PROF.DR.MUHAMET PIRRAKU: SI I ‘PAJTUAM’ PUBLIKISHT HYSEN TËRPEZËN E FADIL HOXHËN(II)

Pashtriku.org, 06. 05. 2013 – LLOMOTIJET HISTORIKE TË SABRI MAXHUNIT – NOVOSELLA! – PASHTRIKU: Profesor, të rikthehemi edhe një herë tek kryepersonazhët e bisedës sonë: Fadil Hoxha – Hysen Tërpeza, të cilët gjatë LANҪ-së (1941-1945) për shkak të rrethanave historike, luftuan kundër njëri tjetrit. Për t’ju sjellur në vëmendje historinë e këtyre dy figurave (që i bëre bashkë 65 vjet pas përfundimit të LDB-së), me këtë rast po i referohem librit të Sabri Maxhunit-Novosella “Kuvendi i Taksimit – dhe luftërat çlirimtare shqiptare 1912 – 1998/99”, të botuar në vitin 2011 në Prishtinë. Sabriu, në faqet 143-144, të këtij libri, shkruan (po citoi): “Ç’është e vërteta po na thonë fëmijët dhe nipat tanë: Në të njëjtat libra po lexojmë: heroi Shaban Polluzha, heroi Fadil Hoxha! Djemtë e mi sa herë ma kanë shtruar pyetjen: Çka po ndodh kështu?! Duke e dëgjuar prof.dr.Muhamet Pirrakun se si e ka dërguar komandantin e luftës kombëtare Hysen Tërpezën te Fadil Hoxha, komandanti i “Shtabit të Ushtrisë Jugosllave për Kosovë – Metohi”, i cili ia ka vrarë HysenTerpezës gjashtë antarë të familjes, me mijëra luftëtarë të Mbrojtjes Kombëtare, siç thotë Hajriz Demaku: ”Fadil Hoxha dhe Enver Hoxha ia dhanë Kosovën Serbisë si mollë të qëruar (të qëruar nga nacionalistët shqiptarë”. Pra, prof. dr. Muhamet Pirraku i cili është autor i një libri shumë të mirë me titull “Mulla Idriz Gjilani dhe Mbrojtja Kombëtare e Kosovës Lindore”, e dërgon te Fadil Hoxha, siç u tha për t’i ”pajtuar”. Hysen Tërpeza, shumë i shtyer në moshë, i lodhur dhe i rraskapitur nga mosha dhe vuajtja e jetës pa e parë Kosovë 55 vjet, krejtësisht i bërë senil. Në këtë gjëndje ia dërgojnë në shtëpi, ku Hysen Tërpeza i drejtohet Fadil Hoxhës “Bama hallall”!!! Të gjitha këto janë të vërteta të dhimbshme, duke mos iu thënë e vërteta për të kaluarën dhe për personalitetet historike, që po na kushtojnë dhe do të na kushtojnë në vazhdimësi. Vetëm duke u thënë të vërtetat antikombëtarët do të demaskohen, do të largohen prej tyre dhe gënjeshtrave të tyre ata që në mënyrë të pavetëdijshme apo për ndonjë interes të çastit u shkojnë pas…”. Ҫka mund të thoni, lidhur me këto konstatime të Sabri Maxhunit – Novosella?

Sabri Maxhuni – Novosella.

Kopertina e librit…

PIRRAKU: Së pari, Sabriu s’e ka parë pajtimin Hysen Tërpeza – Fadil Hoxha! E dyta, të gjitha faktet historike dëshmojnë se, Shaban Palluzha nga viti 1941 deri në janar 1945 ishte Antifashist i Linjës së Fadil Hoxhës dhe e sabotoi Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës. Madhështia e Shabanit qëndron në faktin, që nuk u nda nga Miftar Bajraktari dhe bëri vdekje Heroike përkrahë Mehmet Gradicës! Ndërkaq, për rëndësinë e Fadil Hoxhës e pëlqej gjykimin e madhështorit Hysen Tërpeza! Kaq!
PASHTRIKU: Profesor Pirraku, Sabri Maxhuni-Novosella, siç e citova më lartë, ka shkruar se, Prof.Dr. Muhamet Pirraku…, Hysen Tërpezën e dërgon të Fadil Hoxha për t’i “pajtuar”, dhe me këtë rast siç shkruan ai: Hysen Tërpeza iu ka drejtuar Fadil Hoxhës me fjalët: “Bama hallall”. A është kjo e vërtet?
PIRRAKU:
O i nderuar, Sabri Novosella është taravolç dhe shkruan çka ti teket!!??
PASHTRIKU: Madje, siç shkruan Sabriu, Fadil Hoxha, në cilësinë e komandantit të “Shtabit të Ushtrisë Jugosllave për Kosovë – Metohi”, ia paska vrarë Hysen Terpezës gjashtë anëtarë të familjes, dhe mijëra luftëtarë të Mbrojtjes Kombëtare, ndërsa Hajriz Demaku citohet të ketë thënë se: “Fadil Hoxha dhe Enver Hoxha ia dhanë Kosovën Serbisë si mollë të qëruar nga nacionalistët shqiptarë”. Sa janë të faktuar këto konstatime të z.Novosella?
PIRRAKU:
Këtë mynxyrë Sabri “historiani” e mbështet në llomotitjet e një Skojisti të viteve 1942 e tutje nga Abria, që njihet si Mulla Hajriz Demaku, i cili me dy kushërijtë: Hetemin e Azizin ishin skojistë besnikë të LANÇ-së!! Për më tepër, në fshatin Abri të këtij skojisti, Revolta Anti-jugosllave e Drenicës nuk ka pasur Mbështetje masive! I kam deklarimet e Tyre nga viti 1971. Është rrenë e kulluar se Hysen Tërpezës iu kanë vrarë gjashtë antarë të familjes! E vërteta është, se, Hysenit – në korrik të vitit 1945, në Lufën Ballore në Presedel, iu kanë vrarë: Vëllau dhe i biri i Axhës dhe askush tjetër! Ndërkaq është i paqëndrueshëm llafi i Sabriut, se janë vrarë “mijëra luftëtarë të Mbrojtjes Kombëtare…”!!
PASHTRIKU: Profesor, nuk u përgjigjet në “argumentin” e Sabri Maxhunit, se: “Fadil Hoxha dhe Enver Hoxha ia dhanë Kosovën Serbisë, si mollë të qëruar nga nacionalistët shqiptarë!” A ka bazë shkencore – historike ky konstatim?!
PIRRAKU:
Kjo është e “vërteta” e një shkarravitësi në margjina të Historisë…!! E para, në Nëndor 1944 nuk ka ekzistuar Serbia. E dyta, Viset Shqiptare (të lënë padrejtësisht jashtë Shqipërisë Londineze), Jugosllavisë Avnojiste, ia dhanë Ruzvelti, Çerçilli dhe Stalini, si në Londër (1913) dhe në Versaj (1919-20), për faktin se ishim Myslimanë, ndaj me zemrim thërras: “qofshinë të mallkuar …”!
PASHTRIKU: Profesor, harrova t’ju pyes edhe për një ngjarje tjetër historike, që është e lidhur poashtu me Fadil Hoxhën. Sabri Maxhuni-Novosella, në librin “Kuvendi i Taksimit…”, e shanë “Kuvendin e Bujanit” të mbajtur më 31 dhjetor 1943 – 1,2 janar 1944, ndërsa Fadil Hoxhën me shokë i quan me përbuzje “bujanistë”!! Cili është mendimi i juaj për Kuvendin e Bujanit?
PIRRAKU
: Për këtë çështje mund të Flas me njohuri bukur të mira e me kompetencë shkencore. Pas Lidhjes së Parë e të Dytë të Prizrenit, Kuvendi i Bujanit ka një rëndësi të vaçantë për Kombin Shqiptar, për faktin sepse, Rezoluta e Bujanit u hartua dhe u nënshkrua nga përfaqësuesit serbë të LANÇ-së të Kosovës, në prani të Aleatëve Antifashistë, të cilët nuk i qëndruan deri në fund besnikë…!! Prandaj, mu për këtë fakt më lartë thirra: “Qofshinë të mallkuar…”!!! Të shtoj edhe këtë: Kuvendi i Bujanit është 200% më i rëndësishëm për zgjidhjen e Çështjes Shqiptare, se sa Konferenca e Rambujesë (shkurt – mars 1999)!
PASHTRIKU: Profesor Pirraku, në fund për lexuesit tanë po e botojmë edhe referatin tuaj të “pajtimit…” të mbajtur në Kuvendin Zgjedhor të Degës IV të PDK-së, më 16 tetor 2000 në sallën e Kinos “ABC” në Prishtinë?
PIRRAKU:
Po, referati më 9 dhjetor 2000 është botuar në faqen 5 të gazetës “Rilindja” dhe në librin tim “Për Kauzën e UÇK-së, Prishtinë, 2006, fq.37-42, por ia vlenë të botohet edhe në portalin kombëtar pashrtiku.org.

* * *
RRUGA JONË PËR PËRMBUSHJEN E DETYRËS NDAJ ATDHEUT!(1)


Prof. Dr. Muhamet Pirraku

Mysafirë të respektuar, anëtarë dhe simpatizues të Partisë Demokratike të Kosovës, të gjithë ju – kasnecë të pajtimit e të bashkimit politik të Kosovës e të kombit shqiptar në përgjithësi, para Jush, sot, ndihem veçantë i privilegjuar. Të punosh për të bashkuar përjetësisht të kaluarën e përgjakshme me të sotmen e hidhur për interesa jetësore të ardhmënisë së dëshiruar shekuj me radhë, është sa punë fisnike aq është edhe krenari kombëtare.
Mendoj se do të vë në spikamë mendimin e shumicës të popullit tonë, se: Cepi i lirisë në të cilin na sollën përpjekjet politike dhe Lufta Çlirimtare është e duhet të kuptohet si një pushimore e shoqërisë kosovare, e gjithëshqiptare, për të akumuluar energjitë krijuese e ndërtuese për kushtet që Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi, do të sjellin në lirinë e vërtetë, ad apt me hapësirën e me kohën, dhe, pikërisht në fazën për realizimin dhe sendërtimin e shprehjes së vullnetit të lirë të popullit, të vetëvendosjes për statusin shtetëror të Kosovës, si arritje demokratike e përligjësuar ndërkombëtarisht në Rambuje, në shenjë të valëvitjeve hijerëndë të Flamurit gjakshqiptari të UÇK-së.
Dhe, Zonja dhe Zotërinj, sa kohë do të qëndrojë shoqëria koso¬vare dhe ajo gjithëshqiptare në këtë pushimore varet nga kosovarët e nga gjithëshqiptarët, dhe në këtë hapësirë rol të rëndësishëm ka e duhet të ketë, pa lëkundje, vazhduesja e Drejtorisë Politike të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, pikërisht Partia Demokratike e Kosovës, e cila, si mekanizëm organizativ politik është i ri, por si veprimtari politike çlirimtare është e moçme, dhe trashëgon e sublimon të gjitha kërkesat politike e luftarake për lirinë e kombit shqiptar.
Së këndejmi, ky mekanizëm politik, PDK-ja, për platformë të bashkimit politik të anëtarëve dhe të popullit, ka e duhet të ketë, me besnikëri e betim: gjakun, sakrificën, martirizimin e kosovarëve e të gjithëshqiptarëve për liri njerëzore, për liri kombëtare dhe për pavarësinë e Kosovës si hap të kohës, të Rendit të Ri botëror drejt zgjidhjes përfundimtare të Çështjes shqiptare të copëtuar, e të ngatërruar për zgjidhje, me traktate politike europiane imperialiste e kominterniste dhe push¬time koloniale e aneksime ballkanike, të zbatuara me Strategjinë ortodokse pansllave e pangreke të tokës shqiptare të djegur.
Vëllezër, motra!
Miqtë po na thërrasin me qortim që dhemb: “Bashkohuni e do të ngadhënjeni…! Pavarësia e Kosovës është në duar të kosovarëve…!” Ndaj, veprimtarë politikë të përkorë! Na duhet konsekuenca në parime, na duhet fleksibiliteti në veprime, na duhet guximi në vendimmarrje adekuat me rrethanat dhe kohën – të shkelim bashkërisht kosovarisht trasenë që na e shenjtëroi gjaku i Lirisë të të gjitha gjeneratave të çlirimtarëve.
Me lejoni të shfaq para Jush një ndjenjë që përjetova dje, si një aktivist i PDK-së nga baza. Sapo isha ulur për të nxjerrë në letër konceptin që e kisha bluar në kokë për këtë Fjalë rasti, në radio po jepej informata për këtë Tubim me konstatimin se janë ftuar “personalitete të rëndësishme të përpjekjeve shqiptare për realizimin e së drejtës së Kosovës në vetëvendosje: z. Hysen Tërpeza, z. Fadil Hoxha, z. Adem Demaçi, z. Azem Sylaj, dr. Rexhep Boja dhe personalitete të tjera të jetës sonë politike në arealin e Degës IV…”!
I rrethuar me vetveten, thërrita me zë: “O Zot, qenka vërtet e vërtetë, ajo që kam dëgjuar sa herë nga liderët e Partisë Demokratike të Kosovës, nga ata ‘Djemtë e frustruar të Rugovës’!!!?
Udhëheqës politikë të Partisë sime, kanë ditur të themelojnë ushtrinë e parë Kombëtare Çlirimtare të Kosovës, se ne kemi ditur të organizojmë Luftën Çlirimtare të Kosovës, se ne kemi ditur të bëjmë politikë kombëtare e ndërkombëtare, se ne kemi ditur të bëjmë diplomaci dhe të lidhim miq, e mbi miq – ShBA’të, se ne kemi ditur të sjellim forcat e NATO-s në Kosovë dhe kështu, ne jemi ata që kemi dëshmuar aftësi për të çliruar Kosovën me një luftë tepër të pabarabartë, me një pushtues që kishte lëshuar rrënjë të tokat shqiptare me mbështetje ndërkombëtare që nga Kongresi i Berlinit, se ne kemi arritur që Kosovën ta çlirojmë për një kohë të shkurtër, me viktimizimin e përjetuar me pamundësi për t’a zvogëluar edhe më shumë.
Ndaj, themi qartë: ne kemi dije akademike, kemi energji pozitive rindërtuese e ndërtuese, ne kemi aftësi shtetformuese, ne kemi vendosmërinë të bashkojmë individët e masat liridashëse për pajtimin politik, për bashkimin demokratik, dhe kurrë, edhe me çmim të lartë, nuk do të lejojmë paraqitjen e sindromit politik vëllavrasës të përjetuar në Amën tonë, se kurrë nuk do të lejohet kazmeja mbi varret e dëshmorëve të kombit tonë nga radhët e akëcilës gjeneratë çlirimtare qoftë.
Zonja e Zotërinj,
sot, si të mos ndihemi edhe emocional ne, anëtarë e simpatizantë PDK-së të Degës IV të Prishtinës, kur shohim se pikërisht me këtë Tubim për promovimin e kandidatëve të PDK-së nga Dega IV, po bëhet hapi praktik, shumë i guximshëm dhe njëkohësisht tepër i domosdoshëm, për të bashkuar shoqërinë kosovare dhe një pjesë të shqiptarisë, për të gëzuar miqtë dhe për të sfiduar armiqtë me vendosmërinë tonë për të renditur përpjekje nga aty ku Çështjen e Çlirimit e solli gjuha e pushkës çlirimtare e UÇK’së – drejt realizimit të së drejtës në vetëvendosje politike e shtetërore të Kosovës, si vlerë më e lartë e koncepteve të demokracisë, kusht ky për ngritjen e një shoqërie kosovare demokratike në kuptimin e plotë të fjalës.
Këtu, së bashku me mysafirët, personalitete historike, politike e kulturore, pse të mos rikujtojmë mendimet dhe gjykimet e miqve të kombit shqiptar dhe të patriotëve të përkorë nga shtresat e ndryshme shoqërore kosovare kombësish të ndryshme, se: Zgjidhja përfundimtare e statusit politik e shtetëror të Kosovës, të këtij vendi që ende nuk po i dihen thellësitë e plagëve të shkaktuara nga okupatori serbosllav kominternist, është i varur nga rrita dhe nga forca politike, morale e materiale e PDK-së, e cila, në intimitet vëllazëror shqiptarisht, lejon të quhet Parti e Gjakut, e pse jo edhe Parti e Lirisë, Parti e Demokracisë, për fatin se ka një motër të madhe – Amerikën.
Të më lejohet të ritheksojë mendimin tim, të shfaqur shumë herë se, nesër, pas fitores në Zgjedhjet komunale 2000, pranimi i detyrës nga dembelët apo nga karrieristët, nga ata që nuk janë të zotët, që nuk janë gati për sakrifica sublime në interes të shoqërisë demokratike, që nuk shtyjnë drejtë bashkimit politik e kombëtar, do të thotë kurdisje e pavetëdijshme ose e qëllimshme, e pengesave të para, do të thotë: zënie peng e punës dhe e sukseseve të organeve të PDK-së të komunës dhe të shoqërisë kosovare në përgjithësi.
Dikush mund të pyeste: Prej nga konstatimi Juaj se PDK-ja do të fitojë në Zgjedhjet komunale të 28 tetorit 2000?
Përgjigjen e kam të shkurtër: Shqiptarët, Kosova, nuk guxojnë të lejojnë përsëritjen e 10 korrikut 1945, kur Kuvendi i Kosovës i dalë nga Lufta Antifashiste anashkaloi për marre Rezolutën e Bujanit të 2 janarit 1944, Kuvend ky legjitim i dalë nga Lufta Antifashiste, dhe kështu e ngulfati të drejtën në vetëvendosje, për të cilën garantonin ShBA-të, Ushtria e Kuqe e Rusisë, Ushtria Antifashiste e Jugosllavisë dhe Ushtria Antifashiste e Shqipërisë.
Shqiptarët dhe Kosova nuk guxojnë të lejojnë përsëritjen e 23 marsit 1989, marren mbi marre, kur Kuvendi i Kosovës votoi për heqjen e autonomisë së Kosovës, realisht për rianeksimin e Kosovës – Serbisë.
Kosova nuk guxon të legjitimojë robërinë për të cilën punonin institucionet pushtetore rugovisto-bukoshiste në një kohë kur terrori i okupatorit në Kosovë tmerronte botën, në një kohë kur duhej shpallur gjendja e jashtëzakonshme, në një kohë kur duhej zbatuar kërkesat kushtetutare dhe referendumiane gjithëpopullore – shpallja e mobilizimit për Luftën Çlirimtare.
Vota për PDK-në është votë që legjitimon Luftën e drejt, çlirimtare, të UÇK-së, që legjitimon TMK-në për ushtri të Kosovës, që legjitimon kërkesën shqiptare shekullore për të drejtën në vetëvedosje, që legjitimon Policinë e Kosovës të farkëtuar në Luftën Çlirimtare, siguri e mirëqenies sonë individuale e kolektive.
Duke përfunduar këtë fjalë rasti, si hyrje jona programatike e përbashkët në fille të jetës institucionale shtetërore komunale të Kosovës nën mbikëqyrjen e Faktorit të vendosjes në botë, nuk është oportu¬nitet të theksojmë zëshëm: Çdo anëtar i PDK-së, edhe në të ardhmen, si kësh¬tje¬llari që lufton për çdo gurë të Kështjellës, të përpiqet për lidhjen në PDK të qytetarëve nga të gjitha shtresat shoqërore.
Krejt në fund, pse të mos konstatojmë së bashku: Elektoratit të komunës së Prishtinës, si edhe gjetkë në Kosovë, PDK-ja i ka ofruar kandidatë që janë dëshmuar suksesshëm gjatë shekullit të veprimtarisë së tyre, se PDK-ja Prishtinës i ka ofruar për prefekt një personalitet që ka dhënë prova çlirimtare e shtetformuese, një kandidatë që, realisht, nuk ka kundërshtar të denjë, të ofruar Prishtinës nga partitë e tjera. Është ky juristi në shkollim pasuniversitar në shkencat politike e pushtet lokal, është ky Zoti Fatmir Limaj. (Prishtinë, 15 tetor 2000)

( FUND )

………………………………………………………………..

– PJESA E PARË E INTERVISTËS –
PROF.DR.MUHAMET PIRRAKU:

SI I ‘PAJTUAM’ PUBLIKISHT HYSEN TËRPEZËN E FADIL HOXHËN(I)
KLIKONI KËTU https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=1551

*   *   *

(Intervistën e zhvilloj: Sheradin Berisha – kryeredaktor i pashtriku.org)

===============================

LEXONI EDHE DY INTERVISTA TË PROF.DR.MUHAMET PIRRAKUT:
SI DËSHTOI NË VITIN 2001, SIMPOZIUMI SHKENCOR – ‘USHTRIA ÇLIRIMTARE E KOSOVËS
– E DJESHMJA, E SOTMJA DHE E ARDHSHMJA JONË’!?!
KLIKONI KËTU: https://pashtriku.org/index.php?kat=47&shkrimi=576
* * *
SI DËSHTOI PROJEKTI – ‘ZËRAT ENCIKLOPEDIK TË LUFTËS ÇLIRIMTARE TË UÇK-ës’
KLIKONI KËTU: https://pashtriku.org/index.php?kat=47&shkrimi=621

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura