PËRPARIM DEMI: PATRIOTËT E FILATIT TË ÇAMËRISË NË ELBASAN

Bukuresht, 31. 03. 2014 – Sali Iljaz Ceka, publicist, demokrat, veprimtar i arsimit kombëtar, “Mësues i Popullit”, si dhe “Qytetar Nderi” i Elbasanit. Ka lindur në qytetin e Filatit në Çamëri më 20 gusht të vitit 1892 në një familje atdhetare. Arsimin fillor e kreu në vendlindje, ndërsa atë të mesëm në gjimanzin “Zosimea”. Më 1913 ka kryer Institutin Pedagogjik të Bezantosit në Francë. Në korrik të po këtij viti vihet në dispozicion të qeverisë së Vlorës. Në shtator të 1913 emërohet mësues në “Normalen” e Elbasanit ku jepte disa lëndë, si Pedagogji, Psikologji etj. Në Kongresin Kombëtar të Lushnjës përfaqëson Elbasanin si deputet i zonës së Sulovës. U angazhua politikisht gjatë fushatës për Asamblenë Kushtetuese të dhjetorit 1923, me grupimin politik “As i pashës e as i beut” me një karrierë publicistike ku shpalosi idetë e tija për zhvillimin e arsimit dhe bërjen të detyrueshëm të arsimit fillor. Merr detyrën e kryeinspektorit të arsimit dhe u morr intensivisht me perhapjen e arsimit. Hartoi programet e shkollave të mesme sipas modelit perëndimor. Sali Ceka do të vritet më 1 shkurt të vitit 1925 në fshatin Selavias të krahinës së Sulovës në Elbasan. Shkolla e mesme profesionale e Elbasanit mban emrin “SALI CEKA”.


Sali Iljaz Ceka

 Tahir Avdi Demi – edhe Tahir Demi, lindi në Filat të Çamërisë më 1919. Eksponentë i Luftës Antifashiste dhe pas çlirimit, eksponent i pushtetit. Shkollimin e ka kryer në Shqipëri, Rumani, Hungari dhe Rusi. Ka qenë kryetar i Komitetit Ekzekutiv në Elbasan nga viti 1954-1960. Deri sa u arrestua nga Partia Komuniste dhe u ekzekutua më 28 maj të viti 1961.
Haxhi Sejko – lindur në Filat më 1909. Është mësuesi i parë i gjuhës shqipe në Filat si dhe në fshatrat e tij. Për këtë detyrë ai është paguar nga Ministria e Arsimit e Mbretërisë Shqiptare. Ka qenë një nga 20 mësuesit që ishin pjesë e “Normales” së Elbasanit. Ka marrë pjesë në Luftën Antifashiste dhe pas saj ka jetuar në Sarandë dhe Elbasan ku vazhdon të ushtrojë zanatin e mësuesit. Profesionin e mësuesit e vazhdon deri në vitin 1962 kur bëhet pjesë e trupës profesioniste të teatrit në Elbasan. Jeta artistike e tij, ka qenë paralelisht me atë të shumë aktorëve, si: Demir Hyskja, Robert Ndrenika, Astrit Cerma etj. Haxhi Sejko ka qenë aktivist i shumë roleve teatrale të spikatura. Por mbiemri “Sejko” nuk e lejonte që të ecte më tej. Në teatër kaloj 20 vitet e fundit të jetës së tij deri sa vdiq në vitin 1982.
Nuri Emin Zane – lindi më 20 nëntor 1913 në qytetin e Filatit në Çamëri dhe vdiq në 4 nëntor 1988 në Elbasan. Gjatë gjithë kohës u rrit në mbikqyrjen e një edukate të rreptë familjare. Ai u brymos me ide antifashiste. Në pranverë të vitit 1943, kallzohet nga autoritetet greke në komandën gjermane, të cilët e ndjekin dhe arrijnë ta arrestojnë në mes të natës në një hotel të Janinës. Që nga ajo kohë ai u fut në burgun e Janinës, e më pas në Selanik, nga ku u çua në kampin famkeq të përqëndrimit në Dakao e më pas në Mynih të Gjermanisë. Me kapitullimin e Gjermanisë kthehet në Greqi për të vajtur në shtëpinë e tij në Çamëri në vitin 1945. Mirëpo nuk lejohet të shkojë në shtëpi, pasi në Janinë mer vesh për shkatërrimin e Çamërisë dhe shpërnguljen me dhunë të popullsisë myslimane nga trojet e tyre. Gjatë kohës së qëndrimit në Shqipëri ka punuar në disa qytete si: Delvinë, Tiranë, Peqin, Cerrik etj. Pas eleminimit të krerëve të ashtuquajurit “Grup Armiqësor” të Teme Sejkos dhe Tahir Demit, Nuriu u thirr disa herë në hetuesi në Elbasan dhe më 6 shkurt 1964 dënohet me 6 vjet burg me motive sabotimi të ekonomisë popullore në Cerrik. Vetëm në 2005 u dekorua nga presidenti Alfred Moisiu, me “Medaljen e Artë të Shqiponjës”.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura