PROF.DR.ABDULLA MEHMETI: HESHTJA DHE MOSZGJIDHJA E ÇËSHTJES SHQIPTARE E RREZIKON ARDHMËRINË E MAQEDONISË

Tetovë, 24. 02. 2017: Në prag të formimit të çdo qeverie në Maqedoni zgjohen zërat e shovinizmit ndaj shqiptarëve nga joshqiptarët, sidomos nga qytetarët me përkatësi etnike sllave, maqedonasit dhe serbët e këtij shteti.
Duke qenë të painformuar me të kaluarën e vërtetë të këtij shteti, të indoktrinuar nga historiografia e falsifikuar dhe mashtrimi i vazhdueshëm nga qarqet politike në vend dhe nga jashtë, sidomos nga bota sllave, këta qytetarë mendojnë se janë pronarë të vetëm të këtij shteti dhe shqiptarët nuk duhet të kërkojnë prej tyre që t’ua falin të drejtat qytetare dhe kombëtare që nuk u takojnë.
Një pjesë të madhe të këtij faji e kanë vetë shqiptarët, subjektet politike, mediumet dhe elitat intelektuale, të cilat sillen në mënyrë inferiore ndaj kësaj çështje ekzistenciale për shtetin, si dhe ndaj këtij shfrenimi shovinist të elitave politike dhe intelektuale maqedonase kundër shqiptarëve, me të cilët i kanë detyruar rrethanat historike të jetojnë me shekuj afër njëri-tjetrit.

Për t’i dhënë fund këtij mashtrimi, propagande dhe shfrenimi shovinist të qarqeve politike, elitave intelektuale dhe disa mediumeve në gjuhën maqedonase, të cilat propagandojnë, shfaqin hapur mllef dhe urrejtje të pakontrolluar kundër shqiptarëve, është koha e fundit që të demantohen këto zëra, duke i heshtur një herë e përgjithmonë me forcën e argumenteve shkencore, edhe atë:
1. Asnjë shqiptar të mos pranojë të merr pjesë në debate dhe të bashkëpunojë me mediumet të cilat njihen si frymëzues dhe përhapës të kësaj fryme, të këtyre ideve dhe këtij shfrenimi shovinist antishqiptar;
2. Të japin dorëheqje të parevokueshme të gjithë anëtarët e Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve, të cilët e ndjejnë veten shqiptarë, përderisa nuk prononcohet kjo Akademi përmes një deklarate zyrtare se heq dorë dhe distancohet nga ideja e saj për ndarjen e Maqedonisë, në frymën e memorandumeve serbe, si dhe nga Enciklopedia antishqiptare e përgatitur dhe botuar nga po kjo Akademi, duke i kërkuar falje publike popullit shqiptar për falsifikimin e derisotëm të historisë së Maqedonisë, përjashtimin dhe mohimin e historisë, autoktonisë dhe identitetit të popullit shqiptar, nga formimi i këtij shteti në vitin 1944 e deri më sot;
3. Subjektet politike të shqiptarëve ta bëjnë publik qëndrimin e tyre përmes një deklarate politike në Parlamentin e këtij vendi, duke e njoftuar edhe faktorin ndërkombëtar, sidomos Kombet e Bashkuara, Këshillin e Evropës dhe institucionet tjera relevante se:
Në interes të paqes, sigurisë dhe prosperitetit të mëtejmë të këtij shteti, subjektet politike të shqiptarëve kërkojnë garanci ndërkombëtare me shkrim për pjesëmarrjen e tyre në qeveritë e ardhshme të këtij shteti, me qëllim të tejkalimit të krizës politike aktuale, si dhe të kërkojnë organizimin e një konference ndërkombëtare, me pjesëmarrjen e të gjitha shteteve fqinje të Maqedonisë dhe faktorit ndërkombëtar, ku do të diskutohej dhe vendosej një herë e përgjithmonë se ky shtet nuk mund të ekzistojë edhe më tej vetëm në saje të kompromiseve të vazhdueshme dhe tolerancës së shqiptarëve ndaj cilitdo regjim që instalohet në këtë shtet. Kjo konferencë duhet të vendosë sidomos për:
– konceptin e ri të shtetit dhe karakterin e tij në të ardhmen, në bazë të fakteve historike, gjendjes faktike dhe përbërjes etnike të tij;
– të përcaktohen afate konkrete për zgjidhjen e kontestit për emrin e shtetit, mes Maqedonisë dhe Greqisë;
– të përcaktohen kushtet dhe afatet konkrete për anëtarësimin e shtetit në NATO dhe BE;
– të iniciohen dhe kushtëzohen ndryshimet e domosdoshme në kushtetutën e vendit, ose të përgatitet kushtetutë e re demokratike dhe moderne, me çka do të zgjidhen të gjitha çështjet e hapura mes popujve dhe grupeve etnike në këtë shtet, dhe do të garantohen të drejtat e barabarta për të gjithë qytetarët e tij, pa dallim të përkatësisë etnike, fetare dhe gjuhësore, me theks të veçantë, popullit shqiptar t’i garantohet statusi i popullit shtetformues, me të gjitha të drejtat që dalin nga ky status, për barazinë e gjuhës shqipe, miratimin e simboleve shtetërore, himnit, stemës dhe flamurit të shtetit, në përputhje me përbërjen e etnike të shtetit, traditën, historinë, kulturën dhe identitetin e popujve dhe grupeve etnike që e përbëjnë këtë shtet.
Deri në sigurimin e garancive me shkrim nga faktori ndërkombëtar, subjektet politike të shqiptarëve të mos bëhen pjesë e asnjë qeverie të këtij shteti, duke marrë pjesë vetëm në Parlament, organin ligjvënës, deri në zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështje.
Me këtë do t’u krijohej mundësia dy koalicioneve të partive politike (shumetnike) të udhëhequra nga maqedonasit, të cilat e përbëjnë aktualisht shumicën absolute në Parlamentin e Maqedonisë, të vendosin vetë për të ardhmen e këtij shteti, deri në krijimin e kushteve të lartpërmendura.
Maqedonia, pa zgjidhjen e këtyre çështjeve do të mbetet edhe më tej vatër e krizave politike, konflikteve të hapura dhe konfrontimeve ndëretnike, duke bartur rrezik permanent për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.
Nga e gjithë kjo shihet qartë se fajtorë kryesorë për regjenerimin e vazhdueshëm të krizës politike në Maqedoni janë:
1. Subjektet politike maqedonase dhe elitat intelektuale, që e mashtrojnë popullin maqedonas, ia ushqejnë krenarinë e rrejshme dhe iluzionin e kombit të vetëm shtetformues dhe e frymëzojnë me shovinizëm antishqiptar; dhe
2. Mashtrimi i popullit shqiptar nga subjektet politike dhe elitat intelektuale, të cilat e heshtin pa të drejtë çështje shqiptare në Maqedoni, për interesa të veta personale dhe grupore, shpeshherë të kapura edhe nga shërbimet sekrete të vendit dhe të huaja, duke e dëmtuar rëndë interesin e populli shqiptar, interesin e qytetarëve të tjerë të këtij vendi dhe ardhmërinë e Maqedonisë, si shtet demokratik dhe me perspektivë evropiane.

(24 shkurt 2017)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura