PRISHTINA PËRKATËSISHT PËRPARIM RAMA APO ARBEN VITIA PËRCAKTOJNË FITUESIN E ZGJEDHJEVE LOKALE 2021

PRISHTINA PËRKATËSISHT PËRPARIM RAMA APO ARBEN VITIA PËRCAKTOJNË FITUESIN E ZGJEDHJEVE LOKALE 2021 

Nga Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA, Prishtinë 13 Nëntor 2021

Garë e fortë për Prishtinën: Asnjëherë më parë nuk kishte garë më të fortë dhe kandidatë më ambiciozë për kryetarë të Prishtinës se që kishte në zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2021. Ishin katër ( 4 ) kandidatë që e vulosën këtë garë dhe që i dhanë hijeshi kësaj gare, secili nga ana e vet që e dallonte nga të tjerët. Duhet të pranohet se ishte garë korrekte, pa fjalë të rënda, fyese dhe duke respektuar dinjitetin e kandidatit kundërshtar e që nuk ishte dukuri e zgjedhjeve të mëparshme. Në garën e katër (4) musketirëve kisha një siguri të luhatshme se Arben Vitia do të fitojë pa balotazh për faktin se Përparim Rama ishte lojtar i ri, i paprovuar më parë, pa një angazhim politik më herët dhe pa fanellë partiake të përziera me djersët e LDK-së. Ndonëse Uran Ismaili bëri një fushatë mbresëlënëse dhe pati një angazhim të jashtëzakonshëm, të paparë deri më tani, shkaku se PDK-ë nuk kishte gjasa të fitonte kredite për ta marrë Prishtinën, Urani e bëri punën e Sizifit por që arriti ta rokullisë gurin thuaja deri në pikën e dëshiruar. Ishte pengesë e pakapërcyer për të pikërisht partia ndonëse bëri një revolucion të të bërit fushatë. Edhe Daut Haradinaj bëri fushatë të mirë dhe serioze duke u angazhuar tërë kohën në fushat, jo për të fituar sepse e kishte të qartë se ishte mision i pamundur por qëllimi i tij ishte të rrisë votat e AAK-së në kryeqytet, që edhe e arriti , për t’u bërë king maker në përcaktimin e fituesit për Prishtinën duke ia vënë lëkurës së tij një çmim bukur të lartë. Me fjalë të tjera, Daut Haradinaj po e luan rolin e një lojtari që nga bankina e  rezervistit e shënon golin e fitores , disi si Armando Broja tash, apo Paco Alcaser dikur. Të shohim tash profilet politike dhe profesionale të dy musketirëve të mbetur në lojë për të parin e Prishtinës e që realisht mund të llogaritet thuaja i barabartë me të parin e Kosovës.

  1. Përparim Rama: Familja e Përparim Ramës, e rënë nga Gollaku ka jetuar një kohë në Podujevë. Si bajgorali i llapjanizuar, rininë e hershme e kam mbijetuar në Podujevën e sunduar nga shovinistët ardhacakë serbë nga Serbia ( kolonistët ) që ishin vendosur në qendër të Podujevës ku familja e Shaban Bajgorës – Shalës ishte enklava e vetme shqiptare. në ato kohëra Podujeve ishte si Trekëndëshi i Bermudeve sa i përket pronësisë mbit tokat; ishin blakçorët e fshatit Letanc, blakçorët e Lagjes së Blakçorëve në të dyja anët e lumit Llap dhe brecalitë në Lagjen e Brecalive që e kishin një pikë strategjike të rëndësishme. Banorët e sotëm të Podujevës dhe ata që pas viteve të 60–ta që tash jetojnë, kryesisht në Prishtinë , pronat ku kanë ndërtuar shtëpitë i kanë blerë kryesisht  nga këta tre zotërues thuaja të gjitha tokave të Podujevës. Ishte edhe një Lagje e Fushalive që ka qenë e vogël dhe e cila ka mbetur kompakte thuaja deri në ditët e sotit. Edhe serbët kolonistë që i morën tokat më të mira , i morën nga brecalit dhe blakçorët që pushteti komunist – çetnik ua konfiskoi pas përfundimit të luftës. Familja e Përparim Ramës kishte shtëpitë në rrugën kryesore të Podujevës, poshtë stacionit të Autobusve. Përparimin nuk e njoh por e mbajë mend gjyshin e tij që ishte kryetar i parë shqiptar i komunës së Podujevës. E njoh edhe babain e Përparimit, Kadrushin që ishte një profesor arti dhe që, për shkak të konstruktit fizik e konsideronim, fillimisht si Odisenë dhe Herkulin dhe kur mësuam se e kemi Skenderbeun, e konvertuam në Skenderbe. Po e shihni që edhe Përparim Rama është vazhdimësi fizike por edhe artistike e babait të tij , Kadrush Rama. Si banor i hershëm i Podujevës në kohën kur familjet e “ urbanizuara “ ishin të pakta dhe njiheshin shumë mirë , besa që e kalonin shumë mirë mes vete dhe  , si çdo banor i atëhershëm i Podujevës për familjen e Përparim Ramës ka kujtimet më të mira dhe nuk më kujtohet që dikush të ketë pësuar , në asnjë formë nga kjo familje. Familje me intelektualë të shumtë dhe me integritet njerëzorë dhe moral , fqinj të shklqyeshëm dhe jo fort të dhënë pas politikës. Me Xhavitin ishim shokë të gjeneratës , me Favziun e ndjerë luanim futboll , bashkë me çitakët , muçollët dhe vokrrollët . Në atë kohë kalonim aq mirë me këto familje që fitohej përshtypja se kishim krijuar lidhje gjaku , nuk martoheshim mes veti . Edhe pas 60 vjetëve , pasardhësit e këtyre familjeve e ruajnë një respekt të ndërsjellë .

Përparim Ramën nuk e njoh personalisht , e njoh si profesionist që ka krijuar emër në profesionin për të cilin ka emër dhe besueshmëri në saje të rezultateve që i ka arritur, kryesisht në Angli. E vlerësoj se është kandidati më i pavarur që garon nën flamurin e një subjekti politik – LDK-ë. E ka një përparësi të madhe se në dejtë e tij nuk ka gjak të partive politike. Madje , mund edhe të gaboj mendoj se nëse e fiton Prishtinën , do të bëhet kryetar konsensual për të gjithë qytetarët e Prishtinës , edhe ata që janë pjesë e LVV –së. E kanë nënçmuar për faktin se kanë menduar se nuk ka njohuri politike e, që , për rrethanat tona kur të gjithë jemi politikanë , madje edhe ekspertë të politikës globale , është e paimagjinueshme që një kryetar i Prishtinës të mos jetë politikanë i shquar. Konfuçi thoshte se : “ nëse shkoni me qëllim të hakmarrjes , hapini dy varre .. “ . Edhe në rastin e Përparim Ramës nëse e nënçmoni në planin e njohurive politike atëherë do ta pësoni keq , sikur në debatin televiziv. Duhet ta keni të qartë se shqiptarët që jetojnë në botën e jashtme , për shkak të zhvillimeve politike në Kosovës , domosdoshmërisht merren me politikë dhe janë shumë mirë të informuar. Mirëpo , jam i sigurt se Prishtinës nuk i duhet një politikan i mirë sa që i duhet një profesionist dhe menaxher i mirë .

  • ARBEN VITIA : Me Arben Vitinë e kam një lidhje jo shumë të afërt familjare dhe e njoh personalisht.  E njoh për person të sjellshëm , të edukuar , elokuent dhe inteligjent. Në mandatin e parë , si minister i Shëndetësisë ishte model , jo vetëm për shkak të mindilit por pikërisht për ato që i përmenda më lart . Ishte kohë shumë e shkurtër për ta treguar veten ndërsa në mandatin e dytë që gjithashtu ishte ministër i Shëndetësisë  ishte në kohë të keqe për faktin se numri i të infektuarve nga Covid -19 u rritë shumë sikur edhe i viktimave . Kjo rritje dhe këto pasoja nuk ishin rast i izoluar vetëm për Kosovën por thuaja në të gjitha vendet e botës . Ishte një situatë gjeneralisht e përkeqësuar . Edhe shtetet shumë më të zhvilluara , më të qëndrueshme dhe me një mjekësi shumë të përparuar thuaja se u dorëzuan para pandemisë e lëre më Kosova . Tash , ishte një kohë e shkurtër për ta bërënjë rivlerësim , nga minister model , në një minister të dështuar . Nga një minister që përmendej vetëm për gjëra të mira në një minister që thuaja identifikohej si kriminel. Nga një Minister Mindili në Minister Vdekja . Arben Vitia nuk ishte dhe nuk është si Dr. Xhekilli që brenda një kohe të shkurtër transformohet nga i miri në të keqin . Po ky është fati i politikanëve , janë material shpenzues dhe cak për të gjithë gjuetarët , të opozitës dhe të tjerëve. E kam përshtypjen se Arben Vitia , me vullnet nuk është bërë as minister i Shëndetësisë sikur që me vullnet nuk do të pranonte as kandidaturën për kryetar të Prishtinës . Po është çështje e vlerësimit të partisë dhe kur jeni anëtar i një partie nuk keni aspak hapësirë t’i shpalosni dëshirat tuaja . Ose e pranoni , ose e refuzoni . Nëse  e refuzoni atëherë e pati puna e karrierës suaj , në atë subjekt politik. Nëse Përparim Rama është i pavarur politikisht dhe partiakisht , Arben Vitia nuk është në atë pozitë prandaj i shkakton telashe. Është e vërtetë që Arben Vitia e ka përkrahjen e plotë të LVV –së dhe për LVV –në është jetike ta fitojë Prishtinën por se në momentin aktual nuk janë momentet më të mira për Arben Vitin shkaku se e ka përballë një kundërshtar që profesionalisht është i maruar për kryetar të Prishtinës. Pikërisht kjo i dha epërsi të madhe Përparim Ramës në debatin e parë në Rubikon. Tash ka mbetur edhe debati i dytë në Kallxo dhe do të qartësohet situata më shumë ndonëse mendoj se votuesit tradicionalë nuk ndikohen , as nga sondazhet e as nga debatet televizive. Jam i sigurt se PDK –ë anipse nuk ka nënshkruar marrëveshje me LDK-ë , do ta përkrahë në rastin konkret Përparim Ramën dhe kandidatët e LDK-së në komunat tjera sikur që edhe LDK-ë do ta përkrahë kandidatin e PDK-së në komunat ku janë në balotazh. Nëse votuesit do të jenë të disiplinuar dhe të dëgjojnë partinë , Përparim Rama do ta fitojë Prishtinën  sikur që PDK-ë do ta fitojë Prizrenin. Do të jetë shumë interesant  rezultati i zgjedhjeve për kryetar të Prishtinës ; nëse LVV e fiton Prishtinën , me 50 % të votave në nivel qendror e ka pushtetin në tërë Kosovën për faktin se Prishtina është përcaktuese për pushtetin lokal. Nëse e fiton Prishtinën LDK-ë , atëherë është një rikthim i fuqishëm e LDK-së pas një debakli në zgjedhjet e përgjithshme e që do të ndikojë në konfiguracionin politik edhe në nivel qendror. Aq më parë që LDK-ë pritet të fitojë edhe disa komuna. Në një mënyrë rikthimi i LDK-së ka qenë i pritshëm pasi edhe ndarja ishte aksidentale. Për mua ishte dhe është befasues rikthimi i PDK-së aq më parë që u godit shumë nga Gjykata Raciste Speciale.  Përfundimisht , Arben Vitia nuk mund të demonizohet për shkak të rasteve të rritura të të prekurve nga Covid – 19 e as shkaku i viktimave për faktin se në fund të mandatit të tij numri i viktimave u ul nën 20 dhe thuaja nuk kishte viktima. Ishte ky trendi në Kosovë dhe thuaja në të gjitha vendet e botës.

Të dielen është gara midis një aktivisti të regjur politik , Arben Vitisë dhe të Përparim Ramës , një profesionisti të regjur thuaja apolitik dhe votuesit e përcaktojnë fituesin . Tradicionalisht votuesit në Prishtinë , më shumë kanë qenë të përcaktuar ta votojnë kandidatin e preferuar se të preferuarin e politikës apo të partisë. A do të jetë kështu edhe në këto votime , do ta shohim. Duket se erërat po fryejnë drejt Përparim Ramës .

Sido që të jetë dhe kushdo që të jetë fitues , jo që nuk do ta kenë të lehtë ta këndellin Prishtinën e hiroshimizuar , sidomos jo vetëm gjatë një mandati , përkundrazi do të përballen me vuajtjet e Tantalit . Mos qofsha në lëkurën e asnjërit dhe sinqerisht po e them se në këtë rast . më fitues do të jetë humbësi i zgjedhjeve se ai që i fiton zgjedhjet .

11 .11. 2021  Prishtinë               Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura