PASHTRIKU: SERENATA KORÇARE, HIMNI NOSTALGJIK I DASHURISË

Pashtriku.org, 20. 09. 2013 – Më 14 shtator 2013 në teatrin “A.Z.Çajupi” u organizua promovimi i librit “Serenata – himni i dashurisë korçare” i studiuesit, poetit dhe shkrimtarit Vangjush Ziko. Ishte një shtysë për të ngjitur edhe një herë në skenë serenatistët me kitarat e tyre, Kompozitori Josif Minga bëri një vlerësim tërësor të studimit, ndërsa autori falenderoi të gjithë ata që bënë të mundur realizmin e promovimit përmes spektaklit.
Me librin e titulluar “Serenata, himni i dashurisë korçare” shkrimtari Vangjush Ziko, sjellë Korçës në kujtesë atë që e bën të quhet qyteti i serenatave. “Është e pafalshme që ta lëmë serenatën në harresë, edhe pse kjo gjini muzikore e spikatur vetëm në Korçë tashmë e ka mbyllur ciklin e saj”, thotë Ziko. Malli i mërgimit në Kanada, por edhe mosha afro 75-vjeçare, nuk e kanë lënë të qetë për të kërkuar rrënjët e serenatës korçare, brezat e këngëtarëve të saj, personazhet që edhe sot e kësaj dite Korça i mban për emblematikë etj. Qysh i ri, pas përfundimit të studimeve për letërsi në Moskë, Vangjush Ziko ka qenë aktiv në jetën kulturore të qytetit të tij të lindjes dhe pjesë të veprimtarisë artistike ka qenë edhe serenata. Jo më kot, ai na rikthen me nostalgji “jetën” e serenatës në Korçë.

“Serenata – himni i dashurisë korçare” i studiuesit Vangjush Ziko.

Vangjush Ziko sjell në një libër historinë 150-vjeçare të serenatave korçare, një histori e këngëve që e kthyen Korçën në qytetin e ëmbël të dashurisë.

*  *  * 

Origjinaliteti i serenatës korçare është i padiskutueshëm dhe ka të bëjë me rolin që ajo luajti në botën shpirtërore korçare. “Për hir të së vërtetës duhet pranuar se mjaft nga serenatat e krijuara e të kënduara në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX kanë qenë imitime të serenatave të huaja, jo vetëm të Qefalonisë në Greqi, por edhe të serenatave italiane dhe spanjolle”, përmend në librin e tij Vangjush Ziko. Sipas tij, këtë e dëshmojnë edhe tekstet e disa serenatave të përkthyera nga këngë greke prej Spiridon Ilos dhe Loni Llogorit. “Është meritë e të rinjve korçarë që e përqafuan të parët këtë risi të muzikës së lehtë europiane në vendin tonë”, na thotë Vangjush Ziko. Kjo krijimtari mori hov veçanërisht në vitet ‘20 të shekullit të kaluar dhe në vazhdim kur po njiheshin edhe autorët e këtyre serenatave. Në vitet që pasuan, bëhet fjalë kryesisht për krijime të mirëfillta dhe me plot gojën mund të thuhet se bëhet fjalë tashmë për serenatën origjinale korçare. Origjinalitetin e saj, serenata korçare, në ndryshim nga kënga lirike, e ka edhe te vendi i interpretimit. Serenata është krijuar për t’u kënduar në rrugë, në skenën natyrore, nën një dritare apo ballkon dhe, detyrimisht kur bie mbrëmja. Këngëtari i serenatës, i mbështjellë nga velloja e natës dhe misteri, është i dashuruari poshtë dritares së të dashurës, e cila ka një emër të përveçëm.
Sipas Vangjush Zikos, serenata korçare, gjatë ekzistencës së saj afro 150-vjeçare, numëron shtatë breza serenatistësh. Grupi i parë u përket viteve 1860-1880, ku merrnin pjesë Gaqo Marko, Spiro Ramizi, Nisi Piasto, Vani Mitko, Thoma Lako, L. Osmanlli etj. Një grup tjetër i njohur në kohën e vet përpara vitit 1913 ishte ai i Nodhi Lakos, këngëtar dhe instrumentist, Sotir Dakos, Petraq Pilkatit, Taqi Fundos. Ndërsa kantautori më i njohur i viteve ‘50 të shekullit të kaluar mbetet Sotiraq Mite. Grupe të tjera të reja të shekullit të kaluar janë “Trëndafili i kuq” me kantautor Sotiraq Qano, Naskë Kondili, Gjergji Peleshi, Naskë Bicolli, Nesti Miska, Aristidh Themeli etj. Vijojnë grupe të tjera serenatistësh, si ai i kantautorit Ilia Vinjau, grupi me Ridvan Shëllirën, grupi i kantautorit më në zë aktualisht në Korçë i Mihallaq Andreas, ai i Tomi Kondakçiut, i Nonda Kajnos, i Maksi Kullës, kantautorët e tjerë si Vaskë Gaqi, Ilia Peleshi, Vaskë Nico. Ata që kanë kënduar dhe vazhdojnë ta këndojnë serenatën korçare janë të panumërt në këtë qytet. Këndonin në kodrat e qytetit, te kafeneja e Shetros, tek lokal “Panda” dhe, mbi të gjitha, atje ku e kishte lezetin e saj serenata: nën dritaret dhe ballkonet e vajzave të dashuruara apo bukurosheve korçare të adhuruara. Kjo traditë e bukur e miqësisë dhe gëzimit kolektiv, e sebepeve dhe piknikëve mbeti një traditë e serenatistëve të të gjitha brezave në vite.

=============

KUSH ËSHTË VANGJUSH ZIKO

Vangjush Thoma Ziko ka lindur në qytetin e Korçës në vitin 1931, ku kreu dhe arsimin e tij të mesëm. Arsimin e lartë për letërsi e bëri pranë Institutit të Letërsisë “M. Gorki” në Moskë. Punoi si mësues i letërsisë pranë gjimnazit “Raqi Qirinxhi” dhe si pedagog i letërsisë dhe i gjuhës ruse në Universitetin “Fan Noli” në Korçë. Shkruan poezi,dramë dhe perkthen nga gjuha ruse. Vëllimin e parë me poezi dhe dramën e parë i botoi në vitin 1959. Është kryesisht një poet lirik.Poezia e tij dallohet për lirizmin meditativ me ngjyrime filozofike.Drama e tij ka natyrë psikologjike. Ai i është përkushtuar gjithashtu përkthimit të poezisë lirike ruse.Ka botuar përmbledhje të veçanta të poezive të A.S. Pushkinit,S. Eseninit,E. Eftushenkos si dhe Antologjinë e Lirikës Ruse(katër vellime), ku ka përfshirë rreth peseqind poezi të më shumë se treqind poetëve rusë që nga fillimi i shekullit të tetëmbëdhjete gjer në fund të shekullit të njëzetë. Është autor i një sërë studimesh,esesh dhe skicash letrare si dhe bashkautor tekstesh të letërsisë. Ka marrë pjesë aktive në jetën kulturore dhe letrare të rrethit të Korçës dhe në ndihmë të talenteve të reja dhe ka qënë aktivizuar në botimin e disa revistave periodike kulturore. I është dhënë Urdhëri “Naim Frasheri”i klasit të parë dhe “Kurora e Krijimtarisë 2006″nga Klubi Letrar “Bota e Re”për krijimtarine e tij letrare. Që prej shtatorit të vitit 2004 jeton në Kanada pranë femijëve të tij.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura