Pashtriku.org, 1. 7. 2016: (Shkenca turke duhet ta korrigjoj historinë për këtë komplot me pasoja politike për të ardhmen e popujve ballkanikë) – Në vitet e ’70’të të shekullit që lamë pas me këmbëngulje i hulumtova Burimet për “Betejën e Kosovës” të vitit 1389, me dëshirë ta ndriçoja pjesëmarrjen e shqiptarëve dhe rolin e drenicasit Millosh Nikollë Kopiliqit në këtë ndodhje. Asokohe nga drejtori i institucionit ku punoja më ishte imponuar projekti shkencor “Marrëdhëniet ruso’shqiptare”, të cilin duhej ta mbroja edhe për tezë të doktoratës. Mjetet për hulumtime në Beograd, Shkup, Sarajevë, Zagreb e Vjenë i shfrytëzova për projektin “Beteja e Kosovës” dhe “Kultura Kombëtare Shqiptare”, që më flinin. Të dy këto projekte i realizova me disidentizëm, deri nga marsi i vitit 1980. Më 15 mars, katër veta shkuam për një qëndrim studimor njëmujor në Tiranë. Dorëshkrimin për “Betejën e Kosovës” e mora me veti për t’ia besuar për vlerësim Profesor Aleks Budës. Nga fillimi i prillit Profesor Buda ma solli dorëshkrimin me sugjerime të shkruara në margjina të faqeve. Ishte i befasuar me rezultatet ndaj më propozoi ta mbroja për tezë të doktoratës, duke marrë Ai rolin e mentorit.
Sapo u ktheva nga Tirana shtrova kërkesën për ndërrimin e tezës, por nuk kaloi për motive politike: “Nuk guxojmë të luajmë me Mitin serb të Kosovës”!?! Fillimi i viteve të ’80’ta shënoi ditë të vështira për dijen historiografike shqiptare në Kosovë, mirëpo, nuk hoqa dorë nga përpjeka për ta ndriçuar “Betejën e Kosovës”. Në vitin 1989 në Prishtinë, “Shoqata e Historianëve të Kosovës” e organizoi një simpozium shkencor kushtuar përvjetorit të “Betejës së Kosovës” ku morën pjesë edhe historianë serbë nga Beogradi, midis të cilëve edhe Akademiku i mirënjohur, Sima Çirkoviq. Historianët shqiptarë ndriçuan aspekte që zbehnin Mitin serb të Kosovës. Personalisht u paraqita me dy kumtesa, njërën e lexova vet, kurse tjetrën një historian që kishte guxim e kredibilitet shoqëror. Profesor Sima,(një Aleks Buda shqiptar, një Jarosllav Shidak kroat, apo një Toma Tomovsk maqedon), u befasua dhe në intimitet, në gjashtë sy, i vlerësoi lart dy kumtesat që ishin fragmente nga dorëshkrimi i vlerësuar nga Profesor Buda, por nuk nguroj të na këshillonte “të heshtnim edhe për një kohë, sepse kombi serb është ngritur mbi Mitin e Kosovës…!” Këto dy kumtesa janë botuar pa shumë vonesë, në gazeta e në revistat shkencore të kohës, nga të cilat kuptohej se nuk ka pasur “Betejë të Kosovës”, se ka ekzistuar komploti Bajazit I – V. Brankoviq.
Nga mesi i korrikut të vitit 2005, katër – pesë intelektual prishtinas ishim në Stamboll, mysafir të shoqatës arsimore gyleniste “Atmosfera” të Prishtinës. Një ditë ishim në pritje të rektorit të universitetit me renome “Mehmet Akif Aksoy”. Si edhe gjetkë, diskutuam për nevojën e thellimit të bashkëpunimit kulturor, arsimor e shkencor midis kombit turk e shqiptar. Në fjalën time u përqendrova në “Betejën e Kosovës”, i përmenda burimet relevante që përmendin komplotin Bajazit I – Vuk Brankoviq, i vura në pah kundërthëniet në historiografinë turke, ballkanike e evropiane për ngjarjen, datën personalitetet kryesore që pësuan dhe kërkova që dija historiografike turke sa më parë ta thotë të vërtetën, se nuk ka pasur luftë, se sulltan Murati I dhe knez Llazari janë vrarë nga familjarë të besueshëm të tyre pikërisht në kampet e tyre, dhe se në këtë komplot më së shumti kanë pësuar personalitetet shqiptare e ilire të romanizuara. Ushtria osmane (islame e krishterë) në krye me Sulltan Muratin, në vise të Shqipërisë nuk ka ardhur për luftë, por për kontakte me vasalët ballkanikë.
Një foto’punim: Vrasja e Sulltan Muratit I – 1389!
Të pranishëm në këtë pritje ishin shumë profesorë të atij universiteti. Fjala ime u përcoll me kujdes. Shefi i Katedrës së Historisë (quhej Mehmet) në vend të “polemizonte” me konstatimet e mia, sikur i zënë ngushtë ma bëri pyetjen: “Profesor cili është qëndrimi juaj për Luftën e Skënderbeut?” U përgjigja flakë për flakë: ”Të gjitha kombet kanë simbole. Një i tillë për kombin shqiptar është Skënderbeu, njësoj si Ataturku për kombin turk. Ata vlerësohen për ngjarjet në kohën e tyre. Lufta e Skënderbeut kundër pushtuesit osman ishte luftë e drejtë nga aspekti etnik, fetar e kulturor. Edhe simboleve tona Skënderbe – Ataturk mund t’u gjenden vrima të zeza, por duhet pasur kujdes se kombet tona pa ata mbesin asgjë. Të ndalemi pak tek Ataturku. Ja ku e kemi foton e tij si një “Baba” i kombit turk, por shikoni atë shënim me grafit arabe në gjuhën osmane (ishte në ballë të sallës) me një gabim që nuk tolerohet!. Fajtor kryesor për atë gabim është Ataturku i cili bëri që të shkëputen lidhjet e kombit turk me vlerat e kulturës osmane shekullore. Por kjo e keqe e Ataturkut, krahasuar me të mirat as guxon të përmendet. Ataturku i siguroi kufijtë e kësaj Turqie që sot e gëzon kombi turk, kurse kombi shqiptar për simbol të unitetit ka marrë Flamurin e Skënderbeut, ndaj Kastrioti, edhe Ataturku janë dhe mbetën të paprekshëm!
Më 16 dhe 17 shtator 2006 në Prishtinë u mbajt simpoziumi ndërkombëtar; “Gjashtë shekuj të Islamit ndër shqiptarë”, në të cilin merrnin pjesë edhe disa studiues më të njohur në Turqi. Në këtë simpozium e paraqita kumtesën me titull: Burimet për Betejën e Kosovës të vitit 1389, kurse në diskutim ritheksova kërkesën drejtuar qarqeve shkencore turke që ta korrigjojnë mendimin historiografik për të ashtuquajturën: “Beteja e Kosovës” e cila nuk ka ekzistuar dhe të pasqyrohet si komplot për pushtet i Bajazit yeldiri I – Vuk Brankoviq. Kërkesa të tilla shtruan edhe disa historianë shqiptar, kurse historianët turq vetëm e përshëndetën kumtesën time dhe diskutimet tona, pasi u gjinden të “çarmatosur nga faktet që sollëm, por nuk premtuan hapa të duhur në fushë të dijes për “Betejën e Kosovës të vitit 1389”.
Në vijim po e sjelli të plotë kumtesën e vitit 2006:
“Ndodhja në rrjedhë të poshtme të lumit Llap, në verë të vitit 1389, është moment historik pa asnjë ndikim për ndryshime të marrëdhënieve ekzistuese në vendet e përfshira në ngjarje. Kjo ndodhje në historiografi depërtoi ngadalë dhe u ngulitë me atributin Beteja e Kosovës dhe Beteja e Parë e Kosovës e vitit 1389, duke i përshkruar përmasa fantastike.
Lënda burimore udhëpërshkruese, folkloristike, anuare dhe kronikale, që i bënë jehonë kësaj ndodhje është e vëllimshme, por shumë kundërthënëse njëra me tjetrën deri në absurd. Vërtet, këto të mira kulturore letraro-kronikale të proveniencës sllave, turke, persiane, greke, latine, shqiptare, hungareze, frënge e të tjera, janë ngritur më vonë, për qëllime politike të palëve, me interes për afirmimin e hapave të rinj pushtues perandorak osman dhe Islamit drejt Perëndimit dhe Lindjes së krishterë, në një anë, dhe për afirmimin e kërkesës për krijimin dhe forcimin e bedemit antiosman të gjithëkrishterë, në anën tjetër. Motivet fetare të krishtera antiislame në burimet evropiane do të forcohen veçanërisht pas shekullit XVI, pikërisht si produkt i lëvizjeve të reja kulturore e politike nën çatinë e Humanizmit, të Renesancës, të Reformacionit dhe të Kundëreformacionit. Përfundimisht deri në këtë kohë ndodhi kalimi masiv në Islam i shqiptarëve ortodoksë shënsavianë e shën klimentianë në ish-provincat romako-bizantine të Dardanisë dhe të Maqedonisë, që pati për pasojë edhe depërtimin e motiveve fetare islame në kujtesën historike shqiptare për Ndodhjen e Kosovës të vitit 1389.
Në këtë kumtesë nuk kam kohë as vend të pasqyrojë këtë ndodhje në përplotëni, ngase për një analizë kritike të burimeve dhe të literaturës duhet studim i veçantë monografik multidisciplinor. Për këtu e konsideroj të rëndësishme vetëm evidencimin kronologjik të kronikave lindore dhe perëndimore të krijuara në rrjedhë të historisë nga fundi i viteve të 80’ta të shek. XIV deri në fillim të viteve të 70’ta të shek. XVII, me një gjykim të përmbledhur në fund për çështjet e hapura.
Për burim të parë të proveniencës osmane, i pari i njohur deri tashti, ku zuri fillin versioni zyrtar osman për Betejën e Kosovës, është poema “Iskender-name” e poetit Ahmedije të Anatolisë, e përfunduar më 13 mars 1390. Ndërkaq trajtimi kronikal i ngjarjes në Kosovë, më 1389, nisi me veprën “Bāzm u râzm” persisht të Azis ibn Ardäshira Astrābādija, e përfunduar më 1398. Ky krijues jetoi në oborrin e një emiri të pavarur, ndaj e dha dritën e gjelbër për ekzistimin e komplotit ushtarak në taborin e Sulltan Muratit. Sipas tij Murati I, si dhe biri i tij, Jakubi, u likuiduan me komplot nga i biri, përkatësisht vëllai, Sulltan Bajaziti I. Kjo dritë më vonë do të mjegullohet me versionet zyrtare për vrasjen e Muratit I, shkruar nga kronistë dhe historianë oborrtarë, nisur me veprën “Menakib-name” të Jahshi Fakih-ut, shkruar nga bashkëkohësi i ndodhjes. Fakih ishte i biri i Iljasit, imam i Bajazidit I dhe vdiq para vitit 1413.
Vepra e Fakihut u bë bazë e fortë për pretendimet e tjera historiografike osmane për ndodhjen në Kosovë, më 1389. Pasoi historia e Mulla Shukrullah-ut: “Behxhet-ut Tevarih”, e përfunduar më 2 nëntor 1459. Versionin zyrtar osman e shpini edhe më tutje kronisti i quajtur Enver, në veprën “Düstür-name” të viti 1464. Tri vjet më pas u përfundua vepra historiografike madhore: “Tevarih-i al-i osman” e Uruxh-it, e shkruar deri në vitin 1467, i cili u mbështet kryesisht në veprën e Fakihut, të cilën e përfilli edhe historiani zulmëmadh, Ahmed Ashik-pasha Zade, në veprën e njohur me emrin “Menakib“ ose “Tevarih-i al-i Osman”, të shkruar deri në vitin 1484. Pasha Zade jetoi dhe veproi në Shkup në vitet 30-50 të shek. XV, ndaj veprën e pasuroi edhe me të dhëna nga kujtesa historike në Kosovë. Mirëpo, me ndikim të madh në historiografinë botërore do të bëhet “Kitâb-i Cihan-nümâ” i Mehmet Neshriut, e shkruar midis viteve 1484-1493, e fryrë me të dhëna fantastike.
Kujtesa historike ballkanike për ngjarjen në Kosovë, më 1389, gjeti afirmim në “Kronikën turke të Janiçarit”, Mihail Konstantin-Ostrovica, e shkruar në vitet 1491/92, për nevojat e mbretit të Hungarisë. Pas kësaj kronike vije historia e rëndësishme “Hesht behisht” e Idris Husam ed-Din – Bitlis, e përfunduar në vitin 1505, ndërkaq kjo u ndjek nga historia, gjithashtu madhore, “Tevàrih-i âl-i Osman” e Kemal Pashazades, e shkruar midis viteve 1502-1510.
Midis viteve 1490-1512, një krijues anonim nga Edrenea e përshtati historinë e Uruxhit, “Tevarih-i al-i osman”, e pasuroi me motive të reja dhe vende – vende e stilizoi. Tani vijnë veprat historiografike osmane: “Târih-i Niŝancî” e Ramazan zade Mehmet Çelebi – Nishanxhiut, e shkruar para vitit 1561 dhe vepra madhore “Tac-ut-tevârih”, e Saaduddin Mehmet Hoxha Efendisë, e shkruar më 1575. E këtij viti konsiderohet edhe vepra e Ahmed Ferîdûn-it: “Mejmūah-i nunshâāt-i Salâtîn”, në të cilën janë botuar letrat e sulltanëve, përfshirë edhe “Fermanin e Bajazitit I” – dërguar kadiut të Bursës nga Kosova për varrosjen e kufomës së Muratit I. Sipas këtij dokumenti, Sulltan Murati u flijua për islamin, si plotësim i dëshirës së tij, në mesin e muajit Shaban të madhërueshëm 791 të hixhrit, përkatësisht më 1389. Muaji Shaban i atij viti filloi ditën e hënë, më 26 korrik dhe kishte 29 ditë, deri më 23 gusht. Del se tragjikomendia në “vendin Kosovë” ndodhi më 8 ose 9 gusht 1389, datë të cilën nuk e gjejmë në kronikat osmane të hershme, as të përfillur nga historiografia turke, e cila për datë të Betejës së Parë të Kosovës e mbanë 20 qershorin 1389.
Përafërsisht të mesit të viteve të 70’ta të shek. XVI është edhe vepra: “Badā’i ‘ul-waqā’i” e autorit Hoxha Husejn dhe “Nuhbet-üt-tevarih ve ‘L-abar” e Mehmed bin Mehmed. Të dhëna me interes për ngjarjen e Kosovës të vitit 1389 la edhe Mustafa Ahmedi – Aliu, i cili shërbeu në Bosnjë, më 1577, kurse kronikën e rëndësishme: “Künh-ül-ahbâr” e shkroi midis viteve 1591-1599.
Një vepër historiografike voluminoze midis kronikës dhe historisë me pretendime të mëdha, është historia “Tārih-i Sollakzâde”, e shkruar para vitit 1657, e Mehmet Handamit – Solakzade. Ndërkaq, të dhëna me interes nga kujtesa historike shqiptare dhe ballkanike për Ndodhjen në Kosovë, më 1389, përjetësoi në kujtesën turke dhe në historiografinë osmane udhëpërshkruesi i famshëm Evlie Çelebi, në veprën madhore “Sijaset-name”. Ai tokat shqiptare, Kosovën dhe vendin e ndodhjes i vizitoi në vitin 1660/62. Për traditën vendëse shqiptare të Kosovës me interes për ngjarjen e Kosovës së vitit 1389 ka lënë edhe dervishi i Selanikut Ahmet Dede Lutfullah-Mynexhimbashi,në veprën: “Müneccimbaşi Sahâif-ul-ahbar”, të shkruar pas vitit 1672. Këtu, të themi kushtimisht, përfundon faza e historiografisë letraro-kronikale zyrtare osmane.
Në rrjedhë të kohës, përkrah kronikave osmane, lindën anuarët dhe kronikat e proveniencës ballkanike dhe evropiane për Ndodhjen në Kosovë, më 1389. Mirëpo, derisa para kronikave osmane nuk njohim asnjë dokument arkivor të proveniencës lindore, vjetarëve dhe kronikave evropiane për këtë ngjarje u kanë paraprirë informatat me shkrim të individëve si përpjekje për të informuar opinionin për ndodhjen.
Informatën e parë për Ndodhjen në Kosovë e la gjakoni Ignjatie, më 27 qershor 1389, përcjellës nëpër Lindje i mitropolitit rus, Pimen. Ai shkroi se në popull po flitet për vrasjen e Muratit I, por nuk e zuri ngoje vrasësin, as ditën e vrasjes. Më 1 gusht 1389, Mbreti i Bosnjës, Tvrtko I, e informoi komunën e Trogirit dhe të Firencës se ushtria e tij e ka thye ushtrinë osmane të Muratit I. Nga përgjigjja e Firencës, më 20 tetor 1389, në Letrën e Mbretit Tvrtko I, shihet se firentinasit kishin siguruar edhe informata nga burime të tjera për Betejën e Kosovës. Ata Tvrtkos i uronin fitoren dhe i gëzoheshin vrasjes së Muratit I nga ana e 12 bujarëve të besatuar, nga të cilët – “njëri prej tyre me shpatë e therri”.
Këtu e vlen të thellohemi pak më shumë në të dhënat e proveniencës serbe. Të theksojmë fillimisht se Kultin e Lazarit dhe Mitin serb të Kosovës e krijoi qeveria dhe kisha ruse deri në fund të shek. XVI. Kisha serbe në Perandorinë Osmane për Ndodhjen në Kosovë u mur vetëm rreth dy muaj e gjysmë pas ngjarjes. Prifti Pahomije, me gjasë i kishës së Shën Onufrit të Shumicës, lokalitet afër Ravanicës, në Shumadi, shkroi: “…Në këtë vit knez Lazarin e vranë turqit dhe Muratin serbët”. Dhe, vetëm rreth dhjetë vjet pas ngjarjes, aty nga fundi i shekullit XIV, kemi edhe një shënim tjetër të kishës serbe ku thuhej: “Sa gjëmë u bë në vend kur u vra knezi dhe mbreti i madh turk”, pa ua zë ngoje emrat. Tani kjo kishë Tragjedinë Lazar-Murat më nuk e zuri n’goje për rreth 100 vjet, deri nga fundi i shekullit XV. Në një shënim të kësaj kohe zihej n’goje vrasja e Muratit I dhe e Lazarit dhe humbja e ushtrisë së krishterë “për shkak të ikjes të ca njerëzve serbë”. Emrin e vrasësit të Muratit nuk e përmendi asnjëri nga burimet kishtare serbe të shek. XIV – XV. Emrin e vrasësit të Muratit I nuk e përmendi as Konstantin Filozofi në Biografinë e Stefan Lazarit, më 1431, dhe as autori i anuarit Cetinski letopis (1516-1572). Në njërin dhe në tjetrin shkrim, vrasësi i Muratit I quhej vetëm me atributin: “…njëfarë burri fisnik”, ndonëse kronikat osmane dhe evropiane deri në këtë kohë, për vrasës e konsideronin Milosh Nikollë Kopiliqin – krahinar vendës kosovar, vasal dhe i njohur mirë nga afër i Muratit I. Edhe Gjergj II Brankoviq në veprën “Cronica Serbica” (fundi i shek. XVII), botim i vitit 1704, i iku rolit të Milosh Nikollë Kopiliqit në Tragjedinë e Kosovës të vitit 1389 dhe nuk dha shenja për ekzistimin e Kultit serb të Lazarit dhe të Mitit serb të Kosovës.
Tashti të përmendim radhazi burimet e tjera evropiane për Betejën e Kosovës 1389. Diçka para tetorit të vitit 1389 francezi Filip Mezière, ushtarak dhe administrator në Qipro, e informonte Francën se ngjarja ku u vra Murati I me të birin – “së bashku me disa udhëheqës eminent turq” ndodhi “në pjesët e Shqipërisë”. Me interes është edhe Letra e Dimitrije Kidonit drejtuar në burg mbretit Mihaili II Paleolog, në ditët e para pas “ndeshjes” së koalicionit të krishterë kundër ushtrisë osmane. Tani, më së pesë vjet më nuk u fol për Ndodhjen në Kosovë, deri në Kronikën e murgut të Saint Denisit, më 1395, e cila nuk e zuri n’goje emrin e vrasësit të Muratit I. Filip Mezière ndodhjes në Kosovë iu kthye edhe njëherë, më 1396/7. Tashti informonte se janë vrarë 20 mijë trupa të Sulltanit dhe po aq të Lazarit. Pason kronika e një Anonimi grek, e botuar nga Zoras dhe Anonimi i Raguzës, më 1402, i cili ndiqte kujtesën boshnjake. Ky do të konstatojë se në Kosovë, në mesin e qershorit 1389, pranë Lazarit, të cilin e quante “mbret i Bosnjës”, ishin “boshnjakët”, Vuk Brankoviqi dhe Vojvoda Vllatko Vukoviq (i Kroacisë). Nuk e përmendi fare emrin e atij që Muratit I i “dha plagë në zemër”. Kronisti anonim i Fiorentinës (Kronika e Friulit), në dhjetëvjetëshit e dytë të shekullit XV, foli për ngjarjet nga vrasja e Karlo Durrsakut, më 1385, deri në vitin 1409. Sipas tij, Murati pati më se 70 mijë viktima, kurse të krishterët më se 30 mijë.
Me ndikim në historiografinë evropiane do të bëhet vepra e Laonici Chalcondyle Atheniensis: “De origjine et rebus gestis Turcorum…”, e shkruar para vitit 1435 dhe e botuar më 1556. Ky e dinte se vrasës në variantet: Milo, Miloen dhe Michale.
Ndërkaq, sipas informatave që kishte Mbreti hungarez, Albrehti, më 1438 – Murati e Lazari u vranë në dyluftim. Për ndodhjen në Kosovë, më 1389, shkroi edhe Armtari Jerga i Nirnbergut, i cili shërbeu në oborrin e Stefan Vukçiq – Kosaqit para vitit 1466. Mirëpo, ndikim të madh në historiografinë evropiane do të bëjë Kronika e Johan Mihail Dukës, e botuar italisht në fillim të shek. XVI. Atë kryekreje e përfilli Marin Barleti si dhe një grup kallogjerësh në Letrën për Papën, më 1598, si edhe relatorët: Marin Bici (1610), dhe Pjetër Mazreku (1623/24). Këta relatorë e afirmuan edhe kujtesën historike shqiptare të Kosovës për vrasjen e Muratit dhe të Milosh Kopiliqit. Nga fillimi i shek. XVI për Ndodhjen në Kosovë, më 1389, la të dhëna edhe prifti ulqinak Martin Segoni në itinerarin: “De itineribus in Turciam Libellus” dedikuar nevojave të mbretin hungarez, më 1502, e cila më vonë i atribuohet udhëpërshkruesit Filice Petantio-s, më 1522.
Me rëndësi të posaçme dhe saktësi të madhe për pjesëmarrjen e shqiptarëve në koalicionin e të krishterëve antiosmanë ofron kronika “Historia e generalogia della casa Musachia” e Gjon Muzakës, e shkruar në vitin 1510. Këtë e ndjek raguzani Ludovik Cerva Tubero në “Comentario de rebus quae temporibus eius…gestae funt”, e shkruar para vitit 1515, kurse e botuar më 1590 me titull: “…De Turcorum origjine…”. Ngjarjes së vitit 1389 në Kosovë iu kushtua edhe Benedikt Kuripeshiq në “Itinerarium der Botschaftstreise…”, më 1530, kurse më 1550 u botua në gjuhën gjermane kronika osmane e quajtur: “Girabi Tevarichi”. Ngjarjes në Kosovë, më 1389, do t’i përkushtohet edhe Francesco Sansouino në “Gl’ Annali overo le vite de’principi et singnori della casa Othomana”, botuar më 1571 si dhe udhëpërshkruesi Jean Palerne Forensien, i cili vizitoi viset e Dardanisë në vitet 90 të shek. XVI dhe regjistroi kujtesën historike shqiptare të ndritur për Skënderbeun dhe për Milo Komnenin (Milosh Nikollë Kopiliqin).
Nga fillimi i shekullit XVII zuri fill trajtimi historiografik humanist evropian për ndodhjen në Kosovë të vitit 1389. Me ndikim të madh në literaturën historiografike evropiane do të bëhen veprat: “Il regno de gli Slavi…”, e Mavro Orbinit, e botuar më 1601 dhe “Ristretto de gli anali di Rausa” e Petro Lukarit, e botuar më 1604. Këto dhe disa kronika osmane i ndoqi historiani anglez Richard Knolles në veprën: “Generall Historie of the Turkes…”e botuar më 1610 dhe 1710, i ndjekur nga Joanne Cuspiniano: “De Turcorum origjine…” të botuar më 1673. Nga këtu mund të flasim për fillin e dijes shkencore për Betejën e Kosovës në Perëndim dhe në Lindje mbi bazën e të dhënave të kronikave osmane e evropiane për Ndodhjen në Kosovë më 1389, me pasoja të konsiderueshme për historiografinë dhe për historinë e popujve ballkanikë, veçanërisht në dëm të qenies shqiptare në Djepin e shqiptarizmës, në Kosovë.
Të përmbledhim shkurtimisht:
Për shkencën e historisë nuk është i njohur asnjë dokument nga dita e ngjarjes dhe me burime nuk mund të saktësohet dita kur ndodhi ajo. Vidovdani serb i datës 15 përkatësisht i 28 qershorit 1389, është shpikje e kishës dhe e politikës serbe nga fundi i shekullit XVIII – fillimi i shekullit XIX, njësoj si edhe Kulti i Lazarit dhe Miti serb për Kosovën. Realisht, sipas gjykimit kritik të informatave dhe të kronikave osmane dhe evropiane, mund të thuhet se ka ekzistuar përpjekja e fshehtë e Princ Lazarit për një aleancë të të krishterëve ballkanikë e evropianë kundër pushtuesit osman, kurse Murati I erdhi në Kosovë, një vend vasal midis Bosnjës dhe Serbisë vasale, me qellim të kontrollonte dhe të forconte lojalitetin e vasalëve në Shqipëri, në Serbi dhe në Bosnjë.
Analiza kritike e fakteve tregon se Ndodhja është komplot në kreun komandues të koalicionit të të krishterëve ballkanikë në nismë, në një anë dhe në kreun komandues të ushtrisë aziatike-ballkanike perandorake osmane, në anën tjetër. Sipas gjithë gjasash, tragjedia në dy pamjet e saj origjinale, në dy taborët ushtarake, është zhvilluar në intervalin kohor prej rreth dy orësh dhe në fshehtësi të madhe nga trupat ushtarake dhe kreu i ulët komandues. Kjo Ndodhje nuk shkaktoi asnjë çrregullim në marrëdhëniet shoqërore të kohës në relacionin okupator osman – vasalë ballkanikë. Në terren nuk mbetën gjurmë të luftës – varre as gjësende nga “Beteja…”, e cila në burimet e përmendura tregohet se kishte armatim këmbësorie, kalorësiake dhe artilerike të përmasa fantastike: mbi 100 000 të rënë, e po gati aq të plagosur, pjesa më e madhe e të cilëve “nuk u përballuan plagëve”. Kufoma e Muratit dhe kufoma e Lazarit, të padëmtuara, u varrosën me nderime të larta fetare e pushtetore, i pari pranë xhamisë në Bursë, kurse i dyti pranë kishës ortodokse në Prishtinë. Pak muaj më vonë kufoma e Lazarit do të zhvarroset dhe rivarroset me nderime kishtare e pushtetore në kishën e përshpirtshme të tij, në Zhiçë të Shumadisë. Bajazidi I do të bëhet dhëndër i Lazarit dhe Stefan Lazareviqi do t’i bashkohet me ushtri Bajazidit në pushtimet e reja.
Sekuencat më reale të kësaj tragjedie janë ndër motivet më të hershme të kujtesës dhe të epikës historike të popullit shqiptar të Kosovës të periudhës së krishterë ortodokse shënsaviane. Në epiqendër të saj është fati tragjik i Sulltan Muratit I dhe i krahinarit vendës drenicas, Milosh Nikollë Kopiliqit, zotërues vasal i Kosovës, i njohur nga afër me Sulltan Muratin. Me këto shëmbëllejnë fuqishëm motivet e hershme të kujtesës epike boshnjake, kroate e serbe, e cila sa ka ardhur dhe është pasuruar me aktorë të imagjinuar dhe me motive fetare, mitike, legjendare e politike, të gjitha këto me proveniencë nga versionet zyrtare të Oborrit perandorak Osman dhe të kishës ortodokse dhe të oborrit qeveritar rus e serb në shekujt XV- XIX.
Dhe, një fakt duhet të vihet në spikamë:
Të gjitha personalitetet historike nga tabori i krishterë, të cilët janë flijuar në Komplotin Bajazi I – Vuk Brankoviq, për pushtet e mirëqenie vasale osmano – serbe, janë personalitete shqiptare ose të përkatësisë vllahe, amallgam ky iliro-roman, siç ishte edhe kosovari përlepnicas anamoravas – Lazar Pribezi, dhëndër i fisniku serb nga Krushevci i Shumadisë. Të gjithëve, përpos Lazarit, vrasësi ua humbi edhe varret, përfshirë edhe varrin e princit Theodor Muzaka II.
Së këndejmi, ndonëse për të ashtuquajturën Beteja e Kosovës 1389 janë botuar shumë shkrime, studime dhe monografi historiografike e folkloristike në gjuhë të ndryshme, si ngjarje historike në fushën e dijes ka ngelë e errët dhe e pambyllur. Ndër çështjet më parësore të cilat janë të hapura për hulumtim dhe për ndriçim shkencor kritik me interes për historinë dhe për historiografinë, janë njohja e prapaskenave politike të tragjedisë, karakteri i asaj që është emetuar në historiografi si Beteja e Kosovës, përmasat reale të ngjarjes, roli i Sulltan Bajazitit, i Vuk Brankoviqit dhe i Milosh Nikollë Kopiliqit në zhvillimin dhe epilogun e ndodhjes – në flijimin e Muratit I me pakë besnikë osmanë dhe të Lazar Pribezit e të Theodor Muzakës II me besnikë të pakët.
Prishtinë, 30. 06. 2012.