QENDRA JUSUF GËRVALLA – GËNJESHTRAT E SHOKËVE TE KADRI ZEKËS QË E TJETËRSOJNË HISTORINË E LËVIZJES … (12)

Në 41 vjetorin e vrasjes

QENDRA JUSUF GËRVALLA – GËNJESHTRAT E SHOKËVE TE KADRI ZEKËS QË E TJETËRSOJNË HISTORINË E LËVIZJES … (12)

Nga Xhafer Durmishi – Pashtriku, më 14 shkurt 2023

RIORGANIZIMI I OMLK-së SË KADRI ZEKËS, ME QËLLIM TË DOMINIMIT ME ÇDO KUSHT MBI TË TJERËT

11. Rëndësia e shtëpisë së Jusuf Gërvallës

Emrush Xhemajli: ”Më 17 janar 1982 u mbajt takim në Helbron afër Shtutgartit, në mes të vëllezërve Gërvalla, Kadri Zekës dhe Ibrahim Kelmendit, ku temë kryesore, sipas Ibrahim Kelmendit, ishte bashkimi i organizatave, OMLK-së dhe LNÇKVSHJ-së. Edhe pse u arrit pajtueshmëri, ky bashkim nuk arriti të shpallet për shkak të vrasjes së vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës, që ndodhi natën e 17 janarit. Pavarësisht se çka do të thonë materialet që u shkruan më 17 janar 1982 Nga Jusufi, Kadriu, Bardhoshi, e ato kanë për të thënë shumë, takimi i Untergrupenbahut do të mbetet momenti më i rëndësishëm në formimin e LPK-së”. (Lëvizja; Themelimi i Lëvizjes dhe heronjtë e janarit 1982, Prishtinë 17 shkurt 2017, f. 249-250)

Untrergrupenbahu është baza më e rëndësishme e Lëvizjes së Jusuf Gërvallës për shkak se aty kanë jetuar Jusufi dhe Bardhoshi, dhe jo për arsye të mysafirëve që i ka qitë rruga për interesa të veta.

Emrush Xhemajli: ”Debati për bashkimin e forcave nga Evropa Perëndimore u rikthye në Turqi. Këtë radhë në mes të LNÇKVSHJ-së dhe PKLMSHJ-së, OMLK-ja iu bashkua LRSHJ-së, më 15 maj 1982, pas takimit që u mbajt në afërsi të qyteti Biel të Zvicrës.” (Lëvizja; Themelimi i Lëvizjes dhe heronjtë e janarit 1982, Prishtinë 17 shkurt 2017, f. 250)

Emrush Xhemajli: ”Momenti i deklarimit të formuar të LRSSHJ-së, 17 shkurti 1982, ditë më ditë një muaj pas vrasjes së Jusufit, Kadriut e Bardhoshit, më 17 janar 1982 në shumë qarqe u përjetua edhe emocionalisht si fitore e madhe për arritjen e një pritshmërie. Ndërsa përzgjedhja e datës së bashkimit 1 muaj pas vrasjes në Shtutgart, interpretohej si e zgjedhur me qëllim, si hakmarrje kundër terrorit të okupatorit.” (Lëvizja; Themelimi i Lëvizjes dhe heronjtë e janarit 1982, Prishtinë 17 shkurt 2017, f.250)

Emrush Xhemajli së bashku me rrethin e vetë, nga viti 1985, i kanë dënuar bashkimet e 17 shkurtit dhe 15 majit 1982, me shpresën se vetë do të krijojnë ndonjë datë më të rëndësishme, e kanë riogranizuar OMLK-në e Kadri Zekës, me qëllim të DOMINIMIT ME ÇDO KUSHT MBI TË TJERËT dhe e kanë udhëhequr deri në shembjen e Murit të Berlinit. Vetëm pas shembjes së Murit të Berlinit, falimentimit të etiketave marksiste-leniniste, pas 30 vitesh, riorganizuesit marksist-leninistë riorentohen e mundohen të tregojnë rëndësinë e shtëpisë së Jusuf Gërvallës dhe Lëvizjes së Jusuf Gërvallës.

12. DISA KURTHA LOGJIKE DHE SKEMA TË GABUARA

12-1. Vërtetimi i teoremave në Matematikë

Ekzistojnë metoda të ndryshme të vërtetimit të teoremave, ligjeve të matematikës. Një teoremë vlen vetëm e vetëm nëse është e sakët në të gjitha rastet, nëse nuk ka përjashtim për asnjë rast. Në matematikë dhe logjikë, si fjalë e kundërt me të vërtetën nuk përdoret shprehja gënjeshtër por vetëm fjalët, True or false (po i përdori termat në anglisht).  Nëse ekziston vetëm një përjashtim në mesin e miliarda e miliarda rasteve teorema nuk vlen. Gjatë analizimit dhe vërtetimit të teoremave, në rastin e parë të hetimit të ekzistencës së përjashtimit procedura e vërtetimit ndërpritet menjëherë.

12-2. Sa kushton një gënjeshtër në vepra historike

Në aritmetikë vlera e numrit -2 kompensohet me vlerën e +2. Në ekonomi, nëse dikujt ia ke borxh 10 euro, lirimi prej atij borxhi të kushton vetëm 10 euro, me rentë apo pa rentë.

Në libra historik një gënjeshtër nuk të kushton vetëm një të vërtetë por gënjeshtra e infekton komplet tregimin e ngjarjes. Për me e demaskua një gënjeshtar, për njerëzit e arsyeshëm mjafton me dy-tri raste me e vërtetua se komplet tregimi është gënjeshtër.

12-3. Qeliza e fundit e kancerit një mjekësi

Për dallim nga matematika, ekonomia e historia, në mjekësi, mjekët kanë obligime krejt tjera. Kirurgët kur e bëjnë operacion dikend prej kancerit, luftojnë ta operojnë e ta gjejnë me ndihmën e mikroskopave elektronik edhe qelizën e fundit të kancerit.

12-4. Shkaku i vrasjes së Kadri Zekës sipas Apostol Dukës

Apostol Duka: “Kadri Zeka u vra SEPSE në orët e vona të natës tragjike të 17 janarit shfaqi dëshirën po aq njerëzore të shkëmbente, përmes telefonit që ndodhej rrugën matanë shtëpisë së Jusuf e Bardhosh Gërvallës, dy fjalë zemre. Dhe luftëtarët profesionistë, njëlloj si aviatorët, marinarët dhe minatorët, gabojnë vetëm një herë në jetë.” (Vrasje në Shtutgart, Tiranë 2009, faqe 392)

Pse u vra Kadri Zeka, sipas biografit të tij Apostol Duka?

Sepse ka dashtë të shkëmbente dy fjalë zemre. Pra sipas biografit Apostol Duka motivi politik bien në rend të dytë. Po të mos e kishte bërë atë gabim, të vetmin në jetë, Kadri Zeka nuk do të vritej dhe para një rreziku të tillë nuk do të ndodhej më në jetë. Po të mos e kishte bërë atë gabim Kadri Zeka, të vetmin në jetë, vrasësit që e kishin rrethuar shtëpinë e Vëllezërve Gërvalla do të ktheheshin nëpër shtëpitë e tyre, si gjahtarët kur kthehen në mbrëmje nëpër shtëpia dhe i ankohen njëri-tjetrit se sa për pak i ka shpëtua lepuri.

Vëllezërit Gërvalla nuk janë vra për shkak të punëve private e bisedave private, dhe as për shkak të aktivitetit politik të maskuar me ide komuniste, të Kadri Zekës, por vetëm e vetëm për shkak të luftës së tyre nacionalçlirimtare për popullin shqiptar nën Jugosllavi. Vrasësit e Serbisë e kanë rrethua shtëpinë e tyre sepse aty ka banuar Jusuf Gërvalla dhe jo për shkakun pse aty qenë mysafir rasti Kadri Zeka, i cili sipas Apostol Dukës dhe informatorëve të tij, ka ardhë gabimisht, ka ardhë për me gabua, ka ardhë për ta bërë të vetmin gabim në jetë.

12-5. Tri gënjeshtra historike për Kosovën

Mehmet Hajrizi: “Në natën e 17 janarit 1982, në Untergruppenbach të Gjermanisë, kanë ndodhur tri ngjarje historike për Kosovën: në bazë të Tezave të Frontit Popullor për Republikën e Kosovës, u arrit marrëveshja e tri organizatave çlirimtare shqiptare, u vranë tre sendërtuesit e atij bashkimi dhe pushoi së vepruari OMLK….” (Histori e një organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981, Tiranë 2008, f.11)

Jusuf Gërvalla nuk e ka ftuar Kadri Zekën të vjen nga Dusseldorfi tek ai në Shtutgart. Kurrfarë bisedimesh për bashkim nuk janë bërë. Tezat e Frontit Popullor për Republikën e Kosovës, Jusufi, pas kthimit nga panairi i librit në Frankfurt (në gjysmën e dytë të tetorit 1981) i ka hedhur në shportën e mbeturinave dhe për atë veprim kurrë nuk është pendua. Këtë e dëshmojnë të gjitha letrat e tij të shkruara pas dështimit të bisedimeve për bashkim në mes Kadri Zekës e Sabri Novosellën, në Stamboll, në mesin e tetorit 1981.

Jusuf e Bardhosh Gërvalla nuk janë vra pse kanë biseduar si me mysafir me Kadri Zekën, dhe as për veprimtarinë e OMLK-së, as për ideologjinë e maskuar e të rrejshme të revistës ”Liria” të OMLK-së. Jusuf e Bardhosh Gërvalla nuk janë kurrfarë sendërtuesish të ndonjë bashkimi me Kadri Zekën.

Jusuf e Bardhosh Gërvalla janë rrethuar nga UDB-ja jo pse e kanë pasë mysafir Kadri Zekën por vetëm e vetëm për shkak të luftës së tyre nacionalçlirimtare për popullin shqiptar nën Jugosllavi, për luftën e tyre të vërtetë, për ide të vërteta, janë vra si udhëheqës të Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe viseve të tjera në Jugosllavi.

OMLK-ja nuk ka pushua së vepruari më 17 janar 1982. Ajo ka vepruar deri në shembjen e murit të Berlinit. Vetëm pas shembjes së murit të Berlinit OMLK-ja e kupton se veprën e Jusuf Gërvallës nuk e tund asnjë tërmet. Vetëm atëherë e kuptojnë se tërmeti i Berlinit e ka lënë të paprekur shtëpinë e Jusuf Gërvallës, i kthehen asaj, gjithnjë me qëllimet më djallëzore.

Suzana Gërvalla: “Tash unë më nuk e shof as ORGANIN TONË, GAZETËN (Zëri i Kosovës-shën i Xh.D.) PËR TË CILËN E KA DHËNË JETËN BURRI DHE KUNATI IM e të cilën e punova unë me këto duar pse ska kush me ma que prej atjehit.” (Letër nga Tirana për Faridin Tafallarin, 22 shkurt 1983; Faridin Tafallari, Me tre yjet e pavdekësisë në ato vite të stuhishme, Tiranë 2010, faqe 77)

12-6. Kadri Zekës i binte barra e realizimit të projektit të Frontit

    1. Kudreti i Kadri Zekës kundrejt Ibrahim Kelmendit

    2. Kudreti i Kadri Zekës kundrejt Fazli Veliut

    3. Kudreti i Kadri Zekës kundrejt ish inspektorit të UDB-së Abdullah Prapashtica

    4. Kudreti i Kadri Zekës kundrejt Sabri Novosellës

    5. Kudreti i Kadri Zekës kundrejt Jusuf Gërvallës

Mehmet Hajrizi: “Më 1982, nga udhëheqja e saj, Organizata kishte të lirë vetëm Kadri Zekën, të cilit i binte barra e riorganizimit të radhëve dhe e realizimit të projektit të Frontit të bashkuar. Në krye të kësaj detyre, Kadri Zeka është vra bashkë me Jusuf dhe Bardhosh Gërvallën, më 17 janar 1982, pasi (sipas dëshmisë së bashkëveprimtarit të tyre, Ibrahim Kelmendit) kishin arritur marrëveshjen e bashkimit. Ata u vranë me qëllim që të dështonte bashkimi i radhëve të Lëvizjes.” (Histori e një organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981, Tiranë 2008 f. 307)

Mehmet Hajrizi thotë se Kadri Zeka ka qenë udhëheqës i padiskutueshëm si brenda OMLK-së ashtu edhe i pranuar nga të gjithë aktivistët e organizatave tjera. Të gjitha rrymat kanë qenë të përçara në mes veti. Vetëm OMLK-së ka qenë në qendër dhe e papërçarë me askënd. Çdo kush që ka pas mosmarrëveshje a keqkuptime, mos-përputhje, është drejtuar me ankesën e vetë tek instanca më e lartë tek instanca supreme – gjykatësi, kadia – Kadri Zeka.

Ibrahim Kelmendi: “Kurse në mërgatë, ti shoku Kadri ende nuk ke anëtarësuar njeri vetëm mban rreth vetës disa kandidatë simpatizantë që duhet ta plotësojnë stazhin para se t’i anëtarësoni.” (Atentatet, f.293)

Saime Isufi: “Për ato rrethana, ku pjesëmarrëse kam qenë edhe vetë, vërtetë secilin personazh e ke paraqitur të tillë siç pata mundësi t’i njihja edhe vetë.” (Letër I. Kelmendit, 5 mars 2007) 

I. Kelmendi: ”OMLK-ja… Jashtë Kosovës nuk besoj të ketë pasur anëtarë, pos Kadri Zekës.” (Atentatet, f. 330)

Saime Isufi: “Për ato rrethana, ku pjesëmarrëse kam qenë edhe vetë, vërtetë secilin personazh e ke paraqitur të tillë siç pata mundësi t’i njihja edhe vetë.” (Letër I. Kelmendit, 5 mars 2007)  

1.Kudreti i Kadri Zekës kundrejt Ibrahim Kelmendit

Kadri Zeka është bashkuar me Ibrahim Kelmendin, pas dështimit të bisedimeve me Sabri Novosellën në Stamboll, në mesin e tetorit 1981. Ibrahim Kelmendi së bashku me Kadri Zekën kanë bërë fushatë kundër Jusuf Gërvallës nëpër Gjermani e Zvicër. Pas vdekjes, 25 vjet pas vitit 1982, më 2007 Ibrahim Kelmendi e hedh poshtë rolin udhëheqës të Kadri Zekës dhe nuk e pranon si person qendror dhe e mohon se është bashkuar me te. Rolin e personit qendror Ibrahim Kelmendi e ka të rezervuar vetëm për veten. Kadri Zeka dhe Jusuf Gërvalla sipas I. K. kanë qenë shumë të përçarë ndërsa ai ka pasur raporte shumë të mira si me njërin ashtu edhe tjetrin. Ibrahim Kelmendi, si refer e gjykatës qendror në dasmën e Kadri Zekës i ka pajtuar Jusufin e Kadriun. Edhe Jusufi edhe Kadriu, gjithnjë sipas I. K. e pranojnë Ibrahim Kelmendin si refer e gjykatës.

Sa i përket projektit të Frontit të Mehmet Hajrizit, Ibrahim Kelmendi thotë se Fronti Popullor për Republikën e Kosovës është sakrifikuar nga Kadri Zeka për mos e turpnue, e mos e skuqë Frontin e Kuq, Frontin e Tanjugut, për cilin Front Jusuf Gërvalla ka dyshuar se në qendër të tij qëndron UDB-a, dhe në bazë të atyre dyshimeve i ka ndërpre të gjitha marrëdhëniet me Ibrahim Kelmendin, pas numrit të fundit të gazetës ”Bashkimi” në janar 1981. Ky pra është thelbi i kudretit të Kadri Zekës kundrejt Ibrahim Kelmendit.

2.Kudreti i Kadri Zekës kundrejt Fazli Veliut

Fazli Veliu: ”E shoh të arsyeshme të sqaroj se, ky bashkim është arritur më 1 e 2 janar të vitit 1982, në dasmën e Kadri Zekës, në Zvicër, kur të gjithë pjesëmarrësit, krushqit e dasmës ose të lirisë, pas fjalimit të Kadri Zekës, dhanë betimin për bashkim të radhëve brenda dhe jashtë vendit. Kjo ngjarje e bashkimit shënohet pas rënies së Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Badhosh Gërvallës, nga veprimtarët e të gjitha viseve të cilët çonin në vend mesazhet e të rënëve për liri, duke u betuar në veprën e Jusufit, Kadriut e Bardhoshit, në vazhdimin e luftës deri në fitore për çlirim e bashkim kombëtar. Për këto që përmendëm, kemi fakte, shënime drejtpërsëdrejti, incizime dhe filma, të cilët do t’i dorëzojmë te shtypshkronja, kur të botohet libri për këto.

Autori i këtij punimi pati një bisedë të gjatë, kokë më kokë më shumë se katër orë, me Jusuf Gërvallën, Kadri Zekën, më shumë se një orë me Bardhosh Gërvallën poashtu.” (Lëvizja; Themelimi i Lëvizjes dhe heronjtë e janarit 1982, Prishtinë 17 shkurt 2017, f.199-200)

Fazli Veliu nuk e pranon rolin udhëheqës, rolin qendror të Kadri Zekës, rolin e padiskutueshëm as në dasmën e tij, ashtu si mundohet ta paraqes Mehmet Hajrizi. Rolin qendror, rolin e referit, rolin e gjykatësit neutral Fazli Veliu e ka të rezervuar vetëm për veten e tij. Në këtë rol të referit e të gjykatësit, ai ka biseduar e i ka saslushit kokë më kokë, Jusufin e Kadriun katër orë, dhe me shumë se një orë me Bardhoshin. Ky pra është thelbi i kudretit të Kadri Zekës kundrejt Fazli Veliut.

3.Kudreti i Kadri Zekës kundrejt ish inspektorit të UDB-së Abdullah Prapashtica

Abdullah Prapashtica nuk e pranon rolin e Kadri Zekës si udhëheqës qendror, të gjykatësit neutral, për punët e bashkimit. Ai nuk e pranon atë rol, siç mundohet ta paraqes Mehmet Hajrizi. Pse? Sepse ish inspektori i UDB-së serbe, rolin e ideologut largpamës e të padiskutueshëm, rolin e referit e të gjykatësit neutral e ka të rezervuar vetëm për veten e tij. Falë largpamësisë së tij, nën influencën e tij bien të gjithë dhe mezi presin të udhëhiqen nga ai. Me udhëzimet e tij shpjegohet se si duhet me ardhë deri tek për-puthja e të gjithëve nën pararojën e Partisë Komuniste të inspektorit të UDB-së serbe. Fakti se Jusufi e Kadriu për-puthen plotësisht me ish-inspektorin e UDB-së serbe, merret vesh nga UDB-a dhe ajo kryen atentat jo ndaj ish-inspektorit të UDB-së, por vetëm ndaj mashave të tij. Ky pra është thelbi i kudretit të Kadri Zekës kundrejt Abdullah Prapashticës.

4.Kudreti i Kadri Zekës kundrejt Sabri Novosellës

Hasan Mala: “Kur është kthye Kadriu prej mbledhjes (në Stamboll – shën i Xh. D.) që kanë pas, unë kam qenë në panairin e librit në Frankfurt. Ishte edhe Ismail Kadareja, ishte edhe Isufi aty. Pak a shumë u njifshim me Isufin, por jo sa duhet. Kisha një respekt ndaj tij, ishte njeri i afërt. Vjen Kadriu aq i lodhur e aq i mërzitur sa nuk mundet me u marrë me mend, dhe më kapi për krahu e u ulëm rreth një tavoline.

        – Çka u bë puna si kaluat atje?

        – Kurrqysh hiq nuk kemi kalue!

        – Si?

        – Nuk kemi mund të bëjmë asgjë, por frikohem se është prishë puna edhe më shumë.” (Marrë nga filmi dokumentar “Ç’ke bërë sot për Kosovën?”, 1997)

Saime Isufi: “Më 18 tetor të vitit 1981, u nisa përsëri për në Zvicër. Kadriu nuk ndodhej në Zvicër. Ai kishte qenë në panairin e librit në Frankfurt dhe pastaj kishte udhëtuar me Bardhosh Gërvallën në Turqi, për bisedime rreth bashkimit të organizatave me udhëheqësin e LNÇKVSHJ, Sabri Novosellën. Në banesën e tij na priti Hasan Malaj, mua dhe Berat Luzhën. Me Hasanin, që atë natë udhëtuam diku në Gjermani për të marrë Kadriun. U takuam me Kadriun. Dukej shumë i lodhur, i rraskapitur, por edhe i dëshpëruar nga takimi që kishte pasur me Sabri Novosellën. Ai nuk i kishte përfillur, bile i kishte fyer e poshtëruar atë dhe Bardhosh Gërvallën.” (Apostol Duka, Vrasje në Shtutgart, f.98)

Ky pra është thelbi i kudretit të Kadri Zekës kundrejt Sabri Novosellës.

5.Kudreti i Kadri Zekës kundrejt Jusuf Gërvallës

Raportin e Kadri Zekës me Jusuf Gërvallën e kam shqyrtuar në hollësi në librin ”Lëvizja e Jusuf Gërvallës”, dhe në një pjesë të mirë në këtë punim, duke u bazuar 100% në faktet e lëna nga Jusuf Gërvalla. Prej kontakteve të para Jusufi i ofron çdo ndihmë Kadri Zekës e OMLK-së. Kjo ndihmë e pakursyer keqinterpretohet nga OMLK-ja dhe merret si dobësi e si dëshirë masoshiste e Jusufit për t’u dominuar nga Kadri Zeka dhe shokët e tij. Kjo lojë e OMLK-së me Jusuf Gërvallën dështon, merr fund përjetësisht më 15 tetor 1981 në Stamboll, gjatë takimit të Kadri Zekës me Sabri Novosellën e Bardhosh Gërvallën.

Sabri Novosella nuk i shkruan Jusufit për rrjedhën e bisedimeve në Stamboll. Pse? Sepse dëshmitar i bisedimeve ka qenë Bardhosh Gërvalla i cili e informon Jusufin për çdo fjalë që është thënë. Jusufi informohet për bisedimet edhe nga Kadri Zeka në panairin e librit në Frankfurt më 17 tetor 1981.

Jusufi i shkruan Sabri Novosellës një letër më 5 nëntor 1981, ku e jep mendimin e vetë për dështimin e takimit të Stambollit. Fakti vendimtar për përdorjen e shprehjeve të ndryshme të Jusufit në këtë letër janë përshtypjet e këqija që i ka nga takimi e shpjegimet e Kadri Zekës në Frankfurt.

-Jusufi pajtohet tërësisht me qëndrimet e mbajtura nga Sabri Novosella në Stamboll,

-Qëndrimet e Kadri Zekës e OMLK-së për bashkimin i quan të çoroditura,

-Ato qëndrime të çoroditura Kadri Zeka as rastësisht nuk ka pasur guxim me ia shpreh Jusuf Gërvallës në Gjermani, por ka menduar se ato ide të çoroditura mund të shiten vetëm në pazaret e Turqisë

Jusufi i quan Kadri Zekën dhe shokët e tij:

-megaloman,

-arrivist të revolucionit (arrivizëm= synimi për të çarë përpara, për të arritur një vend më të lartë në shoqëri e për të bërë karrierë me çdo mjet, edhe me mënyra të pandershme.)

-njerëz me ndjenja të epërsisë boshe mbi të tjerët,

-njerëz që duan t’i dominojnë të tjerët me çdo kusht

-njerëz të pasinqertë,

-njerëz që nuk e kanë merituar ndihmën e tij,

-njerëz që kanë bërë lojë të pahijshme me personin e tij.

***

Me iniciativë të Kadri Zekës bëhet organizimi i festës së 28 Nëntorit 1981 në Shtutgart, kur marrin pjesë vetëm aktivistët nga Zvicra dhe aktivistët nga rrethina e Shtutgartit. Po me iniciativë të Kadri Zekës vendoset që aktivistët e Gjermanisë veriore të mblidhen në Dusseldorf e të mos vijnë Shtutgart. Qëllimi i Kadri Zekës me festën në Shtutgart është përgatitja e terenit për një thirrje të rrejshme për një bashkim të rrejshëm, me titull ”Të gjithë në Front! Të gjithë për Frontin!”. Jusufi në festën e 28 Nëntorit nuk ka dijeni për ekzistencën e thirrjes ”Të gjithë në Front! Të gjithë për Frontin!”

Për këtë mbrëmje Jusufi e përgatitë fjalimin kryesor dhe e lexon, ku në mes tjerash u drejtohet të gjithë aktivistëve të Shtutgartit dhe Zvicrës, përfshi edhe Kadri Zekën:

Jusuf Gërvalla: “Po të kihet parasysh pesha historike e situatës aktuale, një detyrë prioritare del bashkimi optimal i organizatave e grupeve komuniste, patriotike e revolucionare, të cilat luftën kombëtare dhe shoqërore të popullit tonë të shumëvuajtur e marrin në tërë seriozitetin e saj. Ato grupe e organizata, që bëjnë lojën e “politikës së madhe”, lojën e arrivizmit revolucionar, të udhëhequra prej karrieristësh megalomanë, dhe ato që janë organizuar prej elementësh të dyshimtë e tani mbjellin në radhët e njerëzve tanë anarki dhe sjellin dezinformime në fitim të qeverisë së Beogradit, i ftojmë të heqin dorë nga rruga e tyre e gabuar.” (T’I JAPIM SHTYTJE TË RE LUFTËS)

Me fjalët ”Ato grupe e organizata, që bëjnë lojën e “politikës së madhe”, lojën e arrivizmit revolucionar, të udhëhequra prej karrieristësh megalomanë” Jusufi e ka fjalën pikërisht për Kadri Zekën dhe OMLK-në.

Jusufi, në sallë në prani të 150 aktivistëve të Zvicrës dhe Kadri Zekës, e lexon fjalimin ku (në thelb) thotë:

(-OMLK-ja) është organizatë që bënë lojën e “politikës së madhe”,

(-OMLK-ja) është organizatë që bënë lojën e arrivizmit revolucionar,

(-OMLK-ja) është organizatë që udhëhiqet nga karrieristë megalomanë.

 Me fjalët “dhe ato që janë organizuar prej elementësh të dyshimtë e tani mbjellin në radhët e njerëzve tanë anarki dhe sjellin dezinformime në fitim të qeverisë së Beogradit” Jusufi i ka parasysh veprimet e ish inspektorit të UDB-së serbe Abdullah Prapashtica. Jusufi i përdorë këto fjalë vetëm duke u bazuar në përmbajtjen e letrave personale që ia ka dërguar Sabri Novosella gjatë nëntorit 1981.

(VIJON …)

_______________

Në 41 vjetorin e vrasjes

QENDRA JUSUF GËRVALLA – AKTIVITETI I FUNDIT I KADRI ZEKËS NË DYSELDORF TË GJERMANISË (12-16.01.1982) DHE SKEMA E GËNJESHTRAVE TË IBRAHIM KELMENDIT PËR TAKIMIN ME JUSUF GËRVALLËN (11)

Nga Xhafer Durmishi – Pashtriku, më 15 shkurt 2023

Total
0
Shares
1 comment
  1. Politika e madhe e qeverise boterore sjell lojra te medha per fatet e njerezeve ne matriksat e tyre.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura