GJOKË DABAJ: KRIMINELËT, PSE PO I TRAJTOJNË KËSHTU FQINJËT E MI

Durrës, 4 shkurt 2020: Hajrët janë nga fqinjët e mi më të afërt. Shtëpitë e tyre nuk janë as 100 metra larg shtëpisë sime.
Janë djem të mirë. Askush prej nesh, që i kemi fqinjë, nuk mund të thotë asnjë fjalë të keqe për Hajrët.
Në vitin 1993-1994 këto familje ishin aq të varfëra, sa edhe bukën e hanin me kursim. Këta djem në ata vite kishin mbetur në pikë të hallit, si mijëra djem të tjerë të krejt Shqipërisë. E vetmja rrugë e tyre ishte, të paguanin skafet për të kapërcyer detin. O do të jetonin këtu, pa punë e pa bukë, o do të gjenin para borxh e të iknin nga ky vend. E dimë ne ç’kanë hequr djemtë tanë për të kapërcyer detin!

Hajrët ishin çuna të shkathët. I kish bërë jeta të tillë. Gjetën mënyrën për të bërë para dhe bënë para. Nuk vodhën. Nuk grabitën. U morën me një tregti që ishte formalisht e ndaluar, por që praktikisht lejohej. Nuk ia shitën askujt drogën me zor. E blenë atje ku mundën dhe e shitën atje ku mundën.
Fituan para dhe rregulluan jetën e tyre familjare. Fituan para dhe ndërtuan shtëpi të reja, ndërtuan edhe hotele e restorante nga më modernët.

Paratë e tyre nuk ishin as nuk janë më të pista se paratë e pushtetarëvet tanë, por edhe të pushtetarëvet të botës së sotme. Vetëm një tufë naivësh mund të thonë: “Epo, ata janë marrë me drogë, me punë të ndaluara!” Kush e ka ndaluar drogën? E kanë ndaluar ata që duan ta tregtojnë për vete. Fundja, kush e ka ndaluar tregtimin e armëvet? E kanë ndaluar ata që duan t’i tregtojnë armët për vete.
Të shesësh drogë është vërtet punë e keqe. Por edhe të prodhosh e të shesësh armë është punë e keqe. Edhe të prodhosh e të shesësh ushqime gjenetikisht të modifikuar e të helmosh me ta miliona njerëz, është punë e keqe. Edhe të shesësh ilaçe të skaduar është punë e keqe.
Hajrët, fqinjët e mi, u morën me atë lloj tregtie që sot po e bën gjithë bota. Por nuk ishin dhe nuk janë kriminelë. Hajrët u morën me aso punësh, sepse ato punë iu ofruan si më të levërdisshmet. Ka këtu, në Republikën e Shqipërisë, njerëz që u morën me kultivimin e mollëvet. Por u detyruan t’i hedhin anash lumenjvet dhe anash kanalevet dhe po detyrohen t’i sharrojnë me sharrë drurët e mollëvet, sepse tregun tonë e ka pushtuar molla e huaj. Ka këtu, në Republikën e Shqipërisë, njerëz që merren me kultivim patatesh. Por shihni ç’po ndodh me patatet e prodhuesvet shqiptarë! Po u kalben, pa mundur t’i shesin, në një kohë kur mijëra qytetarët tanë maten pesë herë para se të blejnë gjysmë kilogrami, patate, mollë ose domate.
Hajrrët nuk jnë kriminelë. Kriminelë janë ata që u krijojnë kushte djemvet tanë që të merren me gjithfarë punësh dhe që pastaj i arrestojnë dhe ua konfiskojnë pasuritë. Ua konfiskojnë ato pasuri që ata i kanë fituar duke vënë kokën në rrëzik me qindra herë.
Ne që jetojmë këtu, në fqinjësi të përditshme me këta, e dimë që këta djem nuk janë as grabitës, as vrasës dhe kemi bindjen që kufoma e të ndjerit dhe të mjerit Jon Prenga u është lënë në dorë këtyre djemve, me qëllim që t’u krijohet mundësia kriminelëvet të një shkalle më të lartë, për t’i arrestuar dhe për t’ua konfiskuar pasuritë.
Që Hajrët nuk janë vrasës, ne që i njohim, kemi dëshmi të shumta. Po tregoj vetëm njërën prej tyre. Në një rast, kur po udhëtonin me skaf drejt Italisë, njëri nga pasagjerët kishte shfaqur shenja frike dhe po bërtiste. Skafistët kishin tentuar ta hidhnin në det, që të mos diktoheshin prej guardia di finacës. (Se mos po ndodhte për herë të parë një i tillë krim!?) Por dy vëllezërit Hajri nxorën armët dhe i detyruan skafistët ta kthenin skafin andej nga ishin nisur. E zbritën djalin e trembur në brigjet e Shqipërisë, e çuan në spital, e mjekuan dhe ua sollën prindërvet të tij shëndoshë e mirë.
Alibia sikur këta mund të kenë vrarë një njeri, është thjeshtë një inskenim, për t’u rrëmbyer pasurinë dhe për t’u mburrur para qorravet: Ja, si po e luftojmë ne krimin!
Por pyetja që duhet bërë, është edhe kjo: Kush do ta gëzojë këtë pasuri të konfiskuar?! A do t’i jepet popullit kjo pasuri? Atij populli, që pushtetarët tanë, me ironi e sarkazëm, e quajnë publik! Publik do me thënë turmë që s’di tjetër, veçse të duartrokasë. Asnjëra nga partitë e sotme, sa kohë popullin e vet e quajnë cinikisht publik, dmth turmë, nuk e meriton pushtetin në këtë vend! Pra, kush do ta gëzojë këtë pasuri që iu rrëmbye këto ditë familjes Hajri?! Këtë pasuri do ta gëzojnë ata që nuk e kanë merituar! Do ta gëzojnë ata që nuk kanë rrëzikuar jetën për ta fituar këtë pasuri!
Gjithsesi, shqiptarët duhet të nxjerrin mësime nga përvojat e tyre të hidhura. Unë uroj që fqinjët e mi Hajrët të lirohen sa më parë nga burgu dhe ta rifillojnë jetën larg rrëziqesh dhe larg punëvet të pamenduara mirë. Hajrët duhet ta dinë që ne, të gjithë fqinjët e tyre, jemi në anën e tyre, sepse i njohim më mirë se kushdo tjetër.
Gjokë Dabaj, Durrës 4 shkurt 2020.
 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura