PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: TRAJTIMI I FIGURËS SË ISA BOLETINIT NË HISTORIOGRAFINË SHQIPTARE (FOTO+VIDEO)

Prishtinë, 11. 06. 2105 – Para 19 viteve, kur Instituti i Historisë në Kosovë kishte organizuar simpoziumin për jetën dhe veprën e Isa Boletinit, me atë rast kisha përgatitur kumtesën: “Portreti i nënës së Isa Boletinit”. E punova gjatë dhe, me një përkushtim shkencor, por nga ajo që mëtoja, më dolën dhe u hapën shumë vështirësi e dilema. Në shkrime të ndryshme, por kuptohet dhe në kohë të ndryshme, heroit dhe atdhetarit të madh kombëtar Isa Boletinit iu kishin qasur dhe trajtuar në mënyra të ndryshme, ose, kishte periudha kohore-historike kur mungonin tërësisht ose fare të pakta ishin shkrimet për të. Të tëra këto oscilime që i hetova në shkrime, më imponuan që mos të jem indiferente ndaj një të kaluare të lavdishme dhe ndaj vlerave të mirëfillta atdhetare të historisë sonë. Nga ana tjetër edhe si sfidë mu duk, që, më këtë rast të trajtojë figurën e Isa Boletinit në historiografinë shqiptare.
Më se gjysmë shekulli, historia e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare – LKSH’së, në ish-Jugosllavi, herë-herë ishte e kualifikuar si veprimtari antishtetërore dhe herë-herë mbante shifrën e fshehtësisë shtetërore të shkallës më të lartë – si tabu temë.
Nga kjo del se, shteti totalitar i Jugosllavisë, duke politizuar çdo qelizë të jetës shqiptare, nuk la pa prekur as historiografinë. Në shkrimet dhe punimet e ndryshme të gjitha ngjarjet dhe figurat shqiptare vlerësoheshin vetëm sipas kutit të historiografisë serbe. Me këtë trajtim të një anshëm, historia kombëtare shqiptare ishte jo vetëm bardhë e zi, por dimensionet kombëtare të saja tkurreshin e ngushtoheshin deri në absurditet. Gjatë tërë kësaj periudhe (1945-1990), nga historia shqiptare u mënjanuan ose fare pak u shkrua për ngjarje e figura të shquara të kombit. Bile-bile, shkohej aq larg sa këto, të fundit, ishin trajtuar si forca reaksionare dhe antikombëtare.
Në rrugën e gjatë të lëvizjeve për çlirim, bashkim dhe përparim të kombit, para dhe pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, një vend meritor e zë figura atdhetare e Isa Boletini, duke u vlerësua lartë në çdo kohë dhe në çdo periudhë, me oscilime të herë-hershme në shkrimet e ndryshme të kohës, si dhe nga shumë autor të huaj që janë marrë me problemet e LKSH-së.
Duke shfletuar bibliografinë e punimeve që u shkruan për Isa Boletinin, nuk më ka rastisur që të hasja në ndonjë shkrim për të, që ishte shkruar para LDB. Pas përfundimit të saj, megjithatë fillon një periudhë, ku më tepër thellohen studimet për Rilindjen Kombëtare Shqiptare. Një rëndësi e veçantë Isa Boletinit iu kushtua dhe iu dha, deri diku pas viteve 1945, por në vitet e 70 të shekullit XX, marrinë hov më të shprehur shkrimet për jetën e veprën e Isa Boletinit.

Isa Boletini (1864 – 1916)

Brenda mundësive që kam pasur, dhe konsultimit të shumë veprave e shkrimeve që kam bërë në historiografinë shqiptare, më ka rastisur që emri i Isa Boletinit të zë një vend meritor në “Historinë e Shqipërisë” vëllimi i dytë, (Botim i Universitetit të Tiranës, 1965; Më vonë, në vëllimin e II e të III, Botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Tiranë, 1984. Në këto vëllime u theksua dukshëm roli i Isa Boletinit në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare për liri dhe pavarësi dhe ruajtjen e tërësisë tokësore të vendit në fund të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX. Jepet kontributi i tij në kryengritjet e mëdha 1910-1912. Përmendet në faqet 438 e deri në faqen 490. Në këtë vëllim jepet edhe fotoja e tij bashkë me Ismail Qemalin.

Isa Boletini dhe Ismail Qemali (1844 – 1919)

Një prezantim dinjitozë i bëhet figurës së Isa Boletinit edhe në “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar” botuar më 1985, f. 107-108. Po ashtu Heroi i Kosovës prezantohet edhe në “Fjalori Enciklopedik shqiptar” pjesa e parë, Tiranë 2008, nga studiuesja Fatmira Musai, në faqen 276-277.
Libri i parë biografik i zgjeruar për figurën e Isa Boletinit është shkruar nga Skender Luarasi, Tiranë, më 1971. Por një vit më vonë (1972), po i njëjti libër ribotohet edhe në Prishtinë, nga “Rilindja”. Në këtë libër autori Luarasi kryesisht është mbështetur në kujtimet e bashkëkohanikëve të atdhetarit dhe mendoi se ky libër pati vlerën e vet se, për herë të parë popullarizoi veprën atdhetare të Isa Boletinit.
Ndërsa me argumente shkencore për jetën e veprën e Isa Boletinit, ka shkruar Profesoresha e nderuar dr. Fatmira Musai, në librin “Isa Boletini”, botimi i parë më 1987, nga Instituti i Historisë në Tiranë, dhe më 2004 e riboton librin po me të njëjtin titull. Prof. Musai, njëherit na ofron të dhënat më të kompletuara që më vonë shumë shkencëtar i përdorën dhe i përdorin si të dhëna relevante për shkrimet e tyre. Ajo gjurmoi në Arkivin Shtetëror të Shqipërisë me muaj të tërë, vetëm e vetëm që të zbardhë dhe të dëshmoi se patrioti i madh, ishte një atdhetar i padiskutueshëm, që ndikoi shumë në rrjedhat e historisë.
Figura e Isa Boletinit, është trajtuar në aspektin shumë dimenzional nga historianët shqiptarë dhe të huaj. Në Kosovë, më 1969 botohet punimi nga:
1. Fetah Bahtiri “Rezistenca e shqiptarëve të Selacit ndaj turqve në fillim të shek. XX, në revistën “Përparimi”, nr. 4. 1969,
2. Pajazit Nushi, Isa Boletini dhe roli i tij në luftën e popullit shqiptar për çlirim nacional, Përparimi, nr. 3, 1979, Prishtinë,
3. Fatmira Musai, Isa Boletini në luftë për liri dhe konsolidimin e shtetit të pavarur shqiptar, Konferenca Kombëtare kushtuar 80 vjetorit të pavarësisë, Tiranë 1982,
4. Tahir Abdyli, Tribuni popullor i bashkëjetesës “Kosova” , nr. 15, 1986,
5. Gazmend Shpuza, Disa mendime rreth pikëpamjeve politike të Isa Boletinit, Koncepti i tij për autonomin e Shqipërisë, “Buletini shkencor”, Instituti i Lartë Pedagogjik Shkodër, nr. 1. 1988,
6. Fehmi Pushkolli, Arti Ushtarak i Isa Boletinit, Prishtinë, 1996.

Por, pas vitit 1990, kur në Kosovë fillon të jetësohej sistemi shumë partiak (megjithëse i kufizuar), por, kjo kohë ishte ende në kapërcyell, kur ndërgjegjja intelektuale haptas dhe më këmbëngulje u vu në mbrojtjen e popullit të vet dhe filloi të shkruante për të kaluarën e afërt nga një kënd tjetër, kur shkrimet historike, publicistike dhe politike filluan me rebelizëm të mos respektojnë censurën e hekurt serbo-jugosllave dhe të zhvishen nga ideologjizmat e censurat e ndryshme. Pikërisht atëherë, kur të dhënat historike filluan të quhen me emrin e vërtet e shkencor-fakte historike, veprimtaria e Isa Boletinit filloi të prezantohet, më me guxim dhe në vend më meritor.
Botimet për jetën dhe veprën e Isa Boletinit nuk mungojnë edhe në vitet e më vonshme. Në kushte okupimi, kur vështirë ishte të mbijetoje, e lere më të organizoje diçka, por me entuziazmin e dashurisë për lirinë, më 1996, Instituti i Historisë në Prishtinë, për nder të 80 vjetorit të rënies të Isa Boletinit, organizoi sesionin shkencor të titulluar “Isa Boletini dhe Koha e tij”, ku merrnin pjesë shkencëtarë-historianë të periudhave të ndryshme. Në aspekte gjithëpërfshirëse e të nduarndurshme u trajtua jeta dhe vepra e atdhetarit. Por, për hir të situatës së rëndë që mbretëronte në vend punimet e këtij sesioni u botuan pas dy vitesh nga Instituti i Historisë më 1998, në të cilën u përfshinë 17 kumtesa shkencore. Por me këtë rast do i përmendi vetëm disa nga autorët e kumtesave si:
Jusuf Bajraktari, Fehmi Rexhepi, Emine Bakalli, Xheladin Shala, Isa Bicaj, Limon Rushiti, Izber Hoti, Ramiz Abdyli, Sabile Keçmezi-Basha, Shaban Hashani etj.
Heroi gjithëkombëtar, përfshihet edhe në punime ku nuk është temë trajtimi ai vetë, por aty ku gërshetohen luftërat për pavarësi me atdhetarët e tjerë po të asaj kohe, si në punimet:
– Stefanaq Pollo, Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, në: “Mbi lëvizjen Kombëtare Shqiptare”, Tiranë 1962;
– Shukri Rahimit: “Vilajeti i Kosovës më 1878-1912”, Prishtinë 1968;
– Aleks Buda, Rrënjet historike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”, Tiranë, 1978; “Mitrovica dhe rrethina”, Mitrovicë, 1979;
– Zekiria Cana, “Lëvizja Kombëtare Shqiptare në Kosovë në vitet 1908-1912”, Prishtinë, 1979;
– Poashtu, në fejtonin e Mr. Sadulla Brestovcit, “Idriz Seferi – Kreshniku i Karadakut”, (në 20 vazhdime), Rilindja, janar 1979.
– Kristaq Prifti, Lidhja Shqiptare e Pejës, Tiranë 1984;
– Tafil Boletini, Pran Isa Boletinit, Kujtime 1 (1892-1916), Tetovë 1986, përgatitur nga Marenglen Verli, e shumë e shumë punime të tjera.

Duhet thënë, se për jetën e veprën e Isa Boletinit u shkrua shumë, sidomos me rastin e përvjetorëve të lindjes e të vdekjes së heroit, në shtypin e përditshëm duke e përkujtuar me pietet të thellë.
Duke pasur parasysh rezistencën e vazhdueshme dhe sakrificën e kësaj familje, në mbrojtje të popullit e atdheut të vet, familja Boletini u bë e njohur jo vetëm në Kosovë por në mbarë trojet shqiptare e më gjerë.
Në bazë të të dhënave që na i ofron autorja Fatmira Musai dhe të tjerët, vijmë në përfundim se Isa Boletini:
1. Përbënë figurën më emblematike dhe veprën më supreme me përkushtimin e tij ndaj çështjes mbarëkombëtare. Momenti më kulmor i veprës së tij është angazhimi dhe vet sakrifica e tij e vetëdijshme për çështje të mëdha të atdheut.
2. Isa Boletini në bazë të të dhënave që na i ofrojnë autorët, na del se me përkushtimin e vet ngjitet në majat e atdhetarisë dhe qëndron në lartësitë mbarëkombëtare e mbarëpopullore mbi interesat e ngushta lokale, kanunore, materiale e fetare.
3. Në emër të atdheut, të popullit dhe të kombit ngrihet fuqishëm mbi natyrën dhe formën e regjimeve e të qeverisjeve kolonizuese.
4. Pa i marrë parasysh ofiqet e benificionet që i ofrohen nga ana e okupuesve, Isa Boletini sakrifikonte jetën vetëm e vetëm për ta bërë kombin e vet të pavdekshëm dhe vendit të tij ti sigurojë një shtet të pavarur në suazat e tij të plotnueme.
Dhe nën 5. Duke lexuar e studiuar shkrimet e ndryshme, veprën e Isa Boletinit detyrohemi ta respektojmë e nderojmë edhe më tepër figurën madhore të vet heroit, se me një atdhetar të këtij kalibri lartësohet, fuqizohet, trimërohet, kulturohet dhe krenohet i tërë kombi para historisë dhe para së ardhmes.

Dhe, krejt në fund, duhet shtuar se, hulumtimi e studimi i jetës dhe veprës së Isa Boletinit është i lidhur ngushtë me ndriçimin e historisë së Lëvizjes Kombëtare Shqiptare si në Kosovë po ashtu edhe në Shqipëri, dhe se emri dhe veprimtaria e tij ngrit e lartëson historinë kombëtare, për të cilin, ka për çka të shkruhet dhe çka të thuhet, se me këto shkrime që u përmendën më lartë mendojë se megjithatë, ende nuk kanë shteruar të dhënat për jetën dhe veprën e atdhetarit.

(Fjalë e mbajtur në Konferencën shkencore “Isa Boletini në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare”, Prishtinë – 5 qershor 2015)

_______________________________

SHTOJCË E EDITORIT TË PASHTRIKU.ORG
Në vijim shikoni dokumentarin kushtuar Isa Boletinit:
“JAM MIRË KUR ASHTË MIRË SHQYPNIA”
Isa Boletini – Dokumentar (Pjesa 1)

Isa Boletini – Dokumentar Pjesa 2

Isa Boletini – Dokumentar (Pjesa 3)

Isa Boletini – Dokumentar ( Pjesa 4)

Isa Boletini – Dokumentar (Pjesa 5)

……………………………………..
[Film Dokumentar] Isa Boletini HD (1988)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura