PROF.DR.FERIT DUKA: SUNDIMI OSMAN NË ҪAMËRI

Tiranë, 22. 05. 2013 – Është e ditur se ndriçimi i periudhës osmane të historisë së shqiptarëve nuk ka pushuar së qeni një sfidë reale për studiuesit. Me gjithë arritjet e shënuara nga historiografia në këtë fushë të rëndësishme të studimeve, ende mbetet shumë për t’u bërë, veçanërisht kur është fjala për areale të caktuara për të cilat njohuritë e deritanishme ose janë të zbehta ose mungojnë fare. Në një raport të tillë të pajustifikueshëm me studimet historike qëndrojnë edhe viset e Çamërisë gjatë shekujve të parë osmanë (shek. XV-XVI).
Rrethana të tilla janë të mjaftueshme për të nxitur studiuesit e periudhës osmane që ta kthejnë vështrimin drejt Çamërisë, këtij areali sa interesant aq edhe të rëndësishëm. Kjo është arsyeja që edhe ne, nëpërmjet kësaj trajtese, zgjodhëm të përqëndrohemi në shqyrtimin analitik të disa aspekteve thelbësore të gjendjes politike dhe ekonomiko-shoqërore të dy prej krahinave kryesore të Çamërisë: Ajdonatit (Paramithisë) dhe Mazrakut (Mazrekut, Mazarakut). Fillimisht duhet të vemë në dukje se analizat dhe vlerësimet tona rreth këtij subjekti do të kufizohen kohësisht në gjysmën e dytë të shek. XVI, gjë që diktohet nga gjendja reale e burimeve osmane të disponueshme nga ne deri tani.

Krahinat e Ajdonatit (Paramithisë – F.D.) dhe Mazrakut (Mazarakut, Mazrekut) pas vendosjes së sundimit osman në Çamëri u përfshinë në juridiksionin e sanxhakut të Janinës. Nga pikëpamja administrative ato formonin dy kaza homonime, të cilat aty rreth mesit të shek. XVI (v. 1550-1551) kaluan në përbërje të sanxhakut të ri të Delvinës. Sanxhaku në fjalë u krijua rishtas nëpërmjet bashkimit të tokave jugperëndimore të Shqipërisë, të cilat u shkëputën përkatësisht nga sanxhakët e Janinës dhe të Vlorës. Krijimi i këtij sanxhaku duhet të jetë nxitur nga nevojat e shtetit osman për stabilizimin e qeverisjes së tij në këto pjesë të territorit shqiptar të tronditur jo pak herë nga kryengritjet e popullsisë vendore, veçanërisht në krahinat e Kurveleshit dhe të Himarës. Me sa duket, menjëherë pas këtij ndryshimi të natyrës administrative, shteti osman kreu regjistrimin e hollësishëm të vitit 1551 në sanxhakun e Delvinës. Në këtë kuadër janë regjistruar edhe vendbanimet çame të kazave të Ajdonatit dhe Mazrakut.
(F. Duka, Fasada bregdetare e Shqipërisë osmane, Studime historike, 2004 (3-4), Tiranë, 2004, f.10. Istanbul Babakanlik Osmanli Arivi (më tej: BOA), Tapu Tahrir Defterleri, Defter-i mufassal-i liva-i Delvine, nr. 273. 48 Po aty, f. 137-244).
Mbi tridhjetë vjet më vonë, sanxhaku i Delvinës i është nënshtruar një regjistrimi të ri i cili ka gjetur pasqyrim në defterin e hollësishëm osman të vitit 1583 (viti hicri 991). Në të vërtetë, asgjë nuk ka ndryshuar përsa i përket të kazave të Ajdonatit dhe Mazrakut, përveç ndryshimit të emërtimit, dmth se tashmë nuk quhen më kaza, por nahije. Një shqyrtim i vemendshëm i të dhënave të këtij defteri nxjerr në pah faktin se nahija e Ajdonatit përfshinte një numër të madh vendbanimesh: 91 fshatra, qytetin e Ajdonatit (më vonë është quajtur Paramithi), si dhe qytezën e Ozdinës. Në morinë e vendbanimeve çame të regjistruara në defterin e mësipërm, shquhet qyteti i Ajdonatit. Në vitin 1583 qyteti në fjalë numëronte rreth 600 shtëpi të ndara në shtatë mëhallë (lagje). Mëhallët e qytetit mbanin emra të tillë si:
– Paramita,
– Paskal,
– Shën Parashqevia,
– Çezma,
– Murkia (Morfia),
– Murkotelo dhe
– Agjitopullo.
Sipas mëhallëve, popullsia e Ajdonatit ishte e ndarë në këtë mënyrë:
– lagjja Paramita figuron në defter me 91 shtëpi dhe 43 beqarë (rreth 700 banorë, në se një shtëpi e marrim të barabartë afërsisht me 7 banorë);
– në mëhallën Paskal janë regjistruar 46 shtëpi dhe 6 beqarë (rreth 330 banorë);
– mëhalla Shën Parashqevi paraqitet e regjistruar me 125 shtëpi dhe 25 beqarë (rreth 900 banorë);
– mëhalla Çezëm me 103 shtëpi dhe 36 beqarë (rreth 760-800 banorë); mëhalla Murki (Morfi ?) me 66 shtëpi dhe 30 beqarë (rreth 500 banorë);
– mëhalla Morkotello me 57 shtëpi dhe 23 beqarë (rreth 430 banorë) si dhe
– mëhalla Agjitopullo me 91 shtëpi dhe 26 beqarë (rreth 660 banorë).
Gjithsej qyteti i Ajdonatit duhet të kishte një popullsi prej rreth 4500 – 5000 banorë.
Një tjetër vendbanim i rëndësishëm i kazasë së Ajdonatit ishte edhe qyteti i Ozdinës. Ashtu si Ajdonati, edhe qyteti në fjalë përbëhej në këtë kohë nga shtatë mëhallë të emërtuara në këtë mënyrë:
– Çajërli (Çabirli?),
– Stara,
– Sotira,
– Shën Nikolla,
– Neksarhia,
– Tepama (?) dhe
– Shën Dhimitri.
Megjithatë, në pikëpamje demografike, qyteti i Ozdinës regjistron popullsi më të pakët në numër se sa Ajdonati. Sipas përllogaritjeve të bëra mbi bazën e të dhënave të defterit në shqyrtim, numri i përgjithshëm i banorëve të qytetit arrinte në rreth 2 800 vetë. Në mënyrë më të detajuar, sipas mëhallëve, popullsia e kësaj qyteze çame paraqitet e tillë: Nr. i përafërt i banorëve 170 180 270 600.
(Ankara Tapuve Kadastro Genel Müdürlüü Arivi, Defter-i mufassal-i liva-i Delvine, nr. 91, viti 991/1583).
Janë bërë rrumbullakime të lehta të shifrave të banorëve duke pasur parasysh se një pjesë e vogël e popullsisë qytetare, kryesisht fisnikëria, nuk është regjistruar në defterin e sipërpërmendur, pasi nuk bënte pjesë në masën e popullsisë taksapaguese.
Veç kryefamiljarëve dhe beqarëve të regjistruar sipas mëhallëve të qytetit të Ozdinës, janë regjistruar më vete 12 kryefamiljarë dhe beqarë me statusin e myselemëve, d.m.th. të popullsisë së përjashtuar nga taksat kundrejt shërbimeve të caktuara. Po ashtu, ndryshe nga qyteti i Ajdonatit, për qytetin e Ozdinës, defteri i Delvinës regjistron pesë kisha dhe pikërisht:
– kisha e Sotirës,
– kisha e Tepamës (?),
– kisha e Shën Thanasit,
– kisha e Avramit (?) dhe
– ajo e Melanakijas(?).
Edhe vendbanimet rurale të nahijes së Ajdonatit paraqiten përgjithësisht me një dendësi popullsie të konsiderueshme. Shumë syresh e tejkalojnë numrin e 50 shtëpive. Si të tilla mund të përmenden fshatrat:
– Katune,
– Karbunarë,
– Arxhes,
– Curila (100 shtëpi),
– Vreniko,
– Suli (181),
– Verosina (149),
– Turkopaloko (100), etj.
Në dallim nga nahija e Ajdonatit, ajo e Mazrakut në vitin 1583 kishte më pak vendbanime në juridiksionin e vet, gjithsej 40 syresh. Midis tyre nuk shihet të jetë regjistruar asnjë qendër urbane. Një veçori tjetër dalluese e nahijes së Mazrakut është fakti se në krahasim me vendbanimet e nahijes së Ajdonatit, vendbanimet e kësaj nahijeje kanë përgjithësisht popullsi më të pakët. Kështu p.sh. një nga fshatrat e nahijes së Mazrakut, Margëlliçi, sipas defterit në fjalë, nuk kishte veçse 10 shtëpi. Nëse krahasohen të dhënat demografike të defterit osman të vitit 1583 me ato të defterit të vitit 1551 shihet se ndryshimet në numrin e popullsisë së vendbanimeve të nahijeve të Ajdonatit dhe Mazrakut në rrjedhën e më se tri dekadave janë të konsiderueshme vetëm për një pjesë të tyre, ndërsa për pjesën tjetër të tyre ndryshimet ose janë të vogla, ose janë në sensin negativ, dmth, se në vitin 1583 disa vendbanime regjistrojnë rënie për nga numri i popullsisë në krahasim me vitin 1551. Për të krijuar një ide më të plotë në lidhje me këtë çështje, në tabelën e mëposhtëme ne po i paraqesim në trajtë të detajuar të dhënat e regjistrimeve për popullsinë sipas vendbanimeve përkatëse të kryera në vitet e lartpërmendura.
Për këtë kategori të popullsisë në shekujt e parë të sundimit osman më gjerësisht shih: H. Inalcik, 835 tarihli suret-i defter-i sancak-i Arvanid, Ankara, 1987 (bot. i dytë), f. XIII, XV, XVI-XVII. Defter-i mufassal-i liva-i Delvine, Nr. 91, f. 87/b . Tabela është kompozuar me të dhënat e përftuara nga defteri i hollësishëm osman i vitit 1551 (kazaja e Ajdonatit: f. 137-212 dhe kazaja e Mazrakut: f. 213-244), si dhe defteri i hollësishëm i vitit 1583 (nahija e Ajdonatit: f. 76-112 dhe nahija e Mazrakut (f. 114-128)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura