ILJASA SALIHU: NJË LUFTË E IMAGJINUAR NË KAOSIN E VËRTETË!

Kumanovë, 23. 04. 2015 – Është lehtë dhe mirësi kur t’i besosh institucionit shtetëror, mirëpo është shumë vështirë që institucioni shtetëror t’i bindë qytetarët e tij se ia vlen të besohet institucioni. Me ç’rast, 40 njerëz sulmuan një pikë policore. Sulmuan vetëm 4 policë, edhe pse tre policë i paskan lidhur, kurse njërin e paskan lënë që t’i lirojë kolegët e lidhur. Nuk të lënë të mendosh se bëhet fjalë për njerëz leshko, por për të atillë që janë inteligjentë. Me gjasë kjo mësymje ka ndodhur në ora 4 të mëngjesit! Numri katër duket gjithandej, edhe pse nuk duket asgjëkund ai që i paskësh numëruar sulmuesit dhe si i paska numëruar, duke qenë se këto gjëra nuk mund të kryhet aq haptas, gjë që shkenca e numerologjisë bie në ujin e pendës së Likovës? Kush ishin ata që u lidhën dhe cili (cilët) ishte lidhësi? Prej nga u zbulua aq shpejt identiteti i sulmuesve, duke qenë se bëhej fjalë për terroristë? Si ka mundësi që për këtë sulm të akuzohet UÇK-ja, kur dihet mirëfilli se ajo edhe zyrtarisht është çarmatosur dhe është amnistuar? Pse ndodhi ai sulm pikërisht në kohën kur paralajmërohej hedhja e një bombe, shpërthimi i së cilës do të zbulonte gjëra tejet të ndjeshme? Mbase të paktën prej njerëzve jo të thjeshtë kështu u deklarua! Pse siguria politike mëtohet të mbahet e pastër dhe të shpëtojë përmes krijimit të pasigurisë shoqërore? Pse të provokohet një luftë e re, duke qenë se kishim luftë, por jo edhe zgjidhje të problemit përmes luftës? Madje edhe plagët nuk janë mbyllur prej asaj lufte. A nuk i dhimbsen askujt banorët e rajonit të Likovës? A harruan se ende ëndrrat këta banorë i shohin me luftë, si rrjedhojë e përjetimit të luftës së 2001-shit. Pak ju duk burgosja e gjithë atyre që sot e kësaj dite nuk e kanë të qartë se pse qëndrojnë prapa grilave? Si nuk i vjen marre që rajoni i cili më së shumti derdhi gjak dhe djersë për ndryshimin e fizionomisë së shtetit dhe fiziologjisë së kushtetutës, edhe pse pak arriti nga ajo që investoi, ende të ngacmohet me të tilla gjëra?

Shqiptarëve të rajonit të Likovës, lëre që prej themelimit të këtij shteti, madje prej krijimit të kësaj bote i mungojnë investimet kapitale ekonomike, por po prej atyre që do të duhej t’i jepnin këtij rajoni investime kapitale ekonomike, po i merret edhe siguria. Në këtë rajon pamë seç dënohen njerëzit me dënime kapitale, por jo edhe investime kapitale prej kujdestarëve të këtij shteti, të cilët duken se aftësinë e vetme e kanë dënimin në vend të përgëzimit dhe nxitjes së punëve të dobishme. Në këtë vorbull, banorët e kësaj ane gjenden mes dy kërcënimeve serioze apo mes dy zjarreve skandaloze. Në njërën anë gjenden “40 ushtarët” që askush deri më tani nuk i ka parë dhe në anën tjetër “forcat e rendit dhe të sigurisë shtetërore” maskaradën e të cilëve trishtueshëm po e shohim. Vërtet, nuk është e lehtë për t’i shpjeguar, aq më rëndë për ta përjetuar këtë rrymim ngjarjesh në këtë mes. Në këtë rast, mesi është vend me rrezikshmëri të lartë, edhe pse thuhet se mesi është i artë. Për fat jo të mirë, në këtë mes gjendet popullata e hutuar mes dy segmenteve me veprime dhe fytyra të panjohura. Popullata ka të drejtë të frikohet në këtë rast më shumë sesa në luftë, ngaqë në kësi lloj gjendjesh, siç thotë populli: “mund të shkosh si qeni në rrush”.
Në tërë këtë panoramë të zymtë, faj të madh ka edhe Zoran Zaevi, i cili përmes paralajmërimeve të ndjeshme po provokon rëndë. Ai duhet të jetë i vetëdijshëm se krimineli për t’i mbuluar gjurmët e krimit është në gjendje të krijojë gjurmë të reja, por me kalorës tjetër të pafajshëm, të cilët mund të përgjigjen për gjurmët dhe për veprat e kryera të cilat asnjëherë nuk i kanë kryer. Nëse pak është i vetëdijshëm dhe njerëzor Zaevi, atëherë nuk duhet që kriminelëve t’i jep kohë dhe hapësirë, ngaqë ata pikërisht në këtë periudhë kohore mund të jenë shumë më të rrezikshëm seç ishin. Nëse vërtetë ka bombë për rastin “Monstra” dhe për disa raste të tjera, për të cilat tani e disa vite pafajësisht dikush po dergjet nëpër burgje e dikush tjetër po e jeton jetën e varrit, atëherë është mirë të hidhet ajo bombë dhe kështu të shpëtojnë të gjithë të pafajshmit dhe në anën tjetër të dalin në skenë oligarkët e prapaskenës. Nuk është e ndershme që në sajë të këtyre paralajmërimeve të ndjeshme të mbushet burgu ende me njerëz të vërë përpara tehut të pranimeve të fajit pa bërë asgjë dhe të shtresohet edhe më tej pasiguria në rajonin e Likovës. Në të kundërtën, përgjegjësi të lartë duhet të bartë Fërçkovski dhe vetë LSDM-ja për paralajmërimet e para disa ditëve, nëse përnjëmend nuk mbërrijnë t’i arsyetojnë ato gjëra për të cilat me mburrje paralajmëruan. Për më keq, nëse vihen në peshoren e pazarit politik rastet e dhembshme që kanë të bëjnë me shqiptarët, atëherë nuk i vyen askujt kjo ndihmë dhe ky kushtrim për shpëtim që është paralajmëruar prej LSDM-s. Nuk kemi nevojë për ndërrim të skenaristëve, por për zhdukjen e skenaristëve në politikë. Skenaristët le të merren me filma, kurse politikanët të mos shohin shumë filma, sepse jeta nuk është film, por filmi është një pjesëz e jetës, që nuk pasqyron tërësisht realitetin e jetës!
***

Sulmi në Maqedoni, LSDM:  Është skenar i Gruevskit…:

……………………………………………………

(Ilustrimet i përzgjodhi editori i pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura