PROF.DR.AGIM ZOGAJ: NË KUJTIM TË ADEM DEMAÇIT: BIR DHE USHTAR I POPULLIT!

Prishtinë, 24 shkurt 2019: Historia moderne e popullit shqiptar, veçmas nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë së cunguar, ka shumë personalitete kombëtare që i dhanë historisë sonë, që emrin shqiptar e lartësuan si kuptim jo vetëm fisnor, jo vetëm si komb i vuajtjeve, sakrificave, qëndresës, krenarisë para qytetërimit modern.
Një ndër personalitetet më emblematike, më universale, më kuptimplote, jo vetëm në rrafshin e mendimit, veprimit, por edhe të filozofisë politike, të filozofisë së lirisë, është Adem Demaçi.
Demaçin e quajtën, Mandela i Kosovës, Drajfusi i Kosovës, Simboli i qëndresë, Simboli i ribashkimit kombëtar, por Demaçi nuk është i jashtëzakonshëm vetëm në fushën kombëtare, të luftës për çlirim të popullit të Kosovës nga sundimi serb/jugosllav, por ishte dhe është i veçantë, shumëdimensional dhe reflektues edhe në rrafshin e ideve të filozofisë politike, letrare dhe atyre humaniste, që i tejkalon kufijtë e shqiptarisë.

Demaçi, pra, ky Institucion i Qëndresës sonë Kombëtare. Personalitet i cili i dha shpirt e forcë popullit tonë edhe atëherë kur të bëhej se edhe Zoti na ka harruar, është një vlerë universale e historisë moderne të kombit shqiptar. Demaçi ishte ai i cili, pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore ishte ndër atdhetarët e parë që, nga paraardhësit e Atdhetarisë Shqiptare e mori flamurin e betejës së popullit të Kosovës dhe vëllezërve tanë në trevat entike të ish Jugosllavisë, për çlirim nga sundimin serb/jugosllav, përkatësisht për bashkimin e Kosovës me Atdheun mëmë, Shqipërinë. Demaçi, përmes Programit politik, kombëtar të mbarështuar më 1963 në Lëvizjen Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, paralajmëroi se, është institucion kombëtar, sepse, në periudhat më të vështira të rrugëtimit të Kosovës drejt lirisë, u ngrit mbi të gjitha stuhitë e kohës. Falë, guximit të pa përsëritshëm, falë vendosmërisë e cila e karakterizon vetëm atë, falë urtisë njerëzore deri në kufijtë biblikë, Demaçi bëri që nga disidenti dhe kryengritësi shqiptar i viteve të 60-ta,70-ta, të arrijë që, në vitin 1998 të jetë Përfaqësues politik i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së së lavdishme me seli në Prishtinë. Derisa pushka e trimave të UÇK-së jehonte nëpër fushëbetejat e Kosovës, Demaçi nga Prishtina porosiste diplomatët e qendrave botërore të vendim marrjes: ”… ne jemi të gatshëm ta çojmë deri në fund luftën tonë për liri e pavarësi”! Gjithsesi, shkruesit e historisë politike, kombëtare të Demaçit do t’i gjejnë vend në kujtesën historike dhe fjalisë së Demaçit thënë mikes amerikane të popullit shqiptar, në vitin 1999, Sekretare amerikane e shtetit, zonjës Medlin Albright se: “Ne nuk do të heqim kurrë dorë nga ëndrra për të qenë të lirë”!
Më 2 janar 1999 ndërsa deklaronte: “…meqë ne nuk kemi ku të shkojmë – ka ardhur puna: të jemi a të mos jemi fare”! Kështu fliste Adem Demaçi, kur, në fushëbetejat e Kosovës dhe në tavolinat diplomatike të botës po ripërcaktohej fati i Kosovës. Demaçi, e ndjente në shpirt frymëmarrjen e popullit, bir i të cilit ishte dhe do jetë përgjithmonë.
Madhështia e Demaçit ishte dhe do të ngel përherë, sepse ai e njohu dhe e pranoi vetëm një rrugë, progresin dialektik, shoqëror dhe jo filozofinë e pritjes, jo lëmoshën, dhe, aq më pak, jo mëshirën kur ishte fjala për lirinë tonë kombëtare. Demaçi, në paragrafët e Programit Politik të LRBSH-së, që në vitin 1963 saktësonte se, liria nuk falej, ajo fitohej dhe se, lirinë duhet meritur. Prandaj, Demaçi me bashkëmendimtarët dhe bashkë patriotët e kohës, pikërisht në programin Politik të Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve paralajmëronin se : ”…Lufta jonë ka me qenë e gjatë… Na duhet të ngrihemi të gjithë, t’i dalim anmikut ballëpërballë dhe të luftojmë me te për jetë a vdekje”! Vizioni kombëtar i Demaçit u ngrit mbi filozofinë e tij politike e cila ngërthen tri ide themelore:
– idenë e kombit,
– idenë e lirisë dhe
– idenë e barazisë.
Prandaj, siç vërejnë edhe studiues tjerë, “Liria e individit dhe liria e përgjithshme janë strumbullari i filozofisë politike të Adem Demaçit”. (Dr.Sabri Kiçmari, “Epoka e Re”, 26 shkurt 2016, Prishtinë). Ajo filozofi politike, e cila ishte lajtmotivi i rrugëtimit të Demaçit, i dha atij vendin e merituar në historinë tonë më të re, dhe njëherazi i mundësoi që, në çdo kthesë të madhe kombëtare, një shërbëtor fisnik i popullit! Vetë e kishte thënë: “Jam bir dhe ushtar i vogël i popullit tim të madh”! Le të jetë, përgjithmonë ashtu siç e ka thënë Baca Adem i yni!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura