UK LUSHI: URIME 8 MARSIN! KUSH ËSHTË GRUAJA LEGJENDARE NË KOSOVË?

New York, 08. 03. 2014 – Dhe 8 marsi erdhi përsëri! Mirë se na vjen festë e grave – Dita e Gruas për të cilën pritet 364 ditë! Si festohet 8 marsi ndër shqiptarë? Gëzueshëm dhe ndezshëm. Me 8 mars ne bëjmë përpjekje vigane të shfaqim nderimin dhe ndjenjat dashurore për gratë. Vetëm sa nuk i mbulojmë ato me lule dhe peshqeshe. Por cila është pozita reale e femrës sonë – me 8 mars dhe çdo ditë tjetër? Si është situata e vërtetë e grave shqiptare? Nuk po i kthej përgjigje këtyre pyetjeve. Në vend të përgjigjeve po rrëfej dy ndodhi ashtu siç kanë ngjarë. Historitë reale krijojnë mundësinë për secilin të nxjerrë konkluzione vetjake dhe të gërmojë në ndërgjegje për përgjigje të sinqerta dhe personale.
Ndodhia e parë ngjet afërsisht para katër vitesh gjatë një ligjërate të sociologes Anna Di Lellio në Universitetin e Prishtinës. Profesoresha Di Lellio po fliste në një amfiteatër të Universitetit mbi femrat shqiptare dhe kontributin e tyre në luftën për çlirim me 1998-1999. Audienca përbëhej nga rreth njëqind studentë-pjesë elitare e re dhe premtuese e çdo populli. Diku pas fillimit të ligjëratës ajo merr përsipër të bëjë një ekzaminim interesant. E pyet masën e dëgjuesve në e dinin emrin e Komandantit Legjendar të UÇK’së. Shumica e pjesëmarrësve stolisin fytyrat me buzëqeshje; disa tundin kokat e rrotullojnë sytë si shenjë se e kuptonin që kjo pyetje ishte një marifet naiv i një të huaje; një pakicë bile e vështrojnë edhe me çudi dhe dhembshuri. Jo të gjithë janë të informuar që Profesoresha italiano-amerikane Di Lellio e njeh historinë e shqiptarëve shumë mirë. Sido që të jetë, të gjithë në mënyrën e vet pohojnë që e dinë emrin e Komandantit: ai është Adem Jashari. Cili shqiptar apo cila shqiptare nuk e di këtë?!

– Anna Di Lellio –

 Ligjëruesja Di Lellio i falënderon të gjithë për diturinë e tyre, mirëpo i vë në siklet gati menjëherë ndërsa thotë që kishte edhe një pyetje tjetër të lehtë dhe të fundit. Një heshtje e sertë ngrin në ajër. Të gjithë bëhen gati të përgjigjen rrufeshëm.
– “Sa nga ju e dini emrin e gruas së Adem Jasharit?”- pyet Di Lellio.
Njerëzit në sallë i pushton një gulç në grykë. Edhe femrat edhe meshkujt. Një ravijëzim skuqësie ateron nëpër fytyrat e të gjithëve. Heshtja e mëhershme bie nga ajri dhe bëhet stërpikë nëpër trupat e të pranishmëve, nëpër bankat universitare dhe përfundimisht bie vdekur në dysheme. Asnjë person i vetëm nuk e di emrin e bashkëshortes së Komandantit, i cili u bë theror për liri bashkë me gruan (“e paemër”!) dhe 18 anëtarë tjerë të familjes së ngushtë Jashari.
Kur ma tregoi këtë histori Profesoresha Di Lellio u betova se do bëja diçka dhe ky zotim imi e lindi ndodhinë e dytë. Mora vendimin të testoja përvojën e saj. U futa në Facebook për disa ditë me radhë dhe u bëra dy pyetjet e Di Lellios miqve dhe mikeshave të mia. 89 prej tyre. Natyrisht, të gjithë dinin emrin e Adem Jasharit. Por asnjë mik dhe asnjë mikeshë nuk qenë në gjendje të më thonë si quhej gruaja e Komandantit Legjendar.
Sidoqoftë, mosdija e emrit të shoqes së jetës dhe vdekjes së Adem Jasharit nuk është thelbi i këtij shkrimi. Emri i saj mund të gjendet apo mësohet nëse ka vullnet të mësohet. Ky shkrim mëton të ngacmojë vetëdijen dhe atitudën shqiptare për realitetin tonë gjinor në veçanti dhe atë shoqëror në përgjithësi. Artikulli është thirrje për (vetë) respekt. Padyshim që Adem Jashari është yll i lirisë me ndriçim të përjetshëm, mirëpo edhe gruaja e tij është yll i lirisë me ndriçim eternal. Rezistenca heroike e familjes Jashari ishte e përmasave biblike dhe legjendare. Me 1998 në Prekaz vetëm nga familja e ngushtë Jashari u vranë 20 persona, 12 nga ta femra. Pra 60 për qind të të shuarve qenë të gjinisë femërore.
Poetja amerikane Edna St. Vincent Millay ka një poezi një strofëshe për femrat. Titullohet “Fiku i parë”.
Ja si shkruan ajo për gruan:
Qiriu im shkrihet nga të dyja anët;
Nuk do të zgjasë tërë natën;
Por ah, armiqtë e mi, dhe oh, miqtë e mi-
Bën dritë aq të bukur!

Gratë shqiptare kanë qenë qirinj që janë shkrirë nga të dyja anët. Gratë tona kanë bartur një barrë historike të njëjtë me burrat, por shumë rrallë kanë marrë medaljet e meritave të tyre. Gratë e popullit tonë janë lënë në prapavijë edhe kur kanë qenë në vijë të parë. Ka një frazë amerikane që thotë-prapa çdo burri të madh qëndron një grua e madhe. Në rastin e gruas së Adem Jasharit mund të thuhet që krahas një burri të madh ishte një grua e madhe. Nusja e Adem Jasharit ishte krah për krah me Komandantin Legjendar. Një grua e madhe emrin e të cilës shumë nga ne shqiptarët nuk e dimë. Por ajo ka emër. Dhe, përveç emrit, ajo do të duhej ta ketë edhe emërtimin e njëjtë si Komandanti Legjendar- bashkëshortja e Adem Jasharit në jetë dhe amshim do duhej të emërtohej Gruaja Legjendare. Emërtimi i tillë vetëm sa e lartëson Adem Jasharin, gruan e tij, femrat tona dhe krejt popullin shqiptar.
8 marsi është festë e grave në gjithë botën. Gjatë kremtes së 8 marsit meshkujt i ngazëllejnë femrat me lule, përqafime dhe dhurata speciale. Me 8 mars, tërë ditën e lume, gratë janë subjekt dhe objekt i admirimit, respektit dhe dashurisë. Është e pritshme që njerëzit të gëzohen me 8 mars, por ndoshta njerëzit do të duhej edhe të reflektojmë një çikëz-(sëpakut aq sa festojnë)-për pozitën e grave në shoqëri dhe jetë. Duke menduar për gratë, festa e së cilave entuziazmon aq fort, në fakt kremtimi do të bëhej më i bukur dhe nuk do të lihej të jetë fenomen vetëm një ditor. Pra, gratë, përpos luleve dhe dashurisë, me 8 mars, është mirë të trajtohen barabarësisht sepse barazia gjinore është e drejtë themelore njerëzore. Trashëgimia historike e grave duhet të ndriçohet dhe të jetë bazë për strategjinë, standardet dhe qëllimet e statusit të saj.
Ndërsa festojmë dhe shpërndajmë dhuratat për këtë 8 mars dhe nderojmë gratë-për ata që nuk e dijnë-le të marrim vesh emrin e Gruas Legjendare të Komandantit Legjendar- ajo quhej Adile Rama-Jashari. Ajo është Gruaja Legjendare.
Urime 8 marsin! Për femrat dhe meshkujt le të jenë 8 marsë edhe 364 ditët tjera të vitit!

– Legjendarët e Kosovës Adem Jashari dhe Adile Rama Jashari –

====================================

SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG
EPOPEJA E JASHARËVE, HEROIZËM I PASHEMBULLT NË HISTORINË E NJERËZIMIT
http://www.pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=2504

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura