Prishtinë, 13 shtator 2020: Urata
Regulli i Motrave të Nënës Terezë, “Misionarëve të Dashurisë” është një bashkësi rregullare që nënkupton se e tërë jeta e tyre është e bazuar në lutje, uratë, meditime. Në një jetë të thellë shpirtërore që është një nga elementet bazë për të qenë në shërbim të misionit. Natyrisht, për të krijuar një gjendje të tillë shpirtërore dhe një devotshmëri absolute për të qenë në shërbim të Zotit, Nëna Terezë e dinte se pa u takuar me Zotin, me jetën dhe me dashurinë e Tij, nuk është e mundur t’u shërbesh njerëzve të afërm, të varfëve, skamnorëve, të braktisurve, dhe kujtdo tjetër që dëshiron ndihmë. Nëna Terezë, që edhe nga shpirti ishte aq shumë modeste ishte e mendjes se, Zoti është burim i forcës, vullnetit, kurajës, guximit , dashurisë dhe vetëmohimit të saj dhe të motrave të Nënës Terezë për të qenë në shërbim të njerëzimit. Në këtë kuptim, lutja, pra urata ka zënë një vend të rëndësishëm në përgatitjen shpirtërore edhe të Nënës Terezë. Prandaj thoshte :” Për këtë tërë puna e motrave tona, çka ne veprojmë, nuk është asgjë tjetër përveç fryt i uratës, i bashkimit tonë me Krishtin në Eukaristi, në Kungimin Shenjtë”. Ajo shpjegonte :” Kemi shumë nevojë për uratë. Pa fuqi të uratave jeta e jonë do t’ishte e pamundur”. Në të njëjtën kohë ritheksonte, ri dëshmonte se :”…Dashuria jonë kurrë nuk duhet të ketë kufi, nëse është dashuri e vërtetë, ajo duhet t’i ngjajë asaj të Zotit, që nuk përjashton askënd”.
Natyrisht, sipas kronistëve të kohës dhe biografëve të Nënës Terezë del se urata, lutja ka pasur një vend dhe rol të veçantë në përgatitjen shpirtërore të Nënës Terezë për misionin e saj. Thuhet se që nga fëmijëria e saj e hershme ajo, përmes lutjes, uratës kishte vënë lidhjen, pra “ bashkëbisedimin” me Zotin dhe me këtë krijoi një afërsi të jashtëzakonshme shpirtërore, një fuqi magjike në shpirtin e saj. Ajo vet kishte pranuar se plot gjashtë vite, pra që nga mosha 12 vjeçe i ishte lutur Zotit që t’ ia gjej, përcaktoj rrugën e jetës, e cila rrugë e dërgoi për motër, misionare. Përmes lutjes, uratës, Nëna Terezë, që nga ajo moshë fare e hershme e jetës saj, vazhdimisht kërkoi dhe këmbënguli në idealin saj, në ëndrrën deri atëherë të parealizuar – të jetë misionare. Ajo, në këtë kuptim, në këtë gjurmim për rrugën jetësore dhe në këtë pritje të lumturisë e të gëzimit, gjithmonë e kishte kërkuar dritën e Zotit, vullnetin e tij për ti dalë në ndihmë asaj. Ajo, kur shumë vite më vonë u bë emër që përfshiu globin mbarë, pra më 10 qershor 1979 në Zagreb thoshte:” Shpesh më bie ndërmend nëna ime dhe babai i im dhe të gjithë të tjerët, se si lutnin çdo mbrëmje. Unë shpresoj se familjet tona shqiptare ende e mbajnë këtë, sepse kjo është dhurata më e madhe e Zotit, që familja të jetë e bashkuar, sepse familja që nuk lutet së bashku as nuk do të jetë së bashku. Për këtë ruane apo kthene prapë uratën në familje tuaja. Kështu nëpërmjet uratës do të fitoni edhe thirrje shenjte…”. Ajo, pasi vet kishte kaluar gjithë atë rrugëtim drejt Zotit, duke u bazuar edhe në përvojën e vet shpirtërore ishte mendimit se urata, lutja është gjëja më e rëndësishme për jetën shpirtërore. Sipas Nënës Terezë, urata është vërtet gjëja më e rëndësishme në jetë, sepse: ”Në rend të parë urata, përkujtimi, si përgatitje për takimin tonë më të thellë me Zotin, për Kungimin Shenjtë dhe për jetë, që Atë ta takojmë, ta njohim dhe t’i shërbejmë përmes njerëzve”.
Por, gjithnjë sipas mësimeve të Nënës Terezë, edhe urata kërkon përgatitje të vazhdueshme shpirtërore, kërkon që secili njeri, besimtar i devotshëm të çlirohet nga problemet e përditshmërisë, të mos mendoj keq, t’i kthehet vetvetes, t’i kthehet dashurisë ndaj të afërmve, të krijoj një devotshmëri shpirtërore për të biseduar me Zotin, për të jetuar pran tij dhe me te, për të qenë të Zotit! Nëna Terezë, kur i thoshte këto mendime, kishte parasysh njëherazi se njeriu bashkëkohor i kohërave moderne është i stër ngarkuar me problemet e përditshmërisë, me ambiciet e pakufishme për pushte, karrierë, pasuri, pushtime, dhe se shi për këtë ai është i zbrazët, pa përmbajtje, pa dashuri njerëzore për veten dhe për të afërmit e tij. Sigurisht se, njeriu i kohërave to sotme, gjithnjë sipas mësimeve të Nënës Terezë, është i pushtuar nga frika prej vetmisë, i mungon qetësia shpirtërore dhe siguria në vete. Në një gjendje të tillë, ai është gjithnjë e më tepër edhe më larg Zotit dhe madje përjeton një lloj paranoje për tu takuar me Zotin. Dhe, çfarë është edhe më e keqja ai nuk ka as kohë të meditoj për Zotin e lene më të bëjë uaratë për Zotin e për veten! Por, urata për njeriun e hutuar të përditshmërisë sonë është më vështir r realizueshme. Kjo, sepse sipas mësimeve të Nënës Terezë nuk ka uratë pa qetësi dhe stabilitet të plot shpirtëror, pa e zbuluar Zotin vetë! Pa uratë humbet kuptimi i jetës, prandaj shumë individ dhe familje të jetës sotme moderne e kanë humbur orientimin. Prandaj, siç konstatonte Nëna Terezë, ata janë të pa kënaqur, jetojnë me depresione, me frikë dhe shqetësim në shpirt , për të sotmen dhe të nesërmen. E ardhmja e tyre gjithnjë është e pasigurt, kjo sepse e kanë harruar uratën. Më 12 prill të vitit 1968, Nëna Terezë foli:”Puna pa dashuri është një robëri. Kisha kërkon prej nesh “ përtëritjen”.”Përtritja” nuk domethënë ndërrim i ligjeve normave apo ndërrim i uratës. Ndërrimi – përtritja domethënë në rend të parë besnikëri Zotit dhe besnikëri rregullave, ose edhe më mirë frymëzimit, “shpirtit” të Rregullave, të Rregullit”. Edhe në letërkëmbimet familjare, Nëna Terezë jep këshilla për uratën. Në këtë kuptim, tejet sublime është porosia që ajo i shkruan veç tjerash Lazrit në letrën datës 15. 04.1978 :”…Lutu vellau jem e bane jetën e jote plot me dashuni t’Zotit…”! Kurse në letrën e datës 10.06. 1978 ajo shkruan:”…Zoti dashtun ka nji dashni tmadhe për mua e kështu ai asht gjithmonë tuj kujtue për mua…”! Në frymën e një renesensa të reja të filozofisë kristiane, Nëna Terezë ishte edhe më largpamëse kur thoshte :” Këtu unë jam shërbëtorja juaj, Zoti im, le të bëhet vullneti yt”! Me këtë fjalë, me këto cilësime Nëna Terezë dëshmon nga brendia e shpirtit të saj të përvuajtur se sa e madhe është forca dhe prania e Zotit në jetën e njeriut. Ajo me këtë po ashtu tregon qartë se cila është rruga drejt Zotit. Kishte të drejtë kur thoshte se :”…nëse e duam njëri tjetrin, kjo është shenjtëria e gjallë. Nga kjo shenjtëri ne mund të jemi dashuria e Zotit, mëshira e Zotit në mbarë botën…”. Me këtë qasje, me këso filozofia, që më tepër i ngjan një antropologjie hyjnore, Nëna Terezë e demitizon shenjtërinë, sepse shenjtërinë e zbret në rrethanat e jetës së përditshme në vet shpirtin e secilit njeri besimtar:” Të jeni shenjtë, sepse shenjtëria nuk është vetëm për disa vetë. Shenjtëria është detyra e jonë e përbashkët…”. Prandaj, bën thirrje që të çlirohemi nga vetvetja, nga robëria ynë e brendshme, nga çdo gjë që vlerësojmë se nuk i përket Zotit. Në këtë mënyrë, gjithnjë sipas mësimeve të Nënës Terezë, njeriu është më i devotshëm që ti shërbej të afërmit, të varfrit, skamnorit, ta pa dashurit, të lënit në vetmi e në harresë, pa përkujdesje shoqërore. Ajo u besonte thënieve të saja, sepse vet ishte shembull i asaj devotshmërie, që shkon deri te shenjtëria, deri te Zoti :” Dua ta lë anësh vullnetin tim, në jetën time, për t ‘ia kushtuar Zotit dhe të afërmit”.
Bill Clinton: Vigan i shekullit XX
Kishin kaluar më shumë se dhjetë vjet nga themelimi i Shoqatës së e “Misionarët e Dashurisë” e cila shoqatë me në krye Nën Terezë kishte shënuar afirmim historik në Indi. Në këtë mënyrë, me përkujdesje të përhershme dhe të vëmendshme të Nënës Terezë, po shënohej progres i Kongregatës së re. Motrat që ishin përreth dhe së bashku me Nënën Terezë kishin krijuar përvojë të bollshme në veprimtarinë e misionit humanitar, ato po përforcoheshin gjithnjë e më tepër me postulatat themelore të misionit të ri, pra në frymën e katër kushteve regullare. Kjo mundësonte që aspiratat dhe vullneti i Nënës Terezë të shtrihej edhe jashtë kufijve të Indisë, pra që, dashuria e saj, kujdesi ndaj të varfëve, të pastrehëve, të lënëve rrugëve të errëta të kësaj bote, ti prekte edhe ata njerëz të pashpresë e të lënë në harresë në shumë vende të botës moderne. Po afrohej çasti kur veprimtaria dhe angazhimi humanitar i Nënës Terezë të zgjerohej në ato drejtime të cilat ajo kishte kohë që i ëndërronte. Bota moderne e epokës së Nënës Terezë edhe ashtu po kalonte nëpër vështirësi gjithnjë e më të pa përballshme, të cilat kërkonin kujdesin, shpirtin, afërsinë, dashurinë e Nënës Terezë. Nëna Terezë e ndjente thellë në shpirt se, tirrja e Zotit po zgjerohej, se ajo po kërkonte që ajo ti jetë sa më shumë pran njerëzve të lënë. Këtë projekt të ri, këtë shtytje dhe ecje të re drejt lirisë universale të njeriut bashkëkohor dhe drejt thirrjes e dashurisë së Zotit, ajo, pra Nëna Terezë më vonë do ta cilësoj si “ hap i tretë i jetës sime. Kjo, pra pas thirrjes së parë dhe thirrjes së dytë të Zotit.
Kështu, fillimisht motrat e Nënës Terezë që punonin në Shoqatën “Misionarët e Dashurisë”, u vendosën në Rançi pse Chota Nagpur Mission, që ishte çjesë e arqipeshkvisë së Kalutës. Pra, shtëpia e parë jashtë Kalkutës u hap më 26 maj të vitit 1959, dhe kjo dëshmoi se përpos dioqezës së Rançit edhe dioqezat tjera kishin nevojë për motrat e Nënës Terezë, sepse numri i popullatës së ishte e varfër dhe që jetonte në mjerime, e me sëmundjet nga më t ndryshmet ishte i madh. Delhi, më pas ishte qyteti tjetër indian në të cilën vendosën motrat e Nënës Terezë. Ishte edhe kërkesë shtesë e arqipeshkvit që në mënyrë sa më autentike dhe më besnike të përhapej besimi krishter, përmes Nënës Terezë. Madje në hapjen solemne të shtëpisë së parë në Delhi kishte ardhur edhe kryetari i atëhershëm i Indisë, Nehru me disa anëtar të qeverisë. Shtëpia e tretë jashtë Kalkutës u hap në Jhansi, në vitin 1960, ku fillimisht morat punonin me fëmijët e varfër dhe jetimë, mirëpo më pas edhe me të gërboluarit, të varfërit, të sëmurët, të moshuarit , etj. Shtëpia e re e Shoqatës “Misionarët e Dashurisë” u hap edhe në Bombay. Shtypi vendor, ai i Bombait, i cili fillimisht e kishte kritikuar misionin e Nënës Terezë, më vonë shkruajti lëvdata:”Tani më në Bombay askush nuk vdes në rrugë, pa askend. Një grua e vogël me shtat, Nëna Terezë, por tejet e madhe me shpirt, e mrekullueshme në zemër të mirë, me motrat e saja lufton ditë e natë kudër vdekjes, kundër gërbulës , kundër varfërisë…Kjo është dhurata e Zotit për ne…”. Pikërisht në këtë kohë, Papa Pali i VI e kishte vizituar Bombayn dhe së bashku me Nënën Terezë kishin vizituar disa lagje të varfra të qytetit si dhe disa organizata bamirëse. Papa kishte ngelur i entuziazmuar me me kujdesin dhe përkushtimin e Nënës Terezë dhe motrave të saja. Pas kësaj vizite, të Papës në Indi, dhe pas përkushtimit të jashtëzakonshëm të Nënës Terezë, ishin hapur edhe shtëpi të tjera në Indi si në: Patna, Parignash, Goi, Darjeeling, etj. Më vonë,”Misionarët e Dashurisë” u bën pjesë e pandashme e të gjitha dioqezave në Indi ku zhvillojnë veprimtari humanitare.
Në vitet e afirmimit gjithnjë e më të madh të Nënës Terezë në botë, nga shumë vende të botës vinin kërkesat për ndihmën e saj, kurse ajo duke u shprehur e gatshme për të vepruar e ndihmuar njerëzimin e kishte një të vetmin refren të përgjigjes: “ Këtu jam shërbëtorja juaj, Zoti im, le të bëhet vullneti yt”!
Fillimisht Venecuella ishte vendi parë, pra jashtë Indisë ku u paraqit nevoja dhe kërkesa e hapjes së një shtëpie të re misionare. Ftesë i kishte bërë Imzot Benitezit, ipeshkëv i Kokoratës, afër Karakasit, qytet ky shumë i varfër. Dihet se kur motrat e Nënës Terezë arritën në këtë vend gjeten një varfëri të skajshme, një mjerim që ishte po aq pikëllues sa edhe në Indi, e cila llogaritej si mozaiku i vuajtjes së njerëzimit. Në këtë qytet mungonin, murgeshat, priftërinjtë dhe ishte tejet vështir të zhvillohej aktiviteti bamirës. Shumë njerëz, të besimit katolik as që ishin pagëzuar pas lindjës,jetonin në mënyrë shumë tradicionale, pa kurrfarë jete shpirtërore, kurse Zoti për ta ishte shumë, shumë i largët dhe i huaj! Kështu ishte kryesisht në shumë vende të Amerikës Latine, ndërsa vet Nëna terezë, në një prononcim lidhur me aktivitetin e “Misionarëve të Dashurisë” në ato shtete kishte thënë: “ Është fushë shumë e gjerë për apostolat.Çfarë varfërie! Çfarë padrejtësie, mjerimi, urie dhe etjeje për Zotin…!”.
Por në ato vite edhe në Evropë kishte nevojë për ndihmën, dorën dhe shpirtin e Nënës Terezë. Kështu, pas disa kërkesave të mëhershme të Nënës Terezë që edhe në Rimë të hap një shtëpi për të varfër e të pastrehë, n mars të vitit 1968 Papa Pali i VI përmes një ftese të veçantë e kishte ftuar Nënën Terezë për ta hapur një shtëpi misionare në Romë. Lidhur me këtë vizitë në Romë, Nëna Terezë deklaronte: “ Nuk mund të refuzoja ftesën e Papës. Gjatë bisedës sime me të, unë i thash: Shenjtëria Juaj, jam e gatshme të hap një shtëpi në Romë, por vetëm nëse ka njerëz të varfër…”. Gjatë vizitës që Nëna Terezë i kishte bërë Qytetit të Përjetshëm dhe rrethinave të tij, kishte fituar përshtypjen se në Romë kishte numër të madh të varfërish. Prandaj në takimin e sërishëm me Papën, Nëna Terezë, me një stil të lehtë humori shqiptar i kishte thënë:” Shenjtëria e Juaj, duket sikur Zoti na ka rezervuar nga një punë për ne kudo, në ndonjë lagje a qytet…”. Kështu filloi aktiviteti i “ Misionarëve të Dashurisë” në Romë, qendrën e katolicizmit në mënyrë që për disa vjet radhazi në të hapeshin, shtëpi, strehë, noviciate të ndryshme dhe më pas edhe vendstrehim për të pashtëpitë, pranë sallës s audiencës “Pali VI”, në Vatikan, një dhuratë personale e Papë Palit II, që quhet “Dhurata e Marisë së Virgjër”. Kjo përvojë “ romane” së shpejti u përhap edhe në qytetet tjera të Italisë, ku dashuria e Nënës Terezë “ pushtoi” mijëra të varfër, të pastrehë por edhe shtresa tjera qytetarësh italianë.
Në Evropë ndërsa ka shumë qendra të “Misionarëve të Dashurisë” si në: Austri (1), Belgjikë (2), Finlandë (1), Francë (2 ), Gjermani (5), Britani të Madhe ( 6), Greqi ( 1 ), Irlandë (1), Itali (12), Holandë ( 1 ), Poloni (3), Portugali (2),Spanjë (2), ish –Jugosllavi (4), Rusi (2), Skoci (1), Rumani (1), Hungari (1), Kosovë ( 1 ), Shqipëri ( 7 )…
Radha i erdhi pastaj Lindjes së Mesme, e cila aq shumë vaun pikërisht nga konfliktet fetare. Shtëpia e parë e Shoqatës “ Misionarët e dashurisë”, në Australi u hap në vitin 1969 dhe tani funksionojnë gjithsej 8 sosh. Më pas shtëpi e ngjashme u hap edhe në Aman, në vitin 1971, pastaj në Gazë, në Jemen, në Siri, Liban, në Jordani, në Sudan, në Izrael.
Në Azi ndërkaq “Misionarët e Dashurisë” janë të vendosura dhe funksionojnë në:Bangladesh, Hong Kong, Japoni, Kore Jugore, Makao, Nepal, Pakistan, Filipine, Singapor, Sri- Lankë, Tajvan.
Kurs enë Amerikën Veriore në: Kanadë, SHBA. Në Amerikën Qendrore në: Kubë, Republikën Dominikane, El Salvador, Granadë, Haiti, Honduras, Porto- Rikë . Në Afrikë ndërkaq në: Benin, Burundi, Kamerun, Egjipt, Etiopi, Ganë, Keni, Madagaskar, Mauricius, Nigeri, Ruandë, Sudan, Tanzani.
Gjithë kjo shtritje e Shoqatës “Misionarët e Dashurisë” i ka mundësuar Nënës Terezë që vërtet të jetë, siç kishte thënë Bill Klinton ” vigan i shekullit të XX “, prandaj me të drejtë shprehej “…Gjëja më e bukur për mua është të jesh në gjendje të vësh në jetë dashurinë universale, sidomos ndaj atyre që vuajnë”. Kështu fjala vjen, kur në vitin 1972 në Bangladesh u hapën disa shtëpi të motrave të Nënës Terezë, qëllimi ishte që veç tjerash të shpëtoheshin gratë dhe vajzat e përdhunuara dhe fëmijët e tyre. Kjo, sepse shumica e grave të përdhunuara për ti ikur turpit, bënin vetëvrasje, kurse të tjerat i mbysnin fëmijët e pa lindur apo të sapolindur. Në këtë mision paqe njerëzore dhe dashurie të Zotit ajo pranonte se :”E di se ne jemi vetëm një pikë uji në oqeanin e mjerimit dhe të vuajtjes njerëzore, mirëpo po të mos ishte kjo pikë, mjerimi dhe vuajtja e njeriut do të ishte edhe më e madhe”. Ajo ndërsa e kuptonte më së miri, në thellësinë e shpirtit të saj se çfarë do të thoshte një buzëqeshje, një gëzim, një dashuri më shumë për njeriun e vuajtur të kohërave moderne. Nëna Terezë thoshte:”…Njerëzit që nuk kanë gëzim, dashuri, marrëdhënie njerëzore, vuajnë tmerrësisht”.
Vitet 1990- 1995 shënuan përparime të mëdha të Shoqatës “ Misionarët e Dashurisë”, sidomos në hapësirat gjeografike të ish vendeve komuniste, pra edhe në Shqipëri dhe në Kosovë. Gjatë këtyre viteve, dhe përgjithësisht viteve të nëntëdhjeta në vende të ndryshëm të botës u krijuan edhe qendra për rehabilitimin e të sëmurëve nga AIDS.
Në vitin 1993 Papa vizitoi Shqipërinë dhe në pritjen e tij ishte edhe Nëna Terezë. Veç tjerash Papa kishte thënë:” Me personalitetin e Nënës Terezë, Shqipëria është nderuar gjithmonë…Ju falënderoj sot në emër të Kishës Katolike. Ju falënderoj, të dashur shqiptarë, për këtë Bijë të Tokës suaj, të popullit tuaj”. Fjalët e Papës ishin një mirënjohje e madhe, historike jo vetëm për Shqipërinë, Atdheun e Nënës Terezë, por edhe për mbarë popullin tonë sepse siç kishte thënë Kardinali i Kishës Katolike të Hungarisë: “Nuk është popull i vogël ai që e ka dhënë një nënë kaq të madhe”.
Më 28 tetor 1996 kryetari i Kosovës, Ibrahim Rugova e shpalli Nënën Terezë “Qytetare Nderi të Republikës së Kosovës”, kurse në të njëjtin vit, Sali Berisha, kryetar i Shqipërisë e kishte nderuar Nënën Terezë me “Urdhrin e Artë të Popullit Shqiptar”.
Në gusht të vitit 1997, pra një muaj para se të ndërronte jetë Nëna Terezë u zgjodh dhe u shpall “Personaliteti i Shekullit XX” në Francë, Spanjë, Angli, Holandë, dhe në Suedi. Më 5 shtator 1997, në moshën 87 vjeçare, pushoi së rrahuri zemra e madhe fisnike, zemra e dashurisë deh e vuajtjes njerëzore e Nënës Terezë. Ajo u shpall “Personaliteti i Shekullit XX” në mbarë botën.
VIJON …
_________________
PROF.DR.AGIM ZOGAJ: GONXHE BOJAXHIU – NËNA TEREZË, DRITË E ZOTIT (V)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=10486