PËPARIM DEMI: A THUA SE KY DO TË JETË FUNDI YNË?

Bukuresht, 05. 09. 2103 – Në mitologjinë e pellazgëve, ringjallja e jetës fillon në pranverë, thotë Aristidh Kola në librin e tij “Gjuha e perëndive” , prandaj dhe e adhuronin ata Persefonin bijën e Demetrës dhe Poseidonit, të tokës dhe të ujit. Por sot, në kohët moderne, viti shkollor fillon në shtator, në prag të dimrit, ndoshta dhe jo e rastit, por dhe qeverisja e re e “rilindjes” në Shqipëri do fillojë po në shtator. Nuk e di përse në mendjen time u krijua një lidhje mes këtyre fakteve që ndoshta s’kanë fare të bëjnë me njëra tjetrën.
Ajo që më intrigoi dhe më bëri të mendohem është ideja se përse njerëzit, është fjala për europianët, për pasojë dhe ne shqiptarët, nuk vazhduan traditat aq natyrale të pellazgëve të lashtë aq të ditur. Përse ne bëjmë pushimet në verë, kur ka aq punë për të bërë, për të vjelë të mirat që toka na i dhuron çdo vit. Përse nuk pushojmë në ditët e shkurtra dhe të ftohta të dimrit, pasi t’i kemi mbushur hambarët plot, si bleta. Përse pushojmë aq shumë dhe punojmë aq pak?

Kohët moderne në Perëndim e kanë kthyer pushimin në industri, ndërsa punën e kanë hedhur në kurriz të emigrantëve. Popullsia e Europës po plaket, është kthyer në konsumatore e punës së popujve të tjerë. Politikanët europianë të dëshpëruar nga ky fakt, projektojnë të ardhmen e padrejtë për popujt e tjerë, viktima të manipulimit, të cilët nga ana e tyre mundohen të kopjojnë dhe të imitojnë popujt e pasur dhe sytë i kanë në Perëndim. Kështu po jetojmë në epokën e konflikteve, e cila s’ka mbaruar akoma dhe viktimat e saj akoma shpresojnë në “Eldoradon”! Aty diku, ndër të tjerët, jemi dhe ne shqiptarët, që vuajmë, vritemi, punojmë, bëhemi mercenarë dhe servilë, mbijetojmë si mundemi, duke harruar traditat, krenarinë, drejtësinë, lirinë e pellazgëve – ilirë – shqiptarë të qëmotit. Harruam punën dhe përpiqemi të pushojmë, të gëzojmë të mirat e botës pa derdhur djersë. Mundohemi të hyjmë në radhën e të mëdhenjve duke qenë fare të vegjël. Japim dhe mend, pa i pasur fare ato. Shesim mallin e huaj sikur të qe i yni, kur atë, tonin e hedhim poshtë me përçmim. Jemi bërë fetarë dhe ateistë, të përzierë, proletarë dhe kapitalistë, e ngatërruar kjo, të krishterë dhe islamistë të përzierë, nga njëherë dhe të martuar, mish për top për dy kacidhe, pa e ditur nga po shkojmë , shpesh të ngatërruar në qorrsokak.
Pellazgët adhuruan Apollonin, dritën, ngjyrën e bardhë të diellit, ditën. Sot të rinjtë tanë preferojnë jetën e natës, ngjyrën e zezë, padritën, padijen, sikur të ishin bijtë e Hades-it, sikur kanë pirë ujin e harresës dhe s’kthehen dot mbrapsht. Ne bëjmë sehir politikanët tanë qafëtrashë, të cilët po shqyhen me njëri – tjetrin, kush e kush të na çojë më parë në Europën e shpërfytyruar, në BE-në e dëshpëruar, që ka nevojë për krahë pune, për skllevër pa gojë, për buaj të qorruar, që të tërheqin karrocën europiane drejt një pushimi të gjatë.
A thua se ky do jetë fundi ynë? Vallë, këtu do mbyllet historia e popullit tonë të lashtë dhe legjenda e tij e bukur? Apo është fillimi i një perspektive të re, fundin e së cilës nuk mund ta imagjinojmë pasi akoma nuk e dimë si do jetë. Ndoshta dikush atje lart e di, por nuk na e thotë, pasi nuk jemi përgatitur akoma ta pranojmë realitetin e ri që po lind mbi kufomën e vjetër.
Në pranverë mbinë filizat e brishta të njoma, të cilat në vjeshtë u thanë pastaj, u kalbën, për t’iu kthyer tokës mëmë – dheut që ushqeu farën tonë të perëndive. Pranvera jonë pellazgjike kaloi, kaloi dhe zhegu i verës mesjetare. Kjo vjeshtë moderne po mbaron dhe ngrica e dimrit po afron. Era e tij e ftohtë më jep dridhma, më tremb errësira e tij, dritëshkurtësia, pamundësia, pafuqia, pamendësia. Një mal i lart përpara që fshihet nën mjegullën e tij, ç’të ketë mbrapa vallë? Ah ta kisha hapin e gjatë shekullor, ta kapërceja malin e lartë, të dilja përtej, sa t’i hidhja një sy pranverës së re n’atë-anë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura