REXHEP KASUMAJ: APATRIDËT PUSHTETARË!

Berlin, 22 mars 2018: Është e njohur në lektyrat shkollore, tashmë si rrëfenjza romantike, kur mbretër e sundtarë kanë marrë a dhuruar tokë për të nyjëtuar krushqitë e tyre politike.
Ka ndodhur, tutje, që territoret të kenë humbur në luftë. Ose në Konferencë paqeje ku prente fijet vullneti i kancelerive që nuk i lëvizin dot dhimbja, e drejta dhe lotët.
Janë tregtuar, poashtu, troje nga traktate të diplomacisë së fshehtë me damkën e renegatëve që trathtojnë qumshtin e nënës, pa të cilët, ashtu si pa të marrët, nuk është kurrë ky Dhé.
Mirëpo që vota e lirë parlamentare të përligjte solemnisht falje territori shtetëror me flamuj e lavdi ngadhnjimi, shoqëruar njëj gëzimi zulush të turmës – këtë nuk e kam dëgjuar kurrë ndër popuj historikë.

Demosi i këtij nënqielli, në fakt, s’ka kujtesë lirie dhe, i tillë, është lehtësisht i sundueshëm. I shkretë. Entusiazmi i tij është parapolitik dhe, madje, primitiv. Të qenurit të gjithë skllevër e bënte të pashpresë dritësinë e perandorisë otomane, shkruan autori i pamëshirshëm i Princit. I pamëshirë, sepse vërtetë ashtu. Një saktësi e trishtë që dërgon shembëllimin e errtë akoma në kohën tonë.
Ndërsa turmësi, ky anonimat i pafund, nuk reflekton fare, sepse, thjeshtë, e mendon një luks për hallin e tij – klasa e të mundurëve të lirisë, një botë e iluminuar, është shmagjepsur nga përdhosja e saj. Dhe të dy palët bashkë, janë shndërruar në alienë socialë që vegjetojnë margjinave të jetës.
Ndërkaq, ka një peng thelbësor që bën të kujtohet demoniaku i shkollës politike. Një peng i lig, gjiriz kënetor i ndaluar deri në mëkat, shplarës truri dhe ndotës higjiene nacionale. Është rrethi i oligarkëve që, pa kulturë faji apo turpi, bëjnë një racë të veçantë. Ata ndjehen, thjeshtë, apatridë. Me vendlindje, por të paatdhe. Atdheu i tyre, ashtu si për krimin transnacional, s’është votra përlindëse, veç dhuna, hajnia, trafikimi, kartelat, mafjovegëzat, poshtërimi i njeriut të nënvënë a shprishja e të gjitha indeve ekzistenciale të kombit…
Dhe është pikërisht ky soj apatridësh vullnetarë që vulosin fatet e Kosovës, sot.
E, ndoshta, nesër e përherë!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura