“PO VIJNË BARBARËT”…

Prehje fundjave

Nga Rexhep Kasumaj

Prishtinë, verë 2023

Fletëza metropolitane

“PO VIJNË BARBARËT”…

(…pastaj sytë e faraonit, Monteskjë dhe librat që s’prehin)

1.

Barbarët

Traudl Junge bënte gati rrobat. Ato pak që mund t’i merrte me vete. Ishte fryma e fundme e perandorisë ariozofike. Dhe duhej të nxitonte. Ndihej e thyer, ashtu si vetë Rajhu i pafat.

Vetëm para disa çastesh në dhomën e veçantë bunkeriale, ishte dëgjuar krisma fatale. Gjithçka rrokullisej shpejt e humnershëm. Fyhreri i lavdishëm i’a kishte shkrepur vetes. Para tij, që ky duhej t’a shihte me sytë e vet, do pinte barin e vdekjes bashkëshortja e tij çifute, Eva Braun, që tani quhej zonja Hitler.

Ishin dashnorë. Por kje një dashuri eterike. Pa kurm, pa prekje, pa vullkan epshor.

Ndonjëherë Fyhreri i afrohej t’a përqafonte, por në çast tërhiqej e thoshte: ah, jo, jo! Unë s’kam të drejtë për këtë, përsa kohë Gjermania ime të mos shpëtojë!

Ndaj ishin kurorëzuar (fundprill,1945) në ambiente bunkeri ndërsa prisnin lamtumiren e jetës! Dhe bashkëpunëtorë e shërbyes kancelerie panë një përqafim që s’e kishin parë asnjëherë dhe që s’do të përsëritej më kurrë.

Ndërkohë Junge, sekretarja e fundit e Adolfit që i kishte vënë flakën Europës, ngarendte plot ankth. Urdhëri ishte i pashpresë: secili të gjente udhën e vet.

Trupat ruse afroheshin rrufeshëm. Gjithë et për hakmarrje të egër, tashmë gjendeshin në paralagjet e Berlinit.

E pra, si shkruante (Libri: “Deri në orën e fundit”) duhej të largohej me ngut. Sepse, thoshte, po vinin barbarët!

Por tani, pas një distance të largët, një pyetje etike shtrohet ngulmërisht: cilët, pra, ishin barbarët e vërtetë?

Mbase s’është punë e luftës dhe krimeve të saj bestiale. A, mbase, për Holokaust e revansh ç’njerëzor të ushtarëve të kuq. Fundja, i kishin bërë të dyja palët. Ndaj shpjegimi merr një kah tjetër: traditën dhe nivelin e qytetërimit! Kultura lindore e rusëve, ashtu si sot, ishte inferiore ndanë civilizimit siperor gjerman e perëndimor!

Po, sidoqoftë, kush do t’a besonte se 77 vjet më vonë, tashmë jo barbarët e Stalinit, por barbarët e Putinit, do behnin sërish “ante portas”!

Për të rikthyer, si thonë, copërat e rrëmbyera nga i pari dhe të humbura nga i dyti, në Motin e ri të Europës së vjetër…

2.

Sytë e faraonit

Ju sy të pafjetur të faraonit, cilësoheshin ata nga egjiptianët e periudhës së “Perandorisë së re”.

Kini mëndjen, unë kam shumë sy e vesh, këshillonte dhe Kyros, mbret i lavdishëm i Persisë.

“Sytë e Republikës”, si quheshin nga venecianët dy fortesat e tyre – Koroni e Methoni, nga mbikqyrej trafiku ujor i Turkisë, s’ishin veçse përskajim figurativ i përballjes spiunore.

Ndërkaq, dritën e tyre zhbiruese romakët do t’a kuptonin vetëm pas mbërritjes së Hanibalit tek portë e Kartagjenës.

Kohë më pas, ndërsa kardinali Rishelje ndiqte me “kabinetin e zi” letërkëmbimin mes diplomatëve dhe personave të dyshimtë, në Vjenë do ftillohej Zyra e shifrave të fshehta.

Po po, këta ishin, vërtetë, sytë e tyre, sytë e padukshëm të shërbimeve të nënujshme. Sytë pararendës të fundeve të luftës a sytë përgjues për hirin  fronmbajtjes. Dhe këta sy pushteti që shtegtojnë epokash, do jenë agjentët, spiunët a fshehatarët e të gjitha Orëve kthestare të historisë.

Nismërisht, kjo punë duhej t’u përkiste dinjitarëve të Kishës. Flisnin shumë gjuhë dhe zhguni shërbestar i ndihte për të hyrë më thellë në fjalët dhe zemrat njerëzore. Mandej ushtarëve, tregtarëve a dërvishëve të zhelosur që munxosnin fushimet armike…

Por ndër vite që rrodhën, ata morën status nëpunësi të karrierës rregulltare. Veçse ishte sovranja Elizabetë që institucionalizoi shërbimin e parë sekret në Angli, e, mbase, në Europë.

Ndërkaq, vetë etimologjia e fjalës spiun buron nga latinishtja “spicere”, posi shprehja “in agentes rebus” që domethënë “agjentë për raste të përgjithshme”. Por shqipja, kjo zonjë më lashtësore, ka barasvlerësin e saj të bukur “spicëtar”. Pra një spicë, çarje, pykë në zemrën e interesit jetik t’një populli të trathtuar.

3.

Fizikë e mallkim…

I kishte kushtuar një jetë. Dhe fundi nuk i shihej kund. Ah, ky libër do t’a më vdesë, ankohej Monteskjë për monumentalen “Frymë të ligjeve”.

Teori shteti, monarkie,  republike a despotie e përmbytnin dhe gjumi e trathtonte.

Në fakt, këtë hjekë vuante dhe patriarku i letrave Gëte.  Kur qielli ngrysej e shi binte, nuk flinte a punonte dot. I vinte keq që, madje, s’mund të bënte dashuri as me Christianën e tij të heshtur….

Por Monteskjë dyshonte deri në mendim, se klima, gjithë fizika e truallit mund të ndikonte jo vetëm shpirtin, por dhe filozofinë e ligjeve.

Në fakt, natyra njerëzore është unike. Mirëpo popujt, në kalim kohe, zhvillojnë një kulturë të tyren autentike. Fjala vjen kultura e armëve në Amerikë apo e serbëve për të gënjyer shtetërisht në kurriz të kombeve tjerë…

Ndërkaq, përtej Monteskjesë apo teorisë së klimës, është një arsye tjetër që ndot e degjeneron doktrinën politike serbe. Ngjan pak mistike, por është vetë gjaku dhe kujtesa e tokës së huaj ku serbët ende banojnë, që dërgon të lashtin mallkim.

Që këtej, poeti renegat malazez Matija Beçkoviq vjershëronte:

“Kosovë, as e kënduar

as e vajtuar…”

Po a këndojnë bijtë martirë të arbërit dhe a identifikohen në mënyrë epike me truallin e lirë?

Në pentagramin politik mungon një notë dhe simfonia e lirisë akoma  s’këndohet dot!

4.

Librat…

Margaritarin e mëposhtëm e kisha lexuar herët tek Konica, shqiptari me të famshmën “aftësi salloni”, e pra, ndër shpirtlartët e Europës!

“E trishtë është jeta, e unë i kam lexuar të gjithë librat”!

Autor i vargjeve brilantine që nisin një nga poezitë më të famshme të tij, është  Stefan Malarme, vjershëtari i largdëgjuar francez.

Leximi i të gjithë librave?

Ah, është një figurshmëri elegante, sepse kush, vallë, deshi apo ia doli t’i lexojë të gjithë? 

Madje, as Borges-i dijethellë dhe, ndaj, priste t’i lexojë matanë, në prehjen që amshon. Në bibliotekën e andejjetshme. Në parajsë prandaj, sepse, si thosh, atë mëshirë Hyji nuk e imagjinonte ndryshe përpos një bibliotekë kolosale.

Atje ku s’ka kohë. As fill, e as mbarim. Duke qenë e pafund, libërdashësi mund të ketë luksin të lexojë deri në mbarim të botës. Atëherë kur, që këndej, nuk zbresin më libra, të mëdhenj a të paktë, të bukur a të mërzitshëm…

Porse, ah Malarme, flet për ditët e kësokohshme të dhëna me shërbim, që i molis e trishton mërzia…Dhe librat nuk prehin dot…

5.

Përftim

Përftoi vetimthi koha

njëj shéje t’zbraztisë

e jeta u harrua diku

ngeci degëve

të dhimbjes lehonë,

kur mbërriti

aty, përpara saj,

gjeti vdekjen tek priste

ishte bërë vonë…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura