POLEMIKË ME DREJTUESIT E ISH PKMLSHJ-së, OSMAN OSMANIN DHE ABDULLAH PRAPASHTICËN PËR ZHVILLIMET NË LRSSHJ, NGA SHKURTI 1982 … (6)

Nga arkivi i facebookut, 21 shkurt 2023

POLEMIKË ME DREJTUESIT E ISH PKMLSHJ-së, OSMAN OSMANIN DHE ABDULLAH PRAPASHTICËN PËR ZHVILLIMET NË LRSSHJ, NGA SHKURTI 1982 … (6)

Nga Sheradin Berisha, Prill 2024

Sheradin Berisha

Të nderuar Osman Osmani , baci Nuhi Sylejmani e baci Nusret Hajdari (Fitim Fitimi)

Ndërkohë derisa ju të konkretizoni kohën e saktë të shkuarjes në Turqi, atje ku ishte bashkëveprimtari Abdullah Prapashtica, unë po vazhdoj pasqyrimin e ngjarjeve që ndodhën pas mbledhjes së Komitetit Vëllezërit Gërvalla – KVG, më 11 korrik 1982. Realisht pas kësaj mbledhjeje, Nuhi Sylejmani dhe Osman Osmani i ndanë rrugët e bashkëveprimit me anëtarët tjerë të LRSHJ-së me të cilët kishin vepruar (në periudhën shkurt – korrik 1982) në kuadër të KVG-së. Derisa veprimtari Osman Osmani me Faton Topallin do të kthehen në Turqi, Nuhi Sylejmani gjatë muajit gusht 1982 është përpjekur të mbajë “gjallë” një Celulë të veçantë në Sindelfingen, por nuk pati sukses!

***

Më 26 shtator 1982, aktivistët e LRSHJ-së që kishin vepruar deri në këtë kohë në kuadër të Komitetit Vëllezërit Gërvalla – KVG, mbajtën një mbledhje si “Rrethi i Shtutgartit” (jo më si KVG). Në këtë mbledhje pika kryesore e rendit të ditës ishte “Çështja e Nuhi Sylejmanit dhe pasojat e fjalëve të tij”. Për këtë çëllim është thirrë mbledhja nga Jahir Jahiri, i cili personalisht nuk mori pjesë në mbledhje. Në mbledhje nuk erdhi as Nuhi Sylejmani. Ai kishte refuzuar të marrë pjesë në mbledhje me arsyetimin se ka marrë një drejtim tjetër, dhe se është “lidhur me tjetër kend”. Në këtë mbledhje diskutohet për gjendjen organizative dhe mbi të gjitha për problemet që ndërlidhen me Nuhi Sylejmanin dhe Osman Osmanin.

Procesverbalin e mbledhjes e ka mbajtur Remzi Ademaj (tashmë dëshmor i Kombit), dhe unë e kam siguruar origjinalin e këtij proceverbali në dorëshkrim, të cilin do ta sjellë këtu si dëshmi arkivore.

Në mbledhjen e rrethit të Shtutgartit kanë marrë pjesë: Remzi Ademaj, Hasan Veselaj, Qemal Haxhillari, Murat Kryeziu, Abdurrahman Sadiku, Faridin Tafallari, Hafiz Gagica, Haxhi Berisha, Ismet Klaiqi, Mejdi Rexhaj, Nami Ramadani dhe Xhafer Durmishi – Skenderi.

***

Sheradin Berisha

Të nderuar Osman Osmani, Nuhi Sylejmani e Fitim Fitimi

Meqë proceverbali është i gjatë po e ndajë në disa pjesë:

PROCESVERBALI I RRETHIT TË SHTUTGARTIT, MË 26 SHTATOR 1982

Procesverbal i mbajtur gjatë takimit (të datës 26 shtator 1982) të thirrur nga ana e një grupi punëtorësh më aktivist të rrethit të Shtutgartit. Rendi i ditës:

1. Çështja e Nuhi Sylejmanit dhe pasojat e fjalëve të tij,

2. Situata momentale

Të dymbëdhjetë të pranishmit e aprovuan rendin e ditës. Në këtë tubim para të gjithëve ka qenë i thirrur Nuhiu (Nuhi Sylejmani) dhe Halimi (Osman Osmani). Tubimi u mbajt 5 km larg banesës së Nuhiut në fshatin D., në pjesën më të madhe në një lokal të qetë, në dhomën e veçuar të një kafeneje.

Nuhiu ftohet dy herë që të vjen në tubim. Në radhën e parë për ta marrë shkojnë Abdurrahman Sadiku, Qemal Haxhillari dhe Murat Kryeziu. Në banesën e tij kishte hyrë vetëm Abdurrahmani, i cili ishte i bindur thellësisht se do t’i përgjigjet thirrjes dhe do të vij, por nuk pati sukses. Pas një ore diskutimi më të lirë duke e parë nevojën shkojnë për ta marrë: Murat Kryeziu, Qemal Haxhillari dhe Nami Ramadani. Të tretë hyjnë në banesë dhe ia shpjegojnë çështjen. Lidhur me shpjegimin e Nuhiut për mosardhjen e tij ata që kishin shkuar me e marrë deklaruan:

Nami Ramadani: Nuhiu tha unë nuk vij sepse e kam drejtimin tim, jam i lidhur me tjetër kend, unë i kam principet e mia. Nuk vij pasi nuk qenka Naimi (Haradinaj). Kur i thash se Naimin ta sjell për dy orë Nuhiu u tërhoq dhe tha prapë se nuk vij.

Murat Kryeziu: Nuhiu më tha se unë nuk përzihem më në politikë, ju vazhdone rrugën pa mua.

Hasan Veselaj: (mysafir i Nuhiut në atë moment i cili kohëve të fundit është shoqërua me Nuhiun dhe Halimin, të cilin e kishin marrë këta të tre): Unë i thash Nuhiut disa herë se duhet me ardhë e me u takua pasi të gjithë po e shohin të arsyeshme, por ai nuk pranoi kurrsesi.

Pasi ai në asnjë mënyrë nuk pranoj me ardhë u vendosë që mbledhja të filloj edhe pa te.

I pari nga të pranishmit e mori fjalën Mejdi Rexhaj, i cili duke qenë shumë më afër situatës (shokë i celulës dhe i punës me Nuhiun) e shtroj çështjen se pse Nuhiu veproj kësi soji në këtë kohë duke kërkuar edhe faktor të jashtëm. Meqenëse kjo temë u hap që në fillim, të pranishmit qenë të mendimit që i pari ta merr fjalën Skënderi (Xhafer Durmishi) i cili foli në mënyrë të përgjithësuar.

Skënderi: Së pari e shohë të arsyeshme t’u flas në lidhje me bashkimin duke ju referuar edhe Komunikatës të botuar në revistë (ZK) në qershor 1982. Lidhur me aq sa jam i njoftuar nga shokët mund t’u them se ZK ka mbetur si organ qendror i LRSHJ me kërkesën e disa shokëve mu për hir të Jusuf Gërvallës. Ky qëndrim është aprovuar plotësisht nga ana e OMLK-së edhe pse me këtë veprim mund t’ju ketë hapur goja ndonjë fjalamani në stilin: a e shifni, kjo më e mirë e ajo mbaroi etj. Kjo nga ana jonë kurrë nuk është lejuar në asnjë moment sepse për shkaqe që dihen veprimi në këtë drejtim ka qenë absurd. Shokët e OMLK-së kanë qenë të mendimit që ZK të mos pësoj asnjë ndryshim, por ndryshimet që janë bërë kanë qenë për të plotësuar disa kërkesa të PKMLSHJ. Halimi (Osman Osmani) është një prej personave më kryesor të kësaj ish-organizate dhe ai ka ardhur me mua nga Turqia për ta ndihmuar çështjen. Me te nuk kemi pasur mosmarrëveshje derisa kemi filluar me përgatitjen e numrit 1 të ZK. Aty na kanë dalur mosmarrëveshje rreth çështjes: kërkesës për republikë dhe bashkimit, e sidomos rreth citatit (të Jusuf Gërvallës në ballinë) e gjithashtu edhe rreth nënshkrimit të artikujve të Jusufit duke thënë se ata duhet të nënshkruhen me pseudonime. Në Turqi ka shkuar pa u konsultuar me asnjërin nga ne dhe atje ka filluar të gënjej por kur nuk ju kanë shitur ka ndërrua qëndrim. Për shkak të kritikave me të cilat është nënvlerësuar puna e mëparshme dhe e tanishme i është thënë që të punojmë të pavarur në pikëpamje organizative, e raportimi të bëhet në qendër dhe vetëm atëherë të shikohet se çka është për t’u lavdëruar e çka për t’u kritikuar. Insistimin për heqjen e citatit të JG e ka bërë me arsyetimin se nuk ka luftuar vetëm Jusufi dhe me përmendjen e tij (përsëritjen e citatit) u hyjmë në hak luftëtarëve tjerë. Me shokët në Zvicër puna është duke shkuar mirë. Ata janë duke bërë punë të madhe.

Hasan Veselaj: Kur është problemi i revistës? Pse po del kaq rrallë?

Skënderi: Kryesorja është tek çështja financiare. Shokët e kanë pa të arsyeshme që edhe në lexofshim më rrallë, familjet e shokëve të burgosur mos t’i lëmë anash.

Hasan Veselaj: Pse ne në rrethin e Shtutgartit nuk e marrin këtë problem me dhënë të holla se unë nuk jam i informuar?

Nami Ramadani: Ne për këtë punë kemi mbledhur të holla, por në këtë kohë na humbën shokët dhe kemi pasur shpenzime të mëdha, e gjithashtu kemi qenë shumë të zënë. Kur ke qenë ti Hasan tek Nuhiu ne e kemi rrahur këtë problem. Tash është edhe më lehtë sepse ka dalë kontoja në ZK e fundit. Unë i kam tre dëshmitarë që Nuhiu ka dalë sivjet dhe ka bërë propagandë kundër luftës, duke u thënë se sikur t’i kisha këmbët me zift do të shkelsha nëpër pare e në këtë konto nuk do t’i qoja, e ata njerëz prapë se prapë kanë ardhur dhe kanë dhënë të holla. Ai ka thënë se të gjitha ato të holla që janë mbledhur vjet janë humbë. Për këtë fjalë kam dëshmitarë dhe kërkoj të del para të dyve e ta thotë të vërtetën.

Hasan Veselaj: Pse një shokë i afërt me u lejua me propagandua kundër organizatës?

Abdurrahman Sadiku: (shok i punës i Nuhiut): Është vështirë me u përgjigj. Ne një ideal na ka bashkuar. Për patriot e kemi njoft. Kohëve të fundit u largua prej shoqërisë sonë. Së pari qëndroi shumë tek familja Gërvalla e thoshte se nuk po kam kohë me ardhë tek ju. E në anën tjetër ai u distancua sidomos pasi i erdhi gruaja dhe fëmija e vetë. Prandaj shënone se sot është dita e fundit kur ai u largua përfundimisht më 26 shtator 1982.

VIJON…

_______

Ilustrim: procesverbali i mbledhjes së Rrethit të Shtutgartit, më 26 shtator 1982:

***

Sheradin Berisha

Në vijim lexoni…

VAZHDIMI I DYTË

Nami Ramadani: E kam një shoqëri që ka pasur besim në Nuhiun. I kam tregua qe nëntë muaj që të shkoj dhe kërkoj ndihma se ata më kanë thënë se Nuhiut i besojmë sepse e kemi edhe të afërm por ai kurrë nuk ka ardhur.

Hasan Veselaj: Pse para ca kohe mos me u bashkua me Nuhiun e me bisedua?

Nami Ramadani: Ne kemi pasë takime dhe në të gjitha takimet na thoshte: Kështu thotë Skënderbeu e ashtu Hafiz Pasha e veten gjithmonë të kristaltë.

Skënderi: Të holla tubohen për familje të burgosurish e të tjera edhe për gazetë.

H. Veselaj: Unë propozoj që në çdo shtet të hapen konto numra!

Skënderi: Një organizatë e ka vetëm një njeri më përgjegjës, ajo e ka vetëm një konto numër e në faqet e fundit falenderohen edhe ata që kanë dhënë të holla nga të gjitha shtetet.

H. Veselaj: Unë mendoj që në çdo shtet të ishin botuar qekat.

Skënderi: gazeta jonë nuk e ka për qëllim reklamën. Ne po na mbesin artikuj të fortë pa u botuar për shkak të vendit.

Murat Kryeziu: Unë e kam lanë mysafirin vetëm. Desha të jem këtu për këtë çështje e ai nuk erdh. Unë jam punëtor e nuk po di shumë se kush është i mirë e kush jo, por po e di se dikush është mundua me e shkatërrue këtë punë. Nuhiu më ka thënë se pas atyre të Zvicrës duhet të çelim konto edhe ne të Gjermanisë.

“Faridin Tafallari: Kemi pasur biseda për shtypin. Është thënë prej Jahir Jahirit, se ZK pas 17 janarit është edhe më i mirë se sa ka dalë më parë dhe, këtë të fundit e pohuan edhe Murat Kryeziu (MK), Abdurrahman Sadiku e Ismet Klaiqi. Jahiri është ai i cili më së shumti e ka kërkuar këtë takim. Tani ai thotë se po e qesin fotografinë e Jusufit tepër në ZK, se ZK më duket qe 10 vjet e ka qitur Riza Salihu e mandej ia ka marrë Jusufi. Pse nuk po e qesin Adem Demën-Demaçin në faqe të parë. Pse e kanë qitë Hydajetin kur ai ende është gjallë? Pse nuk po shkruajnë edhe për Ferizaj por vetëm për Pejë, pse nuk e qesin Fazli Graiqevcin etj. etj. Unë i kam thënë mblidhë artikuj, adresën e ke dhe dërgoj. Por më duket se këto fjalë nuk janë tuajat.

H. Veselaj: E kam dëgjuar një rast kur isha tek Nuhiu e Ismet Klaiqi, dhe se është folë nga këta dy të fundit për qitë Hafizin se në Augsburg ka thënë se unë jam ai që po e udhëheqi këtë revolucion, e kur këto fjalë dëgjohen për një shok nuk janë të mira.

Ismet Klaiqi: Unë kam telefonua në Augsburg, e ata më thanë ti (Hafiz) na ke dërgue njerëz që po bëkan kushedi se çfarë pune revolucionare, e atëherë unë kam shkua atje. Ata më thanë se Hafizi na ka kritikuar duke thënë se nuk po punoni, dhe na tha se unë ju kam treguar demonstruesve në Bon së bashku me një gjerman se kah me ecë.

Hafiz Gagica: Unë kam qenë me Faridinin. Nga ai në asnjë moment nuk jam nda, prandaj le të flas ai vetë.

F. Tafallari: Kemi qenë në Ingolshtat, kemi shfaq filma e kemi shpërnda libra dhe gazeta. Shumë në rregull ka qenë. Kah jemi kthye u ndalëm në Augsburg me propozim të Hafizit. Shkuam aty dhe na priti një shok i mirë. Filluam bisedën për Shaban Klaiqin (i burgosur në dhjetor të vitit të kaluar, është dënuar me tri vite burg së bashku me Islam Rafunën). Janë zënë në kufi duke e futur numrin e parë të ZK, nëntor 1981. Tregoi se po mbahet shume krenar. Për Ismetin (Klaiqin) tha se është i mirë por nxehet shpejt. Sa u përket filmave tha se ka njerëz që frikohen, por të gjithë duan të ndihmojnë dhe janë të mirë. Zëra kemi mjaft. Dhe në fund na thanë; djema keni kujdes, se prej pakujdesie i humbëm shokët. Unë i thash se ne duhet me ec, e ne kurkushi nuk jemi.

Murat Kryeziu: Nuhiu më ka thënë se Hafizi në Frankfurt ka kërkuar ndihma në emrin e Familjes Gërvalla, se atyre djemve nuk u ka mbetur kush në Sindelfingen përpos Selim Koca. Unë due me e ditë se kush po i bënë këto punë?

VIJON

***

Sheradin Berisha

Në vijim lexoni:

VAZHDIMI I TRETË

F. Tafallari: Nuhiu ka banua tek unë. Qemal Haxhillari ka qenë taksist i tij. Në lidhje me shfaqjen e filmave Nuhiu më ka thënë se pse po i shfaqni. Kemi metoda tjera të luftës. Kur i thoja tregomi ato metoda ai përgjigjej; ti po e shef unë i kam problemet e mia, e në anën tjetër fliste se po udhëtojnë e shfaqin filma duke i harxhuar të hollat e familjes Gërvalla. Më ka thënë se po shkoni e po i prishni shoqëritë duke shkua e duke ju shfaq filma. Unë i kam thënë, baca Nuhi po gabon se unë e kam rrogën time e më mjafton me jetua e bile edhe me u shetit parqeve ditëve të vikendit, e po të isha me i këqyrë problemet e mia nuk do të ishte nevoja me ecë çdo javë nëpër shoqëri.

Ismet Klaiqi: Unë e përkrahu dhe e quaj shumë të drejtë shfaqjen e filmave.

H. Veselaj: A keni qenë në Bon (i drejtohet Skënderit) ti Skënder, Naimi e Nuhiu?

Skënderi: Me Nuhiun kurrë nuk kam qenë në Bon. Vetëm me Nuhiun e pa Naimin kemi qenë në klubin Emin Duraku të Dyseldorfit dhe atë të thirrun nga udhëheqja e klubit.

H. Veselaj: Nuhiu më ka thënë se me shkua në Dyseldorf ka qenë ideja e Skënderit dhe në atë javë kur keni shkuar, ata (të klubit) e kishin pasë ndërmend me ardhë e me pa në Untergruppenbach, por pas asaj vizite ata ishin tërhequr nga ai mendim i tyre, çka do të thotë se ne kemi prishë punë. H. Veselaj vazhdoi gjithashtu se Nuhiu i ka thënë se kur Faridini i ka thirrë njerëzit për ne demonstrata, një punëtor ju ka ankua F. se për shkak të familjes po frigohem, ky ia ka kthyer atij se sa për mua nuk ka problem se unë jam i garantuar në Shqipëri.

Qemal Haxhillari: Kemi qenë tek F. me vëllaun e tij (F.) e se kemi gjetë. Jahir Jahiri na ka thënë se nuk keni çka e lypni se ai ka shkua në Shqipëri me familje. Në realitet ai kishte qenë tek familja Gërvalla.

Faridini: Në ato ditë i kam marrë dy ditë pushim e kemi shkuar në Vjenë për punë të demonstratës. Kemi shkuar me kerrin tim unë Hafizi dhe Haxhi Berisha. Kur shkuam në Vjenë shkuam tek një njeri i cili na priti mirë. Ky njeri quhet Sylë Neziri, si duket i vetmi shqiptar në këtë qytet që ka kafene të veten. Adresën e tij e ka marrë në Augsburg Murat Kryeziu nga një mik i tij me rekomandim se është njeri i mirë. Me këtë njeri, Haxhi Berisha dhe Nexhati (Osman Osmani) janë takuar edhe para këtij rasti, janë takuar kur ka shkua Suzana në Shqipëri. Haxhiu i ka pyetur disa njerëz kur iu ka afrua kafenesë se a e njihni Sylë Nezirin. Disa punëtorë i kanë thënë se Syla e shpërndan ZK në Vjenë. Në atë rast kanë bisedua HB e Halimi (Osman Osmani) duke ia përkujtuar atë se nëse bëhet diç këndej (ndonjë aktivitet) do të drejtohemi tek ti. Kur u ndamë prej tij shkuam tek bashkëfshatarët e mijë pasi ishte e diel e nuk mundeshim me krye kurrfarë pune. Tek bashkëfshatarët e mijë e kemi takua edhe një student (jo Milaim Zekën, megjithëse me rastin e atij udhëtimi e kemi takuar edhe atë). Edhe të hënën nuk kryem punë pasi kishte qëlluar një festë religjioze. Por gjatë kësaj dite u angazhuam që ta gjejmë një person me shtetësi austriake i cili do të garantonte për demonstratën. Në këtë drejtim na ndihmoi një taksist nga Gostivari duke e angazhuar një femër që e kishte të afërme. Njëkohësisht ky taksist na ka vozitur shumë gratis. Të martën në mëngjes shkuam në sekretariatin e Vjenës së bashku me shtetasen austriake dhe taksistin. U dashke të gjej një arsye se çka e shtynë atë ta bëjë këtë punë. U vendosë që ajo të thotë se e në një kohë e ka njohur Ali Lajqin e burgosur, e njëherit ka edhe simpati për shqiptarët dhe don t’u ndihmoj në këtë mënyrë. Në polici na thanë se nuk ka problem a do të bëhet apo jo demonstrata, por ne na intereson me na tregua karakterin e demonstratës dhe sa njerëz do të mblidhen. Ata në Vjenë na thanë se me u thënë se bëhen shumë është më vështirë të jepet leja. Ju thamë se do të bëhen 500 veta por disiplina do të jetë e madhe. Unë nesër kisha me qenë në punë dhe kështu rreth orës tre pasdite u kthyem me Hafizin. Në fillim të rrugës i kishim 700 DM. Haxhi Berishës ia lamë 260 DM e vetë për këndej i muarëm 180, se kishim frikë se mos po na prishet kerri i cili kishte ca defekte dhe nuk i punonte nxemja. Haxhiu mbet deri në të enjten ku do të mblidhej një mbledhje, ku policia do të njoftohej me shkrim dhe me gojë për karakterin dhe numrin e demonstruesve.

Kërkesa me shkrim u bë të mërkurën. Të martën në mbrëmje (tani fletë vetëm Haxhi Berisha në lidhje me përgatitjet për demonstratë me kërkesë për informim sa më të hollësishëm nga të pranishmit) kam qëndruar në kafenenë e Sylës deri në ora 24.00 se ishim marrë veshë se do ta bëja natën tek ai. Kah ora 24.00 ai më tha (Syla) a nuk ke ku me fjetë a? Nga mënyra e pyetjes së tij unë e kuptova se aty po prisja kot dhe shkova në hotel. Të nesërmen ditë e mërkurë, kemi ecur tërë ditën me taksistin, në një masë të madhe.

Taksisti dikur më tha më tha: do të ishte mirë me ma pague ditën e gjithashtu me më pague diçka extra se ju keni buxhete të mëdha. Juve ju paguan Shqipëria apo Amerika dhe për këtë nuk kishte fije dyshimi. Kur e nënshkroi kërkesën për demonstratë austriakja i kërkoi 2000 shilinga. Ata aty duke thënë jo ju paguan ai, jo ai tjetri, jo po shkojmë në kafe e po i mbledhim ndër shqiptarë, i nxora 1800 shilingat e fundit dhe ia dhashë. 200 shilinga tjerë ia dha një bashkatdhetarë tjetër. Përmes telefoni kam treguar se në Vjenë kam mbetur pa të holla. Më janë dërgua 200 DM tjera (kanë qenë të hollat e Hysen Spahiut). Të enjten në polici më kanë thënë se mbledhja nuk do të mbahet sot por tri ditë para demonstrate. E njerëzit lirisht mund t’i thirrni. Jam kthye të enjten me tren. Në Vjen ua kam lënë telefonin tonë. Jam kthyer duke e konsideruar si punë të kryer. Të mërkurën më ka lajmëruar taksisti dhe tha se nuk është puna mirë. Jam que të enjten vetëm në mëngjes dhe kam shkua në Vjenë. Në polici më thanë se leja është refuzua. Nëse e gjen atë femrën mund t’ua lejojmë. E kam kërkuar atë shtetasen së bashku me taksistin deri në ora 15.30. Në 15.30 jam largua nga policia me të cilët pata këtë bisedë:

– Ju na keni thënë (premtuar) ne njerëzit i kemi thirrë, nga gjithë Evropa nesër këtu do të jenë. Demonstrata do të bëhet me hatër ose me zor. Krye shefi më tha se për kësi njerëzish ne kemi burgjet. Atëherë lironi 1000 vende për nesër ia prita.

– Kemi vende të mjaftueshme. I tha një tjetrit se duhet lajmëruar kufiri që të mos pranohen. Unë i thash se veç pjesa më e madhe kanë hy në Austri. Atëherë më tha se nëse e gjen një austriak e ma sjell deri në ora 18.00 demonstratën do ta keni të lejuar me një ndryshim se do të niseni një orë më vonë, pra në ora 12.00 dhe jo në 11.00. Kam shkuar në Universitetin e Vjenës, Fakultetin Ekonomik dhe kam gjetur dy të rinj që pranuan të vijnë dhe në ora 17.00 kam shkuar me njërin në polici. Me këtë krye shefi na tha se çdo gjë është në rregull. Të nesërmen në ora 9.00 policia kish pas shkuar tek ai djali dhe i kishin thënë se lutja jote është refuzua dhe të kesh kujdes se për çdo gjë që të ndodhë ti do të përgjigjesh. Në ora 10.00 jam takuar me studentin dhe mi ka tregue fjalët e mësipërme. Kemi shkuar me te në polici dhe e kemi kërkuar krye shefin. Kujdestarët na thanë se ai sot është në pushim. Ju i keni punët tuaja por ne e kemi për detyrë mos me ju lënë.

VIJON …

———

Ilustrim: dëshmi arkivoreProcesverbali origjinal në dorëshkrim i mbledhjes së 26.09.1982, të mbajtur nga Remzi Ademaj, tashmë Dëshmor i Kombit.

***

Sheradin Berisha

Në vijim lexoni:

VAZHDIMI I KATËRT I PROCEVERBALIT

Taksisti më ka thënë ruajuni Sylës se ai ka qenë në Ambasadën Jugosllave dhe u ka tregua për demonstratën me qëllim që ta tregoj “pastërtinë” e vetë. Më tej se si u zhvillua situata e keni pa vetë.

Abdurrahman Sadiku: Unë kam dëgjuar prej Nuhiut se ti kur je kthye prej Vjene ke qëndrua me Misinin (Mavrajn) në diskotekë. Gjithashtu është faji yt se nuk ishe asajde kur erdh policia e na tha se nuk keni leje.

Haxhi Berisha: Ndoshta nuk më ke parë njëherë se ishim e e kërkuam krye shefin, se tërë kohën kam qenë në bisedime me polici.

H. Veselaj: Nuhiu më ka thënë se ti ke pasur të holla të mjaftueshme. Ai t’i ka dhënë 2000 dollarë që i ka thye në bankën e stacionit të trenit të Shtutgartit.

Ismet Klaiqi: Mua N. më ka thënë se H. Berisha i ka pasur me vete 7000 dollarë.

Nami Ramadani: Mua Nuhiu më ka thënë: As nuk më kanë pyetë, as nuk ju kam dhënë të holla, por kanë shkue e kanë ndejtë dy javë bareve të Vjenës me të holla të Familjes Gërvalla.

H. Veselaj: Është propagandue se H. Berisha nuk e ka shkaktue demonstratën në Vjenë por Ibrahim Kelmendi.

Haxhi Berisha: Sa i përket demonstratës atë e ka bërë masa. Merita e Ibrahimit nuk mohohet. Ajo ka ardhë në shprehje tek një fjalim gjatë rrugës dhe në fund në gjuhën gjermane. Se ky aspekt nuk është i rëndësishëm për diskutim u pa në Bern ku Ibrahimi e ka udhëhequr demonstratën.

Mejdi Rexhaj: Hasan Veselaj, çka të shtyri me iu mvesh Nexhatit (Osman Osmanit) dhe si e vlerëson punën e tij?

Hasan Veselaj: Me Nexhatin jam shoqërue më shumë dhe jam ndarë për një kohë por unë nuk kam dashtë me u largua prej rrethi. Njëherë H. Gagica e Nexhati janë kap në fjalë për imtësina (në lidhje me atë se a duhet thye fotoja e Titos apo jo – thyerjen Nexhati e ka quajtur plan udbeje – vërejtje e Skënd), ndërsa kanë qarkullua fjalë se unë jam largua.

Haxhi Berisha: Në një kohë jemi takua shpesh herë ‘rastësisht’ e kohëve të fundit “rastësisht’ je takua më shpesh me tjetër kend. Se Nexhati kur mua më ka folë keq për Skënderin e atë tjetrin edhe ty H.Veselaj të ka folë keq për mua e Skënderin, dhe në këtë drejtim tek ti ka pasur sukses.

H. Veselaj: Mua nuk është mundua me më kthye dhe me te nuk kam pasur biseda të gjana.

Murat Kryeziu (MK): Tek unë kanë ardhë Nuhiu dhe Hasan Veselaj dhe më kanë thënë se Nexhatin e kemi organizatorë më të fortë dhe dil e tregoju shokëve se prej tyre më nuk ka asgjë. Nuhiu gjithashtu më ka thënë se Nexhati ka qenë në Turqi e mezi e kanë lëshua me ardhë, di me shkrua me makinë. Ata i kanë thënë shko e mos ja le ata punëtorë gjithkujt në dorë. Se Nexhati është më i aftë se Skënderi. Unë ju thash se nuk dua t’i besoj askujt për pa u mbledhë së bashku. Ata (Nu e HV) më thanë se jemi të gatshëm me u ballafaque.

H. Veselaj: E kam një pyetje për Skënderin, se kur ishim tek Nuhiu ke thënë tek Ismet Klaiqi se HV na tha po shkoj në Esslingen e shkoj tjetërkund dhe se i ke thënë Qemal Haxhillarit që ky ta ndjek Faridinin e mos të shikoj gjithfarë mbështjellaqësh.

Skënderi: Të parën e kam thënë se ashtu është, e për të dytën nuk po më kujtohet.

Remzi Ademaj: Ky person (Nuhi Sylejmani) që na e kërkuam dhe e thirrëm dy herë me ardhë. Si me ia bërë? Nuhiu nuk pranoi me ardhë kur atë e thirrën 12 vetë. Të gjithë folën për te, prandaj çfarë masash duhet të merren ndaj tij? Duke shkua në Bern, në autobus Nuhiu më ka thënë merre mikrofonin e folë diçka. Për ta marrë fjalën në autobus në rrugë për demonstrata ka qenë punë që është praktikuar më parë. Kur unë ia kam nisur me folë ai i ka fshi lotët. E kjo po kuptohet pse. Kjo më ka hidhërua shumë. Ishim duke u kthye nga Berni (më 26 qershor 1982). Më tha se tash duhet të bisedojmë për punën e ardhshme, e si po thua me ia bërë. Unë i tregova se je drejtuar në adresë të gabueshme. Atëherë ai më tha se ti si më inteligjent je kap mbas karrieristave. Ti nuk di sa je kanë afër me Jusuf Gërvallën. Nëse donë me e ditë sa unë jam kanë afër eja tek unë e ti tregoj letrat.

Ismet Klaiqi: Nuhiu më ka thënë se pas rastit (17 janarit) i ka ardhur një letër nga një kriminel i udbës.

VIJON

***

Sheradin Berisha

Të nderuar Osman Osmani, Nuhi Sylejmani e Fitim Fitimi

Në vijim lexoni vazhdimin e pestë – të fundit:

H. Veselaj: Faridin, në banesën tënde është lidhë besa që Demë Demaj me u largua prej shoqërisë. Atë natë kur janë vra shokët Dema ka qenë në banesën tënde më ka thënë Nuhiu.

Faridini: Në banesën time nuk është vendosur me u largua Demë Dema. (Demë Dema është një shok i Ibrahim Kelmendit dhe Sadik Blakaj ka ardhë përmes shoqërisë së tij në rrethin e Shtutgartit prej nga e ka marrë Hysen Gegën dhe me kurth e ka futur në burg.) por pas rastit JG ka kërkuar që shoqërinë me Demën ta rriti edhe më tepër. Sa që edhe kur jam hidhërua me te, Jusufi ka ardhë në banesën time dhe më ka ndreq dhe më ka thënë: Faridin unë sonte jam këtu i zoti i shtëpisë. E sa i përket atij rastit në banesën time, në një tubim kur Jusufi i fliste butë Demës dhe ia nxirrte fjalët dalëngadalë, Nuhiu ndërhyri duke i thënë Demës: Demë na trego a ke rrëshqitë në tradhti, ndërhyrje e cila e prishi bisedën dhe krejt mundin e bacit Jusuf. Dema u nxehë dhe i tha se me këtë (Nuhiun) as që dua të flas. Edhe pas këtij rasti Jusufi më ka urdhërua me u shoqërua me Demën. Fjalët e këqija më kanë shtyrë me shkua tek Jusufi e me i tregua. Ai më ka thënë: Prej meje a ke dëgjua diçka? Ec ti e punoje punën tënde dhe më ka tregua qëllimin e afërsisë time me Demën. Se deri sa më ka tregua mua nuk më është kujtua. Natën e ngjarjes së këtij viti Dema ka qenë tek unë me grue dhe ka qëndrua gjer në ora 22.00. Për këtë i kam tregua Nuhiut dhe e ka ditë ashtu siç e ka ditë se nuk ka qenë marrëveshja me u përjashtua. Në katund kur ka ardhë me pa më kanë thënë me e qitë prej konakut por nuk kam pranua për shkak të fjalëve të JG. Por prej asaj dite nuk kam kurrfarë kontakti me te dhe kah jemi kthye prej katuni (Untergrupenbachu) e kam qitë prej kerri.

Qemal Haxhillari: Si përfundim po më duket se shkaktari më kryesor Nuhiu, por unë që kam qenë më afër kohëve të fundit e di se Nexhati (Osman Osmani) e ka kryer punën (minuese) më të madhe në këtë drejtim. Nexhati është shumë i lidhur me Nuhiun. Ky i fundit i ka premtuar atij se do ta ketë masën me veti, siç më ka thënë edhe mua.

Në përfundim mbetet që sjelljet e Nexhatit me i zgjedhë shokët më përgjegjës.

Abdurrahman Sadiku: Unë kam edhe disa vërejtje lidhur me një material që na ka ardhur nga Nuhiu me titull “Kosova u sulmua për t’u kthyer rankoviqizmi” ku potencohet se vdekja e Titos është një datë e ligë për shqiptarët, pasi prej asaj dite fillon keqësimi i gjendjes së shqiptarëve.

Skënderi: Materiali i tillë nuk ka kaluar nëpër dorën e kryeredaktorit të ZK. Kjo çështje do të zgjidhet në një tjetër vend.

Në pyetjen a e dënoni këtë veprimtari të pranishmit dhanë këto përgjigje (mendime):

Abdurrahman Sadiku (më i vjetri): Kjo është veprimtari përçarëse dhe e dënueshme.

Ismet Klaiqi: Vetë mos përgjigjja e tij dëshmon mjaft për fajësinë e vetë. Për këtë takim kam qenë i lajmëruar qe 4 ditë. Unë shumë gjëra nuk kam mundur me i thënë e që do t’ia thosha po të ishte këtu. E dënoj këtë veprimtari.

Skënderi: E quaj përçarëse dhe të dënueshme.

Mejdi Rexhaj: Veprimtaria e tij nuk ka të bëjë me organizimin revolucionar e patriotik.

Remzi Ademaj: Pajtohem me mendimin e shokëve dhe veprimtarinë e tij e quaj armiqësore dhe jam të dënohet me dënimin e merituar.

Qemal Haxhillari: Unë isha dy herë me e marrë. Të dytën herë hyra brenda dhe ia numërova të gjithë me emër se kush janë. Ai më tha se do të përgjigjem me shkrim, e nëse e meritoj para gjyqit të popullit kanë të drejtë edhe varrin me ma prishë. Këtë punë e quaj përçarëse dhe e dënoj.

Murat Kryeziu: E quaj përçarëse dhe e dënoj. Më ka premtua se do të vij në takim sa herë të paraqitet nevoja e sot isha dy herë tek ai e nuk erdhi.

Haxhi Berisha: Sipas fjalëve të mëparshme po duket se tërë veprimtaria e tij kohëve të fundit është përçarëse dhe prej tij ne duhet pritur më të keqen. Ky duhet dënuar.

Hasan Veselaj: Kur i dëgjova të gjitha bisedat me fakte deri në dy tri pika që duhet me i vërtetua më vonë, më tronditi shumë veprimtaria e tij, dhe këtë e quaj punë përçarëse teknike.

Mejdi Rexhaj: E dënoj këtë veprimtari shkatërruese sepse çdo kujt është mundua t’i ngjes diçka. Edhe vetë isha me e thirrë e nuk pranoi. Tha se do të përgjigjet më lart me shkrim.

F. Tafallari: Unë Nuhiun e njoh prej një kohe të hershme dhe shumë besim kisha tek ai. E kam nderuar si një njeri më të vjetër që për një kohë iu ka kushtue çështjes. Kohët e fundit e kam pa se është i interesuar për përçarje. Tri herë kur kemi qenë vetëm unë dhe ai, ia kam tërheqë vërejtjen, që të mos shkoi kah shkatërrimi por ai vazhdoi me të veten duke u mundua për një përçarje sa më të madhe por nuk mundi ta realizoj planin e tij të ndytë për shkak të qëndrimit të shokëve që qëndruan besnikërisht. Përflitjet e tij të përlyera e të poshtra i dënoj me dënimin më të rëndë, për këto gjëra me këtë dënim do ta dënoja edhe vëllaun tim.

Hafiz Gagica: Është vështirë për mua të flasë pasi një pjesë e madhe e shpifjeve (akuzave) të tij kanë qenë të drejtuara kundër meje. Por po shifet se unë nuk paskam qenë objekti i vetëm i tij. E dënoj këtë veprimtari.

Duke pasur parasysh ndonjë pyetje që mund të lindë më vonë Haxhi Berisha pyeti:

– Shokë, a ia merr mendja ndokujt se ky tubim ishte një montim i dikujt apo a i është thënë ndonjërit folë kështu për këtë e ashtu për atë? Njëzëri të gjithë pohuan se këtu nuk kishte erë montimi.

Skënderi u shpjegoj në lidhje me pikën dy të rendit të ditës se puna e gurëve të varrezave për tre të rënët është vonuar për shkakun se prej ngjarjes e gjer në gjysmën e qershorit, janë kërkuar gur të kuq. Prej gjysmës së qershorit janë porositur gur të bardhë, të cilët kanë qenë të gatshëm prej 29 korrikut e këtej. Tërë muajin gusht na e ka humbë Ahmet Sadiku nga Frankfurti, lidhur me përkthimet. Gjatë muajit shtator janë duke u krye punët në mes komunës, avokatit dhe shoqeve të shokëve, të cilave iu janë dërguar dokumentet për nënshkrimet e tyre.

Shënimet e mbledhjes i mbajti Remzi Ademaj.

FUND

_______

Ilustrim: dëshmi arkivore

Procesverbali origjinal në dorëshkrim i mbledhjes së 26.09.1982, të mbajtur nga Remzi Ademaj, tashmë Dëshmor i Kombit.

***

Osman Osmani

Si shpjegohet kjo (shih foton e pjeses se tekstit nga procesverbali)?! Ne cilin vend tjeter do te duhej zgjidhur çeshtjet?!

Xhafer Durmishi eshte dashur qysh atehere dhe edhe me pas te tregoi cili ishte personi i trete i LNÇKVSHJ pas Sabriut dhe tij qe do te ishte anetar i organit te perbashket udheheqes te LRSHJ. Me rastin e Bashkimit te 17 shkurtit 1982 ne na eshte thene se i treti do te jet „Luani“ (Nuhi Sylejmani). Pse kjo nuk iu eshte komunikuar Baces Nuhi dhe te tjereve, ka mbetur enigme edhe sot e kesaj dite. Me vone, shume me vone Sabriu permend nje emer tjeter me vendbanim te pergershem ne Turqi si person te trete ne udheheqesin qendrore te LRSHJ.

***

Osman Osmani

Sheradin Berisha i nderuar, nuk e di cili eshte qellimi publikimit te ketyre „procesverbaleve“. Sidoqofte edhe sipas ketij procesverbali, Skenderi flet per LRSHJ dhe Bashkimin e 17 shkurtit 1982 sikur te mos kishte qene edhe ai pjesemarres ne bisedime. „Konspirativ“ deri ke fund, kur flet se gjoja, po citoj: „jam njoftuar nga shoket dhe se mund te them se ZK ka mbetur si organ qendror i LRSHJ…“.

Athua nuk qenka pajtuar me Bashkimin ne Levizjen per Republike, perderisa me pas thote se „nuk kemi pasur mosmarreveshje deri me fillimin e numrit 1 te ZK. Aty na kan dal mosmarreveshje rreth çeshtjes: kerkeses per republike dhe bashkimit…“. ZK nuk ka mund te vazhdoi te botohet sikur ka qene pepara, perderisa tani sipas Dokumentit te Bashkimit dhe Vendimeve eshte organ i perbashket i Levizjes per Republike. Keto vertetojne jo vetem perpjekjen per te injoruar bashkimin, e per te anashkaluar organin e perbashket udheheqes te Levizjes, por edhe nuk i ka informuar drejte punetoret atdhetar te atij rrethi, por edhe i ka nxitur kunder meje e Baces Nuhi. Me kete rast po perseris edhe njehere kerkesen time per publikimin e letershkembimit perkates mes Mergimit-Sabri Novoselles dhe Skenderit-Xhafer Durmishit, pasi qe ato sqarojne e zbulojne shumçka ne lidhje me manipulimet dhe veprimet e „Skenderit“.

Te lutem keto procesverbale dhe deklarimet e pretendimet e „Skenderit“ ti krahasosh me faktet e Dokumetit te Bashkimit dhe Vendinet e tij si dhe faktit se ai si pjesemarres ka qene ne dijeni per to, por megjithate eshte sjelle ne kundershtim me to.

***

Sheradin Berisha

RËNDËSIA E PUBLIKIMIT TË PROCESVERBALEVE

I nderuar Osman Osmani, ti më pyet:

“Sheradin Berisha i nderuar, nuk e di cili është qëllimi publikimit të këtyre “procesverbaleve”…”

Përgjigjja ime:

Kam publikuar tri procesverbale: dy proceverbale të mbledhjeve të KVG-së për Europën perëndimore, proceverbalin e mbledhjes themeluese të KVG-së së LRSSHJ – së, e mbajtur më 26 shkurt 1982 dhe proceverbalin e mbledhjes së fundit të KVG-së së LRSSHJ-së, e mbajtur më 12 korrik 1982. Ndërkaq proceverbali i tretë ishte, proceverbali i mbledhjes së anëtarëve të LRSHJ-së nga “Rrethi i Shtutgartit”, të njejtit anëtarë që ishin pjesë e KVG për Europën Perëndimore.

Me dy procesverbalet e para dëshmohet aktivitet i përbashkët (Xhafer Durmishit, i yti dhe i anëtarëve tjerë) në KVG, dhe rrjedhimisht dëshmohet se Xhafer Durmishi nuk ishte thjesht “shoqërues formal” i yti (Osman Osmanit) pas ardhjes nga Turqia në Gjermani (më 22 shkurt 1982), siç pretendon në shkrimet e tij kryetari i Partisë Komuniste të Kosovës (PKK), Abdullah Prapashtica, ashtu siç nuk ishte XHD as “shoqërues formal” i Sabri Novosellës, gjatë takimeve në Turqi për bashkimin e dy organizatave (LNÇKVSHJ – PKMLSHJ) në LRSHJ, më 16/17 shkurt 1982.

***

Mbledhja e anëtarëve të LRSHJ-së në “Rrethin e Shtugartit” që u mbajt më 26 shtator 1982 ishte thirrë nga anëtari Jahir Jahiri (i afërt me Nuhi Sylejmanin), pikërisht për çështjen e Nuhiut dhe pasojat e fjalëve të tij, që i kishte thënë në mbledhjen e fundit të KVG-së më 11 korrik 1982, ku dhe përfundimisht largohet nga kjo mbledhje, dhe rrjedhimisht nga shokët me të cilët kishte vepruar deri në këtë kohë.

Me këtë rast shkëpus pjesën hyrëse të proceverbalit të mbledhjes së 26 shtatorit 1982:

PROCESVERBALI I RRETHIT TË SHTUTGARTIT, MË 26 SHTATOR 1982

Procesverbal i mbajtur gjatë takimit (të datës 26 shtator 1982) të thirrur nga ana e një grupi punëtorësh më aktivist të rrethit të Shtutgartit. Rendi i ditës: 1. Çështja e Nuhi Sylejmanit dhe pasojat e fjalëve të tij, 2. Situata momentale

Të dymbëdhjetë të pranishmit e aprovuan rendin e ditës. Në këtë tubim para të gjithëve ka qenë i thirrur Nuhiu (Nuhi Sylejmani) dhe Halimi (Osman Osmani). Tubimi u mbajt 5 km larg banesës së Nuhiut në fshatin D., në pjesën më të madhe në një lokal të qetë, në dhomën e veçuar të një kafeneje.

Nuhiu ftohet dy herë që të vjen në tubim. Në radhën e parë për ta marrë shkojnë Abdurrahman Sadiku, Qemal Haxhillari dhe Murat Kryeziu. Në banesën e tij kishte hyrë vetëm Abdurrahmani, i cili ishte i bindur thellësisht se do t’i përgjigjet thirrjes dhe do të vij, por nuk pati sukses. Pas një ore diskutimi më të lirë duke e parë nevojën shkojnë për ta marrë: Murat Kryeziu, Qemal Haxhillari dhe Nami Ramadani. Të tretë hyjnë në banesë dhe ia shpjegojnë çështjen. Lidhur me shpjegimin e Nuhiut për mosardhjen e tij ata që kishin shkuar me e marrë deklaruan:

Nami Ramadani: Nuhiu tha unë nuk vij sepse e kam drejtimin tim, jam i lidhur me tjetër kend, unë i kam principet e mia. Nuk vij pasi nuk qenka Naimi (Haradinaj). Kur i thash se Naimin ta sjell për dy orë Nuhiu u tërhoq dhe tha prapë se nuk vij.

Murat Kryeziu: Nuhiu më tha se unë nuk përzihem më në politikë, ju vazhdone rrugën pa mua.

Hasan Veselaj: (mysafir i Nuhiut në atë moment i cili kohëve të fundit është shoqërua me Nuhiun dhe Halimin, të cilin e kishin marrë këta të tre): Unë i thash Nuhiut disa herë se duhet me ardhë e me u takua pasi të gjithë po e shohin të arsyeshme, por ai nuk pranoi kurrsesi.

Pasi ai në asnjë mënyrë nuk pranoj me ardhë u vendosë që mbledhja të filloj edhe pa te.”

****

I nderuar Osman

Siç vihet në dukje në proceverbal, përkundër shkuarjes së shokëve (dy herë) në shtëpi të Bacit Nuhi për ta lutur që të shkojë në mbledhjen e thirrur për te, ai nuk shkon, duke thënë: “nuk vij sepse e kam drejtimin tim, jam i lidhur me tjetër kend,..”

Dhe kjo që thotë Baci Nuhi është e vërtetë, sepse zhvillimi i ngjarjeve në muajt në vijm të vitit 1982 dhe veçanërisht gjatë viteve 1983 – 1985 … dëshmojnë se ai duke qenë nën ndikimin tuaj (qysh kur vepronit në KVG) ishte lidhur dhe kishte përqafuar konceptin politik të ish – PKMLSHJ. Dhe ky rrugëtim në këtë drejtim, (me rastin e themelimit të OS të BPK në mars 1983), Bacin Nuhi e pozicionon në krye të Komiteti Drejtues (KD) të LRSHJ, organ ky i grupimit politik të Abdullah Prapashticës. (Për mënyrën se si u themelua KD i LRSHJ dhe jo vetëm do të bëjë një pasqyrim më të gjerë, duke iu referuar librit të Nysret Hajdarit: Kujtime të ndritura të kohëve të errëta, vëllimi i parë – vitet 1940 – 1989, botuar në vitin 2020 nga Shtëpia Botuese, Printera,ch, që e drejtoni ju)

***

Më 21 qershor 1983, (9 muaj pas mbledhjes së 26 shtatorit 1982), Baci Nuhi me pseudonimin LUANI – nga pozita e Kryetarit të KD të LRSSHJ-së i shkruan letër Skënderit – Xhafer Durmishit, (të cilën e publikon ti qysh në fillim të këtij bashkëbisedimi që u bë temë diskutimi), ku e akuzon atë për mos ardhje në një takim të organizuar (në odën e Shtutgartit) nga punëtorët – anëtarë të LRSHJ për të sqaruar gjërat në KVG, saktësisht për ato gjëra që ishte ftuar të merrte pjesë në mbledhjen e 26 shtatorit 1982 (nga ish shokët e KVG), por që kishte refuzuar të shkonte për t’i bërë sqarimet e nevojshme.

Në fund të letrës LUANI – Skënderit i shkruan: “Rasti yt do të ndriqohet para KD të LRSSHJ…”. Para cilit KD të LRSSHJ-së kërkonte Baci Nuhi të ndriçohet rasti i Skenderit? Para KD të LRSSHJ-së (krahut të Abdullah Prapashticës) ku vetë ai ishte kryetar, ndërsa Skenderi (Xhafer Durmishi) nuk ishte as anëtar. Pse? Sepse ai ishte anëtar i Qendrës Ekzekutive (QE) të LRSHJ, i themeluar më 15 janar 1983 në Ludwigsburg, që përbëhej nga Xhafer Shatri, Xhafer Durmishi, Hasan Mala, Faridin Tafallari dhe Ibrahim Kelmendi. /

VIJON …

© Pashtriku.org

___________________________

Nga arkivi i facebookut, 21 shkurt 2023

POLEMIKË ME DREJTUESIT E ISH PKMLSHJ-së, OSMAN OSMANIN DHE ABDULLAH PRAPASHTICËN PËR ZHVILLIMET NË LRSSHJ, NGA SHKURTI 1982 … (7)

Nga Sheradin Berisha, Prill 2024

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura