Pashtriku.org, 23. 07. 2015 – Kishte një periudhë kohore në zhvillimin e poezisë shqipe, e cila nuk ishte e zonja të bëjë pjesë në trashëgiminë shpirtërore as në vlerat e të mëdhenjve të Rilindjes sonë Kombëtare, siç ishte rasti me veprën poetike të Jeronim De Radës. Nuk ishte e zonja kjo poezi, niveli i saj artistik dhe kulturor ende të komunikonte me kulmet e këtyre vlerave. Duhej të priteshin vitet ’60 që të bëhej e mundur krijimi i urave të tilla, të bashkëkrijimit të tërësisë së vlerave shpirtërore të kulturës kombëtare. Në këtë kohë ishte botuar vëllimi me poezi i “Shekulli im” i I. Kadarëse. Po të kësaj kohe janë edhe veprat e para të rëndësishme të poetit Dritëro Agolli e ndonjë bashkëkrijuesit të tyre.
Që nga ajo kohë e deri në ditët tona, poetesha dhe romancierja Flutura Açka, është njëri ndër zërat më të rëndësishëm të poezisë shqiptare. Kur lexohet një poezi, një vëllim poetik, zakonisht shprehja e parë që na kujtohet është “më pëlqen”, ose “nuk më pëlqen sa duhet”. Sado që përkufizimi “pëlqim”, nuk është kategori vlerësuese. Flutura Açka është krijuese, që ndoshta më mirë se askush kultivoi një stil origjinal, që më mirë se askush në poezinë bashkëkohore shqiptare, kultivoi një gjuhë poetike aq të lëngshme, sa lexuesin e merr malli ta lexojë sërish dhe sërish poezinë e saj. Gjuha e poezisë së Flutura Açkës ka diçka të përbashkët me gjuhën e shkrimit në prozë, pra është gjuhë e autores. Flutura Açka deri tash ka botuar vëllimet me poezi: Tri vjeshta larg (1993), Mure vetmie (1995), Festë me ankthin (1997), Kënga e Aretuzës (1998), Kurth i diellit (2002), 10 vjet poezi (2003) dhe romanin Vetmi gruaje (2001).
– Poetesha dhe romancierja Flutura Açka –
Gjuha e poezisë së saj dhe gjuha e romanit dëshmojnë për kujdesin e madh ndaj shkrimit, si një akt suprem i autores ndaj shkrimit, si një akt suprem i bërjes së shenjave të përjetësisë. Gjuha e krijimeve të saj të ngjan me atë mushtin e verës, që fillimisht vetëm të ngroh, pastaj vjen dehja.
Gjuha e poezisë së Flutura Açkës është dëshmi e pjekurisë krijuese, që me aq përkushtim e kultivon, e cila përveç saktësisë së shprehjes, përveç sintaksës krejt shqip, të saktë dhe të qartë, ka një lëng dhe natyrshmëri që do t’ia kishin lakmi edhe krijues e stilistë në zë.
Pa dyshim, poetesha Flutura Açka është ndër krijueset mjaft e njohur në republikën e poezisë. Vepra e saj poetike, sado që edhe ajo në prozë nuk është prapa, komunikon sot në disa gjuhë të botës. Të thuhet përkushtimisht kështu: ajo nuk është lodhur shumë si do të pritet në botë poezia e saj, si do të komunikojë në rrethe të ngushta intelektualiste, që nuk mungojnë askund në botë, andaj nuk mungojnë as në poezinë shqipe, e rrjedhimisht as në kulturën shqiptare.
Poetesha i ka dhënë botës tjetër, asaj që nuk e ka gjuhë të poezisë së saj, gjuhën shqipe, i ka dhënë pra vargun shqip, me gjithë njomësinë e tij, gati të natyrshme, me gjithë mundësinë e një organizmi të mirëfilltë poetik, me gjithë laryshinë shprehëse të tij, me gjithë shtresimet kuptimore të fjalës poetike shqipe, pa u druajtur se mund të jetë prapa shoqeve të tyre evropiane e botërore.
Poezia shqipe në përgjithësi, falë dhe arritjeve të realizmit artistik të poezisë së saj, sot është bashkëudhëtare e vlerave më të arrira të poezisë së përbotshme, por nëse e bëjmë tonin mendimin e një dore krijuesish dhe studiuesish, që ndoshta u vjen turp pse janë pjesë e një gjuhe, siç është shqipja, u vjen turp pse janë bërës të një kultureje, siç është kultura shqiptare. E të tillët, as nuk bëjnë kulmet, as nuk bëjnë rrafshin kombëtar të vlerave të kulturës sonë.
Origjinaliteti i saj është i një lloji të veçantë në poezinë tonë, dhe mendoj është njëri prej rrafsheve shenjues të vlerës së poezisë së saj. Poezia e saj ka një shendet të mirëfilltë njerëzor.
Mund të thuhet, prandaj, poezia e artistes Flutura Açka është e tillë, sepse ka mundësuar ecjen e poezisë shqipe, i ka mësuar gjuhën e vargut, sintaksën e fjalisë shqipe, kërkimin e natyrshëm të sistemit të figuracionit, hallakatjet e vazhdueshme pas figurave të mendimit, në mënyrë që vargu të mos jetë shterp, kërshërinë përherë të pranishme, që imagjinata të ketë një rregull, qoftë edhe të papërkryer, përpjekjen që poezia të ketë sa më shumë jetë të njeriut, domosdoshmërinë e plakjes së vazhdueshme mbi vargjet.
Në poezinë e saj frymon një jetë ë tërë, ose thënë më shkoqur, miniatura e një jete, kur ndonjëherë shkruan poezi dhe për ditë të caktuara, nëse dita mund të merret si e tillë, ku qoftë vetëm për gjetjen e një figure, të shkon mendja se krijuesja është plakur kohë të gjatë. Kjo figurë (fjala vjen, “i bëri sendet me rrufë”) është gjetur mirë, dhe ky është stili në poezi.
Në vargjet e poezisë sa saj është një udhëtim i madh, ku figura e njerëzimit bëhet bartëse e kuptimit poetik të poezisë. Të gjitha gjërat marrin shpirt, shpitësohen. Në këtë “mbretëri të njohur ndonjëherë hyn trishtimi”. (Mirëdita, trishtim, F. Sagan). As nuk ka ngjashmëri, as nuk ka përkim. Nuk ndodh asgjë më tej. Dhe tashti, kur nuk e pret fare (dhe kjo thonë është mirë për artin) vjen në vargje figura e gruas, e tillë që tërësisht deri te poezia e Flutura Açkës i ka munguar poezisë sonë. Po gruaja është aty, e pranishmja dhe e munguara! Të tjerat dihen. Edhe për shpirtin e gruas, poezia e përbotshme ka thënë çdo gjë që nga A. Ahmatova e këndej.
***
Dy fjalë për krijimtarinë
Flutura Açka, u lind në Elbasan dhe jetoi atje për tridhjetë vjet. Punoi herët si gazetare atje dhe më pas nuk iu nda librit. Edhe pas largimit, Elbasani do të mbetet një nga gjërat më të dashura, që do t’i sillet dhe risillet në vargje dhe prozë. Poezia e saj i theu shpejt muret e provincës. Libri i parë “Tri vjeshta larg” i botuar më 1993 do të paralajmëronte një krijuese “të befasishme” . Vijnë me radhë librat poetikë “Mure vetmie” (1995), “Festë me ankthin” (1997) (libër që i siguroi autores dy vlerësime ndërkombëtare). Më 1998, atëherë kur vetë poetët e kishin të vështirë të hynin në Kosovë, Flutura Açka hyn me vëllimin e zgjedhur dhe prezantuar nga e mirënjohura Flora Brovina dhe të titulluar “Kënga e Aretuzës”. Kritika në gjithë këto vite u mor gjatë, duke e lakuar shpesh emrin e saj si të një talenti… Edhe romani i shkurtër “Vetmi gruaje” i vitit 2001 dhe i ribotuar tri herë, tërhoqi vëmendjen e lexuesit e kritikës. Pas tij publikoi vëllimin poetik “Kurth’ i diellit”, një libër ambicioz dhe në njëfarë mënyre përcaktues në stilin e saj poetik, për të mbërritur tek romani i saj i dytë “Kryqi i harresës”, që sapo iu prezantua lexuesit. Ky roman e nxjerr Flutura Açkën nga udhëkryqi i madh, ku e mban ende mosha e saj e re si krijuese, për në magjistralen me të përpjeta të reja ambicioze.
– THANË PËR FLUTURA AҪKËN –
“Personazhet e Flutura Açkës përsillen mes qëndrimit dhe ikjes, qetësisë dhe paranojës, shpresës dhe dëshpërimit, vuajtjes dhe lumturisë, të kaluarës dhe të ardhmes. Të gjitha këto e tipizojnë realitetin shqiptar, i cili përpëlitet midis ëndrrës jetësore dhe vdekjes kërcënuese. Kështu mund të nënkuptohet se autorja aktivizon alarmin ekzistencial, si një pasthirmë ndërgjegjësuese për qenien njerëzore. Ajo e përdor tërë forcën e vet krijuese, si dhe ndjeshmërinë artistike, për të zbuluar psikologjinë dramatike, paradoksin modern të ekzistencës dhe mendësinë anakronike përballë kohës sonë.”
Ahmet Selmani, kritik, Shkup 2006
***
“Flutura Açka është një shkrimtare e shqetësuar, e angazhuar, e përkushtuar për civilizimin dhe qytetërimin e shoqërisë sonë. Në thelbin e unit krijues të Açkës, është kërkimi i formave të reja moderne të shprehjes, duke respektuar lirinë e saj krijuese, të vetëorientuar nga vizionet dhe qytetërimi modern. Shkrimtarja Açka dhe qytetarja Açka janë të çliruara nga çdo kompleks, nga çdo pushtim. Ato janë të lira. Açka është vetvetja… Duke qenë e çliruar nga komplekset, ajo është sa realiste, aq edhe origjinale e moderne në trajtimin artistik të dukurive të realitetit, si në rrafshin social e historik, ashtu edhe në atë të familjes dhe në rrafshin intim e të marrëdhënieve dashurore. Marrëdhëniet intime në prozën e saj përshkruhen me imtësi, pa rënë në vulgaritet e banalitet, por me një gjuhë tropologjike, të pastër, që e bën lexuesin të përjetojë çaste të bukura dhe të ndiejë kënaqësi estetike dhe shpirtërore.”
Mexhit Premçi, Tiranë 2005
***
“Flutura Açka legjitimohet si një ndër romancieret e spikatura të gjeneratës së re. Vepra e kësaj krijuese moderne, ka pamjen e mozaikut të fortë e të llojllojshëm. Këtë e dëshmojnë ornamentet e ndërtuara pa kufij, të gdhendura në një bazë unike. Fjalinë e zhdrejtë të saj nuk duhet ta kuptojmë si një lajthitje e dobësi të autores, por si një shpallje publike të “belbëzimit të gjeniut”, që tregon se kjo fjali është në shërbim të mënyrës moderne të rrëfimit.”
Prof. Hamit Xhaferi, Shkup 2004
***
“Açka është nga ato shkrimtare që aplikon një gjuhë të pastër, të krehur, elitare, gjuhë që të ngop, dhe sikur të ledhaton, të këndell, sepse ka shumë përkujdesje ndaj shqipes letrare. Prania e tretur bukur e miteve, e legjendave, e trilleve folklorike, i jep ca më shumë dritë fantazisë së saj…
Prof. dr. Josif Papagjoni, Tiranë 2002
***
“Gjuha e rrëfimit të Açkës, përveç saktësisë së shprehjes, përveç sintaksës krejt shqip, të saktë dhe të qartë, ka një lëng dhe natyrshmëri që do t’ia kishin lakmi krijues e stilistë më në zë. Kur merret me jetën dhe fatet e njerëzve, kur përshkruan dhe shtjellon ngjarje nga jeta, ajo e lë hapur shtegun të besojmë se rrëfimi nuk është një modë, as një kokëkrisje, por është një domosdo për të thënë bërthamën e asaj që njeriu e quan jetë.”
Dr. Emin Kabashi, Prishtinë 2002
***
Mbi poezinë e Flutura Açkës
“Në tempullin e poezisë janë të paktë xhonglerët e fjalës. Flutura Açka është një e tillë. Poezia e Açkës spikat për parapëlqimet drejt një vargu me ngarkesa të epshme figurative, me prapthina e përmbyllje të befta. Të shkruash bukur nuk është e lehtë. Të shkruash bukur do të thotë të njohësh, të përcjellësh, të emocionosh, të ledhatosh me farfuri vegimesh, tingëllimash e ngjyrash gjuhën tënde, gjuhën shqipe. Dhe shumëçka tjetër. Flutura Açka di t’i bëjë këto. Ajo shkruan bukur…”
Josif Papagjoni
***
“Poezia e Flutura Açkës sjell në poezinë shqipe një ndjeshmëri të natyrshme, të sinqertë. Është një mrekulli e ligjërimit poetik. Pa imponim të sforcuar “bisedon” me jetën e njerëzve dhe me vetveten, pa fshehur asgjë. Është një zë origjinal, i kërkueshëm në aktin krijues. Flutura Açka nuk ngurron të artikulojë botën e brendshme të gjinisë. Thjeshtë. Qartë. Bukur.”
Flora Brovina, Kosovë
***
“Flutura Açka është një nga poeteshat shqiptare sqimatare…”
Daccia Maraini, Itali
***
“E menduar dhe pothuajse bisedimore, si e lidhur te fati i luhatjeve të jetës, është poezia e Açkës, ku trupi shfaq sërish “ritmikën e ndjenjave” të pashpallura. Jemi pikërisht në të pastajmen, në një horizont pritjeje, në qetësinë e së cilës Açka bëhet një transkriptuese e fortë e emocioneve: droja se fjala poetike është pakthyeshëm e humbur në errësinë e zemrës dhe të mendjes, shkrihet pak nga pak në mahnitjen e jetës, që duket se rinovohet e rindërtohet brenda ciklit të stinëve, në një gramatikë të re befasuese të gjërave.”
Ennio Grassi, Itali
***
“Poezia e Flutura Açkës e vërtetë, larg prej marrjes së pozave, poteres së tepërt dhe përdorimit të fjalëve boshe. Për fat, sikurse ato fytyrat njerëzore që i ruhen pudrës së tepërt dhe kremit, që i kthen ato në maska, poezia e saj e shmang snobizmin, në të njëjtën kohë mbingarkesën a zhurmën e panevojshme të vargut. Ajo çfarë na tërheq në të vërtetë është HARMONIA.
Bardhyl Londo