Pashtriku, 20 dhjetor 2020: Ultimatum për gjunjëzimin e Kosovës!?
Zakonisht, në çështjen e Kosovës, diplomatët ndërkombëtar e kanë më së lehti të bëhen yje politike, madje, tradicionalisht, duke e përkrahur pikëvështrimin e politikës serbe, pra, duke e përkrahur, në mënyrë dinake, të hapur dhe të nëndheshme, agresionin diplomatik serb kundër shtetit të Kosovës. Një ndër diplomatët, e BE-së, i cili, tani e sa muaj po e luan këtë rol, është edhe Mirosllav Lajçak, ndërmjetës evropian për negociatat Kosovë – Serbi. Ai, tani më, këto javët e fundit është me agjendë të ngjeshur dhe intensive, për të rikthyer palët në tryezën e negociatave. Pala shqiptare, Kosova, aspak nuk është e entuziazmuar me këtë trysni, presion të BE-së, sepse, në ndërkohë Serbia, e ka intensifikuar nga të gjitha anët ndërhyrjen e saj në punët të brendshme të shtetit të Kosovës. Aq është trimëruar, edhe nga pafuqia e Kosovës sa që, po arrin që me priftërinjtë të shkoj në Kullën e UÇK-së në Koshare dhe ta heq flamurin e ta përdhos në tokë, ta shkel më dy këmbët dhe, atë pamje filmike ta shpërndajë triumfalisht nëpër Serbi dhe nëpër botë. Është pala serbe, e cila është e interesuar për presionin e Lajçakun mbi Kosovën, për të rifilluar negociatat, sepse, po e kupton se, në raport me Kosovën, ka avancuar shumë, e ka përkrahjen e aleatëve të saj sllav në BE dhe, edhe më shumë se kaq. E kupton se, diplomacia evro – perëndimore nuk e ka Kosovën në plan të parë, ndërkohë që, Serbia është sferë e interesit gjeopolitikë për diplomacinë evro-perëndimore, madje, aktualisht edhe për administratën e Trumpit.
Lajçak, tani më, pas një tërheqjeje të habitshme të SHBA-ve, nga pozicioni që, ato të jenë bartëset kryesore të negociatave Kosovë – Serbi, sikur është trimëruar dhe, me të gjitha kapacitetet diplomatike është vënë në veprim, herë vjen në Prishtinë e herë shkon në Beograd. Platforma e tij, është mirë e përpunuar, si zakonisht në Bruksesl, në marrëveshje me Beogradin zyrtar dhe Moskën. Ajo platformë e diplomacisë së nëndheshme evropiane, përkatësisht serbo – ruse, është tejet e rrezikshme për pavarësinë e vendit tonë. Prandaj, Lajçaku, hapur e pa asnjë mëdyshje, tërë presionin po e drejton ndaj Kosovës, ndaj udhëheqjes, edhe ashtu të përgjumur dhe të pa organizuar politikisht. Udhëheqja e Kosovës, është e pafuqishme, e pa organizuar e përçarë, në çështjet thelbësore për interesin kombëtar. Nga një anë, është nën presionin e kërcënimit nga Gjykata Speciale, kurse nga ana tjetër, është e përçarë nga lufta për pushtet. Pasi, e ka detyruar, udhëheqjen e Kosovës, që, duke braktisur temat e të pa gjeturve, çështjen e padisë ndaj Serbisë për gjenocid, pastaj, çështjen e dëmeve të luftës, të rri e heshtur dhe e vendosur, Lajçaku, e shtyn çështjen e ngritjes së çështjes së formimit, themelimit, vënies në veprim të Asociacionit. Pra, pasi e ka detyruar udhëheqjen e Kosovës të pranoi të ulet në bisedime me Serbinë, në një kohë shumë të pa përshtatshme për vendin tonë, Lajçak, me strategjinë, mirë të përpunuar, imponon çështjen e formimit dhe vënie në veprim të Asociacionit.
Lajçaku, është me kombësi sllave, dhe ky fakt është shumë i rëndësishëm për të qartësuar, se , kujt do t’ia mbajë anën, në rolin e ndërmjetësit të negociatave Kosovë – Serbi. Ai vjen nga shteti, Sllovaki, e cila është njëra ndër shtetet, anëtare të BE-së e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Vjen nga shteti, i cili, pikërisht në kohën kur, Lajçaku ishte Ministlr i Jashtëm nuk e votoi pranimin e Kosovës në UNESKO. Lajçak, kishte deklaruar se, Brukseli zyrtar e kishte lutur që ta pranonte postin e ndërmjetësit në bisedimet Kosovë – Serbi. Por, ai gënjen, mashtron, sepse, në fakt, derisa ishte Ministër i Jashtëm i Sllovakisë, partia e tij politike kishte pësuar humbje. Dhe, duke pasur parasysh humbjen e partisë së tij, Lajçak kishte bërë kërkesë, lobim për ta fituar pozitën, të cilën tani e mban?! Ndryshe, Lajçaku kishte paralajmëruar se, marrëveshja finale Kosovë- Serbi do të arrihet në mars të vitit 2021, që, nënkupton se, Lajçaku, qëllimisht, për arsye të një suksesi ose jo të karrierës së tj diplomatike, po bën presion ndaj palës shqiptare! Kjo, mund të shihet edhe nga fakti se, Lajçaku, asnjëherë nuk ka kërkuar nga Serbia që, nga preambula e Kushtetutës së Serbisë të hiqet emri Kosovë, si “ pjesë përbërëse e Serbisë”! BE-ja, ekipit të Lajçakut, për vitin e parë të mandatit i ka dhënë 1. 2 milion E.
Presioni i Lajçakut për ndryshimin e Kushtetutës
Çështja e Asociacionit është në interes të drejtpërdrejt të Serbisë, sepse përmes kësaj teme, Serbia e bllokon edhe për një kohë, debatin, negociatat për njohjen e Kosovës, shtet i pavarur dhe sovran. Asociacioni, jo vetëm që, sipas Serbisë, e forcon pozicionin e serbëve të Kosovës, për siguri të plotë në hapësirën etnike të kësaj bashkësie, por, në fakt, siguron kushte, rrethana që, në një të ardhme jo të largët, serbët kosovarë, përmes Bashkësisë Serbe, Kuvendit të saj, t’i shtrojnë kërkesat tjera, për një pavarësi sa më të madhe nga sistemi i juridiksionit të Kosovës, përkatësisht, ta kërcënojnë, sikur serbët e Republikës Serbe Prishtinën zyrtare për shkëputje nga Kosova. Për më tepër, Asociacioni i komunave serbe me të drejta ekzekutive, do të krijojë dy sisteme paralele të funksionimit juridik, kushtetues në Kosovë, dhe, në rrethanat e tilla, Kosova nuk mund të jetë shtet funksional, por, shtet, i cili, rrezikohet nga serbët kosovarë dhe nga shteti i tyre amë, Serbia! Natyrisht, në kuptimin dhe në strategjinë afatgjate, gjithçka mund të shkoi në dobi të Serbisë, e cila, në rast se për serbët kosovarë, siguron Asociacion me elemente ekzekutive, pra, me krijimin e Kuvendit të Bashkësisë Serbe/ Asociacionit, atëherë, drejtpërdrejt vështirësohet, që, mbi Kushtetutën ekzistuese të funksionoi shteti i Kosovës. Madje, nëse,plani serb, i përkrahur edhe nga aleatët e saj në BE, Rusinë, do të kishte sukses, atëherë, në një të afërme të largët, sidomos në varësi të zhvillimeve në rajon dhe më gjerë, Serbia do të trimërohet që, Veriun e Kosovës ta pushtojë dhe t’ia bashkëngjis shtetit serb. Mbi këto pikëvështrime duhet parë edhe ultimatumet, qëndrimet dhe pikëpamjet e emisarit të BE-së për Kosovën, Mirosllav Lajçak. Lajçak, në mënyrë jo diplomatike, po ia mbanë anën Serbisë dhe, aleatëve të saj. Ai, po insiston që, Kosova të fillojë zbatimin e, siç e thotë ai premtimit të dhënë lidhur me Asociacionin, premtim i dalë nga marrëveshjet në Bruksel. Madje, në Prishtinë, në formën urdhëruese, deklaroi që, Kosova duhet ta zbatojë nënshkrimin e dhënë për Asociacionin. Foli, Lajçaku, sikur të kishte folur Vuçiçi, foli aq ashpër dhe në mënyrë ultimative, sllovaku i trimëruar, doke na e quar mallin siç fliste dikur Millosheviçi, kur më 1987, 1988, 1989,jepte urdhrin që, para rrënimit të autonomisë së Kosovës, të ndryshohej Kushtetuta e Kosovës! Me të njëjtin ultimatum, Lajçak, në Beograd, ripërsëriti se:” Kushtetuta nuk është Bibël që të mos ndryshohet”! Ne, nga perspektiva shqiptare, nga këndvështrimi i vërsuljes së Serbisë, BE-së, këtë kërkesa të sllavit Lajçak, nuk mund ta kuptojmë ndryshe përveç se, shprehje e mentalitetit të nacional – fashizmit serb, që, të na detyrojnë ta ndryshojmë Kushtetutën e Kosovës, për t’i krijuar hapësirë juridike themelimit të Asociacionit të komunave serbe në Kosovë! Pra, për ta t’i rrezikuar themelet e pavarësisë së Kosovës!
Po përse, Lajçaku nuk i kërkoi Serbisë që, nga Kushtetuta e saj ta heq, në preambulë ta heqë formulimin në të cilin shkruan se Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë?! Ndoshta, ai, sikur shteti të cilin e përfaqëson, vërtet mendon se, Kosova është pjesë e Serbisë?!
E gjithë kjo vërsulje dhe kjo demokraci e rrethuar e Kosovës, në kohën kur Serbia, po forcohet gjithnjë e më e fuqishme në planin diplomatik, ndërkombëtar, kur po armatoset nga të gjitha anët, kur Dodiku dhe Republika Serbe, hapur paralajmërojnë bashkimin me Serbinë, kur, BE-ja vazhdon ta përkëdhel Serbinë dhe aleatët e saj, kur Rusia dhe Kina, i forcojnë lidhjet me Serbinë, kur, SHBA-të tërë vëmendjen e kanë zhvendosur nga Ballkani, për shkak të zgjedhjeve presidenciale, kur, Shqipëria vazhdon të ketë vështirësi, mosmarrëveshje dhe përplasje midis pozitës dhe opozitës, kur, klasa politike në Kosovë nuk ka unitet, nuk ka strategji dalëse nga ballafaqimi me Serbinë!
Prishtinë, 20 tetor 2020