LIRIM KRASNIQI: PRIZRENI NUK KA NEVOJË PËR ASFALT, KA NEVOJË PËR NDRYSHIM NË QEVERISJE!

Prizren, 03. 10. 2013 – Asfalti, objektet infrastrukturore dhe gjëra të tjera që në përmbajtje kanë me shumicë beton, kanë qenë vazhdimisht pjesa përmbajtësore e fjalorit dhe veprimeve të pushtetarëve prizrenas që nga paslufta e deri me sot. Fokusi kryesorë i të gjitha qeverive lokale kanë qenë dhe janë ndërtimet infrastrukturore, me theks të veçantë tenderët e rrugëve, tek të cilat me mbi 50% të rishtruara apo rindërtuara! Mjafton vetëm një shikim në website-in e komunës për të vërtetuar se sa aktive është komuna e Prizrenit në hapjen e tenderëve të ndërlidhura me objekte infrastrukturore, respektivisht rrugë. Tash disa vite mbretëron një klimë ndërtimesh dhe mbindërtimesh pa leje mu në zemër të qytetit, fenomen ky që të bën ta vësh gishtin në kokë, dhe të thuash më vete, vallë a jam vërtet në Prizren? Dhe si rrjedhojë, pyetja tjetër që ngrihet automatikisht është, a ka ndonjë plan urbanistik që përcakton format dhe mënyrat e ndërtimeve, apo mund të ndërtojë kush të dojë si të dojë, dhe ku të dojë. Apo ndoshta ata (udhëheqësit komunalë) janë prapa këtyre ndërtimeve.
* * *
Prizrenin historikisht nuk e kanë ngritur rrugët, as banesat e as tenderët. Pushtetarëve më së paku u duhet të mendojnë për rrugë, më së paku u duhet të kërkojnë ndërtime, të cilat nuk çojnë asgjëkundi përpos në një katrahurë urbanistike, që do ta vuajnë edhe shumë brezat pas nesh.

Tenderomani Ramadan Muja dhe qyteti historik i Prizrenit i mbytur në mbeturina!

Madje kjo përveç se është pjesa më trumbetuese edhe e retorikës së njerëzve të pushtetit, ata intenzitetin e kësaj politike e ngrisin në maksimum në kohën e fushatës parazgjedhore, duke u munduar të hyjnë në sytë e çdo qytetari, por në të njejtën kohë edhe duke e vështirësuar qarkullimin, me të vetmin qëllim që për ta të flitet se “Po punojnë”. Prizrenasi megjithatë nuk është aq i marrë sa të shohë me llupë pozitive këtë qeverisje, e cila ka harruar se zhvillimi në një qytet i cili shquhej për kulturë, për sport e traditë të vijë nga asfalti. Aq me pak kur rinia përbën shumicën e popullatës për nga mosha, por edhe shumicën për nga papunësia, kjo e fundit si pasojë e keqqeverisjes.
Qyteti duket i zymtë pothuajse gjatë tërë vitit, zymtësi kjo që reflektohet edhe tek fytyrat e njerëzve. Gjallëria vjen e I shtohet gjatë muajve të verës, ku me disa aktivitete të mirëfillta kulturore, dhe këto të organizuara nga njerëz ose grupe të caktuara, në mënyrë të pavarur, që e mbajnë të gjallë krenarinë prizrenase.
Para luftes Prizreni ka pasur hiq me pak se 70 shoqëri kulturo-artistike, të cilat në rrethana krejtësisht tjera kanë vepruar dhe kanë mbajtur lart kulturën dhe traditën, duke ngërthyer vlerat kombëtare dhe njerëzore njëkohësisht. Ndërsa sot nuk ekzistojnë as gjysma e atyre që ishin para luftes. Sot ajo që mban një kontinuitet të aktiviteteve kulturore janë disa festivale të muzikës dhe një festival filmi që nga viti në vit po ngritet në piedestalet me të larta, nga njerëz të cilët i ka rritur ky qytet për t’ia ruajtur epitetin e kryeqendrës shpirtërore dhe kultorore, jo vetëm të trojeve shqipëtare por edhe më gjerë.
* * *
Dokufesti është një shëmbëlltyrë suksesi, një organizim fantastik me organizatorë tejet entuziast, që jo vetëm kanë kultivuar vlerat kulturore, por edhe i kanë sjellë dhe po i sjellin të hyra të mëdha ekonomisë prizrenase, kësaj ekonomie të lodhur nga qeverisja komunale, e cila më përpara e financon një festival në Prishtinë, sesa një vendës që po përmirëson imazhin e qytetit dhe jo vetëm. Në edicionin e fundit të tij, Dokufesti i ka sjellë ekonomisë së qytetit një shumë prej 3 milionë eurosh të hyra. Një infuzion jashtëzakonisht i rëndësishëm ekonomik, për edhe ato pak dyqane dhe lokale kryesisht tregtare dhe shërbyese, të cilat i mbajnë një pjesë të familjeve prizrenase. Në krahasim të kësaj vetëm paramendoni shumat dhe mbështetjen më pak se simbolike që ndanë komuna në përkrahje të festivalit, eventit të cilit për kohën sa zhvillon aktivitetet e tij do të duhej edhe t’i lëshohej në shfrytëzim edhe vetë objekti i komunës.
Festivalet e muzikës dhe filmit janë vetëm një pjesë e pasurisë kulturore të Prizrenit, pasuri kjo që edhe pa përkujdesjen institucionale po ia del të mbajë gjallë shpirtin artistik dhe krijues të qytetit, falë disa njerëve të cilët me punën e tyre vullnetare kanë arritur të krijojnë edhe një rrjet të organizatave kulturore, të cilat veprojnë me ndihmën e donacioneve të ndryshme, një gjë kjo që shumëkujt mund t’i duket për të ardhur keq.
* * *
Sporti, është një segment tjetër me të cilin qytetarët e Prizrenit janë mburrur dikur. Sot të gjithë e dinë se si shpërfillën sportistët dhe klubet sportive. Shembulli më tipik është klubi futbollistik “Liria” që deri vonë ka qenë vatër e talentëve të futbollit. Pjestarët e saj sot mund të luajnë në klube të ndryshme, mund të gjejnë vend brenda dhe jashtë Kosovës, por më të voglën arsye e kanë që të mbrojnë ngjyrat e klubit të qytetit të tyre. Akademia e këtij klubi jo vetëm se ka tërhequr të rinjtë për vite me radhë, por edhe ka prodhuar furbollistë të rangjeve të larta. Mos të harrojmë se transferi i parë zyrtarë i një futbollisti që ka dalë nga Kosova ka qenë produkt i po kësaj akademie dhe i po këtij klubi, i cili sot përpos mungesës së përkrahjes financiare, përballet edhe me mungesën e hapsirave për të zhvilluar aktivitetin e vet. Kjo ndodh pasi që stadiumi i qytetit nuk i plotëson kriteret minimale, për të cilën arsye K.F “Liria” i vetmi ekip futbolli në qytet që garon në rangun e seniorëve të FFK-se ndeshjet si vendas i luan në Gjakovë apo Suharekë, arsye kjo që ka ndikuar në rënien e klubit nga kategoria e parë e futbollit kosovar, dhe nëse vazhdon kështu si është mund të rrezikojë shuarjen.
* * *
Ndërsa sa herë afrohen zgjedhjet politikanë të ndryshëm japin premtime për hapsira moderne.
Një gjë të tillë e pat bërë edhe kryeministri i tanishëm Hashim Thaqi, kur para 4 vjetësh sportdashësve prizrenas u premtoi stadium të standardeve të FIFA-s dhe UEFA-s. Por ja ku jemi sot pas katër vjetësh, dhe kemi një stadium që mezi i rrinë në këmbë muret rrethuese, madje një pjesë e tyre është shembur
Ngjajshmërisht ndodh edhe me sportet e tjera.
Basketbolli poashtu me një histori të bujshme dikur, sot nuk ka me çfarë të krenohet. ”Bashkimi” njëkohësisht klubi i vetëm garues nga Prizreni, që nga mbarimi i luftës edhe pse shpeshëherë i financuar nga kompani private dhe gati i harruar nga komuna, asnjëherë nuk ka arritur në këto vitet e “lirisë” të gjejë rrugën e suksesit, që ka bërë jo vetëm ta ulë interesimin e shikuesve dhe dashamirësve të klubit e edhe tifozëve (arpagjikëve), por që në vitet e fundit ka ulur edhe interesimin e të rinjëve për t’u marrë me këtë sport.
* * *
Gjendje e ngjajshme është edhe në ekonomi e arsim.
Prizreni vuan nga mungesa e hapsirave biznesore dhe tregtare. Ne ende kemi tregje të ngritura nga barakat dhe llamarinat të cilat të krijojnë imazhin e vendeve të varfëra afrikane. Investitorët potencial mund të gjejnë gjithçka në qytet, por vetëm hapsira apo parqe biznesi nuk mund të gjejnë, një arsye shumë e fortë për të ngritur hezitimin e tyre për të investuar.
Institucionet arsimore lëngojnë poashtu nga mungesa e kuadrove profesionale, drejtorët e shkollave emërohen në bazë të afërsisë së tyre me partinë në pushtet. Shkollat fillore ende zhvillojnë mësim me tre ndërrime. Gjimnazet dhe Shkollat profesionale prodhojnë njerëz të paaftë për të ardhmen. Duke e ditur mjerimin në sistemin arsimor, profesorët të nxitur edhe nga drejtoria komunale e arsimit, për ta mbuluar mosefikasitetin, në testin e maturës bëjnë gjithçka për të dalur të sukseshëm, madje me shifra marramendëse, duke krijuar një absurditet dhe një iluzion të rrezikshëm tek nxënësit. Një precedent me të cilin ata vrasin të ardhmen, vrasin shpresën e këtij vendi.
* * *
Këto janë vetëm disa nga deformimet dhe ngecjet që ka qyteti “historik” i Prizrenit.
Pra shpërfillja institucionale si për kulturën, sportin, ekonominë, arsimin dhe për shumë segmente tjera të jetës është evidente. Përderisa pushtetarët e kanë mendjen te tenderët e rrugëve, për ti kënaqur interesat e grupeve të ndryshme të interesit, qyteti ka humbur imazhin e tij të dikurshëm. Ata, (udhëheqësit komunalë), edhe pse gati fokusin më të madh e kanë te infrastruktura, shumë pak para hundëve të tyre kanë rrjedhën e Lumbardhit, i cili ende kundërmon erë të rëndë, dhe është mbuluar me barnishte, të cilat pastrohen vetëm pak para zgjedhjeve. Pra kjo nënkupton se politikat e tyre nuk kanë për qëllim mirëqenien e qytetarëve, por interesat e tyre, dhe zgjatjen e jetës në pushtet.
Qytetari i Prizrenit është ai që po e vuan më së shumti këtë gjendje. Të gjithë jemi të ofenduar nga kjo klasë politike e cila ka rrënuar identitetin e Prizrenit dhe dinjitetin e Prizrenasëve.
Prandaj nevoja për ndryshim është e paevitueshme.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura