deshifrimin e dy faqeve të radiogramit, datë 16 janar 1982, të dërguar nga diplomati Bujar Hoxha në Ankara, për ministrinë e jashtme në Tiranë, që kanë të bëjnë pikërisht me këto dy dokumente për të cilat po diskutojmë këtu!

Konkretisht ashtu si dy faqet e radiogramit, të datës 16 Janar 1982 (dërguar nga Vjena), që janë deshifruan nga shifranti FH, më datë 18 janar 1982, në orën 12:00 – 12:40, njëkohësisht edhe radiogrami i datës 18. 01. 1982 i dërguar nga Vjena, dhe i deshifruar nga shifranti FH, është bërë më 18 janar, në të njëjtën orë nga 12:20 – 12:40!

***

Shiko në foto: deshifrimi i kornizuar me të kuqe, i radiogramit të datës 18 janar 1982 (i dërguar nga Vjena) është i njejtë në kohë (me orë) me deshifrimin e radiogramit të datës 18 janar 1982, i dërguar nga Ankara!

Sheradin Berisha

Fatmir Z. Arifi

Shiko në foto: deshifrimi i kornizuar me të kuqe, i dy faqeve të radiogramit të datës 16 janar 1982 (i dërguar nga Ankara) është i njejtë në kohë (nga ora 12:00 – 12:40) me deshifrimin e një faqe të radiogramit, datë 18 janar 1982, i dërguar nga Vjena, në orën 12:20 – 12:40)!

***

XHAFER SHATRI NË LRSHJ U BASHKUA JO SI INDIVID, POR SI OMLK!

Sheradin Berisha

Në vijim të kësaj teze për diskutim, Fatmir Z Arifi, shkruan: “Ndërsa në muajin Maj të po atij viti (1982), bashkohet dhe një kuadër i OMLK-s- Xhafer Shatri…!”

Nuk është e vërtetë se në muajin maj 1982 Xhafer Shatri i bashkohet LRSHJ-së vetëm si kuadër i OMLK-së. Më 14 – 15 maj 1982 në banesën e Hasan Malës në Biel Bienne të Zvicrës dy përfaqësuesit e LRSHJ-së (të bashkimit të 17 shkurtit 1982 në Turqi): Xhafer Durmishi dhe Osman Osmani takohen me drejtuesit e OMLK-së Xhafer Shatrin dhe Hasan Malën, dhe me këtë rast OMLK si organizatë bashkohet në LRSHJ. Për këtë bashkim përpilohet edhe një Komunikatë e cila botohet në numrin e parë të Zërit të Kosovës (organ i LRSSHJ-së), qershor 1982. Për më tepër kjo komunikatë shpërndahet edhe bashkë me thirrjen „Kushtrim“ për demonstratën e 26 qershorit 1982, e cila do të mbahet në Bern të Zvicrës!  Dhe në fund Fatmiri shron pyetjen: „përse e braktisën foshnjën e tyre të posa lindur drejtuesit e këtyre organizatave që u bashkuan, veç 6 muaj më pas?“ Drejtuesit e organizatave që u bashkuan më 17 shkurt dhe më 15 maj 1982 nuk e braktisën LR(S)SHJ, por në periudhat 1982 – 1985 dhe 1985 – 1993 ndikuan shumë faktorë objektiv dhe subjektiv që kjo Lëvizje të degëzohet (për të mos thënë copëzohet), ndësa drejtuesit e saj krijojnë forma tjera organizimit për t‘u liruar nga pushtimi shekullor Serb!

***

Agim Sylejmani

Edhe pse nuk kam dashur të përfshihem në këtë lloj debati, megjithatë, këtu dua që të përfshihem vetëm me një fakt, për t’i dëshmuar opinionit se OMLK (Organizata Marksiste-Leniniste e Kosovës) nuk është shuar dhe nuk ka përfunduar veprimtarinë e saj nga 15 maji 1982. Këtu po ua sjell faqen e parë të Organit të OMLK-së, nr. 2, Nëntor 1986. Dua të besoj që do të mbizotërojë logjika e shëndoshë që të mos përsëriten shprehje të tilla si: “kanë pushuar të veprojnë si të tilla”, sepse edhe anëtarë të PKMLSHJ-së kanë vepruar në Kosovë si të tillë edhe pas 15 majit 1982.

***

SHTOJCË

DËSHMI NGA XHAFER DURMISHI

”Unë e Osman Osmani u kthyem në Gjermani më 22 shkurt 1982. “Zëri i Kosovës”, numri i tretë, ishte në fazën përfundimtare. Unë pritja se ai do të dali si organ i LRSHJ-së. Ndërrimi në kokën e organit nga LNÇKVSHJ në LRSHJ ishte një çështje tepër e thjesht. Osman Osmani ndërhyni duke thënë: “Le të del edhe ky numër si organ i LNÇKVSHJ-së në mënyrë që armiku të mos kujtoj se mbas atentatit u shkatërrua LNÇKVSHJ”. Ne në rrethin e Shtutgartit nuk e kundërsh­tuam në këtë pikë. Por e gjithë kjo ishte një dredhi e intrigë e cila kishte për qëllim të vonon çështjen deri më 14 e 15 maj (1982) në mënyrë që aty të shtrohej prapë çështja e emrit të gazetës për LRSHJ. Pra në këtë pikë ku ata vetëm nuk kishin mundur të bënin asnjë ndryshim, shpresonin tani më 14 e 15 maj se me ndihmën e Xhafer Shatrit do të bënin ndërrimin e emrit të organit. Xhafer Shatri, si përfaqësues i OMLK-së dhe i revistës “Liria” kishte arsye shumë më të mëdha që të kërkonte një emër më neutral se sa “Zërin e Kosovës”, për LRSHJ. Por emri i “Zërit të Kosovës” nuk u ndryshua as më 15 maj, përkundër faktit se ishte e vetmja pikë që u diskutua.

(Burimi: Xhafer Durmishi – Skenderi, ORGANIZATAT POLITIKE SHQIPTARE NË EVROPË 1979 – 1985 (4) – Suedi, maj 1992 – shkurt 2024)

***

3.Numri 3 i Zërit të Kosovës si organ i Lëvizjes Nacionalçlirimtare (LNÇKVSHJ)

Ne shokët e Jusuf Gërvallës, duke u nisur nga vendimet e marra më 17 shkurt 1982, në Ankara planifikuam që numri i marsit, i Zërit të Kosovës, i përgatitur përmbajtësisht nga Xhafer Durmishi-Skenderi dhe grafikisht nga Suzana Gërvalla do të duhej me dalë në emër të Lëvizjes për Republikë (LRSHJ) dhe jo në emër të LNÇKVSHJ. Osman Osmani në koordinim me Abdullah Prapashticën e kundërshtoi këtë duke dhënë këtë arsyetim:

– Ky numër duhet të dalë në emër të LNÇKVSHJ, që të mos mendoi armiku se LNÇKVSHJ nuk ka qenë në gjendje me e vazhdua Zërin e Jusuf Gërvallës.

Unë dhe shokët e mi nuk e kundërshtuam dhe treguam gatishmëri me ia plotësua këtë dëshirë. Për këtë arsye e shtypëm një dokument për ta shpallur bashkimin që do të shpërndahej si trakt së bashku me Zërin e marsit, ku në Evropë do të shpallej bashkimi i 17 shkurtit 1982.

Edhe idenë e shpërndarjes së traktit me lajmin e bashkimit Osman Osmani e kundërshtoi, në këtë rast me arsyetimin se po të  bëhej kjo, Partia Komuniste (PKMLSHJ) do të konsiderohej si një shtojcë, si një fletë e shkëputur, që e merr era, në historinë e Lëvizjes së Jusuf Gërvallës.

Edhe në këtë pikë nuk e kundërshtuam dhe një trakt i shtypur me lajmin e bashkimit nuk u shpërnda tek askush.

Cili ishte qëllimi i vërtetë i këtyre veprimeve të Partisë Komuniste (PKMLSHJ)?

Qëllimi kryesor ishte që të pritej deri më 14 e 15 maj 1982, kur do të takoheshim me OMLK-në, ku çdo gjë duhet të filloj nga zeroja.

Partia Komuniste, e vërtetë, (PKMLSHJ) nuk do të pranoj kurrë që t’i vendosë organizatat tjera komuniste, të vërteta, para një akti të kryer, për hir të elementëve antiparti.

Të gjitha lëshimet që Partia komuniste ia ka bërë Lëvizjes-LNÇKVSHJ- për hir të mulla Hamitit dhe mulla Izet Tashollit do të korrigjoheshin, në mes komunistëve të vërtetë.

Partia Komuniste (PKMLSHJ) dhe Osman Osmani nuk ka asnjë lidhje dhe nuk ka dhënë asnjë kontribut për numrin 3 të Zërit të Kosovës, të marsit 1982, si organ LNÇKVSHJ. I vetmi kontribut i tyre, në këtë numër, janë planet e tyre të pabesa e djallëzore.

4. Takimi i 15 majit 1982 në Zvicër

Në takimin e 15 majit 1982, Osman Osmani i kërkoi Xhafer Shatrit që të fillohet nga zeroja. Xhafer Shatri, i befasuar, i tronditur prej qëndrimit të papritur të Osman Osmanit, por kuptohet, brenda kufijve të nokdaunit, ishte dakord me Osman Osmanin, që të fillohet nga zeroja. Të dytë mu drejtuan mua, njeriut më të pafajshëm e më të sinqertë. Unë ju thash se në bazë të mësimeve të mulla Hamitit dhe mulla Izet Tashollit, unë mundem vetëm me bërë amin, jam ardhë vetëm me bërë amin për punët që ju jeni marrë dhe mund të merreni vesh me Sabri Novosellën.

5. Letra e 16 majit 1982 e Xhafer Shatrit për Osman Osmanin e Xhafer Durmishin

Duke u bazuar në dëshirën e PKMLSHJ që të fillohet nga zeroja, Xhafer Shatri, pas kthjelltimit të parë dhe kaftjallit të parë e shkruan këtë letër (më 16 maj) si më poshtë.

Xhafer Shatri: Të dashur shokë!

Edhe pse jemi parë dje, po ju drejtohem sërish me këto rreshta në mënyrë që t’i konkretizoj disa gjëra. ….

Po që se ju jepet rasti, ju lutem që t’ia përcillni Kamberit (Sabri Novosellës-shën. i Xh.D.) argumentimet tona lidhur me nevojën e ndryshimit të emrit të organit (gazetës-shën i Xh.D.) dhe përpiquni të jeni sa më origjinal dhe sa më të arsyeshëm dhe këtë mos e bëni sa për ta bërë, por vetëm pse është shumë e nevojshme.”

(Burimi: Xhafer Shatri: Letër Xhafer Durmishit dhe Osman Osmanit,16 maj 1982; Faridin Tafallari, Dhimbje krenare, Tiranë1998, f. 162-164)

6. Letër e Xhafer Durmishit për Sabri Novosellën, 22 maj 1982

Shoku Mërgim, 22 maj 1982

Dje e mora një letër nga Xhafer Shatri (pseudonimin e kam zëvendësuar me emrin e vërtetë-shën. i Xh.D.). Po ta dërgoj të fotokopjuar. Edhe letrat tuaja të dërguara tek shoku gjerman i mora. Do të veprohet asi soji dhe besoj se do të ndikoj pozitivisht. …. Jemi duke punuar në dalje të revistës, por prapë se prapë emri i saj po kontestohet e diskutohet. Prej Ankarasë nuk ka ardhë ndonjë material.”

Me këtë letër i kam kërkuar Sabriut t’i kontaktoj (përmes melaqeve) në mënyrë urgjente mulla Hamitin dhe mulla Izetin.

7. Pse bashkimi i 17 shkurtit 1982, në Evropë u shpall pas katër muajsh, në mesin e qershorit 1982

Vonimi i qëllimshëm i Partisë Komuniste (PKMLSHJ) me shpalljen e lajmit të bashkimit të 17 shkurtit 1982, në Evropën Perëndimore, për katër muaj është bërë me qëllim që OMLK-ja të mos vendoset para një akti të kryer. Shpallja e bashkimit, pas 17 shkurtit 1982, në Kosovë, është bërë nga Sabri Novosella, pa i marrë leje PKMLSHJ, nga Imer Berisha dhe rrethi i tij.

8. Organizimi i demonstratës së 26 qershorit 1982 në Bern të Zvicrës

Publikimi i lajmit të bashkimit të 17 shkurtit 1982 dhe takimit të 15 majit 1982, në Evropë, është bërë njëkohësisht, me Komunikatën që është shpërndarë së bashku me Thirrjen e demonstratës së Bernit, të 26 qershorit 1982, në ditën e fillimit të punimeve të Kongresit XII të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë (LKJ). Kjo Komunikatë është formuluar nga Xhafer Shatri dhe Sabri Novosella. Është daktilografuar, i është dhënë forma përfundimtare, është shtypur dhe është shpërnda nga Xhafer Shatri.

Partia Komuniste (PKMLSHJ) ka mbetur, më 15 maj 1982 edhe më e pakënaqur se më 17 shkurt 1982. Shkëputjen e tyre shpirtërore me ngjarjet e asaj kohe, rolin e tyre pasiv, periferik, si  parazit dhe të pabesë e dëshmojnë më së miri rreshtat e mëposhtëm.

Partia Komuniste (PKMLSHJ): “VONË U NJOFTOVA … Më 24 qershor (1982), gjatë një vizite të rastësishme në Sindelfingen, u takova me Xhafer Durmishin dhe Fahredin Tafallarin, të cilët më njoftuan se e kishin organizuar një demonstratë që do të mbahej në Bern të Zvicrës, më 26 qershor (1982-shën i Xh. D.)” (Nuhi Sylejmani, Vrasja e trefishtë, Prishtinë 2010, f 142 e 145)

Pra në kohën kur shokët e Jusuf Gërvallës në bashkëpunim me Xhafer Shatrin e shokët në Zvicër e në Australi, pra në skajin tjetër të globit tokësor, në mënyrë të koordinuar organizojnë demonstrata në ditën e fillimit të punimeve të Kongresit XII të LKJ, gënjeshtarët parazit, rastësisht marrin vesh vetëm dy ditë përpara se janë duke u organizuar demonstrata. Duke i analizuar djallëzitë e veprimeve dhe nameve të tyre në Shtutgart, në pranverën 1982, mund të kuptohet tërësisht roli i tyre në demonstratat e Pranverës 1981, puna e tyre, hajnia e tyre, përpjekja për të marrë mbi vete veprën e të tjerëve.

9. Organizimi i demonstratës së 26 qershorit 1982 në Sydeney të Australisë

Në kohën sa e kam drejtuar Zërin e Kosovës, mars 1982-mars 1983 (qoftë tërësisht qoftë teknikisht), me sa më kujtohet, (me përjashtim të një poezie-shkrimi për Afrim Abazin e dërguar tek Xhafer Shatri) nuk është botuar punim i PKMLSHJ. Kjo ka ndodhë jo pse nuk kemi dashur me ua botuar punimet, por për atë se ata nuk kanë ditur, punimet e tyre nuk kanë ekzistua. Thoshin se arkiva u ka mbetur në Kosovë.

(…)

11. Kthimi i Osman Osmanit në Turqi, në mesin e korrikut 1982

Më 11 korrik 1982, është mbajtur takimi i Komitetit Vëllezërit Gërvalla (KVG) Komitet që e kam drejtuar unë Xhafer Durmishi-Skenderi. Ky është takimi dhe lidhja ime e fundit me PKMLSHJ-në.

Në mesin e korrikut 1982, Osman Osmani u kthye në Turqi, pas një veprimtarie të dendur kundër udbës, rrezikohet nga udba, dhe shkon tek Abdullah Prapashtica për ta shpëtuar jetën dhe për të raportuar për sukseset e misionit të tij në Shtutgart e Zvicër.

(Burimi: Xhafer Durmishi-Skenderi: Zëri i Jusuf Gërvallës dhe Partia Komuniste (PKMLSHJ), 22 shkurt 1982-11 korrik 1982, Suedi 14 prill 2023)

FUND /

© Pashtriku.org

————-

Kthehu në fillim (në faqen e parë) të shkrimit:

ZHVILLIMET NË LËVIZJE, PAS ATENTATIT TË 17 JANARIT 1982 NË UNTERGRUPENBACH TË GJERMANISË (I)

Nga Sheradin Berisha, Pashtriku Prill 2024

______________

SHKRIME TJERA:

IBRAHIM KELMENDI – KUNDËRTHËNËSI I LËVIZJES (1 – 3)

***

NË KORRIK 1981 IBRAHIM KELMENDI INFORMON DIPLOMATËT SHQIPTAR NË PARIS, SE, PO PUNON AKTIVISHT NË FORMIMIN E PARTISË KOMUNISTE MARKSISTE – LENINISTE TË KOSOVËS!

***

JUSUF GËRVALLA DEMASKON IBRAHIM KELMENDIN, PËR 5 PRILLIN 1981 DHE JO VETËM!

Nga Sheradin Berisha, më 8 prill 2024

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura