PASHTRIKU: NJË FRAGMENT NGA LIBRI NË DORËSHKRIM ‘NGJARJE DHE DATA’ I AUTORIT NUHI BYTYQI NGA PRIZRENI

(Pashtriku.org, 28. 02. 2013) – Gjatë tërë jetës sime kisha mësuar shumë gjëra. Qysh i ri dëgjoja nga babai duke folur me shokët për kohën e kaluar. Dëgjoja për luftën e partizanëve, por dëgjoja edhe radion që ne kishim qysh pas largimit nga fshati Semetisht, diku 5 kilometra nga Suhareka. Babai shpeshherë i dëgjonte lajmet fshehurazi. Sapo dikush futej brenda, ai bëhej se po i provon stacionet në radio. I përcillte në mënyrë shumë ilegale ngjarjet që ndodhnin në Shqipëri, e këtë e zbulova një ditë kur ai nuk ndodhej në dhomë. U befasova edhe unë kur dëgjova radion, flitej në gjuhën shqipe, që ishte vështirë për moshën time ta kuptoj plotësisht çfarë thuhej.
Edhe pse isha në atë moshë, po filloja të kuptoja shumë gjëra se çfarë kishte përjetuar dhe si ishte ndarë një popull në shumë shtete, pra populli shqiptar që jeton në Kosovë është ndarë nga Shqipëria dhe trojet e tyre etnike. Këto troje ishin cunguar në masë të madhe pa dashje të shqiptarëve të Kosovës dhe është lënë në mëshirën e federatës jugosllave. Atë kohë u ekzekutua veprimtari Halim Spahia, njeriu që ishte në përbërje të delegacionit shqiptar nga Kosova, që në Beograd u takua enkas me Josip Broz Titon kryetar i atëhershëm i federatës Jugosllave. Halim Spahia ia kishte shprehur haptas Titos mospajtimin me aneksimin e Kosovës nga ana e Jugosllavisë. Kërkoi të respektohet konventa e së drejtës për vetvendosje të garantuar me Kartën e Atlantikut dhe rezoluta e konferences së Bujanit, për të cilën vet Jugosllavia garantonte.
Të gjitha këto konventa ndërkombëtare dhe rezolutën e Bujanit vet Titoja po i kundërshtonte dhe mohonte. Po kërkohej nga pala shqiptare (jo edhe tradhtarët) për krijimin e Republikës për të gjithë shqiptarët e mbetur në Jugoallavi, mirëpo edhe kjo kërkesë po refuzohej nga udhëheqësia e federates Jugosllave me motiv se shqiptarët në kuadër të Jugosllavisë na qenkan pakicë e nuk janë komb. Halim Spahia jo që nuk pati përkrahje nga klika e atëhershme shqiptare, por pati presion nga Mehmet Hoxha që ta nënshkruajë marrëveshjen së bashku me delegacionin kosovar për futjen e Kosovës nën Republikën e Sërbisë. Ky guximtar dhe patriot shqiptar nuk u pajtua asesi me këtë, ai bile doli me kërkesat e tija shumë publike se shqiptarët duhet të gëzojnë të gjitha të drejtat si të gjitha kombet tjera.

Halim (Shaqir) Spahia (1897 – 1946)

Pas gjithë kësaj “rrëmuje” që i shkaktoi delegacionit shqiptar dhe vet Josip Broz Titos, Halim Spahia shkoi në Ambasadën Shqiptare në Beograd, me mendimin se atje do të gjejë përkrahje. Takohet me Ambasadorin e Ambasadës – Hysni Kapon, mirëpo ambasadori paraprakisht ishte njohur me qëndrimet e Halim Spahisë dhe ky mundohet ta thejë “rebelizmin” e tij duke u munduar njëkohsisht ta bind. 
– Nuk është me rëndësi kjo që thua ti, sepses së shpejti edhe Shqipëria do të jetë Republikë e shtatë në kuadër të Jugosllavisë – I kishte thënë ambasadori shqiptar. Nuk kishte besuar Halim Spahia se diçka të tillë do të dëgjojë nga goja e një ambasadori shqiptar.
– Po si more shoku Hysni, ju flisni kështu?! A flisni në emrin tuaj apo në emër të shokëve të Komitetit partiak të Shqipërisë?
Ambasadori bëri ca tentime për ta qetësuar duke përdorur autoritetin e tij, por nuk pati sukses. Nuk kishte menduar as ambasadori se qëndrimi i Halimit do të ishte aq i prerë .
– Po ta përsërisë se do të jemi së bashku në kuadër të Jugosllavisë.
Mirëpo i menjëhershëm do të jetë reagimi i Halim Spahisë.
– Njëherë të bashkohemi si shqiptar në një Shqipëri etnike e pastaj të shkojmë ku të shkojmë, por të shkojmë të bashkuar!
Duke parë qëndrimet e prera të këtij burri, po tërhiqej edhe shërbimi i ambasadës shqiptare, sepse edhe këta ishin pa qëndime kombëtare, kishin gjetur rehatinë e tyre. Halim Spahia u kthye në Kosovë, mirëpo ai nuk qëndroi gjatë dhe sërish shkoi në Shqipëri duke u munduar që të takohet me Enver Hoxhën. Një ”luks” të tillë nuk po ia lejonin kolaboracionistët, sepse edhe atje e kishin përgatitur terrenin nëpërmes Ministrit të punëve të brendshme të Shqipërisë – Koçi Xoxe, i cili me kohë e kishte përgatitur urdhëresën për arrestimin e Halimit, si njeri i rrezikshëm për politikën shqiptaro – jugosllave dhe të lidhur me pranga ia dorëzojnë sigurimit shtetëror jugosllav në Prizren.
Për këto qëndrime patriotike Halim Spahia u pushkatua më 16 shkurt 1946 në Prishtinë. Së bashku me të u pushkatua edhe Tahir Deda, Rexhep Kabashi, Rifat Krasniqi, Kajtaz Ramadani dhe Sefedin Ahmeti dhe u dënuan edhe 19 shqiptarë të tjerë me dënime drakonike. Të gjitha këto pushkatime dhe dënime po ndodhnin menjëherë pas përfundimit të luftës së përbashkët të komunistëve jugosllav dhe shqiptarë, në të cilën luftë të gjitha kombet dhe kombësitë i fituan të drejtat pos shqiptarëve dhe atë vetëm për shkak të pavendosmërisë së klasës politike shqiptaro-shqiptare.
Gjithmonë është parashtruar pyetja si është e mundur që të nënshkruarit e konferencës së Bujanit të nënshkruajnë edhe aneksimin e Kosovës në përbërje të Sërbisë dhe njëkohësisht t”i dënojnë patriotët si Halim Spahia me pushkatim dhe të tjerët të dënohen me burg pikërisht nga shqiptarët në krye me kryegjykatësin Hivzi Sylejmani dhe prokurorin Ali Shukria.
Ali Shukriu do të vazhdojë t”i shërbejë politikës serbe edhe në gjykimin e grupit tjetër në krye me Marije Shllakun, Bernard Filip LLupin, Sokol Tomë Parubin dhe Gjergj Martinin. Të katërtit pushkatohen më 24 nëntor 1946, pra në të njëjtin vit edhe 25 të tjerë do të dënohen në procesin e Prizrenit me motivin se po kërkojnë bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet unik.
Pra, tradhtarët si Hivzi Sylejmani, Ali Shukriu, Fadil Hoxha, Mehmet Hoxha, Mehmet Maliqi, Veli Deva dhe shumë të tjerë po bënin gara se kush do tregohet më besnik ndaj politikës serbosllave…
(…)


(Pjesë nga libri në dorëshkrim “Ngjarje dhe data” të autorit Nuhi Bytyçi nga Prizreni.)

…………………………………………………..

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura