Tetovë, 18. 11. 29016: ARSYEJA E TRETË pse duhet të protestojmë në ditën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedonia, më 11 dhjetor 2016, është mos ndryshimi i Kodit zgjedhor, i cili nuk mundëson zgjedhje të lira, transparente, të drejta dhe demokratike.
Edhe përkundër apeleve të shumta nga sektori civil, mediumet, opinioni publik dhe disa subjekte politike jashtëparlamentare, organet e pushtetit nuk kanë ndërmarrë masa të nevojshme për ndryshimin e kodit zgjedhor në Maqedoni, përkundrazi, përmes disa ndryshimeve kozmetike edhe më tepër i kanë përkeqësuar kushtet për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.
Sektori civil, opinioni publik dhe disa parti politike jashtëparlamentare vazhdimisht kanë kërkuar ndryshimin e modelit zgjedhor, që nga gjashtë njësi zgjedhore, sa janë aktualisht, të krijohet një njësi e vetme zgjedhore në nivel të shtetit, me çka do të garantohej pesha e çdo vote të qytetarëve, si dhe të ketë lista të hapura të kandidatëve për sigurimin e cilësisë së deputetëve në përbërjen e re të Parlamentit.
Për zgjedhjet e caktuara më 11 dhjetor, e drejta e votës u është siguruar gjithsej 1.770.736 qytetarëve, por kjo listë është tepër e dyshimtë, duke pasur parasysh se:
– institucionet ndërkombëtare bëjnë të ditur se nga Maqedonia gjatë viteve të fundit janë larguar afër 520 mijë banorë, shumica e të cilëve qytetarë me të drejtë vote;
– disa dhjetëra mijë qytetarëve, kryesisht shqiptarë, u mohohet e drejta e votës, me mosdhënien e shtetësisë;
– mbi 40 mijë qytetarë janë fshirë në mënyrë të paligjshme nga lista e votuesve;
– lista e përgjithshme e votuesve edhe më tej është e mbushur me disa qindra mijë votues fiktivë, për të cilët sektori civil, mediumet dhe qytetarët përditë vazhdojnë të zbulojnë raste nga më të çuditshmet për numrin e votuesve fiktiv dhe adresat e tyre të banimit, për të cilat organet e pushtetit japin arsyetime nga më banalet, se bëhet fjalë për objekte të pa legalizuara, ndërsa adresat e votuesve fiktivë janë zbuluar të jenë objekte institucionesh publike, parkingje dhe objekte të vjetra të legalizuara, si dhe fshatra të pabanuar një kohë të gjatë, kryesisht në rajonet e Maqedonisë lindore, qendrore dhe jugore, ku kryesisht jeton popullsi joshqiptare.
Ky kaos i krijuar me:
– mos ndryshimin e kodit zgjedhor;
– mos ndryshimin e modelit zgjedhor, nga 6 njësi ekzistuese të krijohet 1 njësi zgjedhore, model i cili i përgjigjet më së miri përbërjes etnike të popullsisë në Maqedoni;
– mos sigurimi i listave të hapura të kandidatëve, nga subjektet politike dhe grupet e qytetarëve, për sigurimin e cilësisë së deputetëve në përbërjen e Parlamentit;
– ndarja e pabarabartë e njësive zgjedhore, me çka bëhet hapur shkelje ligjore dhe kushtetuese, për shkak të numrit shumë më të madh të votuesve në njësitë zgjedhore ku kryesisht jeton popullsia shqiptare, sidomos njësia zgjedhore numër 6, me dallime prej disa dhjetëra mijë votuesish mes njësive zgjedhore ekzistuese;
– mos pastrimi i listave votuese nga disa qindra mijë votues fiktivë;
– mohimi i të drejtës qytetare të disa dhjetëra mijë votuesve potencialë me mosdhënien e shtetësisë;
– fshirja nga listat votuese e mbi 40 mijë qytetarëve me punë të përkohshme në botën e jashtme dhe sidomos të kundërshtarëve politikë të partive që aktualisht janë në pushtet;
– me mos sigurimi i kushteve dhe infrastrukturës së nevojshme për votim të lirë të qytetarëve tanë në diasporë;
– si dhe manipulime të tjera nga ana e organeve të pushtetit, sidomos Ministria e Punëve të Brendshme, Enti Shtetëror i Statistikës dhe Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, si përgjegjës kryesorë për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve të lira, të drejta dhe demokratike, nuk kontribuojnë për tejkalimin e krizës aktuale politike, por e thellojnë atë edhe më tepër, duke e rrezikuar ardhmërinë e vendit, paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.
Të gjitha këto shkelje dhe manipulime të theksuara më lartë janë në dëm të qytetarëve, i cenojnë vlerat demokratike dhe nuk mundësojnë ndërtimin e institucioneve të shtetit ligjor.
MOS HESHT, POR PROTESTO!
(18.11.2016)