PROF.DR.ANA LALAJ: SHQIPËRIA DHE TRAKTATI I VARSHAVËS

Pashtriku.org, 21. 04. 2014 – Shqipëria nga pakti i Vashavës në NATO. Çfarë ishte Traktati i Varshavës, bllok ushtarak përballë Perëndimit apo “vëllezër nën armë” për të parandaluar shpërbërjen e kampit komunist; si u bë Shqipëria një nga tetë vendet anëtare të Traktatit të Varshavës; si dhe pse lindi përplasja me Bashkimin Sovjetik; baza e Vlorës siguri apo rrezik për Shqipërinë;… për të gjitha këto flet në një intervistë me Admirina Peçin, Prof.dr.Ana Lalaj. Ajo analizon Traktatin e Varshavës nëpërmjet dokumenteve nga arkivat shqiptare, sovjetike dhe amerikane. Shpjegon rrethanat politike ndërkombëtare në të cilat u ngrit Traktati i Varshavës, propagandën dhe retorikën komuniste përballë synimeve të Hrushovit për të kompaktësuar kampin socialist, ndryshimet midis NATO dhe Traktatit të Varshavës, përse u tregua e gatshme udhëheqja komuniste shqiptare për të ngritur një bazë ushtarake në Shqipëri, që do të prishte ekuilibret gjeostrategjike në Mesdhe. Profesoreshë Ana Lalaj argumenton shkaqet se përse u krijua “fermenti” anti-Hrushov tek Hoxha që ishte në fakt frika nga largimi i tij nga pushteti siç kishte ndodhur me shumë nga udhëheqësit komunistë të Lindjes.
ADMIRINA PEÇI: Profesoreshë Ana, cila ishte atmosfera politike kur u krijua Traktati i Varshavës?
PROF.DR.ANA LALAJ:
Traktati i Varshavës u nënshkrua më 14 maj 1955, nga qeveritë e tetë vendeve komuniste të Evropës Lindore e Qendrore, midis të cilave edhe Shqipëria. Ai hyri me emërtimin standard: “Traktati i Miqësisë, Bashkëpunimit dhe Ndihmës Reciproke”, por në fakt ishte një pakt i mirëfilltë politiko-ushtarak, që siç u deklarua në atë kohë, u krijua si kundërpeshë ndaj NATO-s dhe përfshirjes brenda saj të Gjermanisë Perëndimore, e cila u pranua në NATO më 9 maj 1955, për të cilën shprehej frika e rimilitarizimit të saj. Aleanca të këtij lloji, si NATO e Traktati i Varshavës, ku është fjala për qëllime mbrojtëse, tradicionalisht janë krijuar në kohë tensionesh dhe rreziqesh të identifikuara. Në kohën kur u krijua NATO, më 1949, Stalini i kishte vënë në kontroll të rreptë vendet e Lindjes. Edhe qëndrimet përjashtuese që Perëndimi kishte mbajtur ndaj Moskës (për shembull, Plani Marshall, më 1947), e kishin nxitur më tej revanshin sovjetik. Me këtë rast, Stalini kishte shpërndarë qeveritë e koalicioneve, duke i shndërruar ato në tërësisht komuniste. Në Pragë kishte ndërhyrë brutalisht, ndërsa Berlinit Perëndimor i ndaloi furnizimet me mallra dhe ushqime që vinin nga Gjermania Perëndimore. Në këtë mënyrë, BS u shfaq si një rrezik i ri në Evropën e pasluftës. Si reagim, u krijua NATO, një aleancë politike – ushtarake e Perëndimit dhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si pjesë e saj. Gjashtë vjet më pas, më 1955, kur u krijua Pakti i Varshavës, midis Lindjes dhe Perëndimit kishte filluar “shkrirja e akujve” ose, siç është quajtur ndryshe “Detanta e parë”. Më 1954, Ilia Erenburg kishte publikuar romanin e tij që i dha emrin e tij edhe periudhës post-Staliniste “Otepel”, në anglisht është përkthyer “The Thaë”, në shqip “Shkrirja e akujve”. Në politikën e jashtme, N. Hrushovi kishte dalë në publik me idenë e tij të njohur të bashkekzistencës paqësore me Perëndimin, e cila gjeti mbështetje.

– Prof.dr.Ana Lalaj – 

“Ka vetëm dy rrugë, shprehej ai, ose bashkekzistencë paqësore, ose lufta më shkatërrimtare në histori”. Në Hemisferën tjetër, Presidenti Ajzenhauer jepte siguri se “populli amerikan dëshironte të ishte miqësor me popullin e BS”. Në reformat e brendshme, dy vjet pas vdekjes së Stalinit, N. Hrushovi kishte avancuar mjaft në kursin ambicioz të destalinizimit si brenda BS, ashtu edhe në vendet e tjera të “kampit”.
U mbyllën gulakët dhe u rehabilituan shumë nga të burgosurit politikë. U shpërnda Kominformi dhe u hoq gjendja e luftës me Gjermaninë. Në forcat ushtarake u bënë shkurtime dhe fondet për armatime u pakësuan. Në Shtetet e Bashkuara, antikomunizmi fanatik i Jozef Mçarthy-t kishte marrë përgjigje ndëshkuese. Operacionet “Rollback” në disa vende të Lindjes, përfshirë dhe Shqipërinë, u ndërprenë. Po kështu, luftërat në Kore dhe Indonezi morën fund. E të tjera.
ADMIRINA PEÇI: Atëherë, përse u krijua Pakti i Varshavës?
PROF.DR.ANA LALAJ:
Arsyeja ishte strategjike. Pas vijës ndarëse me Lindjen, Perëndimi ishte kompaktësuar mjaft. Hrushovi ndjehej i shqetësuar, se pikërisht kjo i mungonte Lindjes. Ai e kishte kuptuar dhe besonte se Aleanca Atlantike e Veriut nuk përbënte ndonjë kërcënim ushtarak për vendin e tij dhe bllokun në tërësi. Por, nëse në pikëpamje ushtarake NATO ishte në pozicione mbrojtëse, në pikëpamje politike ajo ishte “agresive”.
Kjo buronte nga vetë misioni i NATO-s, nga kredoja morale e përhapjes së shembullit, e modelit të sistemit, e garancive të lirisë etj. Prandaj më shumë se luftës, Hrushovi i trembej shthurjes së “kampit”. Dhe për të mbajtur në kohezion e kontroll “familjen komuniste”, gjeti një mekanizëm të ri politiko-ushtarak, “vëllazërimin nën armë”.
Kjo mendoj se është, në mos kryesorja, së paku një arsye më shumë pse u krijua Pakti i Varshavës. Ngjarjet e një viti më vonë në Poloni dhe Hungari e provojnë këtë tezë. Qeveritë e vendeve anëtare të Paktit dhanë miratimin që tanket sovjetike, të drejtuara për në Budapest, të kalonin nëpër territoret e tyre. Në këtë mënyrë, këto qeveri u bënë pjesë e një operacioni ushtarak.
ADMIRINA PEÇI: Si e përdori anëtarësinë në Paktin e Varshavës udhëheqja politike shqiptare?
PROF.DR.ANA LALAJ:
Siç ndodh zakonisht në këto raste, anëtarësimi u shoqërua me propagandën tipike të kohës se: “Shqipëria ishte pjesë e një aleance të pashembullt në histori, ku përfshiheshin 300 milion frymë, në një territor prej 23,5 milionë kilometërkatrorë”. Ose deklarata si ajo e Rokosovskit, ministrit polak të mbrojtjes se: “Kush do të guxonte të prekte territorin e Shqipërisë, do t’i dërmonte nofullat grushti i fuqishëm i forcave të bashkuara të Traktatit të Varshavës” etj. Pavarësisht këtij dekori, duhet thënë megjithatë se Traktati i Varshavës ishte organizata e parë ndërkombëtare, në të cilën merrte pjesë Shqipëria komuniste dhe udhëheqja shqiptare e shfrytëzoi këtë çast për të riformatuar autoritetin e saj.
Në këtë rrafsh mund të vërejmë atë që Enver Hoxha u ndje i joshur kur në dhjetor 1956, në prag të asaj që studiuesit e kanë quajtur thyerja e dytë sovjeto- jugosllave, Hrushovi i propozoi Hoxhës krijimin e një baze ushtarake në Vlorë, që do të ishte baza e vetme sovjetike e që më pas u bë e Traktatit të Varshavës në Mesdhe. Hoxha pa asnjë ngurim ishte i gatshëm, madje entuziast. Një vit më vonë në Shqipëri erdhi Zhukovi dhe në atë rast u bisedua më në detaje për ngritjen e bazës.

Pakti i Varshavës – maj 1955 (sigla, harta,

hapja e konferencës në Varshavës dhe shtetet e paktit)

Kuptohet, më parë se sovjetikëve kjo iu shtrua Byrosë Politike me arsyetimin se nëndetëset, raketat, kryqëzorët në Vlorë do t’i tregonin botës se BS do ta mbronte Shqipërinë. Propozimi u pranua dhe Baza ushtarake-detare e Vlorës u bë e vetmja bazë e bllokut komunist në Mesdhe. Atje u ankoruan 12 nëndetëse, 2 baza lundruese, 12 anije të vogla mbiujëse, 24 anije ndihmëse dhe një sasi e madhe armatimesh. Sipas udhëheqjes shqiptare, Baza e Vlorës do të thoshte, ndër të tjera, që kufijtë detarë të kampit socialist të zhvendoseshin nga Deti i Zi në Gjibraltar, se do të mbahej në kontroll Flota VI amerikane në Mesdhe dhe se një sulm i forcave të NATO-s kundër RPSh do të bëhej i pamundur nga deti. Në rrethanat e Luftës së Ftohtë, një logjikë e tillë ishte e kuptueshme.
Por për një vend si Shqipëria, një hap si ky mbartte edhe rreziqe. Mund të thuhet kështu se ajo, me iniciativën e drejtuesve të saj politikë, u shndërrua në një “shtrat të nxehtë” të Luftës së Ftohtë.
ADMIRINA PEÇI: Cilat ishin sfidat e anëtarësisë së Shqipërisë në Paktin e Varshavës?
PROF.DR.ANA LALAJ:
Në fakt, Pakti i Varshavës ka pasur disa herë probleme të kohezionit. Ndryshe nga NATO, e cila përdorte dhe përdor konsensusin si bazë në vendimmarrje, Pakti i Varshavës u ngrit mbi një tjetër filozofi. Kundërshtimet kanë pasur një thelb nacionalist dhe janë drejtuar kundër diktatit të BS si në Pakt, por edhe në vetë “kampin”. Në këto kundërshtime, duke filluar nga viti 60, u përfshi edhe Shqipëria. Në formë, rasti i Shqipërisë duket i ngjashëm me atë të Hungarisë dhe të Çekosllovakisë, ku rruga nacionaliste e udhëheqësve, si Imre Nagi apo Aleksandër Dubçek tentoi shkëputjen e këtyre vendeve nga Pakti i Varshavës. Por përmbajtja flet ndryshe. Nacionalizmi i udhëheqësve çekë dhe hungarezë ishte për politika kombëtare zhvillimi jo të diktuara dhe jo të centralizuara. Ndërsa PPSh ishte e orientuar nga nacionalizmi stalinist i E. Hoxhës, i cili në emër të mbrojtjes së integritetit të vendit, mbylli kufijtë dhe ushqeu psikozën e rrezikut të jashtëm; në emër të identitetit kombëtar nxiti fobinë për të huajën dhe, mbi të gjitha, për të mbajtur pushtetin dhe nuk kurseu asnjë mjet.
PPSH dhe Enver Hoxha, në thelb, nuk e pranuan Kongresin e 20 dhe, ndryshe nga vendet e tjera të bllokut, ata iu shmangën reformave liberalizuese në frymën e atij kongresi.
ADMIRINA PEÇI: Enver Hoxha disa herë ishte hedhur në sulm e mandej ishte tërhequr duke kërkuar ndjesë. Por kjo zgjati deri në Mbledhjen e Bukureshtit në qershor 1960, apo jo?
PROF.DR.ANA LALAJ
: E vërtetë, deri në mbledhjen e Bukureshtit, qershor 1960, Enver Hoxha, sa herë kishte shfaqur kundërshtime ndaj sovjetikëve, përsëri ishte tërhequr, duke kërkuar ndjesë. Por në Bukuresht, përplasjet midis udhëheqjes shqiptare dhe asaj sovjetike nuk u shmangën. Delegacioni shqiptar, që u kryesua nga Hysni Kapo, i kundërshtoi hapur sovjetikët lidhur me procedurat për trajtimin e mosmarrëveshjeve që ata kishin me Partinë Komuniste të Kinës.
Tensioni i Bukureshtit, nëpërmjet komunikimeve Hoxha-Kapo, u shkarkua i tëri në Byronë Politike, duke u hedhur dyshime të forta për qëndrimet e Hrushovit dhe të drejtuesve të tjerë sovjetikë.
Në dukje udhëheqja shqiptare është e pakënaqur me sovjetikët, sepse ajo, jo për herë të parë, ndjehet e mbajtur në distancë. Në rastin e fundit ajo nuk pati njoftim zyrtar nga sovjetikët se mosmarrëveshjet kino-sovjetike do të ishin temë e mbledhjes.
Por më tepër se fasada parimore e procedurave, ndoshta janë për t’u vlerësuar informacionet që E. Hoxha mori nga H. Kapo për simpatitë e shprehura nga sovjetikët për Liri Belishovën, sekretare KQ të PPSH, duke e quajtur atë “heroinë” dhe “komuniste e vërtetë”, që tek Hoxha janë përkthyer si sinjale për largimin e tij nga pushteti.
Ato ditë, paralel me Bukureshtin, Belishova, gjatë një vizite në Kinë, siç ishte deri atëherë në traditë, u kishte përcjellë diplomatëve sovjetikë në Pekin të gjitha bisedat e saj zyrtare me kinezët. Gjithsesi, dokumentet sugjerojnë se më e mundshme është që tek E. Hoxha, me kohë të jetë krijuar një “ferment” anti-Hrushov, që mezi priste të shpërthente diku.
Përsa i përket Liri Belishovës, si mjeshtër i këtyre situatave, E. Hoxha mbaroi punë shpejt, duke e akuzuar atë drejtpërdrejt se “donte të prishte unitetin në parti … e t’i zinte vendin” dhe, pasi e shkarkoi nga të gjitha funksionet partiake, e internoi.
Por shpërthimi i vërtetë ndaj sovjetikëve ndodhi pak muaj më vonë, në Moskë në nëntor të po këtij viti…
Po shpërthimi ndodhi në Konferencën e 81 partive komuniste e punëtore, që u mbajt në Moskë në nëntor 1960. Në atë konferencë E. Hoxha mbajti një fjalim të gjatë dhe e akuzoi Hrushovin për veprimtari kundër PPSh, popullit shqiptar dhe deri kundër integritetit territorial të Shqipërisë, duke i kapërcyer kështu kornizat e konferencës.

Nga vizita e N.S.Hrushovit(1894-1971) në Shqipëri (25 maj-4 qershor 1959)

Ndryshimet që po ndodhnin në lëvizjen komuniste ndërkombëtare, ku PKK po formohej si një pol i dytë, ndikuan që E. Hoxha të mos kishte kthim prapa. Kina dhe Shqipëria u ndodhën në të njëjtën anë të barrikadës kundërhrushoviane dhe u treguan të vendosura për të mbështetur njëra-tjetrën.
PKK i siguroi Hoxhës mbështetje ekonomike dhe ushtarake, ndërsa në këmbim, Hoxha në sulmet ndaj Hrushovit mori rolin të qëndrojë disa hapa përpara kinezëve. E gjithë kjo ndikoi që mosmarrëveshjet brenda “kampit” të thelloheshin dhe për më tepër të bëheshin publike. Në fakt, udhëheqësit shqiptarë në mbledhjen e Moskës dhe më pas, morën një rol përtej kapaciteteve të tyre.
ADMIRINA PEÇI: Si ndodhi që Shqipëria u bë delja e zezë e Traktatit të Varshavës? Cili ishte qëndrimi i anëtarëve të tjerë të Traktatit?
PROF.DR.ANA LALAJ:
Është në natyrën e sistemeve komuniste që përplasjet ideologjike midis partive të bëhen përcaktuese në marrëdhëniet politike shtetërore midis vendeve. Kështu ndodhi dhe në raportet e Shqipërisë me BS dhe vendet e tjera, si dhe me vetë Paktin e Varshavës. Duke qenë se mosmarrëveshjet e PPSH u zhvilluan midis saj dhe kreut të kampit socialist, ishte e pritshme mënyra e rreshtimit të këtyre vendeve dhe “solidariteti” për të zbatuar ndëshkime kolektive. Mbledhja e Bukureshtit i kushtoi Shqipërisë ndërprerjen e ndihmave ushtarake nga Traktati i Varshavës, në tetor 1960.
Kjo u bë e njohur si nga Hrushovi dhe, në të njëjtën linjë, edhe nga mareshali Greçko, komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Paktit të Varshavës. Ndërsa Mbledhja e Moskës, nëntor 1960, solli zhvillimet e ashpra të një viti më pas, ndërprerjen e marrëdhënieve ekonomike, shtetërore e diplomatike, deri atje sa as Stalini nuk kishte arritur me Jugosllavinë.
Viti 1961, në planin e marrëdhënieve të Shqipërisë me vendet e tjera të bllokut komunist, përmban një situatë politike mjaft të përkeqësuar. Në mbledhjen e Komitetit Politik Konsultativ të Paktit të Varshavës në Moskë, më 28-29 mars të atij viti, megjithëse në nivel sekretarësh të parë, Enver Hoxha nuk mori pjesë. Siç shprehet ai në ditarin e vet, këtë e bëri “për arsye sigurie”.
Më shumë ka të ngjarë të jetë një simulim i tij, për t’iu shmangur një mbledhjeje të “nxehtë”, pasi dihej se ai do të gjendej krejt i vetëm. Të njëjtën gjë e kishte praktikuar dhe në rastin e Bukureshtit, kur çoi atje zëvendësin e tij, H. Kapon. Në Bukuresht – për të lënë një shteg hapur, nëse do të lindte nevoja e ndonjë “retushi” të nesërm. Ndërsa në rastin e fundit kishte arsye prestigji, për t’iu shmangur një debati, ku ai ishte humbës.
Në mbledhjen e 28-29 marsit 1961, edhe pala sovjetike edhe ajo shqiptare, pohuan se gjendja në Bazën e Vlorës është e paralizuar dhe jashtë gatishmërisë luftarake. Por kur u fol për shkaqet, çdonjëra ia hodhi fajin tjetrës.
Në fund, Komiteti Politik Konsultativ ishte në një zë, përjashtuar delegatin shqiptar (Beqir Balluku, ministër i Mbrojtjes), kur kërkoi që Baza e Vlorës të kompletohej vetëm me ekuipazh sovjetik. Në rast se pala shqiptare nuk pranonte, atëherë të gjitha anijet, së bashku me ushtarakët dhe specialistët sovjetikë do të largoheshin nga Shqipëria, pra Baza e Vlorës do të likuidohej”. (Për herë të parë u botua te Shqiptarja.com – 27. 04. 2013)

******************************

SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG

Traktati i Varshavës
Historia e vendimit për daljen e Shqipërisë në vitin 1968:
Më 13 shtator të vitit 1968, vetëm një muaj pas pushtimit të Çekosllovakisë nga forcat e Paktit të Varshavës, komunistët shqiptarë deklaruan daljen e Shqipërisë nga ky traktat. Rrethanat në të cilat u ndërmor ky veprim nga Enver Hoxha dhe udheheqja komuniste e kohes, vijnë në emisionin “ABC STORY”.
HAPE: http://www.abcnews.al/speciale/speciale/1/308
***
Mbrojtja e atdheut sipas stilit “vietkong”
Viti 1967, kur komunistët nisën të fabrikonin një popull-ushtar
Në vitin 1967, edhe pse Shqipëria ishte ende anëtare e Paktit të Varshavës, krerët komunistë të vendit ndiheshin krejt të pasigurt. Për rrjedhojë ata detyruan një popull të tërë, të gjitha ata që ishin në gjendje të mbanin një armë, përfshirë edhe fëmijët, të stërviteshin për luftë. Psikoza e frikës nga një sulm i mundshëm i mbante njerëzit nën presion, ndërsa ushtarakët nxiteshin të shpiknin mjete dhe metoda të reja luftimi. Ishte koha kur shqiptarët nisën të përgatiteshin për mbrojtjen e atdheut sipas stilit vietnamez.
HAPE:
 http://www.abcnews.al/speciale/speciale/1/368

***
Shkëlqimi dhe venitja e avionëve MIG
Një udhëtim në historinë e aviacionit shqiptar
Në këtë material dokumentohet historia e aviacionit ushtarak shqiptar, si u fuqizua në vitet ’50 me aderimin e Shqipërisë në Paktin e Varshavës, incidentet më të bujshme ajrore dhe dalja e avionëve luftarakë jashtë shërbimit në vitin 2004, pas incidentit që i mori jetën pilotit Jani Tarifa.
HAPE:
 http://www.abcnews.al/speciale/speciale/1/205

 ——————————————————–

(Ilustrimet i përgatiti pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura