PROF. ASOC. DR. VANGJEL KICI: TRAGJEDITË E NAFTËS SHQIPTARE DHE SPEKTATORËT E PËRGJUMUR!

Kanada, 16 tetor 2017: Qeveria “Rama” mbështet dy vendimet e mëparëshme: 1- Nxjerrjen e gjithë Shqipërisë në ankand tek kompanitë e huaja, për kërkime dhe shfrytëzim nafte dhe gazi; 2- Privatizimin e Shoqërisë shtetërore të naftës, Albpetrol, sh. a. Të dy këta vendime janë kundër interesave të popullit shqiptar, sepse naftën dhe gazin, që janë pasuria më e madhe e Shqipërisë, ia heqin popullit dhe ua japin të huajve dhe privatve. Këta vendime mbyllin perspektivën e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë dhe perspektivën e rritjes së mirëqënies së popullit shqiptar. Këta vendime janë për një të ardhshme të errët të Shqipërisë. Nëpërmjet shtetëzimit, kthejani shtetit të ardhurat e vendburimeve ekzistuese, dhe nafta mund të zhvillohet nga vet shqiptarët. Këta dy vendime u heqin shqiptarëve mundësinë e vetme për daljen nga kriza dhe për zhvillimin e Shqipërisë.
***
Gjatë regjimit të kaluar, sektori shtetëror i naftës shqiptare arriti shumë suksese. U zbuluan shumë vendburime nafte dhe gazi. Në vitin 1974 Shqipëria prodhoi 2,2 milionë tonë naftë dhe shumë gaz. Shteti drejtonte kërkimet, prodhimin, përpunimin dhe tregtimin e naftës. Pas vitit 1990, nafta pësoi shkatërrim të plotë. Në periudhën 1992 deri 2017 Shqipëria është qeverisur nga Partia Demokratike (PD) dhe Partia Socialiste (PS). Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) ka qenë në koalicion herë me njërën dhe herë me tjetrën parti. Pra, këto tri parti e kanë qeverisur vendin. Nuk mund të thuhet se naftën e shkatërroi kjo apo ajo parti në pushtet. Të trija këto parti kanë të njëjtën politikë ndaj naftës: Dhënien me konçesione korruptive të huajve dhe privatizim (d.m.th. shitjen dhe grabitjen e vendburimeve të naftës nga pushtetarët, në bashkëpunim me të huajt). Debatet dhe kundërshtimet e opozitës, për trajtimin e naftës, nuk kanë qenë parimore. Kundërshtimet kanë qenë, pse t’a merrni ju naftën dhe jo ne. Para vitit 2011, gjithë Shqipëria ishte nxjerr në ankand tek kompanitë e huaja, për kërkime dhe shfrytëzim nafte dhe gazi. Vendburimet e naftës dhe të gazit u ishin dhënë me konçesione kompanive të huaja: Bankers Petroleum Ltd. në vitin 2004 dhe Stream Oil Ltd. në vitin 2007. Në vitin 2011, kur qeveriste Partia Demokratike, në koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim (qeveria “Berisha-Meta”), në Parlament u paraqit për miratim projektligji mbi privatizimin e kompanisë shtetërore të naftës, Albpetrol. Opozita socialiste e kundërshtoi, me arsyetimin se vendburimet e naftës dhe të gazit, në pronësí të Albpetrol-it, tashmë ishin dhënë me konçesione, që është një formë tjetër privatizimi. Atëhere qeveria “Berisha-Meta” bëri disa ndryshime, dhe projektligji u shndërrua në ligj më 15 dhjetor 2011. Pas këtij vendimi, qeveria i veshi kompanisë Albpetrol disa të drejta ekskluzive dhe pasurí, që nuk i takonin asaj: Dy liçensa për ndërtimin e rrjetit të gazit në Shqipëri, ndërtimi i një rafinerie nafte dhe një Aneks C. Ky i fundit ishte si një çek i bardhë. Në këtë Aneks C qeveria futi të gjithë Shqipërinë Lindore (Brezin e Mirditës, që vazhdon në Kosovë, dhe që ka perspektivë të madhe për naftë dhe gaz! Berisha e kishte studimin për perspektivën e këtij brezi). Pra, Brezi i Mirditës do të privatizohej, që të mos i mbetej asnjë perspektivë zhvillimi shtetit shqiptar. Në këtë kohë, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë, Nasip Naço, deklaroi: “Do privatizohen 95% e pronave shtetërore. Ne do të mbajmë vetëm ato objekte, që janë strategjike, dhe pjesën tjetër, gati 95%, do e kalojmë në privatizim. Një proces, që unë besoj se i shërben si ekonomisë së vendit, si hapjes së vendeve të reja të punës, si shtimit të të ardhurave, si dhe forcimit të të ardhurave në buxhet për të investuar në sektorë të tjerë, që janë të rendësishëm dhe strategjikë për vendin tonë”. Kështu, shteti shqiptar, sipas kësaj platforme, mbetet pothuajse pa prona. Ky shtet pa prona dhe pasurí është i dobët, i pafuqishëm. Qeveria “Berisha-Meta” naftën nuk e konsideronte strategjike! Zëvendësministri Enno Bozdo deklaroi: “Në bazë të ndryshimeve në projektligj parashikohet që kompania, që do të privatizojë Albpetrol-in, do të kryejë operacione hidrokarbure kërkimi, zhvillimi, prodhimi dhe tregtimi të naftës e gazit për 25 vjet”. Sipas këtij ligji, gjeologjia e Shqipërisë mbyllet plotësisht (mbyllet Fakulteti Gjeologji-Miniera në Tiranë, mbyllet Sherbimi Gjeologjik Shqiptar etj.). Popullit tonë i hiqen pasuritë kryesore: Nafta dhe gazi. Pra, kjo qeveri nuk punon për popullin.

Deputeti socialist, Erion Braçe, foli në Parlament: “Ligji shet 100% jo vetëm asetet e vet kompanisë Albpetrol, por edhe të drejtat e shfrytëzimit të vendburimeve të naftës nën administrimin e kompanisë Albpetrol. Këto të drejta nuk do t’i ketë më shteti (publiku), por një kompani private”. Opozita (PS): Shitje deri 25 vjet. Jo shitje për gjithë jetën. Sipas PS, privatizimi i Albpetrolit është hapi i fundit i shkatërrimit nga qeveria demokratike, në sektorin e naftës dhe të gazit në Shqipëri….Braçe tha: “Ky sektor është rrënuar në 7 vitet e fundit përfundimisht dhe pa kthim”. Albpetrol është kompania e fundit strategjike, që ka mbetur në pronësi të publikut (shtetit). Aktualisht kompania zotron 1264 puse aktivë, që prodhojnë rreth 135 000 tonë naftë në vit.
Deputeti i PS, Armando Subashi: “Me privatizimin e Albpetrol përfundimisht sektori i naftës në Shqipëri kalon tërësisht në pronë private. Kohëzgjatja e privatizimit qellimisht nuk jepet. Vendburimet e Albpetrol kanë nën tokë 27-28 milionë tonë naftë. Është momenti të përcaktojmë se çfarë do të bëjmë me këtë pasuri kombëtare për ne dhe për brezat e ardhshëm….Shteti është administrator i pronës publike dhe vetëm populli, nëpërmjet ligjit ose referendumit, mund të vendosë për tjetërsimin e saj. Privatizimi i Albpetrol është në dëm dhe në kurriz të gjithë shqiptarve (dëm kolosal i financave publike për shumë vjet, dhe hedhje në rrugë e 2500 punonjësve….”.
Ish zëvendësministri i Ministrisë së Industrisë dhe Energjitikës në vitet 1997-2005, kur qeveriste PS, Pajtim Bello: “Privatizimi i Albpetrol është maskë për grabitjen e nëntokës shqiptare. Shitja e Albpetrol është antiligjore. Shtetëzimi i naftës është zgjidhja. Jo privatizim i naftës së nëntokës. Privatizimi i Albpetrol-it është i pajustifikuar ekonomikisht, por dhe ligjërisht. Ligjërisht hidhet hap i gabuar, sepse fushat e dhëna me konçesione quhen të privatizuara, d.m.th. janë dhënë në përdorim, por nuk janë shitur fushat, sikurse shiten në këtë rast. Është i vetmi rast ku do të shiten 100% të aksionit në sektorin strategjik….Shitja e Albpetrol-it, pa specifikuar vendburimet, është rast i pa precedent…”. Mazhoranca e djathtë në Parlament votoi pro privatizimit 100% të aksioneve të Albpetrol. Ky parlament, që miraton këtë ligj, nuk përfaqëson popullin. Pas këtij vendimi, u hap tenderi dhe vazhdoi procedura, por privatizimi dështoi. Sikurse shihet, kjo mazhorancë e Partisë Demokratike në Parlament është kundër interesave të popullit. Pastaj vazhdoi fushata e zgjedhjeve. Ja çfarë deklaroi Edi Rama, gjatë prezantimit të kandidatve të PS të qarkut Fier: “Unë nuk e di se çfarë u ka thënë njërzve të naftës Saliu, por di që më 23 qershor 2013 (dita e zgjedhjeve-v. k.), me Partinë Socialiste shqiptarët do të çlirojnë burimet e naftës nga kthetrat e uzurpatorve, e atyre që me pasurinë e përbashkët të këtij populli pasurohen në kurriz të këtij populli. Sepse ne ndryshojmë nga ata, pikërisht aty ku fillojnë interesat e këtij kombi, të këtij vendi dhe këtij populli. Ne nuk kërkojmë votën për të pasuruar një grusht njerzish. Ne kërkojmë votën që të gjithë shqiptarët të pasurohen….”. Kur Rama erdhi në pushtet, nuk mbajti asnjë nga këto premtime. Ai bëri krejt të kundërtën.
Ja çfarë deklaroi Kryeministri Rama, para gazetarve, kur ishte në pushtet, më 4 janar 2015: “Më shpejt duhet të ecnim edhe me eksplorimin (shfrytëzimin) dinjitoz nga kompani serioze ndërkombëtare, jo me fantazma spekulantësh, siç ka ndodhur në të shkuarën, që kanë marrë fushat e naftës dhe i kanë shfrytëzuar shumë më zi se sa pushtuesit…., këta spekulantë grabitqarë dhe të pangopur, që kanë marrë liçensën e pushtetit të kaluar, dhe kanë ndarë me pushtetin e kaluar llokmat e një pasurie kombëtare….”. Qeveria “Rama-Meta” nuk i anuloi aspak këto liçensa të së shkuarës, me fantazma spekulantësh. Shfrytëzimi i fushave të naftës vazhdon zi e më zi. Grabitja është maksimale. Qeveria po merr vet llokmat e pasurisë kombëtare, në bashkëpunim me këta spekulantë të huaj. Qeveria “Rama-Meta”, sikurse qeveria “Berisha-Meta”, ka marrë dy vendime të rëndësishme: 1- Nxjerrja në ankand e gjithë Shqipërisë tek kompanitë e huaja për kërkime dhe shfrytëzim nafte dhe gazi (8 blloqe tokësore dhe 5 blloqe detare). 2- Të privatizohet Shoqëria shtetërore e naftës, Albpetrol. sh. a. Pra, qeveria “Rama-Meta” pranon se nuk kishte ndonjë plan të ndryshëm nga qeveria “Berisha-Meta” për sektorin publik (shtetëror) të naftës. Të dy këta vendime janë kundër interesave të popullit, sepse naftën dhe gazin, që janë pasuria më e madhe e Shqipërisë, ia heqin popullit dhe ua japin të huajve dhe privatve. Këta vendime mbyllin perspektivën e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë dhe perspektivën e rritjes së mirëqënies së popullit shqiptar. Këta vendime mbyllin gjeologjinë e Shqipërisë dhe perspektivën për hapje vendesh të reja pune, në mënyrë masive dhe të përhershme. Këta vendime janë për një të ardhshme të errët të Shqipërisë. Gjatë mandatit të kaluar (2013-2017) qeveria “Rama-Meta” u dha kompanive të huaja 4 liçensa për kërkime nafte dhe gazi në blloqet tokësore: Kompania Shell mori Bllokun 4; kompania Pennine Corporation mori Bllokun Velça; kompania Navitas Petroleum Limited mori Bllokun Dumrea, dhe kompania Albanides Energy mori Bllokun 8. Por këto liçensa ishin të gjitha të rreme, sepse gjatë tre vjetve në këto blloqe nuk u krye asnjë punim për kërkime nafte dhe gazi. Ky është një mashtrim i madh që i bëhet popullit. Kështu janë bllokuar edhe herë të tjera kërkimet e naftës në Shqipëri. Kjo është shkelje me të dy këmbët e Ligjit të Naftës në Shqipëri. Kush mban përgjegjësi për këto shkelje? Askush.
Qeveria “Rama-Meta”, gjatë viteve 2013-2017, kërkoi me ngulm kompani të huaja për bashkëpunim në privatizimin e Shoqërisë shtetërore të naftës, Albpetrol. sh.a. (d.m.th. shitjen dhe grabitjen e vendburimeve të naftës nga qeveritarët tanë, në bashkëpunim me të huajt). Ajo organizoi në Tiranë takimin e nivelit të lartë dy ditorë me kompanitë e huaja: Albania Oil Gas and Energy, 17-18 march 2015. Morën pjesë 9 kompani të huaja. Para përfaqësuesve të lartë të kompanive foli kryeministri Rama dhe ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri. Në këtë takim u bë thirrja: Hajdeni në Shqipëri, për bashkëpunim, se kemi shumë naftë dhe gaz. Kemi ligje shumë të favorshme për investitorët e huaj. Hajdeni të bashkëpunojmë për privatizimin e Shoqërisë shtetërore të naftës, Albpetrol sh.a. .…Por asnjë kompani nuk pranoi bashkëpunim për privatizimin e naftës, d.m.th. grabitjen e Albpetrol-it. Shumë shtete të botës e shtetëzuan naftën, gjatë viteve 1960, sepse kuptuan se po shfrytëzoheshin nga të huajt. Qysh nga viti 2012, 73% deri 95% e rezervave botërore të naftës janë të kontrolluara nga kompanitë shtetërore të naftës, në shtetet përkatëse. Udhëheqësit e shteteve të ndryshme të botës e shtetëzojnë industrinë e naftës, për të rritur në maksimum të ardhurat e shtetit, kurse udhëheqësit e shtetit shqiptar e privatizojnë, ose e japin me konçesione korruptuese industrinë e naftës, për të rritur në maksimum të ardhurat e xhepit të tyre, dhe jo të shtetit. Qellimi i shtetëzimit është që të merren më shumë të ardhura nga nafta për qeveritë e vendeve prodhuese. Pra, qeveria shqiptare del kundër botës ! Nga ato, që parashtroi kryeministri Rama dhe ministri Gjiknuri, kompanitë e huaja e kuptuan qartë thirrjen e tyre për bashkëpunim në grabitje. Por grabitja ka pasigurí. Prandaj kompanitë e huaja, që duan sigurí, nuk pranuan të hynin në këto pisllëqe. Kështu, qeveria “Rama-Meta”, sikurse më parë qeveria “Berisha-Meta”, nuk e realizoi dot privatizimin e Albpetrol-it. Por tamahqarllëku është i madh, dhe me të drejtë. Bëhet fjalë për një “copë” shumë të madhe. Nuk hiqet dorë kollaj. Në muajin janar 2017, qeveria shtetëzoi dy fusha nafte në Fier-Vlorë. Ato ishin: Gorisht-Kocul dhe Cakrran-Mollaj. Këto vendburime, gjatë 10 vjetve të fundit i kishte me konçesion kompania Stream Oil and Gas, e cila më vonë mori emrin TransAtlantic Albania. Kompanitë e huaja i ndërrojnë emrat, si kameleoni ngjyrat, për t’u fshehur dhe mbrojtur. Arsyeja e shtetëzimit ishte: Kompania i ka borxh 20 milionë dollarë Shoqërisë shtetërore të naftës, Albpetrol sh.a. (pra, nuk plotësoi detyrimet kontraktuale). Në fakt, këto vendburime iu kthyen Shoqërisë shtetërore të naftës Albpetrol, që të grabiten nëpërmjet privatizimit të kësaj Shoqërie. TransAtlantic Albania nuk bëri asnjë kundërshtim. Kjo të çon në dyshime, se kjo kompani mund të jetë e sajuar nga vet qeveritarët.
Në zgjedhjet e 25 qershorit 2017 fitoi me shumicën e pakicës Partia Socialiste. E themi këtë, sepse shumica e popullit nuk mori pjesë në votime. Qeverinë e re e formoi kryeministri Rama. Naftën, në qeverinë “Rama-Meta”, e kishte Ministria e Energjisë dhe Industrisë, kurse tani e ka Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Ministër, në të dy qeveritë, ka qenë dhe është zoti Damian Gjiknuri. Kanë ndryshuar shumë ministra, por zotin Gjiknuri nuk e lëvizën, sepse gjatë qeverisjes së kaluar ai ka rezultuar shumë fitimprurës, nëpërmjet korrupsionit në naftë etj. Ai ka mbrojtur kompanitë e huaja grabitqare të naftës. Për naftën, vendimet e qeverisë “Rama-Meta” mbetën në fuqi edhe për qeverinë “Rama”. Pra, nxjerrja e gjithë Shqipërisë në ankand tek kompanitë e huaja, për kërkime dhe shfrytëzim nafte dhe gazi. Kjo është njëra tragjedi. Vendimi tjetër është për privatizimin e Shoqërisë shtetërore të naftës, Albpetrol sh.a. Kjo është tragjedia tjetër. Arsyetimi, pse janë tragjedi, është dhënë më sipër. Në Kongresin Botëror të Naftës, në Stamboll (10 korrik 2017), kryeministri Rama, i shoqëruar nga ministri Gjiknuri, u bëri thirrje kompanive të huaja të naftës: Hajdeni në Shqipëri, për bashkëpunim, se kemi shumë naftë dhe gaz. Do të privatizojmë edhe Shoqërinë shtetërore të naftës, Albpetrol sh. a. Kemi ligje shumë favorizuese për investitorët e huaj….Këtë thirrje ai ua bëri edhe kompanive amerikane të naftës, nëpërmjet Sekretarit Amerikan të Shtetit, Tillerson. Pra, pa e formuar akoma qeverinë e re, kryeministri Rama kërkoi bashkëpunëtorë të huaj, për grabitjen e naftës dhe të Albpetrol-it. Mendja e tij, dhe e ministrit Gjiknuri, punon kryesisht për grabitjen e naftës shqiptare. Kjo thirrje iu bë të huajve, kur dihet ashiqare se kompanitë e huaja të naftës, gjatë 13 vjetve të fundit, e kanë grabitur plotësisht naftën e Shqipërisë. Populli shqiptar po grabitet (vlera disa miliarda dollarë), por kryeministri, me sa duket, po fiton. Kjo është shumë e qartë. Në të kundërt, ai nuk do t’a bënte këtë thirrje. Nafta dhe gazi, që kryeministri Rama i nxjerr në pazar, pa e pyetur fare popullin, janë të shqiptarve. Besoj se populli nuk do t’i lejojë, që të vazhdojnë më tej grabitjen e naftës, në bashkëpunim me të huajt, siç kanë bërë deri tani. Gjeologët shqiptarë hapin perspektiva për naftë dhe gaz në zona të reja të Shqipërisë, që të gëzojnë shqiptarët, dhe jo që kryeministri të ftojë të huajt, për grabitje në bashkëpunim. Kryetarët e qeverive të kaluara: Nano, Berisha, Meta, Rama…, le të përgjigjen për grabitjen e naftës nga të huajt, me vlera disa miliarda dollarë, në bashkëpunim me qeveritë e tyre. Pastaj le t’u bëjnë thirrje kompanive të huaja. Nga deklarimet e kryeministrit Rama, në Kongresin Botëror të Naftës, pjesëmarrësit panë një kryetar shteti të korruptuar, që punon kundër interesave të popullit të vet. A do t’i përgjigjen thirrjes së tij kompanitë e huaja, për bashkëpunim me këta të korruptuar? Koha do t’a tregojë.
Autori i këtij shkrimi ka bindjen e plotë, se vetëm shtetëzimi i naftës dhe i gazit mund t’a shpëtojë Shqipërinë nga kjo krizë e thellë. Vetëm nafta dhe gazi, si pasurí shtetërore, mund t’a zhvillojnë të gjithë ekonominë e Shqipërisë, dhe t’a rrisin mirëqënien e popullit. Si shembull le të kemi Norvegjinë. Në rastin tonë nuk kam parasysh naftën e dikurshme, por një naftë dhe gaz të një rëndësie botërore, sepse Shqipëria ka perspektivë shumë të madhe për naftë dhe gaz. Kjo perspektivë nuk është abstrakte. Nuk kam parasysh këtu vetëm pjesën e njohur naftë-gazmbajtëse të Shqipërisë jugperëndimore. Këtu kam parasysh sidomos pjesën lindore të Shqipërisë, Brezin e Mirditës, që vazhdon pothuajse në të gjithë Kosovën, dhe rajonin Shupenzë-Maqellarë-Peshkopi. Janë të gjitha mundësitë, që naftën dhe gazin t’i zhvillojnë vet shqiptarët, Por, për të arritur këtë qellim, na pengojnë vetëm qeveritë e korruptuara, të mbështetura nga të huajt grabitqarë. Kthejani shtetit të ardhurat e vendburimeve ekzistuese, nëpërmjet shtetëzimit, dhe nafta zhvillohet nga vet shqiptarët. Nxjerrja e gjithë Shqipërisë në ankand, dhe privatizimi i Albpetrol-it, u heqin shqiptarve mundësinë e vetme për daljen nga kriza e thellë, dhe për zhvillimin e Shqipërisë. Themi mundësinë e vetme, sepse asnjë pasuri tjetër e Shqipërisë nuk mund t’a nxjerr vendin nga kriza, dhe t’a zhvillojë Shqipërinë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura