PROF.DR.ABDULLA MEHMETI: MAQEDONIA NUK DUHET TË NDAHET, AS TË BASHKOHET, POR TË ÇLIROHET NGA NDIKIMI SERB DHE RUS!

Tetovë, 13. 02. 2017: (Disa argumente për idenë e ndarjes, ose bashkimin e pjesëve të Maqedonisë me ndonjë shtet tjetër fqinj) – Marrëveshja e Bukureshtit, si traktat paqeje mes palëve ndërluftuese në përfundim të Luftës së Dytë Ballkanike, u nënshkrua më 10 gusht 1913, në Bukuresht të Rumanisë, nga delegatët e Bullgarisë, Rumanisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë. Meqenëse Bullgaria ishte izoluar nga të gjitha anët, si pasojë e Luftës së Dytë Ballkanike, ajo u detyrua t’i pranonte kushtet që iu imponuan nga kundërshtarët e saj.*
Sipas Traktatit të Bukureshtit, Maqedonia u nda në atë mënyrë që pjesën më të madhe të saj, përkatësisht pjesën e Egjeut të Maqedonisë, me sipërfaqe prej 34.356 km2 e morri Greqia, pjesën e Maqedonisë së Vardarit (Republika e sotme e Maqedonisë), me sipërfaqe prej 25.342 km2 e morri Serbia, ndërsa pjesa e Maqedonisë së Pirinit, me sipërfaqe prej 6.798 km2 iu dha Bullgarisë. Me këtë edhe u mbyll përgjithmonë çështja e ashtuquajtur maqedonase, përmes së cilës organizata VMRO, e themeluar në vitin 1893 në Selanik, (Partia e sotme me emrin VMRO-DPMNE është trashëgimtare e saj), kërkonte që Maqedonisë t’i njihej e drejta për autonomi në kuadër të Perandorisë Osmane, me kryeqytet Selanikun (jo Shkupin!).
Sipas akademikut maqedonas, Todor Çepreganov, ndër vite sikur Marrëveshja paqësore e Bukureshtit nuk është tërësisht në funksion, nëse merret parasysh se në vitin 1944 Serbia, një nga vendet nënshkruese të kësaj marrëveshje hoqi dorë nga ajo dhe lejoi në territorin të cilin e ka marrë ajo (Serbia) në vitin 1913, lejoi të formohet Republika Federative Popullore e Maqedonisë në kuadër të Jugosllavisë!*
Nga këto dhe argumente të tjera, shtetet fqinje të Maqedonisë së sotme, Greqia, Serbia dhe Bullgaria e kanë humbur përgjithmonë të drejtën e tyre mbi Maqedoninë.

Serbia edhe në vitin 1991 lejoi (u detyruar për shkak të rrethanave të reja) që Maqedonia ta shpallë pavarësinë e saj, prandaj edhe ndikimi i mëvonshëm i Serbisë është tepër i pranishëm, deri në ditët e sotme, përmes shërbimeve të saj sekrete tepër funksionale dhe të fuqishme (me përkrahjen e Rusisë), si në bllokun e partive maqedonase edhe në bllokun e partive politike të shqiptarëve në Maqedoni.
Të gjitha këto marrëveshje për Maqedoninë janë bërë pa shqiptarët, si në vitin 1913, 1944, po ashtu dhe me referendumin për pavarësinë e Republikës së Maqedonisë, i organizuar pa shqiptarët (të cilët e bojkotuan për shkak të statusit të tyre të pa definuar në këtë shtet të ardhshëm).
E vetmja marrëveshje ndërkombëtare për Maqedoninë, në të cilën shqiptarët janë palë të saj, është Marrëveshja kornizë e Ohrit, e cila i dha fund konfliktit të armatosur të vitit 2001. Por, moszbatimi i kësaj marrëveshje nga organet e pushtetit (faktori politik maqedonas), si dhe përpjekjet e partive politike të shqiptarëve për devalvimin e saj, përmes marrëveshjeve politike të mëvonshme, Marrëveshja e Marsit dhe Marrëveshja e Majit, dëshmojnë për ndikimin e fuqishëm serb në Republikën e Maqedonisë.
Si në të gjitha vendet tjera demokratike të botës, edhe qytetarët e Maqedonisë mund të deklarohen në të ardhmen për ndonjë formë të bashkimit dhe lidhjes së shtetit të tyre me ndonjë shtet tjetër, ose grup shtetesh, me qëllim të realizimit më të suksesshëm të interesit ekonomik të shtetit, ose për çështje të sigurisë globale, siç ka zëra nga qarqet e rëndësishme ndërkombëtare për bashkimin e Maqedonisë me Kosovën, por kjo do të realizohet në të ardhmen nga gjeneratat e reja, të cilat do të brumosen me ideale të reja më civilizuese, duke i flakur ndasitë, përplasjet, urrejtjet dhe paragjykimit e të kaluarës së përgjakur ballkanike.
Politikanët shqiptarë, studiuesit dhe të gjithë përkrahësit e çështjes së shqiptarëve në Maqedoni, aktualisht duhet të përpiqen me të gjitha mjetet politike dhe demokratike, me forcën e argumenteve shkencore, që Maqedonia të mbetet edhe më tej shtet i pavarur, me definimin dhe afirmimin e saj si shtet kombëtar i popullit shqiptar, popullit maqedonas dhe pakicave të tjera etnike që jetojnë në këtë shtet: bullgarët, serbët, turqit, romët, vllehët, boshnjakët etj., për shkak se aktualisht këtë shtet me afër 1 milion e 600 mijë banorë (Sipas Bankës Botërore, viteve të fundit janë larguar 520 mijë banorë nga ky shtet, ndërsa më parë, sipas regjistrimeve zyrtare kishte gjithsej afër 2 milion e 170 mijë banorë), mbi 35% e përbëjnë shqiptarët autoktonë, afër 10% pakica bullgare, afër 20 % pakicat tjera: turqit, serbët, romët, vllehët, boshnjakët dhe grupet më të vogla etnike; ndërsa vetëm 35 % e popullit të deklaruar si maqedonas, tanimë është i ndarë në dy identitete, sllavë të Maqedonisë dhe maqedonas autoktonë që pretendojnë prejardhjen e tyre nga maqedonasit antikë. Gjithçka tjetër është politikë joproduktive, nuk përkon me realitetin, aspiratat e qytetarëve të këtij vendi për qëndrueshmërinë e këtij shteti, stabilitetin dhe prosperitetin e tij në të ardhmen, si dhe përkushtimin për integrimin në strukturat euroatlantike, NATO dhe BE. (11 shkurt 2017)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura