PROF.DR.ABDULLA MEHMETI: BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË NUK ËSHTË BASHKIM KOMBËTAR!

Tetovë, 26 prill 2017: Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë nuk duhet të shitet si ide e bashkimit kombëtar. Nuk ka asnjë projekt më të leverdishëm për propagandën serbe dhe ruse nëse trumbetohet në këto rrethana bashkimi i Kosovës me shtetin amë, Shqipërinë, përderisa mbeten jashtë këtij projekti politik më tepër se gjysma e territoreve etnike, sa kanë këto dy shtete së bashku. Më mirë do të ishte nëse politikanët që e propagandojnë dhe mbështesin këtë ide, ta përmbyllin njohjen ndërkombëtare të shtetit të Kosovës; të përpiqen për anëtarësimin e saj në OKB, në institucionet ndërkombëtare, në radhë të parë në strukturat euroatlantike, se sa të shesin mjegulla për interesa politike ditore.
Përmes idesë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë në këto rrethana, Serbia nuk do të kishte siguruar advokatë më të mirë, sepse përmes kësaj ideje ajo e hap ndërkombëtarisht kontestin me Shqipërinë për ndarjen e Kosovës.
Aleatët e kombit shqiptar që kanë derdhur miliarda dollarë për çlirimin e Kosovës e dinë më mirë se si duhet të avancohet çështja shqiptare, se sa këta poltikanë që i kanë zhvatur fondet financiare për çlirimin e Kosovës dhe e kanë katandisur shtetin e Kosovës në gjendje që as armiqtë më të mëdhenj të saj nuk do të kishin arritur ta bëjnë, ndërsa Shqipërinë e kanë shndërruar në dele të zezë mes shteteve të Evropës, trojet shqiptare në çerdhe për rekrutimin e terroristëve, kopshte të kanabisit, kontrabandës dhe krimit të organizuar.
Nuk bashkohet kombi dhe Atdheu i coptuar nëse bashkohen kriminelët rreth një interesi të përbashkët, në shërbim të Serbisë dhe Rusisë! Para përfundimit të misionit të tyre, i Gjykatave dhe Prokurorive Speciale Publike, në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup, ju faleminderit për ,,bashkimin kombëtar” siç pretendoni Ju!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura