Pashtriku.org, 7 dhjetor 2017: (Agim Sylejmani: “Rrëfime nga burgu”, Libri i parë, botoi Shoqata e të Burgosurve Politikë e Kosovës, Prishtinë 2017) – Janë 31 rrëfime të ish të burgosurve politikë shqiptarë të Kosovës që mund të bëjnë 31 vëllime! Secili bashkëvuajtës a secili rrëfimtar, në këtë libër, është histori më vete. Madje, autori thekson edhe në mënyrë më të nuancuar, se rrëfimet e burgut janë histori më vete. Po ashtu, te parathënia e autorit lexojmë edhe dy theksime domethënëse: së pari, se ish të burgosurit nuk kanë dashur t’u rrëfejnë të afërmve e të tjerëve për përjetimet e tyre trishtuese, dhe, së dyti, se shumë nga përjetimet nëpër burgje nuk janë shënuar e pakkush është interesuar. Kur në listën e veprave të autorit lexojmë edhe titullin e romanit “Rrugëtimi i një vigani” që i kushtohet Rexhep Malajt, atëherë e kuptojmë që përtej të vërtetës dokumentare qëndron edhe diçka tjetër: “Është kërkimi për ta gjetur të vërtetën, kur vetëm e vërteta nuk mjafton”, do të thoshte Tim O’Brien, romansier amerikan. Kurse autori Sylejmani këtë e sqaron më tutje: “Çdo ditë e kaluar në burg, është histori më vete, histori nga e cila një letrar i zoti do krijonte vepra madhështore dhe të papërsëritshme, vepra të cilat ia vlen të bëhen edhe filma artistikë.”
1. Rrëfimtari autentik i burgut: pjesëtar e dëshmitar i historisë
Këtyre protagonistëve të gjallë e jo të gjallë, u ka ndodhur mu ashtu si pohojnë protagonistët e një vepre letrare të shkrimtares së shquar kanadeze Margaret Atwood, e cila ka një seri trajtimesh e motivesh me temë burgosjet politike:
“Ishim njerëz që nuk shkruhej për ne në gazeta. Kemi jetuar në boshllëkun e hapësirave të bardha diku në margjinat e shtypit. Kjo na jepte më shumë liri. Kemi jetuar në boshllëqet mes rrëfimeve.”
Dhe përnjëmend, a thuhej e vërteta për këta të burgosur politikë shqiptarë?
Ku thuhej ajo?
Kush shkruante për ta?
Kush interesohej për ta?
A nuk e kishin përjetuar jo vetëm këtë përndjekje poltike, por edhe një margjinalizim total: të mos dihej e vërteta për ta, për përjetimet e tyre?!
Dhe e vërteta publike e asaj kohe, e mbështjellë me bashkat e gënjeshtrave e të propagandës totalitare, merrej si e vërtetë zyrtare. Ndërsa populli e dinte se kush ishin ata, dinte për përjetimet e tyre… Nëse, sipas disa shënimeve dëshmohet se gjatë viteve 1981-90 janë vrarë 183 qytetarë e 63 ushtarë, se qenë dënuar 1.346 ushtarë shqiptarë në APJ, se për kundërvajtje politike u përgjigjën dhjetë mijë qytetarë, se mbi 700.000 u morën në biseda informative nga UDB-a Jugosllave, se mbi tre mijë e pesëqind veta morën mesatarisht nga 7.1 vjet burg, që i bëjnë gjithsej njëzet e pesë mijë vjet burg apo 250 shekuj; atëherë nuk ishte e habitshme që Kosova në ato vite nën ish Jugosllavinë e kishte numrin më të madh të të burgosurve politikë në të gjithë Evropën, përfshirë këtu edhe Bashkimin Sovjetik. Kësisoj, edhe këto 31 rrëfime autentike janë një copëz historie e rrëfyer për përjetimet personale e kolektive gjatë viteve 1981 – 1990.
Prandaj autori ka gjetur një trajtë të ndërmjetme: rrëfimin e gjallë, autentik, rrëfimin e vërtetë që i përafrohet saktësisë së ngjarjeve të përjetuara, nga njëra anë; duke pasur parasysh që brenda një rrëfimi ka dhe dialogë, ka edhe rrezatime përsiatjesh, edhe reagime emocionale përjetimesh, ka edhe përshkrime që zgjojnë interesim, nga ana tjetër.
Te secili rrëfimtar autori i librit jep në fillim një shënim karakterizues: datëlindjen, vendlindjen, profesionin dhe nga cili burg lirohet. Kësisoj, para nesh parakalojnë burgjet në Novi Sad, Pozharevc, Idrizovë, Novi Sad, Zenicë, Nish, Mostar, Prishtinë, Çupri, Zrenjanin, Beograd, Dubravë, Gradishkë, Mitrovicë e Sremit, Kotorr, Lepogllavë, Podgoricë, Pejë e Prizren. Burg ishte e tërë Jugosllavia, por emrat e këtyre burgjeve gjenden në Serbi, Maqedoni, Mal të Zi, Bosnje e në Kosovën e asokohshme të robëruar. Të burgosurit politikë ishin shqiptarë. Emrat e këtyre rrëfimtarëve që rrëfejnë për arrestimin a që përveçojnë aspekte qëndrese përballë dhunës apo të trajtimit çnjerëzor, janë pothuajse emra që i ka njohur e i njeh publiku ynë liridashës: Jashar Alia, Trëndelina Labënishti, Rafi Halili, Ahmet Qeriqi, Binak Ulaj, Hydajet Hyseni, Agim Sylejmani, Rrahim Sadiku, Rizah Xhakli, Shefqet Cakiqi- Llapashtica, Ylber Topalli, Sylë Mujaj, Mehmet Hajrizi, Skender Ibishi, Nysret Hajdari, Saqip Zymberi, Musli Kosumi, Tahir Hani, Argim Roci, Besim Zymberi, Shpëtim Pollozhani, Ramadan Pllana, Abdullah Çallaku, Ali Hoxha, Idriz Mehmeti, Shefket Hoxha, Selajdin Abdullahu, Xhevat Bislimi, Rasim Kicaj, Qamil Isufi dhe Shaban Çupi. Libri përfshin dhe dy shkrime tjera: një parathënie nga autori dhe një recension nga Isa Ferizaj.
Tashmë bota e letrave shqiptare ka mjaft libra për burgun: libra dokumentarë dhe libra historikë, libra letrarë dhe më të rrallë librat analitikë. Dhe, kur përmenden librat e tillë, menjëherë na shkon mendja te diktaturat e përgjakshme: nga njëra anë gjenden të dënuarit, të mallkuarit, të ndarët nga familja e shoqëria, të poshtëruarit; na shkojnë ndër mend skenat e pushkatimit, prangat, qelitë, të torturuarit, autoburgu, njerëz që s’arritën të dalin nga burgjet, mbasi vdiqën në të, të sëmurë, apo që vdiqën nga torturat a plumbi. Nga ana tjetër edhe këto rrëfime shpalojnë kujtesën për prokurorë, njerëz-bisha në rolin e torturuesit e hetuesit xhelat, skuadrat e gardianëve deri te ato të pushkatimit, paraqiten hetues, gjykatës e gjyqe, spiunë, diktatorë. Na shfaqet makina e përbindshme shtetërore e krimit. Aty ndodhin uria, etja, mundimet e vuajtjet prometheike. Në emër të popullit: gjyqe e çka jo tjetër.
Është krijuar një burgologji e tërë shqiptare (term që shqip e përshtati Visar Zhiti, nga prisonology që e përdorin asociacionet botërore të të drejtave njerëzore; ndërkohë që penologjia është shkenca juridike mbi veprat penale).
Është një galeri rrëfimesh që përbirohen e përshkohen nëpër galeritë e mundimeve të torturave nëpër burgje. Prandaj dhe tipi i rrëfimit është i veçantë: te ky rrëfim nuk kemi nevojë ta kërkojmë rrëfimtarin e shkathtë, por rrëfimtarin autentik, nuk kemi nevojë ta kërkojmë tipin e rrëfimit të strukturuar me gjetjet a mjeshtëritë dokumentare a artistike, por protagonistin e gjallë, liridashësin e idealistin, atdhetarin e dëshmitarin e historisë. Kurse në anën tjetër është i burgosuri politik shqiptar, familjet e tyre, populli liridashës. Janë aty muret e urrejtjes e të paragjykimeve nga njëra anë dhe të krenarisë, idealeve dhe qëndresës, në anën tjetër; janë të tjerë që jetojnë në lirinë mashtruese dhe të burgosur që e kanë shpirtin të lirë. Pikërisht thjeshtësia e tillë e rrëfimit, pa mbufatje e përshkrime sentimentale dhe pa zmadhime, e bën të vërtetën më të besueshme.
2. Profili dëshmues i rrëfimeve
Aktivistja Laurie Matthew te vepra e saj “Guxo të fitosh”, e përshkruan kështu të burgosurin politik:
“Kundër tij ushtrohet torturë ekstreme fizike dhe emocionale, shtrembërim të asaj që e thotë dhe shtrembërim i të vërtetës, i kuptimit dhe i realitetit; vrasje duke mashtruar e duke shpifur; duke i përsëritur këto persekutime deri në pikën e vdekjes e me kërcënimet me vdekje; të detyrohet me dhunë që të dëshmojë rrejshëm kundër të tjerëve; i shtrënguar të mos i lejohet asnjë ‘zgjidhje’; duke e detyruar t’i poshtërojë shokët e vet etj.”.
Sado që kjo listë persekutimesh e torturimesh psiko-fizike e kësaj aktivisteje duket e trishtueshme, megjithatë lista e këtyre keqtrajtimeve shfaqet shumëfish më e trishtueshme dhe më barbare se ato të inkuizicionit. Vetëm le ta citojmë një pjesë nga rrëfimi i Riza Xhaklit që burgoset për të vrarët në APJ:
“Gjykatësi hetues më tha se do të m’i sjell nënat e ushtarëve të vrarë që të më shohin sa i vrazhdë jam, ‘Do t’iu them, ja ku është vrasësi i më të dashurve tuaj! Do të lidhim që të dukesh vrasës i vërtetë dhe do ta shohim çka do të thonë ato.”
Ky rrëfim mban titullin “Dëshmitarë pa zë”. Se ky zë triumfoi me të vërtetën e vet, është dëshmi edhe ky rrëfim. Por kësisoj, për të futur dyshime e armiqësi, liridashësi arrestohej në shtëpinë e shokut a mikut, si na rrëfen Jashar Alia, duke pikëzuar dhe emra kriminelësh e shqipfolësish që ushtronin dhunë; padrejtësia e luftuar me greva urie, si rrëfen Trëndelina Labënishti – Jaha; përpjekjet e armikut për të prekur në nder, duke i cenuar pragun e shtëpisë, dhe, si pasojë e torturave çnjerëzore, e lënë për të vdekur e përsëri, ashtu të sakatosur, e dërgojnë të tillin në gjyq, si rrëfen Rafi Halili; ndërhyrjet e policisë nëpër shkolla, duke arrestuar nxënës në prani të arsimtarëve, përplasjet nëpër bodrume të errëta burgjesh, si rrëfen Ahmet Qeriqi, cili pikëzon dhe mburrjen e një udbashi serb partizano-çetnik:
“Në këtë zyrë kanë hyrë e kanë dalë mijëra shqiptarë e nuk ka bir nëne që nuk ka folur” (d,m.th. se njerëzit janë detyruar me dhunë për të pranuar të pavërtetat për shokët a veprimtarinë atdhetare, vetëm për të sajuar gjyqe të rreme); se nuk kishte burg a shtëpi ndëshkuese korrektuese anekënd Jugosllavisë, këtë na e dëshmon rrëfimi i Binak Ulajt, i cili dëshmon dhe për tri grevat e urisë së të burgosurve për njohjen e statusit të të burgosurit politik; kurse për format e panumërta të dhunës e keqtrajtimit ndaj të burgosurve politikë, dëshmon Letra që Hydajet Hyseni ia ka dërguar Sekretarit Krahinor për Jurisprudencë të KSA të Kosovës, e kjo do të thoshte që shkelësit më të mëdhenj të ligjit të tyre shtetëror, ishin vetë pushteti jugosllav i dhunës. Në këto rrëfime shpalosen edhe çaste që zgjojnë emocionin e ligjshëm të krenarisë, siç është rrëfimi i autorit të këtij libri: “Kur më arrestuan unë isha i martuar, por i pakurorëzuar në gjendjen civilie” duke rrëfyer më tutje që plisin e bardhë e bartte nëpër burgjet e Prishtinës e të Prizrenit dhe në kurorëzim shkon me plisin e bardhë, përkundër insistimit të njerëzve të pushtetit që atë të mos e bartte. Janë dhe çastet e përjetimit të dhimbjes së atdhetarëve shqiptarë në Gjermani, si ajo e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës. Dëshmitar i gjallë i dhomave të vetmisë, të mbushur me shqiptarë është dhe Shefqet Cakiqi – Llapashtica, atëherë 18 vjeçar që përjetoi elektroshokun në trupin e njomë. Se si lidhet në pranga për shtrati edhe një i plagosur rëndë me plumba e që trajtohet në spital, dëshmon rrëfimi i Ymer Topallit; se si regjimi frikësohej edhe nga një pikturë me tul buke, edhe nga një çifteli punuar thjesht e ti dënoheshe rëndë, dëshmon rrëfimi i Sylë Mujajt. Pamje të të burgosurve të gjakosur, me gjymtyrë të thyer, që përplaseshin në qelitë e ftohta, jep Mehmet Hajrizi, i cili jep shembujt lartësues të qëndresës së ish të burgosurve, siç janë karakteri i formuar në aksione, vullneti i çeliktë, vendosmëria e guximit të edukuar nëpër vite, ideali që i jep kuptim lirisë, por ai lartëson edhe gratë shqiptare që i quan Penelopat homerike shqiptare, të cilat kanë dëshmuar besnikëri e shpirt të madh në momente të vështira e të pritjes së bashkëshortit me vite e vite.
Vijnë edhe rrëfime të ndonjë ushtaraku shqiptar të APJ që burgoset për atdhetarizmin e tij shqiptar, si Skënder Ibishi, i cili dëshmon: “Vetëm gjatë periudhës 1981 – 1987 në arkivole janë kthyer më shumë se 122 ushtarë shqiptarë, gjoja se kanë bërë vetëvrasje.”
Kësisoj jepen shumë dëshmi dënimesh të pamëshirshme ndaj studentëve shqiptarë të Kosovës, kësisoj rrjedhin rrëfimet deri në fund. Ato vetëm sa shfaqin majën e ajsbergut të këtyre përjetimeve e ngjarjeve.
3. Rrëfimi në kontekste kohore
Shumë kohë Kosova e ka pritur Rrëfimin e Madh për Vetveten.
Rrëfimet e sotme janë më shumë se një dëshmi.
Kur sot rrëfehet, njerëzit e ndërtojnë dhe e formojnë edhe tani vetveten, i japin edhe sot përmbajtjen e dëshirueshme e fisnike kohës sonë. Kurdoherë nëpër dekada e vite, edhe rrëfimi ndërtohet e zhvillohet brenda një konteksti kohor.
Shumëherë janë rrëfyer përjetimet e burgut nëpër kohë: gjatë viteve ’70 e ’80 ato rrëfeheshin fshehurazi me miq e shokë lëvizjesh. Gjatë viteve ’90, kur plasën rrathët e dhunës e të ekzorcizmave shtetëror, kjo e vërtetë zuri të rrëfehej më haptas, edhe nëpër media, edhe nëpër tubime publike, por ende përciptas. Shumëkush nuk donte të shkelte mbi modestinë e tij, shumë media, si sot, as që interesoheshin.
Madje, gjatë viteve ’90, në shumë mjedise të Kosovës, qe përgatitur e shfaqur drama “Procesi” e Jusuf Gevallës. Shfaqej nëpër oda të mëdha a sallone të mëdha në thellësi fshatrash…
E sot?
Sot, kur kemi kaq shumë media elektronike, të vërtetat dokumentare sapo kanë filluar ta prekin këtë temë. Në Kosovën e lirë tashmë dolën jo pak libra historikë, monografi a rrëfime personale. Por ende ka shumë punë.
Ky është libri i parë me titullin “Rrëfime nga burgu.”
Prandaj ky libër nuk bën të mbyllet. Nuk bën të mbyllet asnjëherë.
Sot kemi katedra të sociologjisë dhe ato mund edhe të ligjërojnë nga këndi i tyre shkencor. Kemi katedra të shkencave politike dhe ato mund të ligjërojnë për mendimin dhe veprimin politik shqiptar edhe të këtyre kohëve.
Për letërsinë dhe artet tjera, as të mos flasim.
Mbi të gjitha ky rrëfim, sikundër janë dhe rrëfimet e këtij vëllimi, përcjellin dhe mesazhin e dëshminë: kështu vepruam e punuam dje për lirinë e Kosovës. Kështu u sakrifikuam. Kështu e deshëm me tërë qenien dje Kosovën. Por provimi i dashurisë ndaj Kosovës, duhet të dëshmohet gjithnjë e gjithmonë.
Kjo dashuri kaq sublime, nuk bën të vritet sot me veprime, lakmi të shfrenuar a privilegje të pafund mbi kurrizin e një Kosove me kaq dhimbje, si ato plagët që therin më shumë kur janë të ftohta.
Janë rrëfime të dala nga pika e gjakut, nëpër demonstrata, burgje, nëpër salla gjyqesh e seanca policore, në klandestinitet, përgjithësisht në përballje e përgjakje me totalitarizmin pushtues serb; rrëfime të kujtesës për grevat e urisë nëpër kazamate e nëpër qëndresën proverbiale nëpër tortura e ballafaqime me gardianë, policë e hetues gjakatarë.
Është Rrëfimi për Republikës e Kosovës, për dashurinë e pamatshme ndaj Shqipërisë, është rrëfimi i liribërjes sonë dhe i republikë-bërjes sonë. Është rrëfimi prometheik shqiptar i Republikës së Kosovës.
Është thjesht, NJË RRËFIM I PËRBASHKËT i vetëflijimit e i atdhetarizmit shqiptar, që shtegtoi qe disa dekada drejt nesh e drejt finales së shekullit që e lamë pas: me liribërjen e Kosovës e me republikë-bërjen e saj.
Nëntor 2017
_________________
Në Bibliotekën Kombëtare, ‘Pjetër Bogdani’/
NË PRISHTINË U PËRURUA LIBRI ‘RRËFIME NGA BURGU’, I AUTORIT AGIM SYLEJMANI
Pashtriku.org, 5 dhjetor 2017: Më 29 nëntor 2017, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare, “Pjetër Bogdani”, në Prishtinë u përurua libri: “Rrëfime nga burgu” i autorit, Agim Sylejmani. z.Sylejmani në libër ka prezantuar rrëfime, shkresa të ndryshme poezi e tregime të 31 të burgosurve politikë shqiptarë nga Kosova dhe trevat shqiptare nën pushtimin e ish-Jugosllavisë. Filimisht kujtime nga burgu evokoi veprimtari dhe i burgosuri politik, Rafi Halili. Pastaj kumtesa për librin lexuan: PhdC. Aferdita Dervishi, Ahmet Qeriqi, Pren Buzhala, Mehmet Hajrizi dhe Tahir Hani. Dhe krejt në fund foli autori i librit Agim Sylejmani.
Në vijim lexoni:
Fjalën e rastit të autorit të librit Agim Sylejmani:
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=7126
dhe kumtesat:
AFËRDITA DËRVISHI, PhdC: NJË JETË E TËRË PËR ARDHJEN E LIRISË
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=7125
***
AHMET QERIQI: LIBRI I AGIM SYLEJMANIT, ‘RRËFIME NGA BURGU’ NJË LIBËR I VEҪANTË!
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=7124