REXHEP KASUMAJ: SFIDA DYFTYRËSHE

Berlin, prill 2017: “Në zemrën e çdo rusi e serbi pulson dashuria besnike për njëri-tjetrin”. Kështu, me këtëlloj shpërthimi emocional, fliste Mihail Gorbaçov tek ngrinte dollinë n’Belgradin e vitit 90-të. Shihte humnerën komuniste e, njëkohësisht, disfatën me “luftën e yjëve” të rivalit furioz Reagan, pastaj shikonte orën e vet të vonuar në Londër si t’përgjërohej për mirëkuptim – dhe hidhte vështrim smire në kopshtet e lulëzuara të perëndimit.
Mihail Sergejeviqi parandjente ndërrimin e epokave dhe një Rend të ri bote që do t’shkërmoqte perandorinë e tij, e bashkë me te, sajesën serbomadhe të Jugosllavisë. Ndaj evokonte aleancat apo sensibilitetet e vjetra. E Serbia ishte një prej më t’rëndësishmeve të tyre. Dhe ky, edhepse përpiqej të vinte maskën e rusit të moderuar postsovjetik, i jepte krahun për ta rivënë n’skenën parabolshevike.
Gjithçka riqarkullohej në linjat e dikurshme të gjeopolitikës dhe afrisë. Prerja e shkurtër tani kishte mbetur pas. Historia që u shpall njëherë e mbaruar, rikthehej vrullshëm në Ballkan: me kurthet, prapahijet, makthet, sferat interesore, armët, mitet, doktrinat e robnisë, dorën e largët të fshehtë dhe currilin e gjakut që duhej të ishte gjithmonë i huaj…

Natyrisht, serbët do rreken t’adoptojnë valsin mashtrues të strategjisë së dyfishtë: ditën të punojnë në ngrehën Europë, kurse natën të rrëmojnë trathtisht gurët e saj për të shtruar me ta udhështegun e Rusisë. Për shplarje para syve të njerëzisë i referohen shpesh Dositejit të tyre që paskësh thënë se për Serbinë dielli lind në përendim, por Kullat e Kremlinit pikësohen gjithnjë si fanar orientimor në detrat e shkumëzuar të botës. Zbërthyer më saktë, ata duan paratë e Perëndimit dhe shpirtin e Lindjes.
Duke imituar Titon, këtë dyzim shpallte më herët varrmihësi Nikoliç, ndërkohë që, pa flamuj e trompeta, heshtur e pabujshëm, do ta jetësojë këtë më pas partiaku i tij, Vuçiq. Zelli i të dytit do vete më larg akoma: sfidon ushtarakisht Shtëpinë ku, pranë portash, lutet të kalojë pragun e saj… Madje dhe patriku i shovenizmit patogjen Drashkoviq (të cilin një gazetë gjermane do ta profilonte si mediokër në letërsi e folklorik në politikë), i konvertuar së fundmi në demokrat skofiar, pohonte këto ditë: unë dua që Rusia të jetë më e forta! Nuk do arrinte kurrësesi të fshehte këmbët, sepse, thjeshtë, pasioni i zjarrtë idenitar i mposhtte atij kalkulimet e ftohta të arësyes.
Anëmbajtja serbe, rrjedhimisht, merr provën e gjallë: në qershor repart ushtarësh serbë do të shkojë në Bjellorusi për ushtrime të përbashkëta trepalëshe me mikpritësin dhe pjesë të ushtrisë ruse. Motoja aq vetëthënëse, “Vëllezëria sllave”, do të ngazëllejë radikalin Sheshel që tani fërkon duart me ndjesi triumfi. Ideologjia e tij del nga epruveta e ndaluar dhe niset drejt jetës. A mund ti dërgohet perëndimit, e pra armiqëve të Moskës, Amerikës veçanërisht, mesazh më qartësisht i lexueshëm?
Në Belgrad nuk kanë fituar besimin popullor pasrendësit e dizajnuar të radikalit të ndërkryer. E ka fituar ai vetë. Ftyra dhe fryma e tij e errtë. Po a është kjo e veçantë dhe e re? Aspak. Kështu ka qenë ndër qindvjeçarë: ëndrra e rajhut serb dhe arma e krimit janë testament i shkruar (Garashanin, Gjorgjeviq, Cvejiq, Andriq) me porosi mallkimi për ata që nuk ndjekin shkronjën e tyre në të gjithë dramat politike që vijnë!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura