UKSHIN HOTI: DEKLARATË POLITIKE E ‘UNIKOMB’it’ (MAJ 1994) – ‘KOSOVA REPUBLIKË E PAVARUR ËSHTË NJË HALLKË ME RËNDËSI TRANZITORE DREJT BASHKIMIT PËRFUNDIMTAR TË KOMBIT’

Pashtriku.org, 14. 05. 2015 – UNIKOMBI i mbështet të gjitha aktet që kanë të bëjnë me krijimin dhe institucionalizmin e Republikës së Kosovës. Jetësimin e plotë të saj e sheh në funksion të bashkimit të kombit dhe të proceseve integrative në Evropë. Kosova Republikë e pavarur është një hallkë me rëndësi tranzitore drejt bashkimit përfundimtar të kombit, por jo edhe përfundim i këtij procesi. Për këtë shkak, ajo angazhohet njëkohësisht për inicimin, zhvillimin dhe forcimin e atyre proceseve që çojnë drejt realizimit të këtij qëllimi; si parti, ajo do të investojë përpjekje dhe mund të duhur për përsosjen e vazhdueshme të organizimit të vet në funksion të këtij qëllimi;…
I
Parimi i proklamuar gjatë fazës së krijimit të shteteve nacionale në Evropë – një komb/një shtet, sipas të cilit pjesa absolutisht më e madhe e një populli përfshihej brenda kufijve nacionalë të shtetit të vet (shtetit/komb), në rastin e shqiptarëve, përkundër vullnetit të tyre, u implementua pjesërisht: më tepër se gjysma e popullit shqiptar dhe më tepër se gjysma e trojeve shqiptare mbetën jashtë kufijve të shtetit shqiptar.
II
Kjo u bë për shkak të synimeve të koncentruara grabitçare të forcave të caktuara politike në Ballkan të ndihmuara nga interesat kontradiktore të fuqive të mëdha të Evropës. Konferenca e ambasadorëve të 6 fuqive të mëdha në Londër e vitit 1912/13, pa përfaqësimin adekuat, dhe përkundër vullnetit politik të shqiptarëve, të shprehur me kryengritjet e atyre viteve, e bëri sanksionimin e kësaj ndarjeje të popullit shqiptar dhe të këtij copëtimi të trojeve të tyre, duke u udhëhequr me besimin se në këtë mënyrë do të ruhej paqja e përgjithshme në prag të luftës së madhe botërore. Në vazhdimin e mëvonshëm të ngjarjeve kjo çështje vazhdimisht qëndroi pezull dhe e pazgjidhur me arsyetimin, në kohë paqeje, se në këtë mënyrë ruhej balansi i fuqive ndërkombëtare, kurse në kohë krizash, paqja e përgjithshme. Ndërkaq vetë çështja, në çdo kohë, u konsiderua si vatër potenciale e krizave, me mundësinë e shfrytëzimit për shkaktimin e tyre, por edhe për eskalimin në vatër të konflikteve të mundshme përmasash të gjera.

III
Historia e ka konfirmuar në mënyrë decidive se shkelja e kësaj të drejte të popullit shqiptar dhe sakrifikimi i tij për hir të paqes së përgjithshme, nuk e shpëtoi ndonjëherë Evropën nga luftërat e mëdha apo të vogla, apo nga ato me karakter lokal. Shqiptarët nuk i mbanin çelësat për zhvillimin e raporteve midis popujve dhe kombeve. Përkundrazi, trajtimi i çështjes si fakt i kryer, i mbarsur me rreziqe të përherëshme për destabilizimin e gjendjes, i kontribuoi rëndimit të situatave në kohë të caktuara, eskalimit të dhunës e të terrorit shtetëror gjer në përmasa tragjike dhe determinoi:
1) ngecjen e vazhdueshme të zhvillimit të popullit shqiptar në tërësi dhe në të gjitha drejtimet, përkundër begatisë me resurse natyrale dhe njerëzore,
2) thellimin e vazhdueshëm të mosbesimit në raportet e gjithëmbarshme midis shqiptarëve dhe fqinjve të tyre.
Raportet shqiptaro-serbe, shqiptaro-malazeze, shqiptaro-maqedonase dhe shqiptaro-greke janë bërë të njohura historikisht si raporte konfliktuoze me shpërthime të herëpasherëshme dhe me fate të ndryshme, por akumulimi i mëtejshëm i konfliktuozitetit në kontekst të pjekurisë së ngritur të vetëdijes kolektive mbi interesat e veçanta nuk mund të mbetet pa konsekuenca në vetë karakterin e këtyre raporteve dhe madje në vetë karakteret kolektive të këtyre popujve. Ngecja relative në zhvillimin e secilit veç e veç, dhe e të gjithëve së bashku paraqet dëshminë më evidente se asnjë popull nuk mund të zhvillohet i lirë mbi supet e tjetrit.
IV
Duke marrë parasysh shkallën e arritur të varësisë reciproke të shteteve dhe të popujve në Evropë dhe më gjerë, në botë, pastaj faktin se historia e kombeve zhvillohet në ndërlidhje reciproke dhe se nuk është i mundur zhvillimi i izoluar i asnjë populli, Partia e Unitetit Kombëtar vlerëson se zhvillimi i proceseve integruese dhe Bashkimi i Evropës, si dhe krijimi i Rendit të Ri Botëror, e ndihmon angazhimin dhe luftën e hapur legale për bashkimin e shqiptarëve dhe të trojeve të tyre në një shtet të vetëm. Tendenca themelore që lidhet me proceset e tranzicionit demokratik në shtetet e Evropës Lindore dhe të ish-Jugosllavisë është pikërisht përfundimi i procesit të krijimit të shteteve nacionale dhe i pavarësimit të tyre. Bashkimi i Evropës përmes realizimit të parimit komb/shtet, ose një komb-një shtet, ose bashkimi i Evropës përmes zbatimit të parimit të vetëvendosjes së popujve, paraqitet si formulë e vetme e përshtatshme për sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë të Evropës së Bashkuar dhe për prosperitetin e popujve të saj. UNIKOMBI, duke u angazhuar për zbatimin e këtyre parimeve (të vetëvendosjes dhe të kombit/shtet) në rastin e shqiptarëve, i ndihmon njëkohësisht avansimit të proceseve në fjalë të lidhura me bashkimin e Evropës dhe me ndërtimin e rendit të ri ndërkombëtar politik.
V
Duke u nisur nga këto parime, UNIKOMBI i mbështet të gjitha aktet që kanë të bëjnë me krijimin dhe institucionalizmin e Republikës së Kosovës. Jetësimin e plotë të saj e sheh në funksion të bashkimit të kombit dhe të proceseve integrative në Evropë. Kosova Republikë e pavarur është një hallkë me rëndësi tranzitore drejt bashkimit përfundimtar të kombit, por jo edhe përfundim i këtij procesi. Për këtë shkak, ajo angazhohet njëkohësisht për inicimin, zhvillimin dhe forcimin e atyre proceseve që çojnë drejt realizimit të këtij qëllimi; si parti, ajo do të investojë përpjekje dhe mund të duhur për përsosjen e vazhdueshme të organizimit të vet në funksion të këtij qëllimi; për zhvillimin e atyre formave të demokracisë dhe të atyre raporteve me forcat tjera politike brenda dhe jashtë vendit që do t’i ndihmonin funksionalizimit të këtij qëllimi. Parulla “një komb-një shtet” mbetet devizë kryesore e punës dhe e angazhimit të UNIKOMBIT gjer në realizimin e saj të plotë në kushtet dhe në rrethanat që do ta mundësojnë këtë.

_________________
– Kjo është Deklarata politike të cilën Ukshin Hoti e kishte përgatitur me rastin e zgjedhjes së tij për Kryetar të UNIKOMB-it. Kjo deklaratë ishte një ndër pikat kyçe të aktakuzës, që ka ngritur prokurori serb kundër tij në gjykatën e Prizrenit, pas arrestimit në 14 maj 1994. /sh.b/

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura