PROF.DR.SHEFQET HOXHA: LUFTA E LUMËS KUNDËR PUSHTUESVE SERBË (9 NËNTOR – 6 DHJETOR 1912)

Pashtriku.org, 18. 11. 2013 – Një ngjarje e madhe na ka tubuar sot: njëqindvjetori i luftës së famshme të Lumës kundër pushtuesve serbë (nëntor-dhjetor 1912). Edhe më i rëndësishëm bëhet ky tubim, sepse po zhvillohet në kuadrin e 100-vjetorit të pavarësisë kombëtare. Janë dy njëqindvjetorë binjakë, sepse nuk mund të kuptohen pa njëri-tjetrin. Ndërsa më 28 Nëntor 1912 burrat më të mirë të kombit nënshkruan aktin sublim të pavarësisë, në malet e Lumës ky akt nënshkruhej me gjakun e mbi 200 trimave që ranë në fushë të betejës kundër hordhive serbe që synonin t’i zinin frymën shtetit të ri që po formohej dhe të zhbënin kombin shqiptar.
Lufta legjendare e malësorëve lumjanë e të rrethinës me forcat pushtuese serbe (9 nëntor – 6 dhjetor 1912) është sa e njohur, aq e pandriçuar; sa e vlerësuar, aq e përfolur, jo për mungesë burimesh historike, por për mungesë objektiviteti a mosdijeje, si edhe prej dashakeqësisë së disave. E ka ngulitur në kujtesë populli dhe e ka vlerësuar duke i thurur vargje lapidare të përmasave të nji himni; nuk e kanë harruar armiqtë që ndoshta mendojnë për t’u hakmarrë dikuri, prandaj, për të mos e harruar pasardhësit, këte katastrofë të ushtrisë serbe në Lumë dhe në Spas, ajo qe skalitur në muzeun e kralave në Topallti afër Beogradit me thirrjen – amanet “Kujtoni Lumkallen e golgothanë e Spasit!”

Punim i piktorit Ramazan Memishi, kushtuar të rënëve

në masakrat serbe në kryengritjet 1912 – 1913

 Këtë luftë nuk e pat lnorë historiografia komuniste, por edhe historiografia e sotme ende nuk e ka vënë në piedestal. Mezi i është bërë një vend në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar. Përndryshe, Shoqata Atdhetare Kulturore Luma ka organizuar dy përkujtesa, në 90-vjetorin e në 95-vjetorin e saj (2002, 2007). Tubimi i sotëm, i treti, është shenjë nderimi për dëshmorët lumjanë dhe të masakruarit e asaj lufte dhe shuejtë për brezin e ri në 100-vjetorin e pavarësisë kombëtare.
Në tetor 1912 Serbia i shpalli zyrtarisht luftë Turqisë dhe armatat e saj iu drejtuan tokave shqiptare yshtur me një thirrje demagogjike të krajl Pjetrit për popullin e vet se ky aksion kishte karakter çlirimtar. Tani shqiptarëve do t’u duhej të luftonin në dy fronte: kundër turqve dhe kundër Aleancës Ballkanike, por këta nuk kishin as armë as forca të mjaftueshme. Pas disfatës së ushtrisë turke në rajonin Kumanovë-Shkup (22-24 tetor 1912), edhe pse serbët patën shumë humbje, Armata e Tretë iu drejtua Grykës së Carralevës e Qafës së Duhles, ku qenë përqëndruar edhe bajrakët e Lumës të primë nga Ahmet Qehaja, Qazim Lika, Ramadan Zaskoci, Cen Daci, Sali Spahia, Ramadan Çejku, Nexhip agë Bilali, Alush agë Luma etj. Pas luftimesh të ashpra, ku mbetën mbi 40 dëshmorë lumjanë, ndër ta edhe bajraktari i Topojanit, Zaim Hamza, dhe i Kalisit, Idriz Bajraktari, malësorët e Lumës u tërhoqën drejt krahinës së tyne. Me 30 tetor ra Prizreni në dorë të serbëve dhe me 5 nëntor u vendos aty shtabi i gjeneralit famëkeq, Jankoviq, i cili që më parë, në rajonin e Podujevës, i kish kërcënuar shqiptarët se do t’ua bënte shkrumb e hi shtëpitë dhe katundet, po t’u kthenin pushën ushtarëve të tij. Sipas Tafil Boletinit, dëshmitar okular, gjeneral Jankoviqi e mbuloi vendin me kufoma e me zjarr. “Dita nga tymi bahesh natë – shkruan ai – nata bahesh ditë nga flakët dhe zjarmi i topave digjte vendin e shkretë”.
Tani hasmi shekullor ndodhej në portat e Lumës, Hasit, Malsisë së Gjakovës, Opojës, pse Kosova ishte pushtuar. Para këtij rreziku këto krahina ishin në këmbë, pse kaurri u kërcënonte vatanin. Nëpër katunde e bajrakë organizoheshin kuvende e merreshin vendime, lidhej besa për luftë. Familjet përpiqeshin të strukonin gratë e moshuara, fëmijtë dhe pleqtë e lanun nëpër tbana malore e shpella. Burrat përpiqeshin të siguronin armë e municion. Krerët e krahinës u vunë në lidhje me krahinat fqinj për ndihmë të ndërsjellë në rast rreziku. Sidomos vajtje-ardhjet Lumë-Dibër u shpeshtuan, sepse dy krahinat dëshironin ta kishin shpinën e ngrohtë. Dibranët i kishin drejtuar sy e veshë nga Kosova e Luma, lumjanët nga Dibra, e cila rrezikohej nga armiku që mund të hynte nga gryka e Radikës.
Në një situatë të tillë ia behu në Lumë shpura e Isa Boletinit. Ky i gjeti krerët e krahinës të tubuar në Bicaj. Ardhja e tij qe ogur i mirë, pse yshti përgatitjet për luftë në kuvendet e Kolesjanit, Ujmishtit, Vasijes, Ploshtanit e Sllovës, që u mbajtën në kullat e Islam Spahisë, Nezir Bajraktarit, Qazim Likës, Osman Litës dhe Elez Isufit – Isa Boletini afroi Dacin e Kalisit me Ndreun e Dardhës, të hasmësuar prej 30 vjetësh dhe në kullën e Osman Litës u pi kafja e pajtimit, pse “fati i atdheut mbi të gjitha”. Elez Isufi ato ditë ndodhej në udhë për në Shkodër, e cila luftonte me Karadakun, por, si mori lajmin se Luma në rrezik, kthen dalë me 200-300 dibranë dhe bashkohet mbas pajtimit me krenët e Lumës së Epërme, Cen Dacin, Osman Litën, Bajram Gjanën, Qazim Likën e Merë Sufën dhe së bashku marrin udhën drejt Qafës së Kolesjanit. “Momenti historik e ngarkoi popullsinë e këtyre trevave me një mision shumë të rëndësishëm për fatet e Shqipërisë, të cilën kjo e kreu me nder”.
Dihet se Serbia në Luftën Ballkanike synonte pengimin e autonomisë së Shqipërisë, pushtimin e Shqipërisë së Epërme dhe daljen në Detin Adriatik, prandaj Armatës së Tretë të saj që sapo kishte pushtuar Prizrenin e Gjakovën (3 nëntor), iu dha detyrë të vinte në lëvizje dy njësitë e bregdetit të përbëra prej rreth 16.000 ushtarësh të përzgjedhur nga divizionet Drina e Shumadia, të cilat marshuan veç e veç drejt Lezhës, Shëngjinit e Durrësi me 9 e 10 nëntor. Për të siguruar rendin e qetësinë në Kosovën e pushtuar, për të çarmatosur popullsinë dhe për të shtypur çdo lëvizje të mundshme antiserbe, më 13 nëntor qe krijuar zona ushtarake e Kosovës. Armatës së Tretë serbe iu vu detyrë që të pushtonte edhe Lumën, Malësinë e Gjakovës, Hasin, Opojën e Gorën. U vendos ligji i luftës dhe u formua reparti i Lumës për të pushtuar viset e papushtuara rreth Prizrenit, i cili më 9 nëntor mbrrini në Kullë të Lumës. Tanimë urori iu afrua bricës, prej kah do të shkrepnin xixat e do të shpërthente flaka që do të mbulonte dheun e Lumës e rrethinat e tij.
Edhe në Lumë kishin vijuar përgatitjet për luftë. Forcat kryesore ishin përqendruar në Qafë të Kolesjanit dhe në dy krahët e saj, që nga shpatet e Koritnikut, Gjalicës, Kumashit, Kodrat e Gabnicës e në Dri të Zi, po çdo katund kish organizuar çetat e pritat e veta. Një heshtje e thellë mbizotëronte kudo e kjo paralajmëronte vdekjen, po edhe lavdinë e armëve lumjane.
Lufta e Lumës kundër forcave pushtuese serbe ka vazhduar rreth një muaj (9 nëntor-6 dhjetor 1912). Ajo ka kaluar nëpër tri faza: 9-14 nëntor, 15-18 nëntor, 19 nëntor-6 dhjetor. Mbështetur në burime arkivore vendëse dhe në njoftime serbe (sigurisht të seleksionuara) peçatur nga Borisllav Ratkoviq e Kosta Novakoviq, po edhe në të dhëna të besueshme gojore të vjela nga pjesëmarrës në luftime, kemi skicuar kuadrin e kësaj beteje, të cilën e kemi shpaluar më parë në shtyp, prandaj këtu po prekim vetëm disa pika.
Në fazën e parë (9-14 nëntor) dy forcat kundërshtare u morën me sigurim të dhënash, kontigjentesh e armatimesh. Në zanafillë lumjanët kanë pasur 700-800 burra të armatosur, numër që u rrit më vonë në mbi 2000 armë, sepse u erdhi në ndihmë një kontigjent dibranësh dhe bajrakët e Lumës së Epërme me dy topa me 17 predha që i ishin marrë një batalioni turk në tërheqje. Forcat e armikut, pa llogaritur kontigjentet e dislokuara në Has, Gorë e Opojë që shërbyen si mbështetje, më 9 nëntor përbëheshin nga batalioni 3 i regjimentit 10 të këmbësorisë dhe një togë mitralierësh, por mbas rivlerësimit të situatës me 10 nëntor, u përforcuan me batalionin 4 dhe një bateri topash malorë. Më vonë u fut në luftime edhe bat. 2. i regj. 10 të këmbësorisë.
Faza e dytë (15-18 nëntor) shënon fillimin dhe kulmin e luftimeve. Kjo fazë mbart edhe lavdinë e armëve lumjane. Luftimet u zhvilluan nga Qafa e Kolesjanit, në luginat e Shejës e të Lumës e deri afër Zhurit. Ato luftime qenë një katastrofë e vërtetë e ushtrisë serbe dhe kulmi i lavdisë së lumjanëve, ku u evidentuan dhjetëra e dhjetëra heronj si: Haziz Xhaferi e Hazir Mhola (Bicaj), Shaqir Dauti e Halim Shehu (Shtiqën), Nexhip Dulla (Kolesjan) e Brahim Zeqiri (Radomirë) etj. etj. Kjo luftë është vlerësuar dhe vazhdon të vlerësohet si shembull i shkëlqyer i fitores së një populli të vogël e të armatosur dobët që mbron trojet e veta ndaj një më të madhi, i cili synon të pushtojë tokën e huaj.
Lumjanët e mbajnë luftën e nëntorit 1912 kundër ushtrisë serbe si kulmin e historisë së tyre. Përkundër skepticizmit dashakeqës dhe ndoshta edhe padijes së disave, rapsodi lumjan këndon:
“… dimdhetmi i kan’ farue,
gjymsa myt’ për uj’ kan’ shkue”.
Sigurisht kjo është një shpalim folklorik.

Në historiografinë serbe pranohen humbjet e mëdha të ushtrisë së saj.
Sipas Novokoviqit – “kjo betejë u pagëzua me jetën e disa qindra njerëzve” dhe “reparti i Lumës u detyrua të tërhiqet i shpartalluar, i rraskapitur… dhe arriti në fshatin Zhur”.
Në veprën “Prvi Ballkanski rat” (1975) të Borisllav Ratkoviqit pohohet se “aradhat serbe qenë shpartalluar tërësisht e dëbuar nga territori i Lumës”.
Beteja e Lumës kundër pushtuesve serbë, sipas nesh, ka vlera lokale e kombëtare. Në planin lokal vlera e saj qëndron në evidentimin e dashurisë së lumjanëve për vendin e vet e për lirinë dhe urrejtjen e pamasë ndaj shkjaut, armikut shekullor të shqiptarëve, të traditave të shquara luftarake dhe të një radhë udhëheqësish “të shkolluar” në akademitë e maleve, si dhe të aftësive vetëqeverisëse e vetëmbrojtëse të krahinës. Ajo ishte shembull i shkëlqyer i heroizmit të gjyshërve tanë, të cilët na bëjnë ne nipërve, në njiqindvjetorin e pavarësisë, të krenohemi para historisë kombëtare, sepse të rralla janë krahinat shqiptare që kanë luftuar e derdhur gjak aq shumë për lirinë e Shqipërisë sa Luma.
Parë në planin kombëtar, kjo betejë vonoi depërtimin e forcave të ushtrisë serbe në brigjet e Adriatikut, e cila synonte për të penguar shpalljen e pavarësisë kombëtare dhe për ta bërë fakt të kryer pushtimin e atdheut tonë. Madje kjo betejë e përgjakme imponoi Fuqitë e Mëdha që ta lënë krahinën e Lumës brenda territorit të shtetit shqiptar. Bash këtu qëndron vlera më e madhe e saj.
Faza e tretë e luftimeve (19 nëntor-6 dhjetor) përfshin një kundërsulm të fuqishëm të armikut mbi Lumë dhe tërheqjen duke luftuar të malësorëve të saj, të cilët mbetën pa aleatët dibranë që u kthyen në krahinën e tyre të sulmuar nga divizioni Morava. Lumjanët qenë tanimë të lodhur, të këputur dhe pa municione, prandaj u ngjitën në male.
Nga Prizreni drejt Lumës u drejtuan regjimentet 11 e 12 të divizionit Shumadia dhe një batalion i regjimentit 10 të këmbësorisë, pra 13 batalione. Në mbështetje të tyre qenë edhe tri aradha të dislokueme në Has, Opojë e Gorë, si dhe disa toga mitraliere dhe bateri artilerie. Në krye të këtyre trupave qe komandanti i divizionit Shumadia dhe oficerë të lartë të Shtabit të Armatës së Tretë.
Kolona kryesore e armikut vepronte në qendër dhe kjo gjatë marshimit masakroi banorë të fshatrave Zhur, Dobrusht, Shkozë, Vërmicë, Morin, Bardhoc, Gjegjën, Bicaj etj. Te Uki i Vjerrë armiku ndeshi në një qëndresë të fortë të lumjanëve, të cilët, veç nga armiku përballë, u sulmuan edhe nga perëndimi me një shi predhash që vinin nga shpatet e Domajt dhe të Pogajt, prandaj u detyruan të tërhiqen bashkë me turma banorësh të Rrafshes që iu drejtuan Lumës së Epërme për t’i shpëtuar shfarosjes.
Kolona e djathtë, nisur nga Hasi drejt Kukësit e Urës së Vezirit, përparoi nëpër Tejdrine për të kapë Ujin e Mallës, ndërsa e majta nga Opoja e Gora iu drejtua Kalasë së Dodës.
Të tri kolonat e armikut dogjën shtëpia, masakruan banorë të pafajshëm, morën pengje dhe grabitën çfarë gjetën.
Më 29 nëntor, armiku doli në Ujin e Lapave dhe më pas në Veleshicë. Më 6 dhjetor në Ujin e Gramës u takuan repartet e divizionit Shumadia me ato të divizionit Morava. Rezistenca e Lumës u fashit, por vetëm përkohësisht, sepse në shtator-tetor 1913 Luma u ngrit përsëri në këmbë dhe pësoi një holokaust të vërtetë.
E tani duhet t’i japim përgjigje pyetjes: Si mundi Luma të përballet denjësisht me agresorin serb në nëntor-dhjetor 1912 të armatosur me armët më moderne të kohës dhe të komanduar nga oficerë të shkolluar në akademitë e Francës e të Gjermanisë dhe të shkruajë faqen më të lavdishme në historinë e saj?
Faktorët që përcaktuan këte fitore, mendoj se janë këto:
E para, dashuria e lumjanëve për vendin dhe lirinë. Në këngën – himn të Lumës kjo shprehet qartë:
“Kur vikati Islam Spahija:
Bini, gjem, se shkoi Shipnija!”
-“Bini, gjem – thrret Ramadani –
bini, gjem, se shkoi vatani!

Po edhe studiuesi serb, Ratkoviq, është shprehur qartë për këte: “… aspirata për liri dhe ruajtjen e vatres së vet, ishte një forcë e madhe që i mobilizoi për rezistencë lumjanët”.
E dyta, tradita e gjatë luftarake e shprehur edhe në vargjet popullore:
“Djemt’ e Lumës hiç s’kan’ dert,
ka nji luft’ bajn’ vjet për vjet,
luft’ me krajl e luft’ me mret”.

Studiuesi francezes, Bernard Louis – Jaray (1909) ka shkruar: “Lumjanët janë një popullsi luftarake, e pavarur… janë malësorë energjikë, të shkathët, guximtarë, të gjithë të armatosur e shenjues të mirë…”.
E treta, në krye të lumjanëve qenë “gjeneralë me tirq”, udhëheqës e luftëtarë të regjur e të kalitur ndër beteja, të shkolluar në akademitë luftarake të maleve, me përvojë të pasur jetësore, që ishin njëherit krerë edhe malësorë të thjeshtë. Ata janë shumë, por këtu po shënoj disa: Islam Spahia “burri më i madh i Lumës”, i vlerësuar si “Nderi i Kombit”, Sali Spahia (Kolesjan), Ramadan Zaskoci (Mamzë), Qazim Lika (Vasije), Ramadan Çejku e Dostan Mustafa (Lusën), Merë Sufa, Osman Lita, Cen Daci, Bajram Gjana (Kalis), Dërvish Bajraktari, Nezir Bajraktari, Isuf Mehmeti, Jemin Gjana (Ujmisht), Shaqir Palushi (Palush), Myftar Nika (Surroj), Hoxhë Mehmeti (Shtiqën), Nexhip agë Bilali, Alush agë Luma, Hamit Bajraktari (Bicaj), Sulë Elezi (Kukës), Ahmet Iljaz Qehaja, Zaim Hamza, Abdyl Myrta, Jemin Aliu (Topojan), Maliq Koka (Çajë), Nail Hyseni (Gorë), Mustafë Pllava (Opojë) etj. etj. Këta burra shfrytëzuan përvojën tradicionale të luftërave, por edhe njohuritë luftarake të ushtrisë osmane (Cen Daci);
E katërta, Luma ka qenë e njohur për një organizim të përsosur vetëqeverisës e vetëmbrojtës tradicional, sepse – sipas studiuesit francez, Jarai në veprën “L’Albanie inconue” (1913), banorët e saj nuk kanë paguar kurrë taksa, nuk kanë njohur qeverinë turke, po vetëm Sulltanin, si autoritetin më të lartë fetar.
Edit Durhami ka shkruar se “fisi” i Lumës ishte më i pavaruri midis gjithë fiseve myslimane; ndërsa Petër Bartl është shprehur: “Banorët e Lumës mbaheshin si jashtëzakonisht fanatikë dhe nuk linin këmbë armiku të hynte në krahinën e tyre”.
E pesta, gjatë udhëtimit për në Vlorë (fillim i nëntorit 1912), Isa Boletini e shpura e tij u prit me bukë e zemër në kullat e Sulë Elezit, Nexhip agë Bilalit, Islam Spahisë, Nezir Bajraktarit, Qazim Likës, Elez Isufit. Në kuvendet e organizuara foli edhe Isa Boletini dhe nxiti lumjanët për të luftuar kundër pushtuesit serb, i cili synonte të pushtonte Shqipërinë dhe të pengonte ngritjen e flamurit kombëtar në Vlorë. Burri i madh i Kosovës nxiti bashkëpunimin me krahinat përreth: Hasin, Gorën, Opojën, Reç-e-Dardhën, i cili qe një faktor i rëndësishëm në qëndresë. Prania e Boletinit në ato ditë të vështira në Lumë, u dha zemër malësorëve të saj dhe krerëve të tyre për t’u përballur me armikun, po ai nuk solli nga Kosova në Lumë dashurinë për liri, trimërinë, urrejtjen për armikun, ato i gjeti në zemrat e lumjanëve, ishin visare të trashëguara nga të parët.
Së fundi, në betejat e zhvilluara kundër batalioneve e regjimenteve serbe lumjanët patën aleatë terrenin, ujin, motin. Ata luftuan në vend të vet, prandaj njihnin çdo shkëmb e gur, çdo përrua e përrockë, njihnin rrugët, shtigjet, të përpjetat e tatëpjetat e kjo njohje i mungonte armikut, gjë që e ka pranuar edhe Ratkoviqi.
Ndoshta vetë zoti deshi që ato ditë të keqësohej moti e të binte shi me rrëshekë e kjo vështirësoi hasmin e vatanit në veprimet taktike të tij, pengoi furnizimet, po edhe bëri t’i mbetej artileria në baltë. Netët e gjata të vjeshtës, të errta, të ftohta, me bubullima e vetima i tmerruan ushtarët e armikut. Shtoi kësaj mënxyre edhe ujërat e rrëmbyeshëm që sillnin gurë e lera, kllade e makllade e që merrnin me vete dhjetëra e qindra ushtarë të armikut, siç thotë edhe kënga popullore:
“Reka e Bicanit po rrjedh gjak,
po i thot Drinit “m’nihmo pak,
m’nihmo pak, n’dash me m’nihmue,
kllade t’mdhaja jam tuj çue…”.

Pavarësisht nga fundi i dhimbshëm i kësaj lufte, ajo mbetet, padyshim, e lavdishme, sepse shkroi një faqe të shkëlqyer në historinë e lumjanëve, por edhe në historinë e popullit shqiptar kundër pushtuesve të huaj.
Prandaj, përkujtimi që po i bëjmë sot në 100-vjetorin e saj dhe të pavarësisë kombëtare, është një peng nderimi jo vetëm për gjyshërit e prindërit tanë që morën pjesë në të dhe për prijësit e tyre, por sidomos për ata burra trima që dhanë jetën duke luftuar kundër hasmit të përbetuar sllav që synonte të shuante kombin shqiptar. Lavdi u qoftë atyre burrave të mirë! Lavdi krahinës së Lumës!
– Kumtesë e mbajtur në 100 vjetorin e Betejës së Lumës, (nëntor 2012)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura