PAVARËSIA NA FLAMURËRON ZEMRAT VLORËRISHT

PAVARËSIA NA FLAMURËRON ZEMRAT VLORËRISHT

Nga Dr.Albert Habazaj, Vlorë

Çfarë bëri me trimat Ismail Qemali

e di dhe gjyshi, dhe babai, dhe djali:

që ndezi zjarrin e shtëpisë shqiptare,

kur  dinakët donin ta shuanin fare.

 *

Por Shkodra, dhe Lezha, dhe Kruja, Kanina,

Prizreni, dhe Shkupi, dhe Ohri, Janina,

Plaku i Bardhë dhe Luigji Mendjeqiell,

Baca Is’ e Rasih Dino na mbushën me diell.

 *

Marigo Posio stafetën e Elena Gjikës,

e ngriti si kurorë të bukur të Dritës.

Dhe Qirinjve të Atdheut u falem unë,

larë me diell, qëlluar me furtunë.

*

Dhe Dibra, dhe Delvina, dhe Hasi, dhe Hoti,

Dhe labi, dhe malësori kanë frymë Kastrioti,

Dhe çami, dhe myzeqari, dhe ulqinaku qëkur

Janë firmë lirie e këngë për Flamur!

 *

Se me centaurët Europa  rrufjane,

Kasandra me Pandorën europiane,

e plakur, e egër, marrëzisht e bukur

na ka dashur, na ka flakur e na ka ndukur.

 *

U tkurr, u mpak, u mplak e nuk u gremis Nëna,

u trondit në flakë e nuk iu thye zemra.

Dhe deti, dhe fusha dhe maja e malit

si balli i bardhë i Ismail Qemalit.

Se s’është Vlora si Meka e Muhametit,

është anije e bardhë në mes të rrebeshit;

s’është Vlora as Bethlehem i Krishtit,

është vatër e mendimit dhe rrufe e gishtit.

 *

Vlora është Vlorë, me dritë mes ciklonit,

është djepi ku u përkund palca e kombit;

është bërthama diellore e Flamurit,

me shqiponjën që fluturon mbi gjakun e burrit.

 *

Vlora është magje e bukës kombëtare,

Është tharmi i mbrujtur në zemrat shqiptare.

Është  rrënjë e besim dhe vizion në shikim,

është  eshtër e dinjitetit  të kombit tim.

 *

Urata e Plakut, si mirësi e ullirit,

u mbjelltë e shpërtheftë si lulet e prillit!

O ju zogj të Shqiponjës, po ju flas sinqerisht:

sot zemrat Pavarësia na Flamurëron Vlorërisht!

 Sheshi i Flamurit, Vlorë. Vjeshtë e tretë, Njëzet e tetë, 2025               

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura