PROF.DR.ESHREF YMERI: SERVILËT E KADARESË JANË SI FARA E GRAMIT (I)

Santa Barbara, Kaliforni, 15 tetor 2020: Në fillim të javës së dytë të shtatorit, në njërën nga faqet e internetit, pata lexuar analizën me titull:
“Lubonja hap debatin: Cilat janë shkaqet, që kryehetuesi i regjimit mbron Kadarenë?” (Faqja e internetit “tpz.al”. 09 shtator 2020).

Siç janë në dijeni lexuesit, si shkak për hapjen e këtij debati, pati shërbyer botimi i librit “Dritëhijet e kohës”. Libri është hedhur në qarkullim nga Shtëpia Botuese “Neraida” dhe ka për autor ish-kryehetuesin e diktaturës komuniste Qemal Lame (1949).
Analisti dhe publicisti i njohur Fatos Lubonja, atij libri i ka bërë një “rezonancë të shkëlqyer magnetike”, duke nxjerrë në pah lakuriq mashtrimin e madh të autorit, që është munduar ta reklamojë Kadarenë si një “hero” kundër diktaturës, e cila, demek, na paskej vendosur ta arrestonte me urdhër të kryediktatorit, por që “trimi guximtar” Qemal Lame na e paskej kundërshtuar, “duke i deklaruar” kryediktatorit se nuk kishte argumente për arrestimin e tij.
Analizën e Lubonjës e lexova me shumë kërshëri, duke krijuar bindjen e plotë se fjalën e tij ai e kishte thënë me shumë profesionalizëm dhe gjithçka rreth idesë kryesore të librit të Qemal Lames, siç u theksua më lart, ai e kishte parashtruar në një mënyrë shteruese.
Dy ditë më parë, duke shtegtuar rastësisht nëpër faqet e internetit, hasa në youtube në emisionin televiziv“Real Story” në News 24, të transmetuar më 17 shtator. Emisioni titullohej ““Po shpëlani trurin e shqiptarëve”, Demalia: Kadare ka thënë se Gjergj Fishta bënte letërsi dekadente”. Pra, emisioni ishte vazhdim i debatit që Lubonja kishte hapur në shtyp lidhur me librin e Qemal Lames. Drejtuesi i emisionit, për debat në studio, kishte ftuar Fatos Lubonjën dhe në skaip (skype) intelektualin e njohur shqiptaro-amerikan Ilir Demalia. Përballë tyre ishin drejtuesi i emisionit me dy zonja dhe një zotëri.
E ndoqa emisionin me shumë vëmendje. Gjatë transmetimit të debatit, vura re se Lubonja dhe Demalia kishin përballë katër servilë të Kadaresë, të cilët mundoheshin ta anashkalonin idenë kryesore të librit të Qemal Lames, si kryeshërbëtor i diktaturës komuniste dhe si kryeservil i Kadaresë, një kryeservil ky që shtrembëron të vërtetën historike rreth servilizmit të Kadaresë ndaj kryediktatorit. Të katër servilëve të Kadaresë u shkoi mundimi huq, “dyluftimin” në studio e fituan Lubonja dhe Demalia.
Duke ndjekur emisionin, përjetova një zhgënjim të thellë me veten time, kur mes të ftuarve në studio vura re botuesen e gazetës “Liberale”, zonjën Alda Bardhyli. Zhgënjimin tim po e shtjelloj në vijim.
Përkthyesja dhe shkrimtarja e shquar Mira Meksi, me të cilën jam njohur në vitin 1984, kur ajo qe emëruar përkthyese e spanjishtes në Redaksinë e botimeve politike në gjuhë të huaja në Shtëpinë Botuese “8 Nëntori”, ku unë isha përgjegjës i asaj redaksie, më 27 shtator do të festonte 60-vjetorin e lindjes. Me këtë rast, disa ditë më parë, në nderim të saj, kisha përgatur një Homazh, me titull “Një përvjetor i shënuar i një shkrimtareje të shquar”. Fillimisht iu drejtova pronarit të një gazete për ta botuar, duke i theksuar kushtin tim që në artikull nuk duhet të preket as edhe një presje. Ai nuk e botoi, pa më kthyer asnjë përgjigje. Me sa duket, nuk e kishte pranuar kushtin tim. Në të njëjtën kohë, me kërkesën për botim iu drejtova edhe zonjës Alda Bardhyli. Ajo e mirëpriti kërkesën time të parë dhe më njoftonte t’ia dërgoja. Në kërkesën e dytë i theksova se artikulli zinte 5 faqe kompjuteri me shkronja 12-she dhe isha në mëdyshje nëse duhej t’ia dërgoja ose jo me këtë vëllim, duke nënvizuar kushtin që në artikull të mos ndërhyhet absolutisht. Zonja Alda më ktheu përgjigje me një fjalë të vetme: “dërgojeni”. Ia dërgova. Por.., çuditërisht, në gazetën “Liberale” të datës 28 shtator, zonja Alda e kishte botuar artikullin të masakruar.
Së pari, ajo kishte masakruar në një mënyrë skandaloze titullin e artikullit, duke e shmangur tërësisht dhe duke vendosur një titull krejt tjetër: “Mira Meksi, një jetë në kërkim të fjalës”, një titull ky paradoksal fund e krye, i cili shmangte qëllimisht idenë themelore të artikullit: përvjetorin e shënuar në jetën e Zonjës Mira, 60-vjetorin e lindjes.

Së dyti, në një mënyrë sa skandaloze, aq edhe të pahijshme, ajo kishte shkurtuar tre paragrafët e fundit dhe sidomos paragrafin më të rëndësishëm, në të cilin theksoja se Zonja Mira Meksi nuk mundi ta priste 60-vjetorin e lindjes ashtu siç e dëshironte dhe siç e meritonte, meqenëse më 18 gusht ndërroi jetë nëna e saj e dashur, Mami Nora e shtrenjtë, e cila pati luajtur një rol të jashtëzakoshëm për t’i futur asaj në gjak dashurinë për gjuhën shqipe.
Njërin nga ata paragrafë, zonja Alda Bardhyli e ka masakruar në atë mënyrë, saqë mua më pati vënë në një pozitë shumë të vështirë para lexuesve të gazetës “Liberale”. Ja paragrafi i masakruar:
“Mira e meriton plotësisht ta festojë datëlindjen me një ngazëllim të jashtëzakonshëm, pikërisht për sukseset e arritura në krijimtarinë artistike, për jetën publike që përmenda më lart, për vlerësimet e larta që i janë bërë”.
Vetvetiu lexuesve u lind pyetja: për çfarë ditëlindjeje të shkrimtares e paska fjalën autori, se në artikull nuk na thotë asgjë se kur e paska pasur ditëlindjen?”. Sigurisht, se zonja Alda Bardhyli e kishte anashkaluar qëllimisht ditëlindjen e Zonjës Mira që në titullin që kishte ndryshuar sipas tekave të veta.
Artikullin zonja Alda Bardhylli ma masakroi në një mënyrë shumë të pabesë, megjishëse unë ia pata bërë të njohur paraprakisht kushtin tim për të mos hequr asnjë presje. Pra, më tha t’i dërgoja dhe më preu në besë. Me sa duket, ajo nuk mund ta lejonte atë titull të artikullit, nuk mund të lejonte të bëheshin publike të gjitha epitetet e mia vlerësuese për Zonjën Mira Meksi, sepse, sipas servilizmit të saj të kultivuar ndaj Kadaresë, Shqipëria paska vetëm një shkrimtar të shquar. Duke marrë përsipër rolin e redaktorit të dikurshëm të tribunës së mashtrimit me emrin “Zëri i Popullit”, i cili artikujt e ardhur nga korrespondentë të ndryshëm i masakronte asisoj, që t’i vinin sa më shumë në osh kryediktatorit, zonja Alda Bardhyli as u skuq dhe as u zvedh para se të merrte vendimin për t’i vënë gërshërën artikullit tim. Si mbartëse e psikologjisë së redaktorit të tribunës së mashtrimit që përmenda më lartë, autorët e artikujve që i dërgohen për gazetën e saj, zonja Alda Bardhyli i trajtuaka si vartës të saj. Prandaj artikujve të tyre mund t’u vërë gërshërën sipas tekave të veta, çka është shfaqje e theksuar e mendjemadhësisë.
Shkrimtari francez Labryjer (La Bruyère – 1645-1696), një mjeshtër ky i publicistikës aforistike, thotë:
“Mendjemadhësia është i vetmi shkak që na bën ta mbajmë hundën aq përpjetë para atyre që janë poshtë nesh dhe të zvarritemi aq paturpësisht para atyre që janë sipër nesh”.
Ajo mund të mos e kishte botuar absolutisht artikullin tim dhe unë nuk do të kisha kurrfarë qejfmbetjeje me të, ashtu siç nuk pata fare me pronarin e asaj gazetës tjetër. Por ishte filozofia e servilizmit të saj, ishte filozofia e nënshtrimit të saj para agait Kadare që e detyroi të mbante atë qëndrim masakrues ndaj artikullit tim, të cilin e botuan 16 portale, pa prekur as edhe një presje të vetme.
I shkrova një letër zonjës Alda Bardhyli, ku e pyesja se pse ma kishte masakruar artikullin, pse më kishte fyer? Ajo nuk më ktheu përgjigje. Kjo është punë etike intelektuale, nëse çdo intelektual e ka një etikë të tillë, dhe secili e di vetë se në ç’masë, kur dhe në raport me kë e reflekton. Në varësi të respektimit të etikës intelektuale, mund të gjykohet për këdo nëse dallohet për korrektesë intelektuale apo për mjerim intelektual.
Me këtë rast, e quajta të arsyeshme të ndalem pak në “artin” e servilizmit të idhujtarëve të Kadaresë.
Servilizmi i regjur ndaj Kadaresë i të katër servilëve në emisionin “Real Story, përballë Fatos Lubonjës, Ilir Demalisë dhe i të tjerëve jashtë asaj studioje, më kujton një roman të shkrimtares dhe filozofes amerikane Ain Rend (Ayn Rand – 1905-1982), të botuar në vitin 1957. Romani titullohet “Atlanti mblodhi supet” (Atlas Shrugged), dhe është vlerësuar si vepra më kryesore në karrierën e saj letrare. Aty ajo shkruan:
“Forma më e ulët e vetëposhtërimit dhe e vetëshkatërrimit, është nënshtrimi i arsyes tënde para arsyes së tjetrit, pranimi i një autoriteti mbi trurin tënd, pranimi i pohimeve të tij si fakte, pranimi i thënieve të tij si të vërteta, pranimi i tekave të tij si ndërmjetëse mes ndërgjegjes dhe ekzistencës tënde”.
Servilizmi i zonjës Alda Bardhyli ndaj Kadaresë të kujton pikërisht atë servilizmin që Balzaku e fshikullon aq mrekullisht me fjalët e tij të arta:
“Servilizmi nuk buron anjëherë nga shpirtra të mëdhenj, ai është risk i shpirtrave të vegjël, që kanë aftësinë të bëhen edhe më të vegjël, vetëm e vetëm që të përfshihen në sferën e jetës së një personi të rëndësishëm, të cilit kanë qejf t’i lëpihen”.
Është me të vërtet e çuditshme se si ka mundësi që këtyre katër intelektualëve nuk u ka bërë absolutisht pështypje servilizmi shembullor i Kadaresë ndaj kryediktatorit? Ndoshta kjo shpjegohet me arsyen se servilizmi ndaj Kadaresë është rrënjosur kaq thellë në vetëdijen e tyre, saqë mund t’u ketë cenuar edhe psikikën sadopak. Vallë të mos jenë në dijeni ata për korpusin poetik që Kadarea i pati kushtuar kryediktatorit, një korpus ky, të cilin arkitekti, poeti dhe përkthyesi i talentuar Petraq Kolevica e ka analizuar fare mirë në përmbledhjen kritike me titull “Autobiografia e Kadaresë në vargje”, që e pati nxjerrë nga shtypi Shtëpia Botuese “Marin Barleti”. Tiranë, 2002? Por servilët e Kadaresë, të cilët, ashtu si fara e gramit dhe e egjrës që “u zë frymën” kulturave bujqësore, nuk ndenjën të qetë para botimit të asaj përmbledhjeje. Kjo për arsye se, sipas psikologjisë së tyre prej kurrizshtruarish para Kadaresë, u duhej zënë fryma të vërtetave që Petraq Kolevica shpaloste për servilizmin e pështirë të Kadaresë ndaj kryediktatorit.
Asokohe, një intelektual shkodran shkruante:
“Nuk është e rastit që një libër i tillë, u nda vetëm në disa kopje dorazi dhe u zhduk nga shtypshkronjat apo libraritë”. (Citohet sipas: Blerti Delia. “Kadare ose shembja e idhujve”. Shkodër, 2004. Faqja e internetit “Agjencioni Floripress”. 11 qershor 2009).
Këtyre katër servilëve të Kadaresë vallë të mos u kenë bërë fare përshtypje ca gjëra të tjera fare flagrante për servilizmin e idhullit të tyre ndaj kryediktatorit?
Në vijim po rendit disa prej tyre sa për kujtesë.
Së pari, Petraq Kolevica shkruan:
“Kështu, në librin “Kohë barbare”, f. 17, bashkëbiseduesi Denis Fernandez-Recetala, që duket sikur kërkon ta ngacmojë pak Kadarenë, thotë: “Disa shkrimtarë e kanë mbështetur regjimin…” dhe Kadarea përgjigjet: “Nuk e mohoj. Ata kanë përhapur slloganet e Partisë. Ata u sollën, pa diskutim, si qen roje të regjimit. Por askush nuk i detyroi ta bënin këtë” (Citohet sipas: Petraq Kolevica. “Autobiografia e Ismail Kadaresë në vargje”. Shtëpia Botuese “Marin Barleti”, Tiranë 2002, f. 59).
Me fjalët e pakontrolluara që lëshonte përmes kësaj deklarate, Kadarea i fyente rëndë dhe pa të drejtë kolegët e vet shkrimtarë, duke anashkaluar servilizmin e vet shembullor ndaj kryediktatorit. Aq më tepër kur ai, siç del nga libri i Petraq Kolevicës, ka qenë vetë “qen roje” i regjimit komunist.
Së dyti, në poezinë “Në mesditë Byroja politike u mblodh”, a nuk del vallë në pah servilizmi i Kadaresë, një servilëm ky i përmasave skandaloze ndaj kryediktatorit, çka bëri që edhe vetë kryediktatorit t’i vinte pështirë?
Së treti, duke folur për suksesin e romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, të botuar fillimisht në Francë në vitin 1970, Kadarea ka pasë deklaruar:
“… pavarësisht se regjimi ishte i çmendur, unë po krijoja letërsi normale. Pavarësisht se Shqipëria ishte burg, kjo letërsi që dilte prej saj ishte e lirë. Ndryshe ajo s’kishte përse të pritej me aq dashamirësi në Perëndim” (Citohet sipas: “Kadare: Gjykimet e mia për Fishtën dikur, të gabuara”. Faqja e internetit e gazetës “Shqip”. 27 dhjetor 2015).
A ia kanë shtruar ndonjëherë vetes pyetjen servilët e Kadaresë, nëse me këtë deklaratë ai po thoshte një të vërtetë apo një gënjeshtër?
Pra, sipas Kadaresë, në Shqipëri letërsia u krijuakej lirisht dhe lirisht dilkej edhe nga Shqipëria! Po pjesë e letërsisë ishin edhe pamfletet politike që i drejtoheshin kryediktatorit, por autorët e tyre e patën paguar shumë shtrenjtë. Kështu, nacionalisti i shquar Edip Tërshana, i dënuar me vdekje, më 22 nëntor 1947, i pati dëguar kryediktatorit pamfletin e shquar politik, ku i çirrte maskën për tradhtinë e rëndë që po kryente me shndërrimin e Shqipërisë në koloni të Jugosllavisë.
Kasem Trebeshina, në vitin 1953, i pati dërguar kryediktatorit pamfletin e guximshëm politik për prapësitë që po bënte në Shqipëri, por e pagoi me një burgim shumë të gjatë.

VIJON …

______________

PROF.DR.ESHREF YMERI: SERVILËT E KADARESË JANË SI FARA E GRAMIT (I)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=10653
***
PROF.DR.ESHREF YMERI: SERVILËT E KADARESË JANË SI FARA E GRAMIT (II)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=10654

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura