PROF.DR.ABDULLA MEHMETI: DIALOGU I PAPËRFUNDUAR NDËRETNIK NË MAQEDONI PËR (PA)PERSPEKTIVËN E SHTETIT TË PËRBASHKËT

Tetovë, 29 shtator 2017: Shtetet fqinje të saj e kanë ndarë, coptuar dhe akupuar disa herë Maqedoninë përgjatë historisë dhe kanë ushtruar terror mbi popullatën vendëse, serbët kundër bullgarëve e bullgarët kundës serbëve, ndërsa një pjesë e kësaj popullate vendëse, sidomos pas pavarësimit të këtij shteti më 1991, vazhdimisht ka organizuar protesta me thirrje shoviniste e raciste vetëm kundër shqiptarëve vendës, bashkështetas të tyre! Cilat janë shkaqet dhe ku qëndron arsyeja e vërtetë?
Qeveria serbe dhe ajo greke (Micotakis-Milosheviq) hartuan plan për ndarjen e Maqedonisë (1992), një vit pas shpalljes së pavarësisë së këtij shteti, i cili u krijua më 1944 në rrethanat pas LDB, në një pjesë të territorit gjeografik të njohur historikisht si Maqedoni, për së dyti herë pas ndarjes së parë të saj, mes Serbisë, Greqisë dhe Bullgarisë, me Marrëveshjen e Bukureshtit, më 10 gusht 1913.
Përgjatë historisë, sidomos në gjysmën e parë të shek. XX, disa herë territori i Maqedonisë së mbetur, i njohur si Maqedonia e Vardarit, u okupua nga Serbia dhe Bullgaria. Edhe Greqia ka ushtruar dhunë e terror ndaj kësaj popullate sllave (të njohur si maqedonas të Egjeut) dhe e ka dëbuar me dhunë një pjesë të madhe të saj gjatë luftës qytetare në Greqi (1945-1949). Greqia është shteti i vetëm fqinj i Maqedonisë, që ka ngritur kontest kundër emrit të këtij shteti, duke vendosur bllokadë mbi 25 vjet (1993-2017) dhe duke e penguar këtë shtet në procesin e imtegrimeve në strukturat euroatlantike.

Asnjëherë popullata sllave në Maqedoni nuk ka organizuar protesta kundër politikave të hapura armiqësore të këtyre shteteve fqinje ndaj shtetit të Maqedonisë dhe popullit të saj; kurrë nuk janë dëgjuar thirrje shoveniste dhe brritma raciste kundër tyre, dhe mirë që nuk e kanë bërë këtë. Por, pse janë nxitur dhe organizuar pandërprerë protesta kundër shqiptarëve bashkështetas të tyre, kundër çdo kërkese të ligjshme të shqiptarëve vendës, që nga pavarësimi i këtij shteti më 1991 e deri më sot, në të cilat hapur janë bërë thirrje raciste, si: ,,Vdekje shqiptarëve”, ,,Dhoma gazi për shqiptarët”, ,,Shqiptari i mirë, vetëm shqiptari i vdekur” etj. Kjo çështje kërkon qasje serioze nga shteti dhe sidomos nga faktori ndërkombëtar dhe faktori politik shqiptar në nivel kombi, sepse kjo nuk është thjeshtë punë kalamajësh, por qëndrim i disa partive politike dhe subjekteve jopolitike në vend, me mijëra anëtarë dhe përkrahës të tyre!
Nisur nga këto fakte, shtrohet pyetja: ky disponim kundër shqiptarëve vendës, a është bindje e shumicës së popullës sllave vendëse në Maqedoni, si rezultat i propagandës politike, apo është rezultat i nxitjes nga jashtë, sidomos i qarqeve serbe e ruse, ndoshta edhe greke e bullgare?
Shpjegim për këtë duhet të japin vetë politikanët dhe intelektualët maqedonas, sidomos institucionet e pushtetit, ndërsa këtë duhet ta kërkojnë hapur politikanët, intelektualët dhe mediat shqiptare, për ta sqaruar një herë e mirë çështjen e perspektivës së këtij shtetit të përbashkët mes dy popujve dominues, shqiptarëve dhe maqedonasve, si edhe të tjerëve në Maqedoni. Për më tepër, ku shumë çështje kanë mbetur të pazgjidhura në këtë shtet, sidomos statusi juridik-kushtetues i popullit shqiptar, çështja e emrit të shtetit, definimi i përkatësisë etnike të popullit maqedonas (si sllavë apo pasardhës të maqedonasve antikë), si dhe integrimi i vendit në strukturat euroatlantike.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura