PËLLUMB GORICA: NJË KRIJUES QË I SHËRBEN ME PËRKUSHTIM JETËS

Tiranë, 19. 10. 2015: Si mik, kam lexuar të gjithë librat e krijuesit, studiuesit, gazetarit dhe mësuesit pasionant Ramazan Sherja, dhe më kanë befasuar me specifikën e trajtimit të problemeve që nxjerr jeta dhe realiteti ynë i përditshëm. Të lexosh me kujdes, apo edhe me një shfletim të sipërfaqshëm të librave të autorit Ramazan Sherja, duke filluar që me librin e parë të tij me poezi:“Trokas me vargje”, botuar në vitin 1982, dhe, duke vazhduar me librat e tjerë“ Punët krijuese dhe hartimet në shkollë”, “Njohuri dhe komente letrare”,“Gjuha shqipe për nxënësin” , “Funari në historinë e tij”, “Sa bukur të jesh femër”, Shtigjeve të dijes”,”Njohuri dhe komente letrare të ripunuar” ,“Nostalgji poetike” ,“Jetoje jetën”, të mbetet në mendje një ndjesi e këndshme, dhe mbushesh me një frymarrje të pastër e lehtësohesh shpirtërisht. Duke e përmendur tërë krijimtarinë plot vlera të autorit Ramazan Sherja, të bie në sy një gjë ,modestia e tij. Ai asnjëherë nuk ka bërë pompozitete për krijimtarinë e tij, asnjë promovim dhe asnjë jehonë nuk ka dashur të deklamojë në median e shkruar e elektronike. Reklamimi nuk lidhet aq me vështirësitë financiare të tij, se sa me thjeshtësinë që e karakterizon atë. Megjithatë, krijimtaria e tij e larmishme, e mbledhur në dhjetë libra, flet vetë.
“Nëse çdo njeri i planetit do të dinte të pranonte dhe të dhuronte dashuri, bota jonë do të ishte nje vend krejtësisht ndryshe”, – thotë Joyce Meyer.Kjo është ajo që e karakterizon gjithë krijimtarinë e autorit Ramazan Sherja. Duke patur si nxitje motivin se dashuria është themeli i çdo suksesi dhe përsosmërie, ai e shtrin këtë ndjenjë tek të gjithë, tek nëna dhe babai, tek veterani dhe studenti, tek shtetari i ndershëm dhe bisnesmeni korrekt, tek lulja e sapo çelur dhe pema që lidh plot kokrra, tek vajza ëndërrimtare dhe hëna që ndriçon skutave të natës, tek deti që ngre dallgë dhe djali që rri mendueshëm në dritare, tek nxënësit e tij të dikurshëm që “me rritjen e tyre kanë shkruar biografinë e tij” dhe tek plaku me bastun që nuk do të largohet kollaj nga jeta.

Nga poezitë e tij të bukura më ka mbetur në mendje dhe e mërmëris shpesh një strofë nga poezia: “Pleqtë e fshatit tim”: “ Mblidheni o fisnikë tek rrapi shekullor/Mjekërmbështetur në bastun, siç e do zakoni/Dhe secili prej jush është shumë e më shumë/se një subjekt drame apo romani.”,Trokas në vargje”,1982. Por, ashtu si vargjet e mësipërme, dua të përmend disa strofa të tjera, sa për ilustrim, të atyre ndjenjave dhe të asaj bote të madhe shpirtërore që karakterizon poetin, dhe se si ai është lidhur ngushtë e ndjenjësisht me gjithçka që e rrethon: “ Qielli si s’ka të lodhur/gjithçka ngjyhet në të bardhë / ecën ti e se ndjen të ftohtin /pse se ndjen ti ftohtin vallë ” , “Dimërore”, Nostalgji poetike, 2011. Apo poezia “Fllad studentesk”, ku ndjenja e përmallshme dashurore është e papërballueshme: “Edhe natën nëpër ëndrra /më djeg malli më djeg kënga/më deh zëri yt i largët/porsi fllad që fryn mbi plagët.” Nostalgji
Duhen veçuar librat e tij me tematikë shkollore, metodike e gjuhësore, që janë një ndihmë e konsiderueshme për nxënësit, studentët, mësuesit. Ato tregojnë punën e kujdesshme e të përzgjedhur të krijuesit, por edhe ndihmën konkrete me informacionin e gjerë që u japin atyre. Libri “Njohuri dhe komente letrare”, i botuar në vitin 2004 dhe i ribotuar vitin 2009, me korrektesë profesionale, është me karakter pedagogjik dhe informues, zbërthyes ideoatistik i disa temave të lëndës së leximit nga klasa e V deri në atë të IX. Në librin tjetër “Gjuha Shqipe për nxënësin” autori jo vetëm trajton koncepte të ndryshme gjuhësore, por qartëson pjesët e ligjëratës dhe funksionin e fjalës në sintaks. Shpjegon edhe përdorimin e madh që po marrin sot disa pjesë të pandryshueshme të ligjëratës. Me shembuj konkretë e të goditur, që të mbeten në mendje, autori bën dallimin e qartë të funksionit morfologjik dhe sintaksor të fjalës, konkretizon me shembuj të kuptueshëm funksionet e këtyre dy veçorive, si forma kryesore për rrënjosjen e koncepteve të shëndosha gjuhësore tek nxënësi. Me profesionalizëm është trajtuar analiza e fjalisë së përbërë, duke u zbërthyer me shembuj nga realiteti dhe të kuptueshëm për nxënësin, shoqëruar këto me skemat përkatëse. Më interesant është libri “Shtigjeve të dijes”. Autori e ka konceptuar librin si një dritare për çdo nxënës e lexues drejt dijes. Autori ka vjelë mjaft fjalë të panjohura dhe shprehje të pazbërthyera, që hasen në tekstet e nxënësve që nga klasa e pestë deri në vitin e tretë të shkollës së mesme, me shpjegim korrekt shkencor, duke u bazuar në fjalorin e gjuhës shqipe.
Nuk do të rrija pa shkruar dy fjalë për librat “Funari në historinë e tij” dhe “Sa bukur të jeshë femër”. I pari është një dashuri dhe dhembshuri e shkruar me ndjenjë dhe fakte për vendlindjen e tij të dashur, Funarin, duke krijuar kështu një dëshmi për autoktoninë dhe zhvillimin etnografik dhe kulturor të kësaj zone në vite. I dyti është një himn i sinqertë e plot pasion për personalitetin e femrës në përgjithësi dhe dhe madhështinë e nënës në veçanti. “ Zemra e nënës është oqean me ndjenja, zjarr me dashuri,vatër me ngrohtësi, horizont me dritë. Ndaj kushdo duhet të përulet para nënës, para femrës në përgjithësi, se gruaja është themeli i jetës që pulson.” – shkruan me një sintetizim të rrallë autori.
Por libri i dhjetë, “Jetoje jetën”, më shtoi befasinë për larminë dhe elasticitetin e trajtimit të problemeve konkrete e jetësore, në grimcat më intime të saj. Autori tregon qartë në këtë libër, se jo vetëm është njeri shpirtmadh e intelektual i pjekur, por edhe që di ta jetojë jetën intensivisht, dhe t’i përkushtojë asaj gjithçka, talentin, shpirtin, forcën morale dhe fizike, e mbi të gjitha temparamentin dhe impulsivitetin e tij. Ramazan Sherja, siç del në këtë libër e do dhe e vlerëson maksimalisht jetën, deri në çdo qelizë të saj, sepse ai do njeriun e punës, të këngës, njeriun e ndershëm dhe intelektualin, besimtarin dhe ateistin, shkenctarin dhe administratorin, të thjeshtin dhe eprorin, dhe vazhdimisht kërkon prej tyre që ta njohin e ta duan vazhdimisht edhe ata jetën, edhe kur ajo bëhet e vështirë. Motivi i këtij libri është i thjeshtë: Njeriu ka vetëm një jetë dhe duhet ta dojë e të ketë respekt për çdo qelizë të saj. Libri, “Jetoje jetën”, një titull mjaft i gjetur, por edhe ngacmues për lexuesin, shpalos një gamë të gjerë problemesh e shqetsimesh, që hasen në udhët e vështira të jetës. Ai e koncepton jetën e njeriut si diçka unike që lidhet ngushtësisht në tre nyje, lindja, martesa, vdekja, të cilat janë nyje të jetës. Brenda tyre të lidhura pazgjidhshmërisht me njera- tjetrën, lëvrin lëngu jetësor, lindja e bebes, kujdesi për të cilin siç shkruan autori fillon që në barkun e nënës, përpjekja për t’i gjetur emër të bukur, (dhe autori jep një larmi emrash, ku mund të zgjedh prindi), fëmijëria, e cila si do të jetë, le gjurmë në jetë, rinia mosha më e bukur, romantika dhe dinamika e jetës, që ka brenda zgjedhjen e të dashurit të zemrës, fejesën, martesën e konsolidimin e familjes, si dhe vdekjen, që edhe pse është e dhëmbshme e hap plagë, ajo është e pashmangshme. Për autorin vdekja është proces fizik, ashtu si lindja, si martesa, por, që duhet përballuar me dinjitet.
Libri është ndarë në dhjetë kapituj, me tituj lakonikë e shumë domethënës.Kapitulli i parë titullohet “Jeta dhe lumturia”, i dyti “ Triptiku i jetës”, i treti “ Respekto veten pa rënë në narcizëm”, i katërti “Mos jeto me kujtime”,i pesti “Përballo vështirësitë”, i gjashti “ Jeta si besim, si kulturë”, i shtati “Jetë e sinqertë në një shoqëri të sinqertë”, i teti “Këshilla për jetën”, i nënti , “Thumba dhe kundër thumba”,dhe i dhjeti “Për kuriozët”, për t’u mbyllur me një epilog të shkurtër në formë konkluzionesh, të konceptuara sintetikisht nga vetë autori. Më tërheqës, dhe më meditiativ e bën çdo kapitull të këtij libri shoqërimi me thënie konçize të filozofëve dhe mendimtarëve të mëdhenj. Nëpër faqet e këtij libri shprehet dashuria për jetën,për beben që lind e fëmijërinë për djalin që lufton të zgjedhë të dashurën e zemrës, për çiftin që jetojnë në harmoni, por që edhe grinden për gjëra të parëndësishme, për plakun me bastun e kollare, por edhe për atë me qeleshe që e jeton jetën sipas mënyrës së tij. Në libër ndjehet jehona e të qarës së fëmijës që sapo bie në tokë, por edhe fëmijëria që “i bën gishtat gjak duke luajtur me top prej lecke”, ndihen tingujt e daulles së dasmës, por shijohet edhe loti i hidhur i vdekjes.”. “Dhimbja për njeriun që largohet nga kjo botë ,- thekson autori ,- nuk tregohet duke qarë e bërtitur,por me heshtje, me respekt, me lot të thellë zemre, me organizimin modest të ceremonisë mortore dhe rregullimi simbolik i varrit .” Librin e bën tërheqës dhe befasues, jo vetëm mënyra e trajtimit të problemeve të jetës me thjeshtësi e argument, por edhe vetë struktura e librit,ku ai përfshin edhe tre kapituj të tjerë si “Këshilla për jetën”, “Thumba dhe kundërthumba” si dhe “Për kuriozët”, të cilat autori i sheh si pjesë të të njejtit trup dhe i vë në funksion të zbërthimit dhe konceptimit të emrit jetë. Kapitulli “Këshilla për jetën “ përmbledh këshilla , porosi, udhëzime, të provuara nga jeta dhe që njeriut i duhen për ta patur të sigurtë jetën nga duhet të jetë dhe të mos jetë i papërgatitur për vështërisitë e jetës. Kapitulli “Thumba dhe kundërthumba”, është një humor i hollë, që, jo vetëm të bën të çlodhesh e të buzëqeshësh natyrshëm, tek i lexon në faqet e librit, por janë shumica edhe të padëgjuara dhe të mbledhura si grimca të natyrshme në realitetin e përditshëm, të dëgjuara nga mosha të ndryshme. Si kapitull më vete janë hedhur kuriozitete dhe informacione të padëgjuara, të cilat, jo vetëm të tërheqin, por edhe hapin horizont për lexuesin. Sikur të donte t’i argumentonte dhe të theksonte vlerën morale dhe filozofike të cdo kapitulli ,autori i shoqëron në fund ato me thënie të bukura nga filozofë e mendimtarë, shkencëtarë e shkrimtarë të mëdhenj, të cilët bëjnë të mundur që trajtimi i fakteve nga autori të mbetet në mendje.
Tek ke shfletuar gjithë faqet e librit “Jetoje jetën”, bindesh për shumë gjëra. Jeta është e shkurtër ndaj duhet jetuar në çdo qelizë e në cdo sekondë të saj.Atë ta ka dhënë perëndia dhe vetëm ajo ka të drejtë ta marrë. Jeta i ka të gjitha, ka njerëz të kategorivë të ndryshme, edhe të thjeshtin edhe mendjemadhin, edhe të mençurin edhe budallain, edhe shkenctarin edhe sharlatanin, edhe të ndershmin edhe hajdutin, edhe politikanin edhe filozofin,edhe këngëtarin edhe varrmihësin, pikërisht, prandaj është e bukur dhe e larmishme, se i ngërthen të gjitha nën këtë diell e nën këtë hënë në gjirin e saj. Por në fund të fundit duhet t’i pranojmë të gjitha se një jetë kemi e ajo duhet jetuar. Jeta ikën e nuk vjen më. Ndaj, dua ta mbyll këtë përshtypje mendimesh të shkurtra me atë që ka thënë aq bukur Fenelon dhe që autori e përmend në veprën e tij: “Jeta është një ëndërr e gjatë, dhe vdekja një zgjim i papritur”.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura