PËRPARIM DEMI: DËSHPËRIMI SHQIPETAR!

Bukuresht, 14. 04. 2014 – Nuk e di pse nuk jemi të kënaqur nga jeta që bëjmë. Jeta duket sikur na kalon pranë dhe mbetemi spektatorë pa zë, të cilët në një moment të caktuar, herë pas here fillojnë të lëshojnë nga një ofshamë, për të treguar ose për të shkarkuar pengun që u ka mbetur në zëmër. Megjithëse shpesh i shmangemi ta themi hapur, sejcili individ e di sa shpresa të pa realizuara ka patur, sa ditë të zymta ka kaluar, sa dashuri të shuara kanë kaluar, sa padrejtësi i janë bërë, sa mosmirnjohje, sa sakrifica, sa dhimbje, sa lot. Kjo është jeta. Ndodh që të jemi të pakënaqur një ditë, por ndodh që kjo ditë të bëhet muaj dhe vite, ndodh që mos kujtojmë dot më se sa ditë të lumtura kemi patur në jetën tonë të shkurtër dhe atëhere revoltohemi – pse? Kujtojmë se kjo na ndodh vetëm neve dhe jo kujt tjetri. Kështu vazhdojmë të zgjasim jetën duke tërhequr pas vetes dëshpërimin tonë të gjatë. Vallë ky është realiteti? Apo është vetëm ajo pjesë e dukshme e tij, të cilën shohim vetëm ne dhe të cilën mundohemi ta interpretojmë ashtu siç interpretonin kohën njerëzit e lashtë.
Ndodh që instiktivisht të kemi afinitet me ata që ndajnë dëshpërimin e tyre me ne dhe ndodh që nganjëherë ta adoptojmë dëshpërimin e tyre, ose tu dhurojmë dëshpërimin tonë atyre. Pra ndodh njëfar kolektivizim i dëshpërimit, i cili humbet konturet e tij dhe bëhet i papersonalizuar. Në orët e vona të mbrëmjes, apo në orët e para të mëngjesit kur pimë kafenë, kemi një dëshirë të çuditëshme, shpesh të papërmbajtëshme, që të ndajmë dëshpërimin tonë të ditës me dikë, kështu na duket se kalon më lehtë dhe më shpejtë. Por duke e përsëritur shpesh këtë, bëhemi dependentë ndaj këtij vetrrëfimi të përditshëm dhe kur nuk ndodh kjo, ajo ditë nuk ecën, mezi kalon. Ka raste kur bëjmë me qejf kilometra rrugë, ose shkojmë në një qytet apo shtet tjetër, vetëm e vetëm që të gjejmë njeriun e përshtatshëm që ja ka ngenë dhe jemi të sigurt se do të na dëgjojë. Shpesh nuk duam shumë prej tij, vetëm të na dëgjojë dhe kaq, ose shumë-shumë të tundi kokën. Kësaj ne i themi të na e qaj hallin. Me kalimin e kohës, apo të kohërave të themi, jemi kthyer në një popull halle-qarës dhe dëshpërimi na pushton të gjithëve.

 Kam vënë re se mjaf njerëz bëhen xheloz për hallet e tjetrit. Bëjnë krahasime sikur të jenë në një garë sportive për të matur se kush e ka hallin më të madh ose kush është më i dëshpëruar. Kam pa bile disa manjakër, të cilët nuk lejojnë askënd të qahet para tyre, pasi e marrin për ofendim. Ata vetkonsiderohen si më hallexhinjtë e botës dhe se fatkeqsitë e tyre janë të parat, të pakrahasueshme, kështu që me këta s’ke shans të gjesh mbështetje për ndonjë gjë. Këta duhet vetëm ti dëgjosh dhe herë pas here të bësh si i habitur ose ta ngushullosh duke i thënë: – i shkreti ti ç’të ka gjetur. Vetëm në atë moment qetësohen dhe bëhen komunikues, pasi ta shkarkojnë gjithë bagazhin e halleve të tyre dhe në rastin më të lumtur, nga fundi i bisedës, të pyesin me mospërfillje për ndonjë hall të vockël që ke dhe ti.
Këtë fenomen, do e quaj deliri i dëshpërimit, i cili si çdo delir ka historinë e tij në jetën e atyre që preken nga kjo ndjenë “madhështie”. Problemi është individual i tyre, por kur shtrihet në shoqëri kthehet në “sport kombëtar” dhe si çdo sëmundje infektive kthehet në pandemi. Pra në vend që të ndajmë gëzimet mes njëri-tjetrit, ndajmë hallet dhe dëshpërimet tona. Këtu më duket se ka vend të diskutojmë disa principe të jetës normale, parime që ndoshta popuj të tjerë i kanë adoptuar pas një experience të gjatë si tonën, por që ata e kanë kapërcyer pragun dhe kanë kaluar matanë.
Po bej një ndërprerje të vogël – ja çfarë kanë thënë disa njerëz të shquar të kohërave të ndryshme për dëshpërimin:
Humori? Është një koktej revolte me dëshpërim-William Shakespeare
Shumica e njerëzve e çojnë jetën në një dëshpërim të qetë – Grigore C.Moisil
E dua vëndin tim, por në dashurinë time bën pjesë dhe dëshpërimi im kur shoh se si jetojmë dhe çfarë përjetojmë -Haruki Murakami
Interesant. Është dhe më interesant fakti se këta njerëz të shquar nuk janë as shqipetarë, gjë që më bën të dyshoj se populli ynë është i veçant në fatin e tij për të vuajtur. Pra paska dhe popuj të tjerë që kanë vuajtur ose që vazhdojnë të vuajnë. Megjithatë ata jetojnë dhe nuk i dëgjon kurrë të qahen. Në Indi dhe vënde të tjera aziatike, aplikojnë terapinë e të qeshurit në kolektiv. Dalin në rrugë, grumbullohen dhe fillojnë të qeshin pa ndonjë motiv të veçant. E qeshura e tyre zgjat dhjetë minuta, por efekti i saj mbulon gjithë ditën, pasi mbas një qeshje të shëndosh ndjehen më të çliruar, më të gëzuar dhe më optimist. Në shumë vënde, të ankohesh për hallet e tua, konsiderohet si diçka e panjerzishme. Kuptohet këtu nuk e kam fjalën për rastin kur kërkon ndihmë nga dikush, bëhet fjalë për dëshirën e shpërndarjes së hallit në njerëz që nuk kanë asnjë mundësi të të ndihmojnë, por e bëjnë këtë vetëm “sa për tu gjëndur Kola në punë” i themi ne nga anët tona. Zakonisht të huajt kur u drejtohesh të pyesin direk, se me se mund të të ndihmojnë – how I can help you? Ne se kemi këtë zakon. Ne të pyesim: Si je? Si i ke hallet? Si po ja kalon? Këto pyetje janë si një prelud për halle-qarjen që vijon më pas, dhe megjithëse nuk jemi aspak në gjendje, apo nuk kemi asnjë dëshirë ta ndihmojmë tjetrin, vazhdojmë tja dëgjojmë ligjëratën e dëshpërimit të tij deri në fund, për të bërë krahasimin me hallet tona, ose thjesht për kuriozitet. Më tej, këto rrëfime transmetohen gojë më gojë në gjithë rrethin e të njohurëve të përbashkët që kemi, si punë bibliografie që lexohet për të kaluar kohën e lirë.
Si çdo popull kemi dhe ne halle kolektive madhore, të përbashkët, prandaj dhe kemi krijuar nje folklor të tërë për hallet. Themi se – halle halle kjo dynja dhe halli hallit nuk i ngjan. Të tilla halle madhore unë do konsideroja për shëmbull pushtimin 500 vjeçar nga perandoria Osmane. Apo coptimin e Shqiperisë dhe ndarja 100 vjeçare e kombit tonë. Halli i parë u zgjidh, i dyti akoma jo. E si të mos jemi një komb i dëshpëruar pas aq luftrash dhe aq shumë genocidesh? Ishallah integrimi europian të mos na kthehet në pushtim europian, pasi do nxjerrim sytë me duart tona sot – mendoj nganjëherë. Kur digjesh nga qulli i fryn dhe kosit pastaj. Puna është mos e humbim pusullën, por të luftojmë të zgjidhim hallin. Me qarje dhe dëshpërim nuk zgjidhim gjë asnjëherë, prandaj duhet mobilizim të bashkohemi. Problemet që kemi me fajdexhinjtë dhe rushfetçinjtë tanë vetëm ne vetë mund ti zgjidhim, por jo duke u ankuar dhe duke bërë sehir.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura