PASHTRIKU: UKSHIN HOTI – NJERIU LEGJENDË I KOSOVËS

Pashtriku.org, 15. 05. 2012 – Pyetjes së motrës Myrvete për gjalljen apo mortin e vëllait të dashur- Ukushin Hoti askush si kthen përgjigje! Ata që e dinë të vërtetën e fatit të tij – shteti serbë, serbët që e humbën pa nam e nishan, por dhe shqiptarët që ishin e janë në shërbim të tyre, ngrenë supet, thonë nuk dimë gjë, madje paraqiten si të habitur dhe të paditur njëkohësisht!
***

     Shtëpia Botuese „Toena“ në Tiranë, ka botuar dy libra në formë ditari të autorit Sefer Pasha: „Idhulli i Mallkuar“ dhe „Doruntina kërkon Ukshin Hotin“. Me anë të këtyre dy vëllimeve në formë ditari, Sefer Pasha, përpiqet t‘i shkojë në rrënjë enigmës “UKSHIN HOTI”. Ndërsa Botuesi ‘Alb Paper’ ka botuar librin e tij të tretë “Qind për qind jam gjallë”.

KLIKONI KATALOGUN E BOTIMEVE ‘TOENA’ KETU: 

http://www.toena.com.al/toena/katalogu_i_botimeve/monografi_ditare_kujtime/Sefer_Pasha.html

________________________________

     Para Presidencës së Republikës së Shqipërisë, një grua e shkuar, tepër e vrarë nga hallet e jetës, është ulur e heshtur nën terrin e zhgumit të saj të dhimbjes. Dhe është autori i këtyre dy vëllimeve të cituara më sipër, punonjës në Presidencë, i cili me intuitën e njeriut të mirë, i afrohet dhe e pyet:
     – “Kush jeni dhe kë kërkoni?”.
     Dhe ja përgjigjja:
     – “Jam Myrvete Hoti prej Krushës së Madhe në Kosovë, motra e Ukshin Hotit. Dua të takohem me Presidentin, interesohem për vëllain tim, Ukshinin, të zhdukur prej kohësh në burgjet serbe…” Një fillesë dramatike e ankthshme. E kush mund ta ndalojë këtë motër martiri të pashoq për të takuar të madhin e shtetit shqiptar në Tiranë? Pikërisht me këtë pasazh mbresëlënës fillon libri i parë i ditarit dramatik “Doruntina kërkon Ukshin Hotin”, i autorit Sefer Pasha
.

     Me plotë të drejt mund të thuhet, se marrja me figurën poliedrike dhe jetën tragjike të kolosit Ukshin Hoti, është një përçapje e guximshme e Sefer Pashës, i cili, ndër lexuesit tanë, prej vitesh njihet si poet liriko-epik, në veri e në jug të Shqipërisë, madje dhe në Kosovë, në trevat e së cilës, autori në fjalë ka marrë pjesë aktive në luftën për çlirimin e Kosovës nga pushtuesit serbë.
Ukshin Hoti – Njeriu legjendë i Kosovës
     Të shkruash për jetën e Ukshin Hotit, këtij intelektuali me fat tepër tragjik, me një jetë të sakatosur nga shtypja serbe, por dhe nga bashkëkombësit e tij puthadoras të shumëngjyrshëm, jo vetëm që është një ndërmarrje e vështirë, por ndoshta dhe e paarritshme për një penë të zakonshme, pavarësisht nga pasioni dhe dëshira e mirë.
Ukshin Hoti, njeriu legjendë i Kosovës,
     tronditësi i madh i historisë së saj në fundshekullin që shkoi, me veprën e tij patriotike, filozofike e publicistike, njeriu që provoi disa lloj burgjesh të Serbisë për shkak të bindjeve të tij të paluajtshme për pavarësinë e Kosovës, është kthyer tashmë në një figurë biblike për lexuesin shqiptar kudo që është ai.
Por ajo që e bën edhe më legjendare figurën e këtij Prometheu lirie, këtij idealisti të pashembullt për trojet e të parëve, është pra zhdukja e tij krejt e mistershme gjatë bombardimeve të NATO’s në Serbi e në Kosovë.
     Si u bë e mundur përpirja e tij, sikur të kishim të bënim me një truk magjik?
     Mirë, u burgos, po pas lirimit nga burgu i Dubravës më 16 maj 1999, sa doli nga porta, ku e çuan vallë?
     Mos e vranë?
     Ku ka një dokument për vrasjen e tij?
     Po për të qënurit gjallë të tij kush mund të thotë diçka të sigurt?
    Ky fill drithërues, ky kërkim ulëritës, gjëmëmadh, kjo rendje kushtrimtare në të gjitha sferat shtetërore e ato shoqërore, brenda e jashtë Kosovës, në Shqipëri e në Perëndim, kjo pyetje pa përgjigje:
     “Ku është Ukshin Hoti. Ku ka humbur Ukshin Hoti, na dërgo një kumt shprese?”,
     Të gjitha këto pra, përbëjnë tharmin e këtyre dy vëllimeve tronditëse, që si një pretencë e fuqishme akuzuese ndaj regjimit terrorist milosheviçian, qarkullon në duart e lexuesve tanë në Shqipëri e në Kosovë, ndërkaq që enigma për vendndodhjen e Ukshin Hotit, (edhe në prag të këtij 13 vjetori ) sa vjen e bëhet më e ankthshme e drithëruese. Misteri i zhdukjes së tij (pa lënë gjurmë) duket se do të vazhdojë të tronditë zemrat e shqiptarëve pambarimisht.

__________________________

Myrvete Hoti – Kasumi, kjo Doruntinë e ditëve tona…
     Gjithë shqetësimi i autorit Sefer Pasha, tërë ndërtimi strukturor e letrar i dy librave të tij në vazhdën e fatit të Ukshin Hotit, vijnë te lexuesi përmes një personazhi tepër realist, por dhe tragjik njëkohësisht, Myrvete Hoti – Kasumi, motrës së Ukshin Hotit. E alarmuar gjer në indet më të holla të qenies njeri, Myrvete Hoti – Kasumi, kjo Doruntinë e ditëve tona (me shumë të drejtë autori e krahason atë me Doruntinën e romanit të Ismail Kadaresë), në kërkim të vëllait të zhdukur tragjikisht, ajo ka kohë, që ka filluar trokitjet kudo, në dyer shtëpish e shtetesh, në Kosovë e në Serbi, në Lindje e në Perëndim, madje edhe në dyert e armiqve të betuar të tij.
     Po përfundimi?
     Përfundimi i kësaj ecejakeje të pa fund?
     Asgjë! Sot për sot asgjë!
     Rezultatet e këtij kërkimi pa fund janë dëshpëruese. Pyetjes së motrës Myrvete për gjalljen apo mortin e vëllait të dashur – Ukushin Hoti askush si kthen përgjigje! Ata që e dinë të vërtetën e fatit të tij – shteti serbë, serbët që e humbën pa nam e nishan, por dhe shqiptarët që ishin e janë në shërbim të tyre, ngrenë supet, thonë nuk dimë gjë, madje paraqiten si të habitur dhe të paditur njëkohësisht!
     Ky mister i pashoq në historiën e njerëzimit, përbën moton rrëqethëse të kësaj legjende të kohës sonë, qysh nga faqja e parë e deri tek ajo e fundit në të dy librat – ditarë “Idhulli i Mallkuar” dhe “Doruntina kërkon Ukshin Hotin” të autorit Sefer Pasha. Shkruar me një gjuhë të pasur artistikisht, me një stil të thjeshtë e të shkathët njëkohësisht, ngjarjet rrjedhin natyrshëm, të tërheqin me lakonizmin dhe ngjyrimet lokale të trevave, ku autori Pasha ka shkelur në kërkim të fatit të Ukshin Hotit. Sefer Pasha ka në proces dhe vëllimin e tretë të titulluar “Ukshin Hoti lajmëron nga burgu sekret”, e shpresohet që me botimin e tij të jetë zgjidhur dhe enigma Ukshin Hoti.

Romani “Qind për qind jam gjallë”, kushtuar Ukshin Hotit.

__________________________

“Qind për qind jam gjallë”
     Libri i tretë i Sefer Pashës “Qind për qind jam gjallë” i kushtohet poashtu intelektualit tejpamës, Ukshin Hoti. E gjithë vepra nga rreshti i parë e gjer tek i fundit ngjiz e qëmton me sharm odën në Krushën e Madhe ku lindi Ukshin Hoti, rudinat ku hodhi çapat e parë, udhët, gjirizet, rrëketë, krojet, përrenjtë, Drinin e Bardhë, shkollën e fshatit, xhamitë e kuvendet e burrave ku ai thithi qokat qibare, bëmat, baladat e legjendat e lëvruara gojarisht për Kosovën e Shqipërinë. Në roman hidhet dritë mbi udhën e mundimshme të profesorit të universitetit të Prishtinës, dallditë e jetës, arrestimin që i bën serbët pasi mbrojti demonstratat e studentëve në vitin 1981. Me teknikë shkrimi autori gjithashtu përshkruan vitet e gjata të Ukshin Hotit nëpër burgjet e Serbisë në Prizren, Istog e Nish i kurthëruar nëpër një shumësi realitetesh të ashpra, përfshi këtu dhe pirgjet me intriga. Edhe nga ferri i qelive i braktisur nga të gjithë luftoi me drithërimë për lirinë e Kosovës. Ukshin Hoti është liruar nga burgu i Dubravës më 16 maj të vitit 1999. Qysh prej asaj dite nuk dihet asgjë për fatin e tij. Thuhet se mbahet në një burg privat prej kah merr shtysën e lëndën romani i Sefer Pashës “Qind për qind jam gjallë” .

_____________________________________

KU ËSHTË UKSHIN HOTI? AI NUK PËRKET HARRESËS!

………………………………………..

………………………………………………..

……………………………………………………

_____________________________________________

(KËTË MATERIAL E PËRGATITI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG, 15. 05. 2012)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura