SYLEJMAN KRASNIQI: ‘GJUHTARËT ENVERISTË’ TË MILAZIM KRASNIQIT DHE ‘ENVERISTËT’ E FLAMUR SHALËS SI DHE ZBULIMI EPOKAL I MILAZIM KRASNIQIT

Pashtriku.org, 20. 11. 2014 – Të nderuar lexues, në adresë të pashtriku.org kanë arritur dy reagime të autorit Sylejman Krasniqi – ndaj dy shkrimeve të Milazim Krasniqit: “Ngërçi dhe shujta e ngrohtë”, i botuar në “Epokën e Re”, datë 27 shtator 2014, dhe “A mos po përsëritet viti 1924 i Shqipërisë në vitin 2014 në Kosovë”, i botuar gjithashtu në “Epoka e Re”, më 8 nëntor 2014. Reagimet janë: “Gjuhëtarët enveristë” të Milazim Krasniqit dhe “enveristët” e Flamur Shalës – 08.11.2014 si dhe “Zbulimi Epokal i Milazim Krasniqit – 11 nëntor 2014”. Z.Sylejman Krasniqi bashkë me këto reagime, ka shkruar edhe këtë letër: “E nderuara Redaksi! Këto shkrime-reagime i bëra para dy jave dhe një jave. Gazeta në të cilën janë botuar shkrimet bazë të Milazim Krasniqit janë botuar në “Epokën e Re”. Reagimet e mija gazeta nuk i botoi fare. Arsya është sepse politika e ka zënë shtypin, nuk lejojnë mendime të ndryeshme nga ato të pushtetarëve të sotëm në Kosovë. Të gjitha gazetat janë të varura nga pushteti”.
Në vijim lexoni reagimet e tij:
“GJUHTARËT ENVERISTË” TË MILAZIM KRASNIQIT DHE “ENVERISTËT” E FLAMUR SHALËS

Një reagim i vonuar për shkrimin e Milazim Krasniqit “Ngërçi dhe shujta e ngrohtë” të botuar në “Epokën e Re” të datës 27 shtator 2014) – Para se t´ia filloj këtyre rreshtave më parë të sqaroj se pse u bë i vonuar ky reagim ndaj shkrimit në fjalë të Milazim Krasniqit.Shkrimin e Milazimit e lexova mbasditën e ditës së botimit në gazetë.Flitej për ngërçin politik në Kosovë. Në këtë shkrim autori e përshkruan gjendjen politike në vend nga këndvështrimi i tij. Unë nuk kam për qëllim që ta komentoj këtë shkrim. Por një fjalë e përdorur aty më bëri shumë përshtypje dhe njëkohësisht nuk munda që ta bluaj se pse iu desht autorit që të shërbehet me atë fjalë. Kisha mëdyshje se a të reagoj ndaj kësaj fjalie, sipas meje, të përdorur pa vend nga autori. Por këto ditë rastësisht e ndëgjova një debat të shkurtër nga Kuvendi komunal i Prishtinës. Nuk më kujtohet tema për të cilën flitej në atë kuvend por dy këshilltarë komunal të krahëve të ndryshëm politik e zhvilluan një polemikë e cila mua më nxiti të bëjë këtë shkrim. Pas polemikës në kuvend, shkrimin e Milazimit e rilexova sepse pata përshtypjen se kishin mjaft ngjajshmëri. Pas fjalës së njërit këshilltar komunal i cili i ishte i Lëvizjes Vetëvendosje (Sadri Ramabaja) reagoi një i Lidhjes Demokratike (Flamur Shala) duke i thënë të parit se “….ju jeni edhe enverista….” Dhe u shfry mbi të sikur e hoqi një barrë të rëndë nga shpina. Menjëherë m´u kujtua shkrimi i Milazimit ku edhe ai kishte thënë diçka të ngjajshme, prandaj e rilexova edhe një herë. Milazim Krasniqi shkruan “A po e shihni sa mirë i kanë radhitur gjendjet gjuhëtarët enveristë”.

– Milazim Krasniqi – 

Është bërë modë,që nga vitet 1990 e këtej, që në shumicën e shkrimeve dhe të analizave të lloj-llojshme për rrjedhat shoqërore, politike, ekonomike, historike dhe të tjera, e ku flitet për Shqipërinë dhe shqiptarët në përgjithësi, të mirret nëpër gojë dhe të përflitet patjetër edhe për Enver Hoxhën. Dhe kjo e ka edhe arsyen e vetë. Sepse Enveri Hoxha ka qenë politikëbërësi i një epoke të gjatë dhe të rëndësishme në gjysmën e dytë të shekullit të XX në Shqipëri dhe me ndikim në të gjitha trevat shqiptare në Ballkan. Ka qenë Enveri temë e analizave nga më të ndryshmet nga analistë të huaj dhe shqiptarë. E sidomos nga studiues dhe analistë të vendit. Secili prej tyre e ka vlerësuar nga këndvështrimi, shija dhe nga orientimi i vetë politik. Shumica prej tyre ia kanë njohur meritat dhe i kanë cekë edhe të metat e epokës së tij. Një pjesë e tyre ia kanë numruar vetëm të metat e pa ia njohur asnjë meritë për ato 50 vjet të udhëheqjes në krye të shtetit shqiptar. Ka edhe të tillë që e kanë ngritë në qiell dhe janë verbuar e nuk i kanë pa asnjë të metë gjatë kohës sa ishte Enveri në krye të shtetit. Të gjitha këto analiza kanë patur nga një anim subjektiv dhe janë shkruar dhe përpunuar edhe me porosi nga qarqe të intersave nga më të ndryshmet. Shkrim anailtik dhe asnjanës e objektiv deri tani nuk kam hasur. Ndoshta duhet edhe të kaloj një distancë kohore prej disa dhjeta vjetësh që të bëhet një analizë e qetë dhe jashtë ndikimeve të rrymave politike.
Studiuesit dhe analistët në Shqipëri, sipas mendimit tim, kanë shumë arsye dhe shkaqe që të merren me studimin e asaj periudhe dhe t´i venë në pah të arriturat dhe ngecjet e atij 50 vjeçari sepse ata vetë e kanë gëzuar apo edhe e kanë vuajtur atë kohë me të mirat dhe mangësit e sajë.
Ky shkrim nuk ka për qëllim që t´i rreket kësaj teme. Nuk ka për qëllim as mbrojtjen e veprimeve apo të mosveprimeve të Enver Hoxhës në epokën që ai e udhëheqi shtetin. Mendoj se gjithëkend, e në këtë rast edhe Enver Hoxhën, e mbron puna dhe vepra e vetë të cilat as nuk mund t´i hiqen e as nuk mund t´i shtohen. Mua më duket shumë e çuditshme zënja në gojë e Enver Hoxhës në këto raste krejt të pakuptimta. Thua se Enver Hoxha na paska faj për punët tona, të cilat ne vetë nuk kemi mundësi me i vendos në vend. Prej më se 24 vjet atë e kemi bërë fajtorin kujdestar për dështimet tona të përditëshme dhe për papjekurinë tonë politike dhe intelektuale.
Mua më tinglloi si i pavend përdorimi i shprehjes”….gjuhëtarët enveristë” duke e ditur shumë mirë se Enver Hoxha nuk ka qenë gjuhëtar me profesion dhe nuk e ka udhëhequr asnjëherë asnjë institucion gjuthësor. Jam shumë kureshtar që ta di se cilët janë ata “….gjuhëtarë enveristë”? Mos ndoshta ka menduar autori në pjesëmarrësit në Kongresin e Drejtëshkrimit të vitit 1972 si psh: Eqrem Çabej, Androklli Kostallari, Idriz Ajeti, Shaban Demiraj, Remzi Nesimi, Josif Ferrari, Dritëro Agolli, Isa Bajqinca, Ismail Bajra, Ismail Kadare, Lazgush Poradeci, Petro Janura, Kolec Topalli e shumë pjesëmarrës të tjerë në Kongres. Shumica e këtyre gjuhëtarëve, shkrimtarëve dhe shkenctarëve që i përmenda tani, sigurisht edhe autori e din, që janë nga Prishtina, Shkupi, Ulqini apo edhe nga arbëreshët e Italisë, për të cilët dyshoj që mund të jenë “enveristë”. Kongresin e Drejtëshkrimit nuk e ka bërë Enver Hoxha. Atë e kanë bërë kokat e ngritura shqiptare të asaj kohe e nuk e mohoj që edhe Enver Hoxha e ka një pjesë të meritës për mbarëvajtjen e Kongresit. Nëse gjuha shqipe e ka patur zhvillimin më të hovshëm në kohën e Enver hoxhës dhe për këtë shkak thua se janë ”gjuhëtarë enveristë” atëherë ke shumë të drejt. Por këtë e thua me një cinizëm dhe ironi të pashoqe. Mos të ngelet hatri pse nuk mund të thuash psh: gjuhëtarë esadist, …. pashiqist, …zogist, … e deri në gjuhëtarë të ditëve të sotit….si: gjuhëtarë salihistë…. rugovistë apo nanoistë. Fatkeqësisht këta që i numrova tani nuk kanë lënë as më të voglën gjurmë në asnjë lëmi të shkencës shqiptare e që do të duhej të përmendeshin bile edhe kalimthi. Enver Hoxha nuk ka mbetë si cung në rrugë për të marrë në thua çdo kalimtar i pandërgjegjshëm i rastit.
Prej kohësh jemi mësuar që neve, shqiptarëve, të na i vejnë të huajt gjithëfarë epitetesh vetëm për të na përçmuar deri në skajshmëri. E sidomos nga vitet e ´70-ta kur e patëm një zgjim dhe filluam më zëshëm t´i artikulojmë kërkesat tona për të drejta kombëtare deri në vetëvendosje. Na quanin: ballistë, nacionalistë, irridentistë, marksistë-leninistë, fundamentalist islamik e shumë …istë të tjerë të cilat zgjidheshin nga armiqtë tanë fqinjë në raport me zhvillimet e ngjarjeve dhe kahjeve konjukturale ndërkombëtare. Këto etiketime neve na mëvisheshin në kuptimin më të keq të këtyre. Kohët e fundit, e sidomos pas rënjes së komunizmit dhe pas vendosjes së pluralizmit në Shqipëri dhe Kosovë, fjala më fyese për kundërshtarin politik është “ …ti je enverist“ ose ju jeni “…enverista”. Dhe kur e thotë këtë fjalë thuase çlirohet nga një barrë e madhe e me të cilën tani e ngarkon kundërshtarin. Është hetuar në këto dy dhjetëvjetshat e fundit se epiteti më përçmues dhe më ofendues është emërtimi enveristë. Më kujtohet në fundin e shekullit të kaluar kur UÇK-ja u çfaq botërisht, se kishte rrokë armët për liri të kësaj toke strukturat politike dhe shtetërore të atëhershme filluan të propagandojnë se ata “të malit” janë të gjithë enverista, prandaj edhe nuk duhet bashkangjitur atyre. Këto ua thoshin edhe qendrave të vendosjes të politikës ndërkombëtarëve. Nuk e di se nga lindi dhe kush është kumbar i këtij epiteti. Sikur me këtë epitet kundërshtari ia numron tjetrit të gjitha të ligat, dobësitë, veset e këqija, dhe çdo gjë që i dëshiron një armiku apo një kundërshtari. Pra kjo tani ka mbetë edhe si fjala e fundit ofenduese e cila i përmbledh në vete të gjitha të zezat që mund t´i ketë njeriu. Çuditem se pse disa nga këto “virtyte” nuk iu ndanë p.sh: esadistëve, zogistëve, salihistëve, rugovistëve apo edhe nanoistëve, por të gjitha këto “virtyte” iu ndanë vetëm enveristëve. Si duket kështu e kemi ne shqiptarët. Ne jemi të tillë që pritojmë me i nda “meritat” në shumë vende dhe njerëz, por të gjitha i fusim me një thes. Dhe kur thesi është i fortë ngarkojmë në te edhe sa ai nuk mund të mbajë. Por nëse ai thes, nga tejngarkimi, shpërthen, thërmiat do t´i spërkasin ata të cilët e kanë ngarkuar pa kontroll. Dhe pastaj vaj halli për ne. Bota do të qeshet me ne, sikurse po qeshet edhe tani, por ne jemi verbuar dhe nuk po i shohim as nuk po i ndëgjojmë të qeshurat e botës përreth nesh.
Derisa përpara të huajt (armiqtë tanë) kujdeseshin për të na vu epitete dhe bishta të llojllojshëm tani epitetet i kemi të prodhimeve vendore. Kësaj pune, nënat dhe loket tona i thojshin “faqja e zezë, në kali të bardhë”. E kur ne pyesnim, se pse bash në kali të bardhë -për me u dukë më larg – ishte përgjigjja e tyre.
Prishtinë, 08.11.2014
Sylejman Krasniqi tel. 044-169-049/049-169-049

MILAZIM KRASNIQI: NGËRÇI DHE SHUJTA E NGROHTË
http://www.epokaere.com/index.aspx?SID=13&PMID=5&LID=2&ACatID=4&AID=51595&Ctype=1

***
ZBULIMI EPOKAL I MILAZIM KRASNIQIT

Reagim ndaj shkrimit të Milazim Krasniqit për artikullin “A mos po përsëritet viti 1924 i Shqipërisë në vitin 2014 në Kosovë” e i botuar në të përditëshmen “Epoka e Re” më 8 nëntor 2014.
Për rishkrimin e historisë tonë kombëtare kam ndëgjuar qysh në vitet 1992/3. Atëherë u përfol shumë rreth rishkrimit të historisë por pati edhe nisma të tjera “revolucionare” për rishikimin e standardizimit të gjuhës shqipe, rishikimi i veprimtarive të personaliteteve tona historike,rishkrimi i teksteve shkollore etj. etj. Tani,para 2-3 vjetësh, pati nisma dhe kërkesa nga diplomatët turq që të hiqen nga tekstet shkollore fjalët “fyese” për Perandorinë Osmane gjatë kohës kur, ne ,shqiptarët kemi “bashkëjetua” me perandorinë turke me dëshirë dhe se prej tyre na kanë ndarë të tjerët pa vullnetin tonë! Në vazhdën e këtyre kërkesave,nga jashtë por edhe me ndihmë nga brenda, pati përpjekje që të përvetësohen ose të vehen në dyshim edhe personalitetet tona më të rëndësishme kombëtare si Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Përpjekje pati 2-3 shekuj më parë nga sërbët por atëbotë Frang Bardhi i ynë i hodhi në pleh këto marifetllëqe. Dhe kur turri i parë nuk pati sukses, atëherë filluan që të hedhin dyshime mbi luftën e tij 25 vjeçare kundër Perandorisë Osmane. Disa nga përbaltësit turq dhe shqiptarë të heroit tonë Kombëtarë këtë e bënë për arsye thjesht fetare! Për turqit deri diku mund të arsyetohet por shqiptarëve çka iu deshtën që të varreshin nga motive fetare?!
Zbulimi më i ri polli këto ditë. Milazim Krasniqi po thot se Fan Stilian Noli i Ibrik Tepes e paska patur me hile. Fan Noli paska bërë grusht shtet më 10 qershor 1924. Kurse, sipas Milazimit, rrëximi i qeverisë së Fan Nolit në dhejtor me ndihmën e ushtrisë jugosllave dhe të shumë bellogardistëve rus qenka çlirim I Shqipërisë nga “hordhitë” e Bajram Currit me shokë. Po Bajram Currit, Isa Boletinit,Hasan Prishtinës , Shotë dhe Azem Galicës a ua ke pregatit ndonjë atentat këtyre ditëve? Më fal se e harrova Avni Rrustem trimin dhe Luigj Gurakuqin . Po këtyre ku ua ke bërë vendin? Nejse këta i ka “rahatua” Ahmet Zogu me Sërbinë por edhe për së vdekuri ne mund t´ua ndrrojmë vendet. Fan Noli qenka shkaktari i pushtimit fashist nga Italia plot 15 vjet më vonë. A e paske harrua se Noli ka qenë në mëgrim kur u okupua Shqipëria nga fashizmi italian? A paske harrua se Ahmet Zogu u bëri rezistencë të pashoqe dhe “heroike” hordhive italiane dhe mbeti i vrarë edhe vetë në betejën të cilën e udhëhoqi vet personalisht?! Se Fan Noli paska qenë me ide fashiste por i veshur me xhaketën e priftit ortodoks është zbulim i yti apo e ke marrë të gatëshme nga një shkrim i Aurel Plasarit të botuar në një gazete të një shteti mik? Është hera e parë që opinionit në Kosovë i ipet një sihariq i tillë. Mirëpo jeni shumë gabim ti dhe Aureli (nëse ai e ka thënë një gjë të tillë) sepse shqiptarët në përgjithësi kaherë e dinë se ishte po ky Fan Noli i cili edhe kishën ortodokse e shtini të flas shqip dhe e bëri të pavarur nga kisha greke e cila vetëm të këqija na ka sjellë ne nën xhyben e priftit. Një vepër të tillë nuk mundi që ta bënte as kleri katoliko-roman e as kleri muhamedano-islamik deri më tani. Atë punë të vyer për kombin tonë të cilën e bëri Noli i ndritur para afër një shekulli e çbëri pasardhësi i Ahmet Zogollit duke ia lënë në duar pa asnjë qindarkë Janullatosit “jofashist” por me xhybe të zezë! Në shkrimin e rradhës të po këtij Milazimi do të vjen zbulimi se Noli e paska pregatit edhe Janullatosin që të bëhet kryepeshkop në Shqipëri. Nuk jam historian e as nuk merrem me shkencat shoqërore. Historinë e kam nxënë vetëm nga leximi.Por më beso se, as nga autorë të huaj e as nga ata shqiptarë, nuk kam pa të shkruar se Esat Toptani, Ahmet Zogu, Nikolla Pashiqi ose edhe bellogardistët ruse të jenë themeluesit dhe shpëtimtarët e shteteit shqiptar. Këso marifetllëqe mund t´ gjejshë vetëm në literaturat dhe arkivat e shkollës së Kumrovcit, të KOS-it , Akademisë Sërbe të shkencave dhe në Francuska 7. E sa për Nolin,Papa Kristo Negovanin , Petro Nini Luarasin e të tjerë, të ngjajshëm,të këshilloj të lexosh edhe literature greke. Këte e kam për hirë të kompletimin tënd për ribërjen dhe rishkruarjen e historisë kombëtare mbasi paske vullnet dhe ambicje për t´a ribërë historinë duke i varrosur , ç´varrosur dhe rivarosur herojtë sipas modelit sllavo-ortodoks. A të kujtohet koha kur Gjorgje Mrtinoviqi ia futi vetes shishen dhe i akuzoi shqiptarët për këtë vetëknaqësi? A të kujtohet kur një banor shqiptar i Brezhnicës doli dhe i akuzoi shqiptarët për dëmtimin e varrezave në Gojbulë. Sigurisht e din që prekja e varrezave nuk është ves i shqiptarëve. Emrin nuk ia kam mbajtur në mend ati, shqiptar i thënçin,por mbaj mend se mbiemrin e ka pasur Krasniqi . Bash sikur e kemi edhe unë dhe ti por me një dallim se unë nuk jam nga Brezhnica.
Me sa kam mësua nga historia dhe lexua nga autorë shqiptarë dhe të huaj qeverinë të cilën e ka drejtua Fan Noli ka qenë qeveria më e arsimuar dhe më demokratikja në rajon prandaj ajo nuk ka mundur që të qëndroj gjatë në këtë pushtet pikërisht nga reakcioni i shteteve fqinje fashiste(druaj mos po të mbetet hatëri ty pse po i quaj ato shtete fashiste kur këtë titull sipas teje e meriton vetëm Fan Noli) dhe qendrave ndërkombëtare të vendosjes. Në një pikë me ty pajtohem plotësisht : se Fan Noli ka qenë me orientim majtist. Shumë studiues dhe analistë të rrejdhave shoqërore tek shqiptarët Fan Nolin e konsiderojnë si nismëtar të të majtës shqiptare.Dhe çfarë të keqe ka nëse Noli ka qenë majtist me bindje Së paku gjysma e botës së qytetëruar drejtohet nga politikanë majtist. Ke parasysh Toni Blerin,Bill Klintonin,Barak Obamën dhe shumica e shtetve stabile të Europës. E pse ne shqiptarët të kemi turp me qenë majtist? Edhe një gjë dua ta them. Derisa tek shtetet dhe kombet e tjera partitë e djathta konsiderohen si më nacionaliste tek shqiptarët praktika e ka tregua një ndryshim të madh. Historikisht,që nga Lidhja Shqiptare e Prizerenit e deri më sot, partit majtiste tek ne kanë qenë shtetformuese dhe nacionaliste(por në kuptimin e drejt të fjalës) kurse partitë e djathta kanë qenë bashkëpunëtore( ose si po i thonë tani kolaboracioniste) me çdo okupator tonin. Sigurisht që edhe këtu ka përjashtime të vogla.
Ne e kemi historinë shumë të pasur dhe të bujshme dhe mundohemi që ate t´a humbim,kurse të tjerët nga hiçgjë e krijojnë historinë e tyre dhe bile shumë e respektojnë. Rasti i Robin Hudit,i Viliem Telit dhe i kështjellës së Gracit është shembulli më i mirë për këtë.
Për fund të këtyre rreshtave të citoj se çka na propozon Milazim Krasniqi të lexojmë nga Aurel Plasari mbasi me “keqardhje duhet të shkëputem nga teksti i Dr.Plasarit, të cilin do të duhej që të lexonte çdo shqiptar që të mësonte se si janë përthyer ndër shqiptarë, sado që janë maskuar ,modelet fashiste të marrjes së pushtetit me dhunë”. Sipas teje (nuk mund të them edhe sipas Plasarit sepse nuk e kam pa tekstin e plotë të intervistës së tij) fashistë paskan qenë Fan Noli, Luigj Gurakuq, Hasan Prishtina, Bajram Curri dhe plot të tjerë që kanë marrë pjesë në atë revolucion demokratik dhe paqësor taborri tjetër me Nikolla Pashiqin, Esat Pashën, Ahmet Zogollin, Xhafer Devën, Rexhep Mitrovicën dhe ndihmaqarët e tyre bjellorus. Ky është një zbulim vërtetë epokal i yti me kompani me të cilin duhet të merren historianët të cilët duhen të edukohen nga soji i yt. E unë e kisha këshillua Milazimin,mbasi e zumë në gojë Dr. Aurel Plasarin, që ta marr dhe t´a studio mirë broshurën e tij me titull “Vija e Teodosit rishqfaqet,nga do t´ia mbajnë shqiptarët?” Ndoshta në këtë lëmi mund të japësh ndonjë ide apo propozim të vyer se këtu është problemi ynë me të cilin jemi katandisur qe disa shekuj dhe ende nuk i kemi dhënë zgjidhje kësaj pune
Për situatën politike brengosëse që u krijua në Kosovë pas zgjejeve të 8 qershorit ke shumë të drejt. Por ti e ke përgatit,në shkrimin tend,një skenar jo fort edhe të qëlluar dhe me role të cilat nuk iu pështaten akterëve të tanishëm politik. U muarr vesh se kujt ia ndave rolin e Fan Nolit por dyshoj që roli i palës tjetër( sikurse as ai i palës së parë) të jetë i qëlluar. Unë mendoj që Hashim Thaçit nuk i përshtatet ai rol ( të cilin ia ndave ti) por edhe nuk ia kisha dëshirua kurrë një rol të tillë.
Uroj që ky shkrim i imi të jetë një cytje për historianët dhe studiuesit e shkencave shoqërore që t´u dalin në ballë këtyre furtunave që po i kanosen historisë tonë shumë të pastër por edhe të bujshme dhe ta vejnë historinë në binarët e sigurt e mos të lejojnë qe edhe ne, që nuk merremi me histori,të shkarravisim sipas dëshirave tona mediokre dhe ndoshta sipas porosive nga qarqe dashakeqe ndaj popullit dhe historisë tonë.
Prishtinë, 11 nëntor 2014
Sylejman Krasniqi tel.044-169-049/049-169-049 & lysa-68@hotmail.com
A MOS PO PËRSËRITET VITI 1924 I SHQIPËRISË NË VITIN 2014 NË KOSOVË?
http://www.epokaere.com/index.aspx?SID=13&PMID=5&LID=2&ACatID=4&AID=54075&Ctype=1

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura