SHKËLZEN GASHI: MITROVICA ME URDHËR TË SHP TË UҪK’së ËSHTË LËSHUAR NGA VERIU I SAJ!

Pashtriku.org, 16 maj 2017: Më 4 dhjetor të vitit 2004 Rrjeti i Aksionit për Kosovën (Kosova Action Network – KAN) pat organizuar një tryezë me temën “Ndarja dhe bashkimi i Mitrovicës”. Të ftuar kanë qenë shumë personalitete politike (në mesin e tyre edhe Ramush Haradinaj, i cili një ditë më parë qe zgjedhur Kryeministër i Kosovës dhe në atë tryezë na premtoi se do ta bashkojë Mitrovicën), por, këtu është e rëndësishme të përmenden ata që ju patën përgjigjur negativisht ftesës për të marrë pjesë në këtë tryezë – përfundimisht për shkak të frikës: Agim Çeku, Bajram Rexhepi dhe Rrahman Rama. Tryeza ka qenë e ndarë në dy sesione dhe fare në fund të sesionit të parë “Kur si dhe pse është ndarë Mitrovica?”, kur fjala i është dhënë njërit prej eprorëve më të zellshëm të UÇK-së, Bekim Shytit, e kam marrë vesh se si është ndarë Mitrovica.
Fillimisht Bekim Shyti na tregoi se ai nuk ka qenë në nivelin e vendimmarrjes ngase Komandant i Zonës Operative të Shalës ka qenë Rrahman Rama, ndërsa, ai ka qenë vetëm komandant i një njësie dhe më pas shtoi se më datën 17 qershor 1999 forcat e KFOR-it francez kanë hyrë në Mitrovicë dhe në pjesët tjera ku vepronte UÇK-ja, ndërkaq ne kemi qenë të vendosur në fshatin Ashlan – një kilometër më në veri është fshati Pantinë – dhe diku rreth orës 19:00 ose 20:00 kanë ardhur forca të mëdha franceze me gjasë për të siguruar serbët e fshatit Frashër (Svirnjar) sepse mes fshatit Ashlan, fshatit Pantinë dhe Mitrovicës gjendet fshati Frashër, i banuar kryesisht me serbë.

Në pyetjen time – meqenë që isha njëri ndër moderatorët e kësaj tryeze – se a ka pasur urdhër nga Shtabi i Përgjithshëm që forcat e UÇK-së të kalojnë apo të mos kalojnë në veri, Bekim Shyti është përgjigjur kësodore:
“…Ne nuk kishim urdhër për të qenë në pjesën veriore të Mitrovicës, por, përkundrazi, në kohën kur është bërë Marrëveshja e Kumanovës (9 qershor 1999) neve na është thënë nga gjeneral Rrahman Rama se nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së ka ardhur një urdhëresë që në magjistralen Vushtrri-Beograd dhe anasjelltas në Mal të Zi – faktikisht Mitrovica mbetej në një trekëndësh – forcat e uniformuara nuk guxojnë të ofrohen dy kilometra afër kësaj magjistraleje gjegjësisht kësaj vije të kuqe. Kështu që, francezët në atë kohë kanë thënë se nëse ndonjë pjesëtarë i uniformuar – e kjo ka qenë për UÇK-në sepse në atë kohë nuk ka pasur pjesëtarë tjerë të uniformuar – e kalon këtë vijë të kuqe, në të do të shtihet pa paralajmërim. Me gjasë ka pasur një marrëveshje për këtë punë dhe do të kishte qenë shumë mirë që në mesin tonë të jenë ata që kanë bërë një marrëveshje të tillë, qoftë në Rambuje, qoftë ne Kumanovë apo kudo që ta kenë bërë…”…
Po qe se bazohemi në hulumtimet e opinionit publik që kanë bërë organizatat më prestigjioze që merren me këtë punë, atëherë, Agim Çeku dhe Bajram Rexhepi janë dy njerëzit më me ndikim dhe më me autoritet në Kosovë. Ka qenë lehtë e parashikueshme që këta dy njerëz do të jenë pjesë e procesit negociues. Përmes këtyre dy njerëzve ndërkombëtarët do të tentojnë të legalizojnë ndarjen e Mitrovicës dhe ka gjasa që të rezultojnë të suksesshëm.
Në vijim të kësaj duhet parë deklaratën e paradoditshme të Agim Çekut se Mitrovica do të jetë njëra nga sfidat më të mëdha të statusit. Zaten, Çeku ka dëshmuar disa herë se është i gatshëm të bëj kompromis, madje pikërisht për Mitrovicën. Hera e parë është urdhëresa që, sipas Bekim Shytit, e ka lëshuar Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, e në bazë të së cilës, siç u tha edhe më sipër, trupat e UÇK-së nuk kanë pasur të drejtë të kalojnë magjistralen Vushtrri-Beograd dhe anasjelltas në Mal të Zi, e Çeku ka qenë shef i SHP-së të UÇK-së dhe nuk e ka kundërshtuar këtë farë urdhërese, kurse hera e dytë është shpërndarja e protestuesve në Marshin për Mitrovicën që është mbajtur në dhjetor të vitit 1999 (për më shumë shih: Bernard Kushner “Luftëtarët e Paqes” faqe 133- 138). Tash, e treta e vërteta!
_______________
Botuar në: http://dardamedia.com/10Apr2006.html

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura