(Pashtriku.org, 29. 06. 2012) – Më 21 qershor, në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë është hapur Ekspozita “Vështrime të ndërthurura: ‘Franca në Shqipëri 1912-1922′” dhe qëndron në hollin qendror të Muzeut Historik Kombëtar deri më 1 korrik. Kjo ekspozitë organizohet me mbështetjen e Ambasadës Franceze dhe Bashkisë së Tiranës – në kuadër të 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Në këtë Ekspozitë prezentohen për herë të parë 150 fotografi të përgatitur nga studiuesi dhe koleksionisti Valter Gjoni.
V.Gjoni ka hulumtuar në shtypin francez të kohës duke nxjerrë çdo detaj ku flitet për Shqipërinë e fillim shekullit të XX’të dhe me këtë rast ka zgjedhur foto të realizuara nga diplomatë francezë, gazetarë dhe operatorë të mediave franceze që ishin në radhët e Armatës Franceze gjatë Luftës së Parë Botërore. Fotoreporterë të koleksionit janë: Robert Vaucher, André Kertész, Ted Dubray, Frédéric Gadmer, Serge Beaurienne, Charles Martel, konsulli i Francës, Leon Krajewski, si dhe historiani bashkëkohor francez Patric Najbor, të cilët i kanë pajisur fotot e koleksionit edhe me përshkrime tepër reale.
Studiuesi dhe koleksionisti Valter Gjoni
—————————-
_______________________
Në fokus të dëshmive fotografike janë personazhet dhe ngjarje historike të një dekade nga shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë (1912) deri në njohjet e para diplomatike të shtetit shqiptar (1922). Pjesë e ekspozitës janë edhe foto të ushtarëve me njerëz të thjeshtë, të ushtarëve në kisha, xhami, në familjet e fshatarëve dhe të shtëpive të kthyera në spitale dhe baza për ushtrinë e kohës.
Ekspozita fillon me Ismail Qemalin, me tentativën e tij për t’u lidhur me botën, për të shkuar te Fuqitë e Mëdha, dhe përfundon me ambasadat e para që hapen më 1922, ambasadat Austro-Hungareze, Amerikane, Franceze.
Fotoja që hap ekspozitën është gjetur në Muzeun e Anijeve në Nisë të Francës. Bëhet fjalë për pikturën e një jahti, të gjetur në Muzeun e Jahteve në Nicë. Quhej “Mekong” dhe i përkiste Princit Ferdinand i Orleanit, ose Duka Montepensier. Ajo hyri në Gjirin e Vlorës, duke thyer bllokadën e vendosur nga grekët në datën 1 prill 1913 dhe ka nxjerrë po nga ky rrethim Ismail Qemalin për në Konferencën e Londrës. Ky fakt përmendet edhe në kujtimet e Ismail Qemalit. Sipas Gjonit, ky është mjeti që e çoi Ismail Qemalin në Londër dhe jo skafi, ku është shkrepur fotoja e famshme me Isa Boletinin dhe Luigj Gurakuqin, i cili e shoqëroi thjesht deri te jahti.
E gjithë ekspozita vazhdon me një kronologji të ngjarjeve historike, operacione luftarake, administrimin civil-ushtarak të qyteteve dhe veprimtarinë e ndihmës humanitare në territorin e Shqipërisë. Duket se fotoreporterët francezë janë gjendur në momente kyçe të historisë së atyre viteve. Një ndër to është akti i dorëzimit të çelësit të kalasë së Shkodrës Princit Danilo të Malit të Zi, nga Esat pashë Toptani, në prill 1913. Ky akt shoqërohet me të tjera fotografi, si ngritja e flamurit malazez në kalanë e Shkodrës, hyrja e ushtrisë dhe Princit malazez në qytet, beteja e Taraboshit, varrosja e ushtarëve të vrarë, djegia e pazarit të Shkodrës, largimi i ushtarëve shqiptarë të Esat Pashës, pamje të Konsullatës Franceze të bombarduar etj. Janë këto një seri fotografish të realizuara nga H. Grant, që ilustronin një artikull të 10 majit 1913 në gazetën “L’Illustration”, që aso kohe ishte ndër më të rëndësishmet e shtypit francez.
Krahas koleksionit fotografik V.Gjoni ka krijuar edhe një koleksion gazetash franceze “L’Illustration”, “Le Temps”, me rreth 100 artikuj që komentojnë ngjarjet në foto. Ai ka realizuar dy libra të mëdhenj duke ndërtuar kësisoj një histori shqiptare 1912-1922 përmes shtypit frëng. Është një model për të cilin Gjoni është frymëzuar nga Patrick Najbor, historian francez, autor i një monografie prej pesë vëllimesh kushtuar historisë së mbretërisë shqiptare (1928-1939).
Një tjetër personazh i pranishëm është Princ Vidi, pritja, por dhe përcjellja që i është bërë atij dhe si relike makina e sekuestruar nga francezët në Korfuz, pas largimit. Një fotografi interesante është ajo e varrimit të kolonelit Tompson, i cili përcillet me ritet shqiptare, e shumë e shumë fotografi të tjera me vlerë historike.
————————-
SHIKONI DISA FOTO NGA KJO EKSPOZITË:
………………………………………………………
…………………………………………
………………………………………………..
…………………………………………..
…………………………………………………………….
…………………………………………………………….
…………………………………………………..
………………………………………………………….
………………………………………………………………..
…………………………………………………………………………
………………………………………………………………
========================================
NGA SH.BERISHA, KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG