XHEMAJL PLLANA: VEPRIMTARIA IME KOMBËTARE NË KUADËR TË LNÇKBVSHJ-së DHE LPRK & LPK-së (7)

Pashtriku, 8 qershor 2020:
Vrasja me torturë e Zijah Shemsiut
Zijah Shemsiu u lind më 1 korrik 1950 në fshatin Përlepnicë të komunës së Gjilanit.Ai ishte aktiv dhe në demnstratat e vitit 1968,u shqua sidomos në demonstratat e vitit 1981,duke u shfaqur aty ku ishte më së vështiri. Më 9.tetor 1983 afër Beogradit, arrestohen nga policia jugosllave duke transportuar armë (të destinuara për aksione) në relacionin Zvicër – Kosovë ,veprimtarët e LRSHJ-së, Zijah Shemsiu dhe Sami Kurteshi. Pas 18 muajsh torture (5 maj 1985) Zijah Shemsiu vritet në burgun e Beogradit.Zijah Shemsiu u varros natën dhe ilegalisht,ku pati pjesëmarrje masive e me kurora lulesh të freskëta.Ndërkohë LRSHJ organizon demonstrata të herëpashershme për Republikë në disaporë. Në Kosovë u organizuan demonstata për shënimin e përvjetorit të demontratave të vitit 1981 dhe u përsërit kërkesa për Republikë.

Vrasja e veprimtarit të LRSHJ-së, Bajram Bahtiri
Bajram Hajrush Bahtiri-Besniku u lind me 04 mars 1961 në një familje gallabase në Prishtinë.Ishte pjesëmarrës aktiv në demonstratat e vitit 1981. Pasi që e kishin vënë nën rrethim, jo vetëm shtëpinë e Bacë Hajrush Bahtirit, por edhe tërë lagjen, kriminelët tentuan të futeshin brenda dhe ta arrestonin edhe Bajramin. Mirëpo “Besniku” e aktivizon revolen dhe e plagos denoncuesin shqipfolës duke e çarë kështu dhe rrethimin.Pastaj pozicionohet te vendi “Madeni i Salih Bullakut” rrethohet dhe tentohet të mashrohet që të dorëzohet, mirëpo në ndërkohë hijenat shqipfolëse kishin shumfishuar dhe pas një kohe vritet nga snajperët e policisë së athershme të Kosovës. Kështu që më 8 shkurt 1984,pas një lufte të pabarabartë vritet nga policia serbe veprimtari i LRSHJ-së Bajram Bahtiri.

Lidhja dhe bashkëveprimi me OMLK-ës
Po ashtu në vitin 1984 nëpërmjet Sami Dermakut jemi lidhur me OMLK-ës. Persona kontaktues kemi qenë unë dhe Ramadan Dermaku. Në ndërkohë jemi takuar dhe kemi bashkëpunuar dhe me Mustafë Xhemajlin, Selajdin Avdullahun etj. Me këtë lidhje ne e kemi zgjeruar dhe e kemi intensifikuar dhe më tepër punën dhe veprimtarinë tonë atdhetare. Kjo na ka ndihmuar shumë dhe në përvojën e punës tonë sidomos në maskimin, bartjen dhe shpërndarjen e materialeve propagandistike. Gjatë verës së vitit 1985 janë arrestuar pjesëtar të OMLK-së, ndër ta dhe Ramadan Dermaku, Selajdin Avdullahu e shumë veprimtarë të tjerë të organizuar nga e tërë Kosova. Mirëpo sado që ne kemi vepruar me pseudonime, megjithatë, ne kemi ditur dhe emrat e njëri tjetrit, por emri im nuk është zbuluar asnjëherë gjatë hetuesisë, prandaj dhe i kam shpëtuar arrestimit.
Rënja heroike e Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës
Rexhep Malaj u lind në fshatin Hogosht të Dardanës (Kamenicës) më 29 mars 1951.Nuhi Berisha u lind më 3 tetor 1961 në fshatin Svircë të Dardanës.Që të dy veprimtar dhe ish të burgosur politik. Më 23 maj1983 pas 8 vitesh vuajtje e maltretimesh lirohet nga dyert e hekurta nëpër çeli të burgjeve jugosllave veprimtari sypatrembur i qështjes tonë kombëtare Rexhep Malaj. Prandaj me plot energji së bashku me shokun e idealit Nuhi Berisha nisin përsëri luftën drejt realizimit të idealit të tyre.Mirëpo UDB-a u bie në gjurmë, por trimat lidhën besa-besën të mos u binin në dorë të gjallë xhelatëve. Më 11 Janar 1984 në “Lagjen e Trimave” gjatë një rrethimi, në luftë tepër të pabarabartë me forcat policore ranë heroikisht Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha! Kjo ngjarje ishte një humbje e rëndë për Lëvizjen tonë ilegale në përgjithësi, por ishte dhe një motivim për luftë deri në vdekje me armikun tonë shekullor. Rexhep Mala e Nuhi Berishës shquhen ndër figurat më të ndritura të qëndresës dhe sakrificës sonë kombëtare.Ata ishin ideatorët dhe projektuesit e Luftës së Armatosur,si e vetmja metodë për çlirimin e Kosovës dhe si hap drejt bashkimit me Shqipërinë mëmë. Rexhep Mala ishte ndër të burgosurit më të pathyer i cili më së gjati kishte mbajtur grevë urie, pavarësisht të gjithave, ai arriti që të shkruaj ditarin “Kujtime nga Burgu” ku paraqet jetën shumë të vështirë dhe torturat më çnjerëzore mesjetare të UDB-së që kishin ushtruar kundër tij.
Vazhdimësia e veprimtarisë dhe qëndresës së shqiptare në Jugosllavi
Duke qenë se shqiptarët ishin një etnitet, një popull kompakt dhe homogjen, në territore, në gjuhë, kulturë dhe histori krejtësisht të ndryshme nga sllavët, bënë që brenda atmosferës politike në Jugosllavi të ketë përplasje. Pas rënies së Murit të Berlinit, filluan përplasjet dhe në mes Serbisë dhe popujve liridashës siç janë: shqiptarët, kroatët, sllovenët, boshnjakët etj. Shqiptarët ishin të parët në RSFJ, që i treguan botës se Federata Jugosllave nuk funksiononte siç propagandohej, sepse liria dhe mirëqenia e një nacionaliteti po sigurohej duke shtypur dhe duke shfrytëzuar nacionalitetin tjetër. Që nga ngjarjet e vitit 1981 Jugosllavia i hyri hapur planit të ri-kolonizimin e Kosovës ; u përpiluan dhe u miratuan 1360 akte politike, juridike, të veçanta në funksion të kolonizimit të Kosovës me serbë dhe malazezë.Në dekadën e viteve 80-ta u ushtrua dhunë, plane për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova. Prej vitit 1981-1991, kur Kosova nuk gëzonte mbrojtje kushtetuese, nga policia serbe u keqtrajtuan 700.000 shqiptarë, u vranë dhe u masakruan me qindra, u përzënë nga puna mbi 70.000 shqiptarë, u mbyllën shkollat dhe Universiteti i Prishtinës, studentët dhe mësimdhënësit u dëbuan nga objektet mësimore. Masat e diferencimeve ideopolitike ndaj intelektualëve dhe veprimtarëve të çështjes kombëtare, pas demonstratave të marsit-prillit 1981 kishin për qëllim eliminimin dhe shkatërrimin e substancës sonë kombëtare, intelektuale, në të gjitha institucionet shtetërore, ekonomike, administrative, kulturore e arsimore. Ajo po synonte përçarjen e shqiptarëve dhe frontin e tyre të luftës për liri dhe barazi në kuadër të Federatës Jugosllave. Gjatë verës së vitit 1984 jemi takuar dhe kemi vënë kontakte me Selvete Grajqevcin dhe me Hysen Grajqevcin, të cilët, direkt ose indirekt, kishin pasur miqësi dhe kontakte me Sheremet Saraqin. Selvetja punonte në zyrat e Drejtorisë së Mihjes Sipërfaqësore në Mirash. Me Selveten më në fund kemi vendosur miqësi dhe marrëdhënie të qëndrueshme, e cila u kurorëzuan me martesë, në verën e vitit 1985, dhe kemi tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë (Drilonin, Albionin dhe Ermirën).
Lirimi i Ramadan Pllanës dhe vazhdimi i veprimtarisë tonë në luftën për Liri
Dani ka kaluar nëpër burgje të ndryshme jugosllave si: në burgun e Prishtinës, në Burgun Pejës, në burgun e Mitrovicës së Sremit, në Burgun e Zajeçarit dhe në burgun e Nishit, deri më 14 nëntor 1985. Lirimi i Danit nga burgu ishte shumë i nevojshëm për ne dhe aktivitetin tonë. Dani nga burgu ka dalë me një gjendje jo të mirë shëndetësore. Ai gjatë vuajtjes së dënimit ishte goditur nga një gardian me shkop në pjesën e prapme të qafës në një lyth dhe si pasoj e pakujdesit mjekësor i ishte rritur dhe i ishte shndërruar në kancer. Prandaj puna e parë që kemi bërë ka qenë mjekimi i kësaj plage. Mbaj mend se kemi shkuar në QKUK, me librezën time shëndetësore është operuar dhe është shëruar me sukses të plotë. Prandaj me këtë rast dua të falënderoj mjekët: Dr. Abdyl Krasniqi dhe Dr.Xhavit Bicaj, të cilët e kanë operuar dhe e kanë shëruar me sukses të plotë.

Ramadan Pllana

Vrasja me torturë e Metush Krasniqit
Më 4 nëntor 1985 arrestohet kolosi i Lëvizjes Kombëtare, Metush Krasniqi, së bashku me 17 veprimtarë të tjerë nga komuna e Ferizajt dhe Kaçanikut. Në burgun e Prishtinës dhe të Mitrovicës përjeton tortura të tmerrshme. Baca Metush ishte burgosur për të pestën herë, mirëpo torturat e burgut të fundit ishin më të rënda se ato të vitit 1958. Nën pranga dhe torturë pas torture inspektorët e sigurimit jugosllavë e kishin dërmuar, duke e prur në vetëm 25 kilogram. Shpeshherë nuk kishte mundur t’iu dilte familjes në vizita, ndërsa familja kishte marrë vetëm rrobat e tij të përgjakura. Kësaj radhe si avokat mbrojtës iu kishte bërë miku dhe atdhetari i njohur Fehmi Baftiu. Ndërsa si gjykatës i lëndës, kishte pranuar t’i bëhej Shefki Syla, ish nxënës i tij, i cili përpiqet maksimalisht që ta mbroj dhe ta liroj bacën nga burgu, gjë që dhe ia ka arritur më 17.6.1986. Mirëpo, më 16 tetor të vitit 1986, si pasojë e torturave mizore vdes udhëheqësi ynë i madh,Metush Krasniqi. Vdekja e tij ishte njëra nga goditjet më të rënda për ne dhe për organizatën e LNÇKVSHJ-së. Në fakt Bacën e kishin liruar për të mos vdekur brenda, në burg. Prandaj me të drejtë shprehet R Qosja se “Mysafiri i ftuar apo i paftuar, askush s’dëshiron që t’i vdesë në shtëpi”. Më 16 tetor bëhet ceremonia e varrimit të bacës, kortezhi i shokëve, miqve e dashamirëve nga të gjitha viset shqiptare,për të cilat ai ishte shkrirë si qiriri ishte i pafund. U varros në Dajkocin e tij të dashur i mbështjellë me flamurin kombëtar, në mënyrën dhe në vendin që e kishte zgjedhur vet. “Baca Metush ishte më trimi, më largpamësi e më atdhetari ndër ne, prandaj fjalën e tij e dëgjonim të gjithë. Kjo ishte arsyeja që pushtuesit çetnikë ia kishin frikën dhe përgatiteshin,që në kohën që ata do ta vlerësonin si më delikate për Lëvizjen tonë ta eliminonin nga udhëheqja jonë”. (Adem Dema).
Mbledhja e Parë e Përgjithshme e LPRK-së
Korrik 1987, Zvicër (St. Gallen, Cyrih, Delemont). Mbahet Mbledhja e Parë e Përgjithshme e LPRK-së me delegatë nga diaspora dhe delegatin Ahmet Haxhiu, i dërguar nga Këshillat në territoret shqiptare në ish-Jugosllavi. Kjo Mbledhje zgjati 3 ditë. Në te u aprovua Programi dhe Statuti i LPRK-së, u aprovuan rezolucionet dhe u zgjodh udhëheqësia e re. Kryetar u zgjodh Fazli Veliu, sekretar Emrush Xhemajli, përgjegjës fianciar Gafurr Elshani, anëtarë kryesie, Avni Dehari, Ernest Jurstver, Xhavit Haliti, Rexhep Halimi etj. Si dhe Redaksia e “Zërit të Kosovës” me redaktor Mustafë Xhemajlin. Organ ligjëvënës i LPK-së u emërua Këshilli i Përgjithshëm (deri atëherë Komiteti Qendror) dhe përbëhej prej 21 vetave.
Punësimi në shkollën fillore në fshatin Hade të komunës së Obiliqit
Në vitin shkollor 1987\88 me ndihmën e disa miqve arrita që të punësohesha si arsimtar i lëndës së gjeografisë (zëvendësim për një vit) në shkollën fillore të fshatit Hade. Edhe aty kam gjetur miq e shokë, ndër të tjerë dhe me veprimtarin e çështjes tonë kombëtare Idriz Daka, me të cilin isha njohur në burgun e Mitrovicës më 1981. Kam kaluar mirë, me nxënës, me kolegë me miq,e me punëtorë të Mihjes Sipërfaqësore të Mirashit që i takoja.
(1) Vrasja e Aziz Kelmendit dhe dënimi i ushtarëve shqiptar në gjykatën e Nishit
Më 3 shtator 1987, në kazermën e Paraqinit u vra ushtari shqiptar Aziz Kelmendi, i cili gjoja kishte vrarë disa ushtarë, pjesëtarë të të gjitha kombeve të Jugosllavisë.E gjitha ishte organizim dhe skenar i KOS-it,me qëllim të nxitjes së urrejtjes edhe te popujtë tjerë ndaj shqiptarëve,dhe me qëllimin e fundit shfuqizimin e autonomisë të KSA të Kosovës. Më 28 janar në Nish u organizua gjykimi i disa ushtarëve të pafajshëm shqiptarë, me qëllim të sajimit të një vrasjeje të organizuar nga nacionalizmi dhe irredentizmi shqiptar. Me këtë rast u dënuan këta ushtarë shqiptarë: Riza Xhakli me 15 vjet burg, Abdylxhemil Alimani me 14 vjet burg, Afrim Mehmeti me 10 vjet burg, Pajazit Aliu me 10 vjet burg, Riza Alibashiqi me me 7 vjet burg, Shefqet Paqarizi me 5 vjet burg, Enver Behluli me 4 vjet burg, dhe Islam Mahmuti me 2 vjet burg.
Fushë Kosova bastion i shovenzmit serb
Në vitin 1987, serbët e Fushë Kosovës filluan një fushatë antishqiptare, me protesta e shpifje nga më të ultat, me kërkesat raciste si: ”Shqiptarët përtej Bjeshkëve të Nemuna”, se shtimi i shqiptarëve bëhet për qëllime separatiste, se nënat shqiptare janë lavatriqe, se shqiptarët dhunojnë femrat serbe, demolojnë varrezat serbe, etj., qëllimi i të cilave ishte ardhja e Millosheviqit në krye të Republikës së Serbisë dhe heqja e autonomisë të Kosovës!
Politika zyrtare e Serbisë, në fund të vitit 1987, por edhe gjatë vitit 1988 e 1989, ndërmori fushatën e organizimit të debateve për ndryshimet kushtetuese në Republikën e Serbisë, ku parashihej që t’ju reduktoheshin të drejtat dy Krahinave Autonome në kuadër të Serbisë – Federatës së Jugosllavisë, gjegjësisht KSA të Kosovës dhe KSA të Vojvodinës (në fakt qëllimi ishte Kosova).
Në shumë qendra të Kosovës u organizuan debate për ndryshimet kushtetuese. Në krye të këtyre debateve u vunë elementë të pushtetit, të cilët bënin thirrje për ndryshimin e Kushtetutës dhe që “garantonin” se shqiptarëve dhe të tjerëve nuk do t’u merreshin të drejtat kushtetuese, ato janë kundërshtuar nga këshillat e punëtorëve nëpër shkolla dhe kudo nëpër kolektive të institucioneve të ndryshme në Kosovë.
Veçimi i nxënësve shqiptarë nga lokalet e shkollave të përbashkëta
Njëra nga shkollat e para e cila bëri ndarje të nxënësve shqiptarë në Kosovë nga shkollat e përbashkëta ishte, Drejtoria e Sh.F “Vuk Karaxhiq”në Prilluzhë të Vushtrrisë e cila udhëhiqej nga Mashiq Tomisllav doli me parullën: ”Të largohen nga shkolla nxënësit shqiptarë”. Shkaqet e largimit të nxënësve shqiptarë ishin si pasojë e protestave të banorëve serbë të Prilluzhës, të cilët ishin të ndikuar nga protestat antishqiptare të serbëve në Fushë Kosovë, kundër autonomisë edhe ashtu të cunguar të Kosovës. Prandaj më, 18 tetor 1988 largohen të gjithë nxënësit shqiptarë (483 nxënës) nga kjo shkollë, të cilët vendosen në lokalet e Paraleles së SHF “Vuk Karaxhiq”,në Stanovc të Poshtëm.
VIJON …

_______________

Referenca:
1. http://www.albaniapress.com/,04 shtator, 2017,Beqir Elshani
_________________
XHEMAJL PLLANA VEPRIMTARIA IME KOMBËTARE NË KUADËR TË LNÇKBVSHJ-së DHE LPRK & LPK-së (6)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=10103

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura