PASHTRIKU: SI U PËRKUJTUA UKSHIN HOTI NË 14 VJETORIN E ZHDUKJES?!

Pashtriku.org, 17. 05. 2013 – Më 16 Maj, në 14 vjetorin e zhdukjes pa lënë gjurmë të kolosit të kombit Ukshin Hoti, Këshilli Studentor i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, në bashkëpunim me Grupin e Deputetëve të Rinj, në ambientet e Kuvendit të Kosovës, organizuan, një tryezë me temën “Filozofia Politike – Kombëtare e Ukshin Hotit”. Në këtë tryezë përkujtimore, morën pjesë: Adem Demaçi, Agim Vinca, Bislim Elshani, Hydajet Hyseni, Nait Hasani, Afrim Morina, Ibrahim Gashi, Rektori i UP-s, Myrvete Hoti-Kasumi, motra e Ukshin Hotit, dhe shumë studentë e profesorë të UP-së. Në emër të Këshillit organizativ të pranishmit i përshëndeti Astrit Gjocaj.
Për Filozofinë Politike – Kombëtare të Ukshin Hotit, folën: Bislim Elshani, njëri nga bashkëveprimtarët e Ukshinit, dhe Hydajet Hyseni, ndërsa fjalë rasti mbajtën: Adem Demaçi, Agim Vinca, Ibrahim Gashi, Nait Hasani dhe Afrim Morina. Ndërkaq në emër të Familje Hoti foli, motra Myrvete Hoti-Kasumi.
Bislim Elshani, në kumtesën e tij, vuri theksin e veçantë në filozofinë politike të Ukshin Hotit dhe raportin që kjo filozofi kishte me ideologjitë, religjionin dhe bashkimin e kombit shqiptar.
Për Deputetin e Kuvendit të Kosovës, Hydajet Hyseni, Ukshin Hoti ishte njeri shumëdimensional, njeri i parimeve, dinjitetit dhe intelektual i nivelit të Hasan Prishtinës e Luigj Gurakuqit.

Prishtinë, 16 Maj 2013: Pamje nga Tryeza përkujtimore…

Adem Demaçi në fjalimin e tij, ngriti lartë figurën e Ukshin Hotit, duke e cilësuar atë si kryemjeshtër të përgatitur si në aspektin intelektual ashtu edhe me anë të përvojës jetësore. “Ukshin Hotin e zhduku Serbia sepse e ndjeu rrezikun nga ai dhe sot më shumë se kurrë na duhet një Ukshin” – ka thënë Adem Demaçi.
Rektori i UP-së, Ibrahim Gashi tha se, profesor Ukshin Hoti është politologu më i madh që ka pasur skena politike shqiptare ndonjëherë. Ndërkaq, Agim Vinca vuri në pah, se Ukshin Hotin e karakterizonte guximi, përgatitja intelektuale e mirëfilltë dhe integriteti moral, ku në shkrimet e tij përveç që kishte vlera shkencore dhe politike ato ishin dhe me vlerë të madhe letrare. Sipas tij profesor Hoti e vërejti i pari se Kosova do bëhej Republikë vetëm me anë të luftës.
Me këtë rast, deputeti Nait Hasani tregoi momente nga kujtimet e tij të kaluara së bashku me profesor Ukshin Hotin në burgun e Dubravës. Ai theksoi shpirtin guximtar të profesor Hotit që dallohej nga të tjerët dhe nga ku të burgosurit tjerë gjenin motivimin e nevojshëm për të vazhduar qëndresën. Kryetarja e Grupit të Deputetëve të Rinj, Ganimete Musliu, ukshin Hotin e cilësoi si pishtar ndriçues të një rrugë, që duhet ndjekur rinia e vendit.
Nga kjo tryezë, motra e Ukshin Hotit, Myrvete Hoti-Kosumi në emër të familjes u ka bërë thirrje të gjitha Institucioneve të Kosovës, që të punojnë më shumë për zbardhjen e fatit të Ukshin Hotit, pasi që mungesën e tij e ndjejnë jo vetëm familja por e gjithë Kosova dhe shqiptarët.
* * *
14 vjet nga zhdukja e profesor Ukshin Hotit
KËRKOHET VËNIA NË MBROJTJE SHTETËRORE E KOMPLEKSIT MUZEOR TË UKSHIN HOTIT

Më 16 Maj, në organizim të Komunës së Rahovecit, në Kompleksin e Shtëpisë Muze të Ukshin Hotit në Krushë të Madhe, u mbajt një tubim përkujtimor.
Për këtë aktivitet Zyra për informim e Komunës së Rahovecit ka lëshuar një kumtesë për opinion:
Në kumtesë thuhet:
“Në oborrin e shtëpisë-muze të Ukshin Hotit në Krushë të Madhe u mbajt tubim me rastin e 14 vjetorit të zhdukjes pa gjurmë të tij në burgun e Dubravës. Kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi tha se Ukshin Hoti paraqet vlerë kombëtare, prandaj na duhet të gjithëve, ndërsa ngritja e shtëpisë-muze është në vazhdën e këtij përkushtimi.
“Ai ishte kolos i mendimit politik i pashfrytëzuar nga shoqëria shqiptare në periudhën përgatitore për Luftën Çlirimtare të Kosovës. Nga burgu dërgonte porosi se tashmë lufta për çlirimin e Kosovës ishte fituar, mirëpo duhet të përgatitemi për fazën e mëpastajme, sepse rreziqet për popullin shqiptar nuk pushojnë me largimin e forcave pushtuese serbe. Fjala e tij të fundit për bashkëvuajtësit më 16 maj 1999, kur po e nxirrnin nga pavijoni për ta humbur pa nishan ishin: “Djema, mbahuni të fortë, shumë shpejt do të shihemi…!”
Mbase as ai nuk e kishte menduar se përmasat kriminale të një pushtuesi mund të arrinin deri në këtë nivel sa të zhduknin njerëz pa gjurmë. Sido që të jetë, ai tani nuk ndodhet në mesin tonë fizikisht, por mësimet, fjalët dhe idetë e tij politike vazhdojnë të frymojnë me ne.

Krushë e Madhe, 16 Maj 2013: Pamje nga oborri i Shtëpisë Muze të Ukshin Hotit

Ngritja e shtëpisë-muze është në vazhdën e ruajtjes dhe kultivimit të vlerave tona kombëtare dhe Ukshin Hoti është vlerë e tillë. Ju bëj thirrje institucioneve, individëve dhe grupeve shoqërore që të ndihmojnë në ngritjen e këtij kompleksi muzeor, sepse Ukshin Hoti i shërben të kaluarës, të tashmes dhe të ardhmes tonë. 
Bashkë me këtë thirrje për ndihmë për këtë shtëpi-muze edhe një herë në emër të qytetarëve të komunës së Rahovecit kërkojmë me forcë zbardhjen e fatit të Ukshin Hotit. Kjo mban peng lirinë tonë, dhe do të citoja vargjet e poetit “jo, pa Ty nuk vjen liria”, tha ndër të tjera kryetari Latifi. Ndër të tjera kryetari Latifi kërkoi nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të miratojnë vendimin për futjen nën përkujdes shtetëror të kompleksit muzeor të Ukshin Hotit.
Ndërsa lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti tha se Ukshin Hoti ishte vizionar në pikëpamjet e tij kombëtare dhe se këto pikëpamje edhe sot vazhdojnë të jenë aktuale. Kurti paraqiti tri tezat e Ukshin Hotit, që kishin të bënin me pikëpamjet largpamëse të Hotit.
Ukshin Hoti pati thënë e shkruar shumë tri teza monumentale“ kundërshtimi i konstituimit të republikës së Kosovës nuk bëhet sa për të kundërshtuar, por është kundërshtim i hapit tjetër të vetëvendosjes dhe bashkimit të shqiptarëve, pastaj guri provues i BE-së është bashkimi i shqiptarëve, sepse pa bashkimin e shqiptarëve Bashkimi Evropian do të jetë i brishtë dhe në fund efekti politik i qëndrimit që llogarit veçse në forcat e huaja është instrumentalizim total i Kosovës për interesa të tjera dhe jo të Kosovës” shtoi Kurti.
Vëllai i Ukshin Hotit, Afrimi foli në emër të familjes, ndërsa nxënësja Rinora Hoti apeloi në emër të nxënësve të shkollës së mesme “Ukshin Hoti” ndriçimin e fatit të tij dhe të pagjeturve të tjerë. Kjo ishte edhe kërkesa e oratorëve të tjerë. Ukshin Hoti u zhduk në burgun e Dubravës më 16 maj të vitit 1999.” – përfundon kumtesa e zyrës për informim.

JAKUP KRASNIQI: UKSHIN HOTI, FIGURË E VEҪANTË E KOMBIT SHQIPTARË
Sot, (më 17 Maj) Kuvendi i Kosovës, mbajti një seancë përkujtimore kushtuar Ukshin Hotit. Kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi, me këtë rast Ukshin Hotin e ka quajtur “figurë të veçantë të kombit shqiptarë” dhe “burrë të madh të Kosovës”. Krasniqi ka thënë se sallës së Kuvendit të Kosovës po i mungon përfaqësuesi më i denjë i shtresës së intelektualëve, i cili kërkoi haptas kërkesat legjitime të protestuesve nën moton “Kosova Republikë”. Sipas tij, intelektuali vetëmohues dhe besnik i interesave jetike të popullit të Kosovës, po i mungon Kosovës në kohën e saj më vendimtare. Jakup Krasniqi e ka përmbyllur fjalën e tij tashmë të njohur: “Ku është Ukshini ynë?”, kërkesë kjo e cila siç tha ai është kërkesë e Kosovës. Guximin e tij intelektual e ka vlerësuar lart edhe deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Idriz Vehapi (inicuesi i kësaj seance përkujtimore). Sipas Vehapit duke qenë përkrahës i lirisë, Hoti ka dalë hapur duke kërkuar të drejtat e popullit shqiptarë, në kohën kur të paktë ishin ata që e bënin një veprim të tillë. Në fund, Kryetari i Kuvendit – Jakup Krasniqi, kërkoi nga institucionet përkatëse që të përgatisin për botim, gjithë krijimtarinë e Ukshin Hotit, duke thënë se do të ishte puna më e mirë në përjetësimin e veprës së tij për sot dhe për nesër.

 Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dr. Jakup Krasniqi, ka thënë:

“Seanca e sotme e Kuvendit të Republikës së Kosovës i kushtohet një figure të veçantë të kombit shqiptar. Ukshin Hoti, burri i madh i Kosovës, tridhjetë e dy vjet më parë, midis furtunës shoviniste u ngrit si Anteu, duke u bërë përfaqësuesi më i denjë i shtresës intelektuale të vendit dhe popullit të vet. I ndërgjegjshëm për rreziqet dhe pasojat që do të kishte, ai doli hapur në mbrojtje të të drejtave legjitime dhe të kërkesave të qindra mijë demonstruesve, të cilët nën parullën “Kosova-Republikë” ndesheshin nëpër barrikada dhëmb për dhëmb me forcat e errëta kriminale të pushtuesit barbar. Ukshin Hoti u bë shembulli i shkëlqyer i intelektualit vetëmohues dhe besnik i interesave jetike të popullit të vet.
Këtu e katërmbëdhjetë vjet më parë delegacionit të Kosovës në Konferencën e Rambujesë i mungonte një anëtar. Gjatë gati një muaj e gjysmë, sa zgjati Konferenca, karrigia ngeli e zbrazët, pasi i zoti i saj, Ukshin Hoti mbahej në burg nga regjimi pushtues, duke u pamundësuar kështu pjesëmarrja e tij në bisedime. Qartësia politike dhe mendimi i thellë, logjika e hekurt dhe fuqia argumentuese, guximi intelektual dhe vullneti i pathyeshëm i Ukshin Hotit, i mungonin Kosovës në çastet vendimtare e historike për fatin e saj.
Mendja e ndritur e Ukshin Hotit i mungonte Luftës çlirimtare të Kosovës, sepse regjimi e mbante në kazamatet e tij për të dytën herë, me shumë vite burgim, për t’ia ndaluar veprimtarinë dhe mbase për t’ia marrë jetën. Por, Ukshin Hoti kishte një ideal, jetonte për një ideal dhe luftonte për një ideal, të cilin nuk mund ta vritnin, as mund ta ndalnin.
Ukshin Hoti vazhdon t’i mungojë ndjeshëm dhe tmerrshëm Kosovës, Kosovës së tij që aq shumë e deshi dhe që aq shumë bëri për të. Nëna Kosovë, nuk di tash e katërmbëdhjetë vjet për birin e saj të madh, Ukshin Hotin, është syrgjyn gjallë apo syrgjyn vdekur. Bota intelektuale nuk di për dijetarin e kalibrit universal, bota çlirimtare nuk di për luftëtarin e paepur të lirisë, e bota demokratike nuk di për demokratin e humanistin e madh.
Ku është Ukshin Hoti, thërret e duhet të thërrasë më fuqishëm zëri i ndërgjegjes njerëzore.
Edhe ne sot, të mbledhur këtu, ku padrejtësisht mungon Ukshin Hoti, të mbledhur për të nderuar figurën dhe personalitetin e tij prej atdhetari dhe intelektuali të shquar, pyesim me zë të lartë dhe protestues: Ku është Ukshini ynë?
Faleminderit”

 * * *

Në kuadër të aktiviteteve për Ukshin Hotin, Këshilli i studentëve të UP-s në krye me Astrit Gjocajn, nga 14 – 17 Maj 2013, ka hapur edhe një ekspozitë me moton: “DITËT E KOLOSIT UKSHIN HOTI – 14 VITE PA JU”:


==========================

(Përgatiti: Kryeredaktori i pashtriku.org, Sheradin Berisha, 17 Maj 2013)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura