PETRIT KRYEZIU: RAMADAN MUJA E MINIR KRASNIQI MË TË FUQISHËM SE SUPREMJA!

Prizren, 14. 09. 2013 – Tre avokatë publikë të Komunës së Prizrenit, dëshmuan të enjten në rastin Muja, duke treguar se kryetari i kësaj komune pengoi zbatimin e një vendimi të Gjykatës Supreme të vitit 2006 që njihte si pronare legjitime të një paluajtshmërie komunën. Mujës i ndihmoi edhe drejtori i Gjeodezisë Kadri Ukimeri, i bashkakuzuar në këtë rast. Në këtë paluajtshmëri gjithashtu kishte pronë edhe Minir Krasniqi, drejtor i Drejtorisë prizrenase të Administratës. Edhe Krasniqi është nga të akuzuarit.
Të enjten në Gjykatën Themelore të Prizrenit, në rastin gjyqësor kundër kryetarit Ramadan Muja dhe pesë zyrtarëve komunalë, dëshmuan tre avokatë publikë të komunës, që ushtruan këtë post nga 2006-ta deri tash.
Ata u pyetën se pse nuk u zbatua vendimi i Gjykatës Supreme i vitit 2006, që e bënte komunën e Prizrenit pronare legjitime të dy parcelave të tokës.
Në vitin 2006, Gjykata Supreme shpalli komunën e Prizrenit, pronare të dy parcelave të tokës, me numrat 8617 dhe 8619. Parcelat kishin sipërfaqe prej 20.65 dhe 6.22 arësh, ndërsa vlera e tyre llogaritej të ishte 50 mijë euro.

Minir Krasniqi, drejtor i Drejtorisë së Administratës (tani kryetar i degës së PDK-së në Prizren) dhe Ramadan Muja, kryetar i komunës së Prizrenit duke u futur në gjykatën e Prizrenit…!

*  *  *

Sipas aktakuzës, për tre vjet rresht, nga 1 korriku 2008 deri më 29 nëntor 2011, Muja së bashku me Kadri Ukimerin, në cilësinë e Drejtorit të Gjeodezisë, nuk kanë ekzekutuar këtë aktgjykim, pasi në këto parcela kishte pronë të veten edhe drejtori i Administratës në Komunën e Prizrenit, Minir Krasniqi. 
Muja, Ukimeri e Krasniqi po akuzohen për shpërdorim detyre dhe të autorizimeve. Bashkë me ta, po ngarkohen për të njëjtat akuza edhe Sadik Paçarizi, drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Abdullah Tejeci e Avni Ademaj, që në periudha të ndryshme drejtuan Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër.
Përveç që nuk zbatuan vendimin e Supremes për tokat, të akuzuarit, sipas aktakuzës, për t’u sjellë dobi pasurore të tjerëve në një rast dhanë në shfrytëzim tokën që ishte nën administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe në një rast tjetër lëshuan pa pagesë një pronë komunale.
Këto veprime Muja dhe drejtorët i bënë në periudhën prej vitit 2008, deri në 2012-ën.
Ish-avokati publik i komunës së Prizrenit, në kohën kur Gjykata Supreme mori vendimin për këto paluejtshmëri, Eqrem Muqaj, gjatë dëshmisë së tij të enjten, tregoi se ka kërkuar zyrtarisht ekzekutimin e lëndës së Supremes për tokat.
Ai shtoi se për kërkesën ishte njoftuar edhe Ramadan Muja, ndërsa bëri me dije se e dinte se në ato toka kishte pronë të veten edhe drejtori i Drejtorisë së Administratës, Minir Krasniqi.
“Përmes shkresës e kam njoftuar Drejtorinë e Administratës Publike, kuptohet drejtorin Minir Krasniqi, e cila pastaj e ka njoftuar kryetarin Muja dhe drejtorin e Gjeodezisë dhe Kadastrit, Kadri Ukimerin, për këtë ekziston shkresa e protokoluar” tha dëshmitari Muqaj.
Sipas Eqrem Muçajt, përgjegjës për zbatimin e vendimit të Supremes ka qenë drejtori Kadri Ukimeri.
Aktakuza e ngritur ndaj kryetarit dhe drejtorëve të drejtorive të Prizrenit thotë se: “Muja ka urdhëruar Ukimerin që të mos bënte ndryshimet e duhura në shënimet kadastrale që do ta bënin Komunën e Prizrenit pronare të ligjshme të parcelave tokësore”.
Ukimeri pastaj, sipas aktakuzës, nuk ka ndërmarrë veprime për t’i regjistruar si të komunës, dy parcelat.
Të enjten dëshmoi edhe ish-avokati publik komunal në periudhën 2008-2011, Agron Hoxha, që aktualisht kryen detyrën e gjykatësit.
Edhe Hoxha e hoqi nga vetja përgjegjësinë për moszbatimin e vendimit të Gjykatës Supreme, duke thënë se me shkresë ka kërkuar ekzekutimin e vendimit.
“Është dashtë me u ekzekutu ajo lëndë, edhe pse njëri prej zyrtarëve komunalë ka pasë pronë të veten aty, ai ka qenë drejtori Minir Krasniqi. Unë si avokat publik kam kërkuar që të respektohet vendimi i Supremes. Arsyeja pse nuk është zbatuar ekzekutimi, ka qenë se në pyetje ishte zyrtari komunal”, tha dëshmitari Hoxha para trupit gjykues.
I akuzuari Minir Krasniqi, tha se vendimi i Supremes për dy parcelat është marrë në kohën kur ai nuk ishte drejtor, ndërsa komunën nuk e udhëhiqte PDK-ja, por LDK-ja me Eqrem Kryeziun.
Krasniqi pyeti ish-avokatin Hoxha se pse nuk kishte ngritur kallëzim për moszbatim vendimi ndaj ish-kryetarit Kryeziu dhe avokatit publik të asaj kohe Eqrem Muçajt, por trupi gjykues nuk e lejoi Hoxhën t’i përgjigjej kësaj pyetje.
Pasi dëgjoi dy ish-avokatët publikë të komunës, mbrojtësi i kryetarit Muja, Ruzhdi Berisha, shprehu mendimin se dëshmitë e tyre nuk lidhen me përgjegjësitë penale të njërit, ose të akuzuarit tjetër.
“Tash për tash janë dëgjuar dy dëshmitarë, të cilët kanë qenë avokatë publikë të komunës, gjithë çështja është rreth evidencës kadastrale të një paluejtshmërie. Të akuzuarit thonë se ka pas pengesa, nga shkresat e lëndës edhe rrjedh se ka pas pengesa në regjistrimin e evidencave kadastrale, gjithë kjo për mbrojtjen nuk lidhet me përgjegjësinë penale të njërit, ose të akuzuarit tjetër”, – tha Berisha.
Të enjten, para trupit gjykues doli edhe avokati publik aktual i Prizrenit, Besim Morina. Edhe Morina, si dy ish-avokatët, tha se me të marrë detyrën në nëntor të vitit 2011, ka kërkuar zbatimin e vendimit të Gjykatës Supreme, për ngastrat tokësore 8617 dhe 8619.
“Për momentin që po flasim, pronare legjitime e atyre ngastrave është komuna e Prizrenit. Në ato prona janë disa lokale, ndërsa unë si avokat publik kam kërkuar që ato t’i kthehen komunës”, tha Morina.
Ai tha se nuk di se çka ka ndodhur me parcelat më herët, pasi në atë kohë nuk ishte avokat.

……………………………………..

SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG

SHTËPITË MILIONSHE TË NIJAZI KRYEZIUT – KRYESUES I KUVENDIT TË PRIZRENIT DHE SEKRETAR I DEGËS SË PDK-së NË PRIZREN DHE MINIR KRASNIQIT – DREJTOR I ADMINISTRATËS NË KOMUNËN E PRIZRENIT DHE KRYETAR I DEGËS SE PDK-së NË PRIZREN!

Minir Krasniqi dhe Nijazi Kryeziu…
———–

Shtëpia luksoze e Nijazi Kryeziut,…

Njëra nga shtëpitë gjigante të Minir Krasniqit, (ai ka edhe një shtëpi në të njejtën rrugë me shtëpinë e Nijazi Kryeziut që shihni më lartë në foto, ka në lagjen e Trimave…) si dha ka disa lokale…!!!

*   *   *

Lexoni këtu deklarimin e pasurisë së Minir krasniqit,

në Agjencionin Kundër Korrupcionit!
http://akk-ks.org/2013/Komunat/Komuna_e_Prizrenit/Minir_Krasniqi.pdf 
 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura