BEDRI ISLAMI: ULNI TURRIN O NJERËZ, KOSOVA NUK ËSHTË VETËM E JUAJA!

Kirchheim unter Teck (Gjermani), 03.12.2015: Albin…Mund të kishe një “ditë pushim”në 28 nëntor, sepse në Kosovë janë edhe burra të tjerë të mëdhenj, të cilët e dinë rrugën drejt zemrës së popullit të tyre dhe që i janë përkushtuar atij deri në flijimin e familjes. Polici e Kosovës…Shpesh herë ke pritur me ditë e me javë për të arrestuar njerëz të njohur me krimin. Muaj të tërë e dije dhe nuk e arrestoje vrasësin e policit Triumf Riza dhe, kësaj here, ngutshëm,përdhunshëm,sikur të ishte fjala për një të gjetur e kapur një togë krimi,shpërtheve në Vetëvendosje.Ulni turrin o njerëz, Kosova nuk është vetëm e juaja.
Sot në Kosovë, opozita, një treshe e bashkuar politike këtë kohë të trazuar, bëri protestën e saj të parë jashtë sallave të parlamentit dhe, thënë të drejtën, këtë lloj proteste, e pëlqej më shumë se gazsjellësit e hedhur nëpër sallën e Kuvendit apo lotsjellësit, që i përdor jo rrallë edhe Kurti.
E pëlqej më shumë këtë lloj proteste, pasi, kauza e një grupimi nuk është më vetëm e një grupi deputetësh e as vetëm një sherr që nuk të çon askund, por bëhet gjithnjë e më shumë një gjë e shtruar për zgjedhje, e cila, si ndodh rëndom, fillon në rrugë e sheshe e mbyllet pastaj në salla bisedimesh. Nuk ka ndodhur kurrë ndryshe; që të fillojë në salla dhe të përfundojë në rrugë e në sheshe. Dhe, nuk besoj se mund të ndodhë.
E drejta e protestës, sidomos kur mosmarrëveshjet janë të mëdha dhe të zgjatura, është e gjithkujt, është një nga përparsitë që të ofron sistemi i tashëm dhe njëra ndër mundësitë për të bërë publike mbështetjen tënde, edhe jashtë sallës së Kuvendit, edhe jashtë tubimeve partiake, edhe jashtë euforisë, duke i dhënë zemër njëri-tjetrit.
Aq më tepër, pas gjithë pikëpyetjeve që kanë lënë pas vetes dy nga vendimet më të rëndësishme të qeverisë së Kosovës, në akordancë edhe me pushtetet fqinjore; krijimi i Bashkësive me shumicë serbe, të cilat do të kenë një gjysëm juridiksioni edhe nga shteti serb, dhe, vija e demarkacionit me Malin e Zi, i i kanë bërë mosmarrëveshjet më shumë se sa brenda grupimeve politike; i kanë bërë çështje të të gjithë shqiptarëve.
Projekti i dukshëm i protestës së opozitës ishte ky: kundërshtimi i këtyre dy marrëveshjeve. Edhe unë, përsonalisht, jam kundër tyre, aq më tepër kur ende ka një mjegull të rëndë politike në përmbajtjen e tyre.
Projekti i padukshëm i protestës është ai që ka çdo opozitë në këtë botë: të marrë pushtetin, dhe kjo, edhe këtë herë është legjitime. Të qëndrosh gjatë në opozitë, kur e ndjen veten se je i aftë të qeverisësh, është gjë e rëndë për njerëzit e politikës.

Prishtinë, 28. 11. 2015: /Foto/ Albin Kurti duke folur në manifestimin e opozitës, me moton “Për Republikën” – kundër mërrëveshjeve për “Zajednicën” dhe “Demarkacionin”, si dhe momenti i arrestimi të tij në selinë e VV’së. /sh.b/

Çfarë ndodhi dje në Prishtinë?
Rreth 30 mijë vetë, sipas opozitës, dhe, rreth 12 mijë vetë sipas policisë, ishin dje në protestë. Duke marrë parasysh se ishte një ditë shumëfish e shënuar për shqiptarët, sidomos për shqiptarët në Kosovë, të cilët e lidhin këtë datë edhe ditëlindjen e heroit të Kombit, Adem Jashari, dhe me shfaqjen e parë publike të UÇK-së, opozita, edhe nëse kanë qenë 30 mijë vetë, nuk ka pse rrreh gjoksin. Por edhe qeverisja nuk ka pse të qetësohet nëse kanë qenë 12 mijë vetë.
Pas protestës, që ishte relativisht e qetë, megjithë frikën e policisë, ndodhën përplasjet e para, të cilat kulmuan me disa arrestime, njëra nga të cilat, më e pritshmja dhe e pritur jo vetëm nga të tjerët, por edhe nga ai vetë, ishte arrestimi i Albin Kurtit. Ishte një arrestim i paralajmëruar, i parathënë disa herë, i përndjekur nga policia për të shpënë në vend një vendim të prokurorisë, dhe i pritur, bile i shumë pritur, nga vetë Kurti, për të ndodhur një gjë e tillë.
Personalisht e kam ndjekur me vemendje rrugëtimin politik të Albin Kurtit, që kur ishte pjesë e katërshes drejtuese të Lëvizjes Studentore, së bashku me Driton Lajçin, Bujar Dugollin e Muhamet Mavrajn. E kam ndjekur me vemendje këtë rrugëtim pasi kam pasur gjithnjë shpresën se është tek ai një pjesë e mendimit të asaj pjese studentore, synimet e së cilës i shprehte mes terrorit e përndjekjes gazeta Bota e Re e studentëve.
Por, duke qenë i heshtur, nuk e kam përkrahur atë, jo sepse kishim ndryshime, por sepse ajo që më stepte ishte mendimi i shfaqur bujshëm se, vetëm pas Vetëvendosjes fillon gjithçka e drejtë në Kosovë. Mes Kurtit dhe dishepujve të tij kishte edhe njerëz që kishin qenë dikur pjesë e së njëjtës organizatë ilegale ku kisha qenë edhe unë, por që në kohën e luftës ishin mënjanuar, ishin trembur, kishin qenë pasivë dhe mllefin e tyre tani e shfaqnin më shumë ndaj shokëve të tyre të dikurshëm.
Drejtuesit e lëvizjes opozitare prej shumë kohe janë miq të mi, sidomos Ramush Haredinaj dhe Fatmir Limaj. Mes përzgjedhjes së kryeministrit midis, Haredinajt dhe Mustafës, një mijë herë do të kisha zgjedhur Haredinajn e asnjëherë Mustafën. Por politika është arti i së mundshmes dhe ky “lloj arti” solli në pushtet njeriun që kishte qenë pjesë e kabinetit të fundit millosheviqian në Kosovë, pinjollën e Rrahman Morinës, dhe e bëri kryeministër. Por edhe opozita e djeshme e kishte përzgjedhur fillimisht si Kryetar të Kuvendit e më pas si president, ndaj, në këtë spektër, nuk janë larg njëra tjetrës, as qeveria e sotme e as ajo që synonte të ishte në pushtet.
Policia e Kosovës ka deri më tash rreth 100 të arrestuar, shumica të rinj, e për më tepër nga familje të njohura për vazhdën e tyre në lëvizjen çlirimtare.
Ka disa arsye pse thashë që në fillim, mos e përdhosni 28 nëntorin.
Në tubimin e Prishtinës folën e dhanë mesazhet e tyre tre liderët kryesorë të partive opozitare. Thanë çka deshën të thonin e jo pak herë kishin të drejtën e tyre. Gjendja në Kosovë nuk është e mirë, ajo po keqësohet; lobi serb në Kosovë po fuqizohet përmes qeverisjes së sotme dhe ndërlidhjet mes qeverisë së Kosovës dhe qeverisë serbe po kthehen dalngadalë në një formë vasaliteti, që rrënon të shkuarën dhe sakrificën e gjakut të derdhur.
Mijëra vetë po e braktisin Kosovën, me mungesën e shpresës. Njerëz të politikës janë bërë njëkohësisht edhe njerëzit e pasur të Kosovës. Ia vlen të protestohet. Tre liderët thanë fjalën e tyre. Kurti është i katërti… Nuk e dinte ai vetë se kjo është një ditë e shënuar dhe se tani, statusi i tij, është i njëjtë me statusin e shumë të tjerëve në Vetëvendosje? Nuk e dinte ai se ishte bërë paralajmërimi i arestimit të tij dhe, nëse ndodhte kjo, domosdo do të kishte edhe trazira, përplasje, dhunë e përdhosje të një dite të shenjtë për të gjithë? Mund të kishte ndenjur një ditë pa folur, se nuk bëhet qameti, përkundrazi shtohet respekti ndaj tij. Karshillëku ndaj policisë, kur për më tepër ajo është thjeshtë organ ekzekutiv i një vendimi të prokurorisë, sjell pasoja, jo vetëm për një kauzë, por për një qëndrim të shumëfishtë. Nuk jam kundër Kurtit, ai, sidoqoftë, është një frenim i domosdoshëm në lukuninë qeverisëse, por jam kundër karshillëkut politik në ngjarjet e shënuara politike.
Policia, nga ana tjetër, bëhet edhe më miope, ajo vepron pa asnjë mendim logjik, të paktën kohor. Arrestimi i Kurtit bëhet në një mënyrë të tillë, sikur po vendoset fati i Kosovës dhe se aty brenda një selie, ndodhen bazat e terrorizmit në Kosovë. Karshillëk për karshillëk, përplasje forcash; njëra politike e tjetra policore; meskinitet i llogaritur si forcë apo si pasion pushteti, në një ditë përmes së cilës kanë lëvizur shumë gjëra të dobishme në të mirë të kombit.
Pastaj egërsia zbret në rrugët e Prishtinës, pamje që nuk kanë lidhje me asgjë që sjell qetësinë dhe paqëtimin. Ajo që përflitet në parlament, që po i ngjan gjithnjë e më shumë arenës se sa Kuvendit, shumëfishohet në rrugët e Kosovës, merr formën e përplasjes fizike, gjakimit dhe më pas, të revoltës, që nis si një protestë e përfundon si një gjakderdhje. Kurrë mos ndodhtë kjo e fundit.
Kam menduar se dita e 28 nëntorit do të ishte në Kosovë një ditë proteste dhe njëkohësisht një ditë mesazhi për të ardhmen. Nëse në pjesën e parë të kësaj dite ndodhi kështu, gjithçka tjetër u përflak në ashkun e karshillëkut, që askujt nuk i bën mbarë.
Jam i bindur, dhe e kam biseduar me shumë miq të mi deputetë të Kosovës nga PDK-ja, se, nëse projekti i Bashkësisë serbe dhe Demarkacionit do të shtrohej në parlament, as ata vetë nuk do e kishin miratuar. Sepse nuk e duan më pak Kosovën se sa e duan miqtë e tyre në opozitën e sotme.
Jam tronditur kur haptas, në parlament, një burrë trim dhe të përkushtuar si Kadri Veseli e quanin vrasës, pasi kishte qenë pjesë e rëndësishme e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe drejtues i Shërbimit Informativ. Dhe kjo vinte nga njerëz që e dinë krejt mirë jetën e tij. E kjo dramë politike, fillon e përhapet, ku njëra palë sheh përballë vetes krimin e pala tjetër sheh mashtrimin…dhe të gjitha për të shpërthyer në një ditë të tillë si 28 nëntori.
Albin… Mund të kishe një “ditë pushim” në 28 nëntor, sepse në Kosovë janë edhe burra të tjerë të mëdhenj, të cilët e dinë rrugën drejt zemrës së popullit të tyre dhe që i janë përkushtuar atij deri në flijimin e familjes.
Polici e Kosovës… Shpesh herë ke pritur me ditë e me javë për të arrestuar njerëz të njohur me krimin. Muaj të tërë e dije dhe nuk e arrestoje vrasësin e policit Triumf Riza dhe, kësaj here, ngutshëm, përdhunshëm, sikur të ishte fjala për një të gjetur e kapur një togë krimi, shpërtheve në Vetëvendosje.
Ulni turrin o njerëz, Kosova nuk është vetëm e juaja.

………………………………………………

Arrestimi i Albin Kurtit dhe aktivistëve të VV, më 28 Nëntor 2015…………………………………………………………………….

(Ilustrimet i përzgjodhi editori i pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura