DILAVER GOXHAJ (SHPËTIM GOLEMI): RRETH VEPRIMEVE LUFTARAKE TË UÇK-së NË RAHOVEC (18 – 22. 07. 1998)

Pashtriku, 2 prill 2019: Luftimet e UÇK-së për çlirimin e Rahovecit dhe rimarrja e tij nga ushtria serbe janë ndjekur me shumë shqetësim nga mbarë opinioni shqiptar. Bazuar në informacionin që jepet nëpërmjet shtypit të përditshëm, dalim në përfundimin se lufta për çlirimin e Rahovecit është ndërmarrë nga forcat e UÇK-së për të çliruar tërësisht zonën që përfshihet midis Klinës-Shtimjes-Prizërenit dhe Gjakovës.
Rahoveci ndodhet në qëndër të kësaj zone prandaj, me sa duket, është menduar të jetë qytet i lirë, pasi u jep shumë mundësi manovrimit të lirë të forcave të UÇK-së. Një arsye tjetër për ndërmarrjen e kësaj lufte, pa u pjekur tërësisht kushtet objektive, duhet të jenë edhe veprimet e padurueshme provokative që kryente ushtria sërbe në qytet, prej fillimit të muajit korrik, me qëllim frikësimi e terrorizimi të popullsisë së këtij qyteti e të fshatrave afër tij, për të mos mbështetur UÇK-në.
Bazuar në terrenin dhe pozicionin e qytetit, si dhe zona përreth tij, duke qenë të lira do të jenë një prapavijë e sigurtë për ruajtjen e rezervave ushqimore, armatimin e mjekimin e të plagosurve, pasi është zonë e thellë e shumë e banuar.
Gjithashtu, gjithmonë sipas shtypit, dimë që në të gjithë pjesën jugperëndimore të Kosovës po zhvillohen veprime të përditshme ushtarake nga forcat e UÇK-së, të cilat mund të kenë arritur ekuilibrin e forcave me ato të ushtrisë serbe në këtë zonë veprimesh. E themi këtë, pasi veprime luftarake të kësaj madhësie janë veprime të shkallës operative dhe që ndërmerren vetëm kur arrihet ekuilibrimi i forcave. Mundet që të mos jemi shumë të saktë në këtë përfundim, pasi nuk pretendojmë të kemi informacionin e plotë, duke u mbështetur vetëm në shtypin e përditshëm në Tiranë. Dihet se në asnjë fushë tjetër nuk mund të turpërohesh më lehtë se në analizën ushtarake, ku përpiqesh të japësh gjykime pa pasur të gjitha të dhënat mbi forcat e të dy palëve dhe furnizimet e ndryshme të tyre. E themi me rezervë këtë përfundim (ekuilibrim i i forcave) pasi Rahoveci është i pari qytet që UÇK-ja ndërmerr veprime luftarake për ta çliruar, ku ka patur elementë të luftës frontale dhe që zgjatën 3-4 ditë, 18-22.07.1998. Për të çliruar një qytet të kësaj madhësie nevojitet një sasi jo e vogël forcash që duhet të veprojnë në një shtrirje territoriale jo të vogël. Kjo kërkon përpunimin e një vendimi luftarak të detajuar; organizim për zbatimin e tij dhe drejtim të kujdesshëm të veprimeve luftarake. Kjo përbën atë që ne e quajmë art operativ, prandaj edhe mund të bindemi se është arritur ekuilibrim i i forcave,në rast se në këtë rajon të Kosovës veprojnë forca të shumta të UÇk-së e po rriten gradualisht me rritjen e veprimeve luftarake sipas taktikës guerile. Po qe se është kështu, ky është edhe një tregues i zhvillimit të luftës me shumë seriozitet nga populli i Kosovës dhe se në krye të kësaj ushtrie kemi një komandë e shtab që vepron sipas një plani strategjik të parë me shumë kujdes.

Luzhnicë, 1998: Agim Çela (dëshmor i kombit), Bislim Zyrapi e Ferat Shala.

Megjithatë, nuk duhet të entuziazmohemi, pasi rimarrja e Rahovecit nga ushtria sërbe tregon se gjatë zhvillimit të veprimeve luftarake duhet të ketë patur mangësi, të cilat është mirë të evidentohen e të na shërbejnë si mësim në veprimet e ardhëshme. Që të ndërmarrësh veprime luftarake për çlirimin e qytetete, paraprakisht duhet të jetë çliruar e gjithë zona përreth tij, nga ku të mos mundësohet armiku për t’u grupuar e të na godasë, por t’i kesh krahët e sigurta, si dhe të kesh organizuar forcat vullnetare të mbrojtjes së çdo fshati, të cilat do të angazhohen në veprimet luftarake për çlirimin e qytetit a për të përballuar ndonjë kundërveprim tjetër të armikut.
Bazuar në të dhënat e përditshme mësojmë se jo e gjithë zona rreth Rahovecit ishte spastruar nga armiku. Gjithashtu, para se të ndërmerrej lufta për çlirimin e Rahovecit, duhej të ishin çliruar Suhareka, Malisheva dhe rrethinat e tyre si dhe të ishin vënë nën kontroll të plotë të UÇK-së rrugët Klinë-Gjakovë dhe Shtimje- Suharekë-Prizren, pa folur për rrugët e tjera të brëndëshme, që të çojnë në Rahovec. Për një armik si ushtria sërbe, rrugët e komunikacionit janë si thembra e Akilit. Një kusht tjetër është, që para se të ndërmarrësh sulme për çlirimin e qytetit duhet që ta kesh detyruar armikun të jetë mbyllur brenda në qytet dhe të mos guxojë të dalë prej tij. Kjo realizohet duke i goditur e asgjësuar postblloqet e ndryshme, pozicionet e zjarrit të artilerisë, kudo që të ndodhen jashtë qyteteve, si dhe të ndërmarrësh sulme të herë pas her- shme të garnizoneve armike në periferi të qytetit. Përveç këtyre duhej të ishte shkatërruar qëndra armike sërbe në Hoçë, e cila do ta kishte zhdukur rrezikun, që na u përsërit më vonë e që erdhi kryesisht nga forcat e stre- huara atje.
Krahas luftës që po bëhej për çlirimin e Rahovecit, duhej që me popullatën të ishin organizuar punime për vetmbrojtjen e qytetit nga ndonjë sulm i papritur i armikut, duke mos u mjaftuar vetëm me transhe por edhe me pengesa (kanale) kundërtanke në drejtimet e mundshme të kalimit të tyre, si dhe të organizohej mbrojtja e tyre me zjarr antitank ose nëpërmjet minimit. Të mos na duket kjo si diçka e tepërt dhe dem ode, pasi shanset e mbrojtjes janë në përpjestim të drejtë me shkallën e fortifikimit. Fortifikimet mbrojtëse e rrisin gjithmonë fuqinë luftarake dhe kurrë ndonjëherë gjatë historisë -nuk është dobësuar mbrojtja nga prania e veprave mbrojtëse xheniere.
Lufta në qytet duhet të jetë bashkëqëndrore për çlirimin e tij, me qëllim që të mos i japim mundësi armikut të tërhiqet, se kështu ai veçse shkatërrohet por nuk asgjësohet. Nga shtypi nuk dimë që të kemi patur rrethime dhe asgjësime të forcave sërbr, por shtyrje të tyre, të cilat u tërhoqën, shkuan në Hoçë, u riorganizua n dhe kundërsulmuan sëbashku me forcat që u erdhën në përforcim. Ardhja e forcave serbe në befasi në Rahovec dhe rimarrja e tij tregon se nuk ishte organizuar mbrojtja e largët e qytetit. Kjo duhej të ish parashikuar qysh gjatë marrjes së vendimit luftarak nga komanda që drejtoi luftimet për çlirimin e qytetit, në bashkëveprim me komandën eprore. Po të ishte organzuar ajo nuk do të mundësohej ardhja në befasi e armikut. Që të mos çalojmë më, në të tilla veprime, duhet që në përbërjen e të gjithë shtabeve të ketë oficera të të gjitha llojeve të armëve e shërbimeve me përvojë dhe dije të plota. Sigurimi i kuadrove të aftë është një ndër faktorët kryesorë për fitore. Kjo është domosdoshmëri në luftrat e sotme, pasi ato nuk zhvillohen si para 50-60 vjetësh, sepse shumë elementë të sigurimit luftarak janë shndërruar në lloje armësh, ku mosvlerësimi i tyre, bëri të mundur rimarrjen e Rahovecit nga serbët.
Që të mos na përsëriten këto mangësi, në të ardhmen duhet të ketë bashkërendim të punëve midis forcave të Ushtrisë Çlirimtare dhe pushtetit të përkohshëm vendor. Që ky bashkërendim të funksionojë, del domosdoshmëri ekzistenca e organit drejtues të luftës në Kosovë, i cili, për kushtet aktuale,duhet të jetë një bashkim politik i partive të ndryshme politike, duke mos pretenduar asnjë parti për rol udhëheqës në të. Në këshillin drejtues të këtij bashkimi duhet të bëjnë pjesë patjetër udhëheqësit kryesorë të UÇK-së, pasi objektivat ushtarake janë mjete në shërbim të objektivave politike dhe, në anën tjetër, të mos na ndodhë që politika të kërkojë atë që ushtarakisht mund të jetë e pamundur. Ekzistenca e këtij organi drejtues të luftës do të mundësojë që veprimet luftarake të UÇK-së të jenë më të studiuara dhe të njëkohëshëm në disa rajone të Kosovës.
“Rilindja”, 29 Korrik 1998
***
Kështu Luftuan Trimat e Rahovecit Live Xhiruar nga Lufta , Korrik 19 1998
https://www.youtube.com/watch?v=WAZ50VdgtUo

________________
Nga faqet e librit “Rruga që më çoi në radhët e UÇK-së”! /
DILAVER GOXHAJ (SHPETIM GOLEMI): SË PARI SHTET – PASTAJ PUSHTET! (28 KORRIK 1998)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8624

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura