PROF.AS.DR.VANGJEL KICI: SIKUR TË ISHA KRYEMINISTËR I SHQIPËRISË

 Kanada/Toronto, 28. 08. 2013 – Sikur të isha kryeministër i Shqipërisë… Para së gjithash do të ndiqja një politikë, e cila do t’i shërbente bashkimit kombëtar, fillimisht bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Politika, se bashkimi ynë kombëtar do të bëhet me futjen në Europën e Bashkuar, është një mashtrim. Në Europën e Bashkuar janë, për shembull, Franca dhe Gjermania. A janë ato të bashkuara? Përkundrazi, kanë kufij të prerë dhe të palëvizshëm ndërmjet tyre. Ashtu do t’i kenë kufijtë edhe pjesët e trojeve shqiptare, të përfshira në shtetet e ndryshme ballkanike të Europës së Bashkuar. Mendimi, se kufijtë në Europën e Bashkuar do t’a humbasin kuptimin e tyre, është një përrallë dimri. Ndarja na ka bërë t’i ngjajmë një organizmi, të cilit i mungojnë disa pjesë, sikurse janë syri, dora, këmba dhe sidomos një pjesë e trurit…, prandaj jemi të çoroditur dhe të pafuqishëm. Bashkimin kombëtar do t’a bëja në mënyrë paqësore dhe në bazë të parimeve të njohura dhe të pranuara botërisht.
Shtyrja e kohës për bashkimin kombëtar është shumë e dëmshme.
Pse?

Sepse çdo ditë që kalon, popullsia shqiptare në trojet e veta në shtetet fqinje ose asimilohet, ose detyrohet qëllimisht që të largohet në emigracion.

Në planin politik në Shqipëri do të zbatoja modelin e kapitalizmit shtetror. Ky model kapitalizmi ndodhet ndërmjet kapitalizmit dhe socializmit. Kapitalizmi shtetror është rruga e mesme. Ai është rruga e artë. Atë po e zbatojnë me shumë sukses disa shtete, për shembull Norvegjia, dhe ajo ka zhvillim të jashtëzakonëshëm. Populli norvegjez ka nivelin më të lartë të mireqënies në botë. Nga ky shtet i vogël duhet të marrim shembull në shumë drejtime. Norvegjia është shtet i Europës së Bashkuar dhe askush nuk e ka penguar atë për modelin që ka zgjedhur.
Çfarë do të bëja në ekonomi?
Do të vendosja dy përparësi për investime:
– Bujqësinë dhe
– naftën.
Në bujqësi do të mbështesja formimin e fermave private, të shkëputura nga shteti. Kjo kërkon bashkimin e trojeve. Për shembull, Republika Çeke dhe Republika Sllovake nuk i prishën kooperativat bujqësore të dikurshme, por i shndërruan në ferma private. Për organizimin e tyre mund të marrim shembull nga këto shtete.
Naftën dhe gazin, si dhe disa minerale strategjike, si kromi, baker-ari etj., do t’i bëja pasuri shtetrore. Tani ato janë “privatizuar” (shitur, grabitur), ose janë dhënë me konçensione. Sikurse financat, të gjitha këto “privatizimet” dhe konçensionet duhet të kontrollohen hollësisht nga shteti shqiptar dhe nga grupe ekspertësh europianë. Konkluzionet e tyre do të jenë të padiskutueshme.
Pse duhen bërë këto kontrolle?
Sepse dyshohet se janë bërë shumë abuzime dhe se është grabitur pasuria kombëtare në bashkëpunim me të huajtë. Në rastet, kur janë shkelur ligjet, dhe marrëveshjet janë në dëm të popullit shqiptar, të pezullohen marrëveshjet, liçensat, “privatizimet”. Pasuria t’i kthehet shtetit dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë.
Pse e konsideroj naftën si prioritare?
Sepse kam shumë besim se Shqipëria shumë shpejt mund të bëhet vërtet një vend shumë i pasur me naftë dhe gaz (si Norvegjia). Nuk është vetëm Shqipëria jugore me perspektivë për naftë, por e gjithë Shqipëria lindore dhe Kosova. Bëhet fjalë për perspektivë të përafërt me Azerbajxhanin, i cili do të furnizojë Europën me gaz dhe naftë. Gjëndja në naftë është katastrofike. Kështu e katandisi naftën qëllimisht qeveria Nano dhe sidomos qeveria Berisha.
A mund të rregullohet?
Po. Të ringrihen, fillimisht me kuadër të kufizuar, Institutet dhe ndërmarrjet e dikurshme të naftës. Të fillojë kërkimi i naftës në strukturat e cekta të Shqipërisë jugore. Njohim të tilla struktura, të cilat janë të gatëshme për shpim. Me një shpim me kosto rreth 4 milionë dollarë mund të zbulohet një vendburim i ri dhe shumë i rëndësishëm nafte. Ky vendburim mund të vihet në shfrytëzim brenda 2 vjetësh dhe me të ardhurat e tij nafta mund të rimekëmbet. Kur pusi i parë të ketë zbuluar naftë, po qe nevoja, të gjitha bankat janë të gatshme të japin kredi. Për zbulime të reja nafte të mobilizohen të gjithë gjeologët, gjeofizikët dhe inxhinjerët shqiptarë të shpimit, kudo qofshin. Në rast zbulimi, autorve t’u jepet e drejta ekonomike.
Për Shqipërinë lindore (brezi Mirditë-Kosovë) mendoj se nuk duhet as të shitet dhe as të jepet me konçensione.
Pse?

Sepse atje është pasuria më e madhe e pritëshme e naftës dhe e gazit në Shqipëri. Atje janë të njohura strukturat, ku duhet kërkuar. Ne mund t’i shpojmë vet, gradualisht dhe t’i shfrytëzojmë për mirëqënien e popullit tonë. Po t’i japim me konçensione, kompanitë e huaja do të na marrin qyl më shumë se gjysmën e naftës dhe të gazit. Në situata gjeologjike, të ngjashme me brezin Mirditë-Kosovë, në botë janë zbuluar rezerva shumë të mëdha nafte dhe gazi. Si shembull, për zbulime të mëdha nafte dhe gazi poshtë masivëve ultrabazikë, mund të shërbejë rajoni Coalinga në Kaliforni (USA).
Prandaj, rekomandoj të kryhen punime gjeofizike (sizmike, gravimetrike dhe magnetometrike) në njërin masiv ultrabazik të brezit Mirditë-Kosovë. Këto punime mund të bëhen, me pagesë, nga një kompani e huaj prestigjioze, për shembull norvegjeze. Në rast se poshtë vërtetohet ekzistenca e strukturës gëlqerore, që është shumë e mundur, të shpohet një pus kërkimi. Rezultati i tij, shumë i pritshëm pozitiv, do të çonte në zbulime seriale në masivët e tjerë të shumtë dhe gjigantë në brezin Mirditë-Kosovë. Kështu do të hapej porta për një zhvillim të madh ekonomik në Shqipëri dhe në Kosovë. Ka shumë rëndësi që ky brez të jetë pasuri vetëm e shqiptarve. Kështu do të hapeshin fronte pune në mënyrë masive dhe të përherëshme. Do të zgjidhej përgjithmonë problemi i punësimit jo vetëm për banorët e vendit, por edhe për shqiptarët që janë në emigracion. Të ardhurat e mëdha, që do të vinin nga këto pasuri, do të mbushnin arkën e shtetit dhe jo të hajdutve. Shteti ligjor do t’i përdorte këto të ardhura për mirëqënien e popullit:
– Do të rriteshin pagat dhe pensionet, do të investohej:
1. në bujqësi,
2. shëndetësi,
3. mbrojtje,
4. turizëm,
5. arsim,
6. kulturë,
7. shkencë,
8. art,
9. sport…..

Populli shqiptar do të jetonte i lumtur në trojet e veta. Pra, gjërat mund të rregullohen lehtë, po të ketë dëshirë dhe qëllim të mirë. Nuk ka pse të jemi aspak pesimistë. Mirë thonë: “Djalli nuk është aq i zi sa e pikturojnë”. Populli ynë nuk është më pak i aftë se popujt e tjerë, që jetojnë të lumtur.


– Autori është gjeolog i shquar, jeton në Toronto të Kanadasë.

*   *   *

PROF.DR.VANGJEL KICI: NAFTA SHQIPTARE DHE POLITIKANËT E KORRUPTUAR
https://pashtriku.org/index.php?kat=43&shkrimi=1762

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura