PETRIT MALUSHI: SI TË BËHEMI FOLËS TË MIRË TË GJUHËS SHQIPE

Pashtriku.org, 10. 10. 2014: Çdo gjuhë, nga përdoruesit e saj, bëhet funksionale vetëm nëpërmjet të dëgjuarit, të folurit, të lexuarit dhe të shkruarit. Por ndërsa dy aktet e para, pra të dëgjuarit dhe të folurit, realizohen prej çdo personi që në fazat e para të jetës si procese biologjike, dy aktet e tjera, të lexuarit dhe të shkruarit janë të kushtëzuara prej arsimimit gjatë rritjes dhe zhvillimit fizik e intelektual të njeriut. Pashmangshmërisht janë fjalët dhe mënyrat e të folmeve të mjediseve familjare, ku i çdo sapolindur vjen në jetë, që vënë shtresat e para të fjalorëve dhe trajtat e ligjërimeve te kushdo. Më pas në institucionet arsimore merren njohuri dhe koncepte shkencore, që njerëzit të flasin e të shkruajnë sipas rregullave të përcaktuara gjuhësore. Nga ky nivel ata i kanë të gjitha mundësit që të reflektojnë ndaj çfarë kanë marrë jo në përputhje me këto rregulla.
Realisht të folmet e mjediseve familjare, shoqërore, sociale dhe zyrtare, nuk arrijnë të demonstrojnë një të folur korrekt, sipas rregullave të shkencave dhe disiplinave gjuhësore që mësohen në jo pak vite në shkollat e të gjitha niveleve dhe degëve të arsimit parauniversitar, apo edhe në atë universitar, madje edhe jashtë kësaj kornize. Arsyet janë nga më të ndryshmet, objektive dhe subjektive, që nuk mund të tejkalohen. Pra gjuha e folur nuk e arrin dot perfeksionin e gjuhës së shkruar. Do të ishte një arritje nëse të gjithë folësit, megjithëse te disa ekziston dëshira, në çdo mjedis, do të bënin përpjekje ta përdornin gjuhën siç e mësojnë, edhe në të folur. Problemi është se, si gjuha e folur ashtu edhe gjuha e shkruar demonstrohen, pra përdoren në jo pak raste, me deformime nga ajo që mësohet në tekstet mësimore.

Nëse do të kishte një institucion statistikash, shifrat për këto shkelje ndoshta do të shkonin në nivelet të pamenduara. Specialistë të fushës së gjuhësisë, gjuhëtarë të niveleve të ndryshme, mësues të lëndëve të gjuhës shqipe dhe letërsisë, apo edhe njerëz të fushave të tjera, që kanë vlerësuar se mund të japin ndihmesë, kanë trajtuar vazhdimisht në mënyrë konkrete dhe analitike si duhet dhe si nuk duhet folur dhe shkruar, pra kur është folur e shkruar gabim dhe si duhet folur e shkruar saktë. Faktet kanë qenë e janë të shumta në raport me rregullat e morfologjisë, sintaksës, drejtshkrimit, drejtshqiptimit, kulturës gjuhësore, fonetike e leksikore, në marrëdhëniet brenda vetë gjuhës shqipe dhe në marrëdhëniet e saj me gjuhët e tjera.
Dhe askush i kësaj fushe nuk e ka të vështirë, nëse vendos të trajtojë çështje me një tematike të tillë, të kërkojë e gjejë fakte të reja. Veç mjediseve, mediat elektronike dhe të shkruara, shtëpitë botuese, që nga numri, lloji, niveli, kohështrirja e programeve, numri i faqeve etj, etj, janë “të pasura” në këtë drejtim. Po u referohemi medieve dhe shtëpive botuese pasi janë mjete të komunikimit masiv dhe të drejtpërdrejta, ku pasqyrohet ashtu siç është realisht formimi dhe niveli gjuhësor, së pari i çdo botuesi, drejtori, kryeredaktori, redaktori, gazetari dhe së dyti i të ftuarve, të intervistuarve, politikanëve, shtetarëve, specialistëve të çdo fushe, e deri te qytetarët apo banorët më të thjeshtë të zonave rurale, pa asnjë lloj diferencimi, të cilët përzgjidhen për të qenë të pranishëm brenda kornizave të emisioneve televizive e radiofonike apo në faqet e gazetave e revistave.
Vetë forca e medies është e tillë që të imponon tërheqje vëmendjeje dhe përqendrim për gjithçka që parakalon në ekran edhe në fraksion të sekondit; apo lexon në radhët e një kryeartikulli dhe artikulli kur shfleton një gazetë a revistë. Sytë dhe veshët e secilit duket sikur luajnë rolin e pajisjeve të një “skaneri gjuhësor” që s’u shpëton asgjë, ndërkohë që shkeljet gjuhësore mund të kalohen normalisht në një bisedë familjare, shoqërore, tavoline, takim të rastësishëm, shërbim në supermarket etj.
Po pse nuk bëhemi dot “folës të mirë” ne përdoruesit e gjuhës?
Arsyet janë të shumta e të natyrave të ndryshme, është folur e shkruar për to dhe synimi i këtij shkrimi është të përpiqemi ta flasim dhe shkruajmë gjuhën ashtu siç e mësojmë. Shkeljet gjuhësore apo deformimet e shtrembërimet në disa raste janë krejt të papranueshme. Kur një politikan ngatërron gjinitë e emrave, apo të përemrave vetorë të vetës së tretë, nuk përshtat mbiemrin në gjini numër dhe rase me emrin, një shtetar bën lëmsh trajtat e shkurtra apo të shkurtra të bashkuara, një zyrtar i ndërton fjalitë me rend jo të drejtë, një gazetar nuk di t’i vendosë foljet në kohët dhe mënyrat e tyre, ngatërron vendosjen e emrit në fjali sipas rasave, trajtën e shquar me të pashquarën, nuk përputh shenjën më shënjuesin pra formën me përmbajtjen e fjalës, del nga tematika, bën pyetje si komente , në gazeta intervistat duken si përshkrime, futen fonema që nuk i ka alfabeti i gjuhës shqipe, hiqen të tjera që nuk duhet të hiqen, në shkresat zyrtare datat nuk shkruhen si duhet të ndara nga muaji dhe viti me pikë, ka përzierje të shkronjave të shtypit me ato të dorës, nuk përdoren kur duhen shkronjat e mëdha dhe shenjat e pikësimit në fillim, në mes apo në fund të fjalisë, zëvendësohen fjalët shqipe me fjalë të huaja të panevojshme… reagimi vjen natyrshëm. Përse të ndodhin kaq shumë shkelje gjatë përdorimit të gjuhës shqipe, gjithnjë referuar asaj se si ajo mësohet në shkollë dhe a mundet ne të arrijmë nivelin e një folësi të mirë? Duke analizuar të gjithë faktorët, në kontekstin e jetës së njeriut, familjarë, shoqërorë, socialë, intelektualë etj, peshën kryesore e mban ai arsimor.

SHQIPJA JONË E SHKRUAR SA E MIRË, SA E DLIRË, SA E ËMBËL, SA E GJERË…

Më konkretisht, të gjithë kryejmë arsimin e detyruar të ulët e nëntëvjeçar, pjesa më e madhe edhe arsimin e mesëm e të lartë, e pas përfundimit të çdo viti shkollor, në dokumentet përkatëse nuk mungojnë edhe vlerësimet e niveleve sipërore. Mësimi i gjuhës shqipe me rubrikat e të folurit, të dëgjuarit, të lexuarit e të shkruarit fillon qysh në klasën e parë e nuk ndërpritet deri në klasën e dymbëdhjetë apo të trembëdhjetë të shkollës së mesme, me ngarkesë javore pesë, katër, tre e dyorëshe, sipas cikleve përkatës. Gjatë kësaj shtirjeje në programet mësimorë trajtohen të gjitha dukuritë gjuhësore dhe rregullat që duhet të zbatohen gjatë përdorimit të fjalëve e fjalive, njësive më të vogla e më të mëdha se to, për t’u bërë folës e shkrues të mirë.
Në orët mësimore trajtohen fonemat, morfemat, fjalët, togfjalëshat, fjalitë, paragrafët, tekstet, kuptimet e fjalëve, funksionet e tyre, fjalëformimi, klasat e fjalëve, kategoritë gramatikore të tyre etj, etj. Brenda një viti shkollor me javë të plota mësimore, e më tej në dymbëdhjetë vite, nuk ngelet asgjë pa thënë, pa u shkruar e pa u analizuar. Sigurisht jo gjithçka që mësohet në shkollë sistemohet në mënyrë të plotë në vetëdijen e secilit, megjithatë konceptet bazë vështirë se fshihen nga kujtesa përfundimisht.
Po atëherë, të përpiqemi të mendojmë se duhet të flasim ashtu siç mësojmë në shkollë, të mbajmë mend sa më shumë rregulla nga ato të mësuara gjatë viteve të shkollimit, të bëjmë autokontrolle të ligjërimeve tona, të reflektojmë ndaj shkeljeve tona gjuhësore, të dallojmë tek të tjerët shtrembërimet gjuhësore, të vlerësojmë mjedisin ku ndodhemi, pozicionin nga flasim, nivelin e dëgjuesve dhe të bashkëbiseduesve etj, etj. Të përpiqemi të mbajmë mend që në strategjinë e të folurit veç cilësive të një folësi të mirë, të kemi parasysh se të folurit është një akt thelbësor i veprimtarisë së përditshme të çdo njeriu. Të dish të flasësh është një aftësi e rëndësishme, por edhe e vështirë për ta zotëruar.
Njerëzit mësojnë që të vegjël të flasin, por të dish të flasësh si duhet është krejt tjetër gjë. Të dish të flasësh do të thotë të jesh folës i mirë. Kjo është e rëndësishme në të gjitha situatat ligjërimore të folësve , por rëndësi të veçantë merr në situatat zyrtare dhe kur flitet para një publiku me nivel, që vëmendshëm do të kuptojë atë që thuhet e gjykon mënyrën e të folurit. Ndërkohë që në strategjitë e të shkruarit të mos harrojmë se të dish të shkruash është një aftësi shumë e rëndësishme për jetën e përditshme, si në shkollë edhe në çdo mjedis tjetër familjar, zyrtar, pune, shoqëror , social etj. Por për të qenë një shkrues i mirë do të thotë të dish të shkruash një tekst të vërtetë, të saktë, të rregullt e koherent që është me të njëjtën linjë me situatën komunikuese.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura