Tiranë, 07. 02. 2016: Kalaja e Dorzit është një nga përmendoret më të hershme dhe me vlerë të madhe historike, e cila ndodhet në fshatin me të njëjtin emër në Komunën e Pezës të rrethit të Tiranës. Ajo gjendet disa kilometra larg qendrës së Pezës së Madhe, në rrjedhën e sipërme të përroit të Shpatit.
Kalaja e Dorzit është ndërtuar në majën e kodrën Rrasa e Karave. Maja e kësaj kodre shpatin verior e ka me rënie mjaft të pjerrët, afërsisht 90 gradë, kështu që në këtë anë kalaja nuk ka mure, por ndërtuesit kanë shfrytëzuar formën e përshtatshme të terrenit malor. Edhe shtresat e gëlqerorëve në drejtim të veriut ngrihen lart, sepse rënia e tyre përgjithësisht është në drejtim të jugut me kënd rreth 45 gradë. Në të tri anët e tjera Kalaja e Dorzit ka pasur mure të fuqishme të ndërtuar prej guri, që pjesërisht ruhen edhe sot. Muret e kalasë ndërtohen kryesisht me gurë të mëdhenj, në formë katër- këndesh me përmasa të përafërta: gjatësi 1-0,80 cm. X gjerësi 0,40 cm. X lartësi 0,40 cm. (fig. 1, B).
Përveç kësaj, në disa sektorë të murit të kalasë janë përdorur edhe gurë shumëkëndësh dhe të palatuar mirë (fig. 1, A). Ende nuk e dimë saktësisht çfarë lloji gëlqerori përbëjnë gurët e Kalasë së Dorzit, sepse nuk kemi marrë analizat, por duken sikur për përgatitjen e tyre është përdorur gëlqerori vendas, pra gëlqerori litotamnikë, nga i cili ndërtohet e gjithë kodra. Është e mundur që gurët të jenë sjellë nga ndonjë vend tjetër, sepse siç kam vrojtuar vitin e fundit gurë të njenjtë me këto të Kalasë së Dorzit ka rrallë edhe në Kalanë e Durrësit.
Një gurë i tillë ndodhet në murin e kësaj kalaje pikërisht në oborrin e pijetores “Kalaja”, pranë xhamisë së Durrësit. Por në këtë rast nuk vendosen direkt njëri mbi tjetrin, por lidhen me llaç. Siç duket ky gur është marrë nga ndërtimet e vjetra të Kalasë së Durrësit. Kjo mendoj se hedh dritë në faktin se Kalaja e Durrësit ka qenë më parë ndërtuar nga pellazgët dhe më vonë muret e saj u rindërtuan, duke marrë gurë nga kalaja e vjetër.
A – me gurë të pa gdhendur mirë, B – mur me gur si bllok me bazë katërkëndëshi, të latuar mirë, vendosur pa llaç.
Gurët në Kalanë e Dorzit vendosen njëri mbi tjetrin pa lidhës ose llaç, siç veprohet në ndërtimet e sotme.
Lidhur me kohën e ndërtimit të Kalasë së Dorzit, pra mbi vjetërsinë e saj, janë shprehur mendime të ndryshme. Për këtë kala me vlera të mëdha historike, në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar (1985) shkruhet se është ndërtuar rreth shekullit të VI-të para erës sonë nga ilirët. Në Historinë e Popullit Shqiptar, vëllim I, të botuar nga Akademia e Shkencave të RSh, Tiranë, 2002, thuhet gjithashtu se kalaja është ndërtuar nga ilirët. Në këtë vepër nuk përmenden fare pellazgët dhe historia e popullit tonë fillon me ilirët.
Në veprën e studiuesit amerikan Edvin Xhak (Jacks, Shqiptarët, Tiranë 1995, f. 28), për Kalanë e Dorzit dhe ndërtimet simotra të saj, si Akropoli i Athinës, kalaja e Leshanit pranë Elbasanit, kalaja e Trenit pranë Korçës, kalaja e Kalivasit pranë Sarandës, kalaja e Antipatreas në Berat etj. sillen të dhëna mjaft interesante dhe datohet të ndërtuar nga pellazgët, të parët tanë, rreth viteve 1500-1000 para erës sonë.
VENDBANIMET E REJA
Me zotërimin e lundrimit në dete të hapur gjatë Kohës së Bronzit dhe Kohës së hershme të Hekurit (mijëvjeçari i III deri në fillim të mijëvjeçarit të I p.e.s.) tregtia mori zgjerim të madh midis qendrave të banuara, si pasojë lindi nevoja për ngritje të qendrave të reja të banimit, sidomos gjatë bregdetit, por edhe në brendësi të tokës. Më të përmendurit në ndërtimin e këtyre vendbanimeve të reja kanë qenë fiset pellazge – Etruskët, Dorët, fisi i jonëve dhe ai i eolëve. Fillimisht banorët vendas ngritën faltoren dhe falltoren e Dodonës (pranë Janinës në Çamëri), për nder të Zeusit dhe të perëndive të tjera pellazge. Aty besimtarët faleshin dhe shtini fall për fatin e tyre. Dodona është qendra më e vjetër e besimit fetar në Europë, e ngritur nga pellazgët gjatë mijëvjeçarit të III p.e.s. Qendra tjetër e Zeusit dhe e perëndive të tjera pellazge ka qenë në malin e Olimpit në Thesali. Zeusi në Dodonë paraqitet si lis dhe nga shushurima e gjetheve të tij fallxhoret ose fallxhorët parashikonin fatin e ndodhive dhe të njerëzve. Edhe në ditët tona në Dodonë ruhet lisi i shenjtë. Zeusi paraqitej edhe si shqiponjë, e cila ishte lajmëtare e urdhrave të tij. Në raste të tjera Zeusi paraqitej si dem ose si mjellmë.
Harta e vendbanimeve (kolonive) të fiseve të ndryshme pellazge përgjatë brigjeve të Mesdheut dhe Detit të Zi gjatë shekujve 8-6 p.e.
Etruskët në vitet 1100-900 p.e.s. pushtuan Gadishullin e Apenineve, ndërtuan mjaft qytete, përfshirë edhe Romën, duke ngritur Qytetërimin e famshëm Etrusk, baza e zhvillimit të më vonshëm Latin. Fisi pellazg i dorëve kanë qenë të përhapur në Kretë (përmenden nga Homeri), Peloponez, në jugperëndim të Azisë së Vogël dhe shumë ishujve të Mesdheut, pjesën perëndimore të Greqisë së sotme, Korfuz, Epir. Ai përmendet në histori për ndërtime të mëdha. Dorët njihen edhe si ndërtues të Epidamnit (Durrësi i sotëm) në vitin 627 p.e.r., Apolloninë, vendbanimet Dorzi në Pezë dhe Dorzi pranë Librazhdit (sot ruhen disa rrënoja). Nga dorët ka mundësi të jetë ndërtuar fillimisht edhe kalaja e Ndroqit, ku qyteza mori emrin Andromaqi, për nder të princeshës së Trojës, bashkëshortja e princit Hektor, kryekomandantit të trojanëve në Luftën e Trojës rreth vitit 1250 p.e.s. etj. Një qendër banimi me emrin Apollonia është ndërtuar nga fisi i dorëve edhe në Afrikën e veriut. Jonët kanë ndërtuar mjaft qendra në Mesdhe dhe Detin e Zi përfshirë Marsaille (marr + sjell, Marseja e sotme), Istri dhe Odesa në Detin e Zi. Interesant është edhe një qendërbanim me emrin Himera në Sikeli ( si+kel= si kal, Sicilia e sotme), që ka mundësi të jetë i njëkohshëm me Himarën e sotme. Fisi i eolëve ka ndërtuar gjithashtu mjaft vendbanime dhe ata njihen si banorët e parë, që banuan Trojën pas Luftës së Trojës.
Kudo ndërtuesit e mëdhenj pellazgë vendbanimet që ngrinin i emërtonin ose sipas perëndive të tyre si Athena, Apollo (qytetet Athina dhe Apollonia, Poseidonia etj.), ose sipas gjuhës së tyre Marsailla (marr+sjell), Istri (is+tri=është tri), Aspend (a+spend=asht+shpend), Epidamn (e+pi+dam), Istri (Istria e sotme), Triest (tri+est = tri është, Trieste e sotme) etj.
Vendbanimet (apo kolonitë, siç i quajnë disa) përgjatë brigjeve të Mesdheut, Detit të Zi dhe më gjerë siç shihet janë ndërtuar nga fiset e ndryshme pellazge, gjatë Bronzit të vonë dhe Hekurit të hershëm dhe jo nga grekët e vjetër, siç i mendojnë disa gabimisht. Këto vërtetohen nga përkatësia etnike e këtyre fiseve me anë të gjuhës së tyre pellazge, por edhe me anë të zbulimeve të objekteve arkeologjike që janë ndërtuar nga fiset e ndryshme Pellazge. Prandaj neve shqiptarët kudo ku shkojmë përshtatemi shpejt, jemi si në shtëpinë tonë, sepse të parët që i bënë të banueshme në kohët e vjetra këto vende ishin të parët tanë Pellazgët Hyjnorë, të lindur nga toka mëmë dhe Zoti (Zeusi). Ata, duke qenë lundërtarë mjaft të zotë, nga një herë quhen popujt e detit, zbuluan të parët kontinentet e botës dhe i emërtuan Europa, Afrika, Azia dhe Amerika sipas gjuhës së tyre:
Europ = e+u+rop (est, asht u rop),
Afrik = a+frik (asht frik),
Azi = a+zi (asht zi),
Amerik = a+mer+ik (asht mer ik).
Karakteristikë e murit të ndërtimit të pellazgëve ka qenë se për ndërtim përdoreshin gurët e mëdhenj në formë blloqesh të mëdhenj me bazë katërkëndëshe ose shumëkëndëshe, të latuar mirë ose trashë, të vendosur njëri mbi tjetrin pa lidhës (llaç). Kjo dukuri vihet re kudo në muret e Kalasë së Dorzit.
Gjendja e ruajtjes së Kalasë së Dorzit nuk është fare e mirë. Në të nuk është bërë asnjë gërmim arkeologjik nga specialistët arkeologë, prandaj edhe shumë gjëra nuk dihen për te. Muret e saj në pjesën më të madhe janë të shembura, por në vende të ndryshme ato ruhen mjaft mirë, për tu vrojtuar. Siç del edhe nga fotografitë disa pjesë të murit ruhen në gjendje mjaft të kënaqshme. Muri është ndërtuar rreth e përqark majës së kodrës Rrasa e Karave, duke shfrytëzuar mjaft mirë vendosjen e Kodrës. Në anën veriore maja e kodrës është tepër e pjerrët deri në pamjen thikë. Prandaj në këtë anë nuk ka qenë e nevojshme të ndërtohej muri, sepse ishte vetë muri natyral i kodrës. Kjo anë e kodrës është e pakalueshme për njeriun dhe aq më tepër për mjetet, që ai mund të përdorte. Në të tri anët a tjera pjerrësia e kodrës është e butë, e kalueshme nga njeriu dhe mjetet e tij. Prandaj në të tri këto anë ka qenë ndërtuar muri i lartë me gurë të mëdhenj (shih fotot). Vetëm pjesë të këtij muri ruhen sot. Duke bërë një krahasim të murit të Kalasë së Dorzit me murin e kalasë së Kalivosit (Sarandë), pjesë të së cilës ruhen në oborrin e Muzeut Kombëtar në Tiranë vihet re ngjashmëri e madhe në formën e gurëve të përdorur dhe mënyrën se si ato vendosen njëri mbi tjetrin pa llaç ( foto 11).
Ngjashmëri të madhe kanë këto dy vepra të mëdha historike shqiptare me muret e ndërtimeve në Mikenë (gjendet në Peloponezin e sotëm) (foto 12), që përfaqësojnë qytetërimin mjaft me famë dhe të rëndësishëm me të njëjtin emër. Duke u nisur nga të dhënat e Zhakut (1995) dhe të ngjashmërisë së madhe ndërmjet mureve të tria këtyre veprave monumentale, mendoj se Kalaja e Dorzit si dhe ajo e Kalivosit nuk janë ndërtuar nga ilirët, por janë ndërtime shumë më të hershme, të ndërtuar nga pellazgët.
Është e domosdoshme, që në Kalanë e Dorzit të ndërmerren gërmimet profesionale arkeologjike, para se atje të futen amatorët, sepse jam i sigurtë se do të gjinden mjaft objekte me vlerë të madhe historike. Kështu do të ndriçojmë më mirë historinë tonë të lashtësisë. Kështu do të vërtetohet, që kultura e popullit shqiptar nuk fillon në shekujt V-III para erës sonë, pra me ilirët. Fillimet e saj janë shumë më në lashtësi, rreth 10.000 vjet para erës sonë, kur njeriu i kohës së gurit filloi të civilizohet doradorës në kohërat e Gurit të mesëm dhe të vonë, Bronzit dhe Hekurit, që lidhen me formimin e popullit pellazg. Mjaft më vonë në mijëvjeçarin e fundit para erës nga pellazgët e lashtë lindët ilirët, maqedonët, thrakët, epirotët etj. Arbanët (albanët siç na thërrasin të huajt) dhe shqiptarët, siç e njohim neve veten, janë zhvillime të më vonshme të këtyre popujve.
Nga kjo rrjedh se zbulimet tona arkeologjike duhet të rishikohen lidhur me datimin e tyre dhe përkatësinë fisnore. Shumë prej tyre, ashtu si Kalaja e Dorzit, janë shumë më të vjetra seç datohen në librat tanë dhe nuk i përkasin ilirëve, por pellazgëve.
_______________
BIBLIOGRAFIA
1985: Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, Tiranë
Xhak Edvin (Jacks) 1995: Shqiptarët, Tiranë 2002: Historinë e Popullit Shqiptar, vëllim I, Akademia e Shkencave të RSh, Tiranë
Pilika Dh. 2004: Pellazgët, origjina jonë e mohuar, Tiranë 2004
Peza L. H. 2005: Pellazgët protagonistët e Luftës së Trojës, gaz. INTEGRIMI 6-9 janar 2005
Peza L.H. 2005. Dodona, gaz. REPUBLIKA, 25 nëntor 2005
Peza L.H. 2006: Shkrimi më i hershëm i shqipes. Gaz. REPUBLIKA, 17 qershor 2006
Peza L.H. 2006. Trojanët dhe lufta e Trojës. Gaz. REPUBLIKA
Peza L.H. 2007: Aleksandri i Madh i Maqedonisë (Leka i Madh). Gaz. REPUBLIKA, 1 mars, 2007
Peza L. H. 2007. Shpifësi që kafshon historinë tonë. Gaz. Republika, 8 shtator 2007
Peza L. H. & Peza L. 2007. Shkrimi i “ Linearit B të Mikenës” është në gjuhën pellazgo/shqipe. Gaz. Republika 2 dhjetor 2007.
………………………………………………………….
ATLLASI FOTOGRAFIK (Foto L. Peza)
Kodra Rrasa e Karave (Dorëz), ku ndodhet Kalaja e Dorzit.
Maja e kodrës, rreth së cilës (djathtas në foto) janë muret e kalasë.
Mure të kalasë së Dorzit, pjesa veriore, gurë të latuar trashë.
Muri I Kalasë, pjesa perëndimore, gurë të latuar mirë.
Mure të kalasë me gurë të punuar mjaft mire, port ë rrëzuar.
Mure të kalasë me gurë të punuar mirë.
Muri dhe porta hyrëse në kalanë e Kalivosit (Sarandë)
Muri rrethues dhe porta hyrëse në Mikenë. Civilizimi Mikenës, rreth viteve 1900-1200 p.e.s. ka qenë i përhapur në të gjithë Pellazgjinë (Ballkani i sotëm), por qendra më e madhe e njohur është në Mikenë (Peloponez). Në gurët e bazës së portës duken ende gjurmët e rrotave, që kanë kaluar mbi të.